POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Ja sekreti i blogeres Elda Koçia për tu ndjerë mirë me format e trupit: I fejuari më thotë 'Aman mos u dobëso!'

Brenda një kohe të shkurtër Elda Koçia, ka arritur të frymëzojë mijëra vajza e gra përmes blogut të saj në instagram duke i nxitur ato të duan trupin e tyre pavarësisht kilogramëve që tregon peshorja. Por 24 vjeçarja që sot është shndërruar në një motivuese nuk e ka patur të lehtë dhe është përballur me kritika e paragjykime. E ftuar sot në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, blogerja tregoi se dikur i thoshin që nuk do të arrinte të gjente burrë për shkak të shëndetit. Por ajo pati fatin të gjente një njeri që dashuron çdo pjesë të sajën.

Blogerja Elda Koçia me të fejuarin

Njerëzit më thoshin mjaft hëngre, nuk e di si mund të mbijetojë njeriu pa vlerat e nevojshme ushqyese. Më thonin edhe -nuk do të marri burri, por unë kam gjetur gjithë atë djalë dhe ai më do kështu siç jam. Ai dashuron çdo pjesë timen. Madje më thotë -të lutem mos u dobëso. Sepse unë po kurohem nga tiroidet dhe po dobësohem paksa, dhe më thotë që mjaft je dobësuar.

Elda Koçia, blogere

E pyetur se si ja doli të gjente besimin në vetvete për të mos u ndikuar nga paragjykimet e shoqërisë për shkak të peshës, Koçia tha se ajo që e ka ndihmuar më shumë ishte të lexuarit dhe të informuarit lidhur me njerëz të tjerë mbipeshë anë e mbanë globit.

Mu desh një kohë e gjatë dhe kam lexuar sa më shumë, gjëja më e mirë është që të informoheni edhe se çfarë ndodh nëpër botë sa i përket pozitivitetit të trupit që të ndiheni sa më mirë në fillim me shëndetin tuaj mendor dhe më pas me shëndetin tuaj fizik.

Elda Koçia, blogere

I ftuar në studio ishte dhe gazetari Genti Minga, i cili prej disa muajsh i është përkushtuar me stërvitje dhe dietë ushqimore një regjimi që i ka mundësuar të humbasë kilogramët e tepërt e të jetë në formë. Por për Gentin, dikur redaktor dhe kryeredaktor në revista që kryesisht promovojnë vajza seksi dhe elegante në kopertinat e tyre, në shoqëri ka shumë paragjykime sa i përket formës fizike.

Ideja se po të humbasësh peshë dhe të jesh i dobët dhe në formë, mund të gjesh të dashur më kollaj, apo po të jesh i dobët je më i shëndetshëm, janë të gjitha paragjykime. Ka vajza që bëjnë palestër dhe nuk kanë të dashur. Duhet promovuar ideja e të qënit mirë me veten, forma e mirë fizike është e shëndetshme. Por jam i keqardhur që shoqëria gjen gjithnjë tek anëtarët e vet, gjëra për ta fyer, nje herë pesha, gjatësia, syzet etj. Është vërtetë depersonalizuese.

Genti Minga, gazetar

a.ko./b.ha.
Komento