Kaos në drejtësi/ KLD braktis detyrën, por jo pagat dhe privilegjet

Kaos në drejtësi/ KLD braktis detyrën, por jo pagat dhe privilegjet

Nga një mbledhje e KLD-së

Këshilli i Lartë i Drejtësisë, autoriteti përgjegjës për vlerësimin dhe kontrollin e veprimtarisë së gjyqtarëve deri në ngritjen e Këshilli të Lartë Gjyqësor, ka hequr dorë nga funksioni i tij më i rëndësishëm. Këshilli i Lartë i Drejtësisë thotë zyrtarisht për Shqiptarja.com se Inspektorati i KLD nuk merret më me hartimin dhe publikimin e raportit vjetor për evidentimin e rasteve për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve të shkallës së parë dhe të dytë, për trajtimin e ankesave kundër gjyqtarëve, inspektimin e gjykatave etj. “Me hyrjen në fuqi në muajin nëntor 2016 të ligjit Nr. 96/2016 "për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë", Inspektorati i KLD-së, nuk e ka me detyrim ligjor hartimin dhe publikimin e raportit vjetor për veprimtarinë e Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, thekson KLD, duke konfirmuar se prej dy vitesh gjyqtarët dhe gjykatat janë jashtë çdo kontrolli.

Rrethanat

Neni 160 i ligjit nr. 96/2016 ka kufizuar veprimtarinë e KLD, sidomos duke i hequr nga duart emërimet masive në gjykata, për shkak të mosbesimit të thellë që reflekton KLD brenda vendit, por edhe në qarqet ndërkombëtare. Ndërkaq, neni 173 i ligjit, ndër të tjera, ka shfuqizuar edhe nenet 14, 15 dhe 16 të ligjit për organizimin dhe funksionimin e KLD, nene të cilat kanë të bëjnë me Inspektoratin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe detyrave të tij. Inspektorati është instrumenti kryesor dhe i vetëm i Këshillit të Lartë i Drejtësisë për vlerësimin dhe kontrollin e veprimtarisë së gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të gjykatave të apelit. Prej dy vitesh, Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk e ushtron këtë funksion, ndonëse të ardhurat dhe privilegjet e anëtarëve të KLD nuk kanë ndryshuar në krahasim me vitet e mëparshme, kur Këshilli funksiononte me kompetenca të plota. Në raportin e fundit, atë të vitit 2015, Inspektorati i KLD deklaronte administrimin e 840 për veprimtarinë e gjyqtarëve. Nga 840 ankesa, Inspektorati i KLD verifikoi vetëm 212, ndërsa vendosi të arkivonte 628 ankesa. Në përfundim të procesit, IKLD ka propozuar masa disiplinore vetëm për dy gjyqtarë, por asnjëri nuk është ndëshkuar. Njëra prej ankesave nuk është bërë pjesë e rendit të ditës në mbledhje të KLD, ndërsa për ankesën tjetër është marrë masa e “vërejtjes me paralajmërim” ndaj gjyqtarit.

Zëvendësimi i Inspektoratit të KLD

Ligj nr. 115/2016 për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë parashikon zëvendësimin e Inspektoratit të KLD me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë. Neni 201 i këtij ligji parashikon që Inspektori i Lartë i Drejtësisë zgjidhet nga Kuvendi nga radhët e kandidatëve të përzgjedhur dhe të renditur nga Këshilli për Emërimet në Drejtësi. Por anëtarët e Këshillit për Emërimet në Drejtësi ende nuk kanë kaluar procesin e Vetingut, ku për rrjedhojë çdo vendimmarrje e tyre kundërshtohet nga politika. Po nga procesi Vetingut kushtëzohet edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Nga dy organet e fundit, kushtëzohet ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatave Speciale.

Debati për kompetencat  

Në kushtet Këshilli i Lartë Gjyqësor, organi që do të zëvendësojë KLD, ende nuk është ngritur, pasi një proces i tillë është i kushtëzuar me avancimin e procesit të Vetingut, në Këshillin e Lartë të Drejtësisë ka patur diskutime të vazhdueshme sa i takon kompetencave. Një debat i tillë është zhvilluar edhe gjatë seancës për shkarkimin e ish-anëtares së Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea, ku gjysma e anëtarëve mendonin se shkarkimi nuk ishte në kompetencë të KLD, gjysma tjetër të kundërtën. “Kur të krijohet Këshilli Lartë Gjyqësor që shpresoj se do bëhet para pesë vjetësh sesa zonja të plotësojë dënimin plotësues, ta sqarojë këtë situatë që është bërë kaotike sepse ne kemi probleme të tjera më të rëndësishme për të diskutuar për shkak të kaosit që është krijuar nga ligjet, nga gjykata Kushtetuese, nga periudha tranzitore. Kështu që mendoj që ta kalojmë këtë pikë”, ka pohuar anëtarja Brunilda Kadi. Në një linjë ka qenë edhe anëtari Gjin Gjoni. Ndërkaq, mendim të kundërt kishte anëtari Neritan Cena. “Duke iu referuar këtyre dispozitave, unë mendoj që Këshilli Lartë i Drejtësisë ka kompetencë për t’u shprehur por me një kusht, duhet të kemi kërkesë nga ministri. Ai është subjekti që na vë në lëvizje”, ka pohuar Gerd Hoxha. Debate të tilla janë zhvilluar edhe për çështje të tjera, ku anëtarët e KLD kanë ndarë qëndrime të ndryshme sa i takon kompetencave.

Organi i ri, Inspektori i Lartë i Drejtësisë

1. Inspektori i Lartë i Drejtësisë është autoriteti shtetëror përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore dhe për fillimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe për inspektimin institucional të gjykatave dhe të zyrave të prokurorisë;

2. Për verifikimin e ankesave ose hetimin e shkeljeve disiplinore ndaj subjekteve, të

parashikuara në pikën 1, të këtij neni, Inspektori vihet në lëvizje bazuar në:

a) ankimin me shkrim çdo të personi fizik, juridik ose organi publik të interesuar;

b) ankimin me shkrim të Ministrit të Drejtësisë;

c) ankimin me shkrim të Prokurorit të Përgjithshëm;

ç) ankimin me shkrim të secilit anëtar të Këshillit të Lartë Gjyqësor ose të Këshillit të Lartë të Prokurorisë;

d) ankimin me shkrim nga kryetari i gjykatës ku punon gjyqtari që dyshohet se ka kryer shkelje disiplinore;

dh) ankimin me shkrim nga drejtuesi i zyrës së prokurorisë ku punon prokurori që dyshohet se ka kryer shkelje disiplinore.

3. Inspektori i Lartë i heton shkeljet e dyshuara edhe kryesisht, bazuar në të dhëna publike ose të siguruara në kuadrin e inspektimeve institucionale e tematike, sipas kushteve dhe procedurave të parashikuara në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

4. Inspektori i Lartë i Drejtësisë kryen inspektime institucionale e tematike mbi çdo aspekt të punës së gjykatave, administratës gjyqësore, zyrave të prokurorive dhe administratës së prokurorisë, bazuar në kërkesën e motivuar me shkrim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të Ministrit të Drejtësisë, të Prokurorit të Përgjithshëm dhe në planin vjetor të inspektimeve.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Lufta poshtë brezit për dominimin e opozitës

Lufta poshtë brezit për dominimin e opozitës