Këndi i Ekspertit/ Fadil Kepi: Cilat janë kushtet për të bërë sigurime vullnetare

Këndi i Ekspertit/ Fadil Kepi: Cilat janë kushtet për të bërë sigurime vullnetare

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report Tv, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, si çdo të premte, ka qenë i ftuar eksperti i problematikave të pensioneve, Prof. Dr. Fadil Kepi. Në këtë emision Profesor Kepi ka sqaruar qytetarët fillimisht për mundësinë që ata kanë për të bërë sigurimet vullnetare. Eksperti ka sqaruar si duhet të veprojnë të vetëpunësuar në bujqësi, ku duhet të drejtohen dhe cila është vlera që duhet të paguajnë qytetarët. Më pas profesor Kepi ka sqaruar qytetarët për pyetjet e shumta që kanë mbërritur në redaksi.

Sot do të trajtojmë një temë, e cila ka të bëjë me sigurimet vullnetare, gjithashtu dhe me sigurimet në bujqësi. Cilat janë kushtet për të bërë sigurime vullnetare? Gjithashtu si të vetëpunësuar në bujqësi, ku duhet të drejtohen dhe cila është vlera që duhet të paguajnë qytetarët?
Kjo është një çështje shumë interesante, e cila zgjidh shumë probleme për sa u përket pensioneve në vendin tonë. Atëherë sqaroj, sipas legjislacionit të Sigurimeve Shoqërore, personat që nuk janë në marrëdhënie pune ose që janë në marrëdhënie pune por kanë një pagë të vogël dhe duan të sigurohen edhe për më shumë, kanë të drejtë të bëjnë sigurime vullnetare. Edhe shtetasit shqiptarë, edhe ata që janë në emigracion. Cilat janë kushtet? Kushti i parë është që të kenë plotësuar moshën 18 vjeç, pavarësisht nga gjinia dhe pavarësisht se në cilin shtet banojnë, në Shqipëri ose jashtë vendit. Kushti i dytë është që të kenë nënshtetësi shqiptare ose dy nënshtetësi.

Cila është vlera që duhet të paguajnë qytetarët brenda Shqipërie dhe jashtë Shqipërie? Ka diferencë apo është e njëjta tarifë?
Jo, nuk ka diferenca, është e njëjta tarifë. Atëherë, sa është shuma? Është 62.208 lekë të rinj në vit. Po ta pjesëtojmë me 12 muaj, i takon 5.184 lekë të rinj në muaj. Pensioni minimal i shtetit është rreth 16.000 lekë të rinj në muaj, pra rreth 30 herë më shumë.

Çfarë duhet të bëjë personi? Në radhë të parë, është e domosdoshme që në vendin tonë, qoftë ata që janë jashtë, qoftë ata që janë brenda, duhet që t’i bëjnë këto sigurime përpara se të plotësojnë moshën e pensionit, e cila aktualisht është për femrat 60 vjeç e 8 muaj dhe deri në fund të këtij viti është edhe për burrat 65 vjeç. Po e kaluan këtë moshë, nuk kanë të drejtë më që të bëjnë sigurime vullnetare.

Çfarë përfitojnë qytetarët duke bërë sigurime vullnetare? Përfitojnë tre lloje pensionesh: pension pleqërie, pension invaliditeti sepse nuk dihet se kur mund të sëmuren apo të aksidentohen, dhe pension familjar. Një person që është i siguruar në mënyrë vullnetare dhe i plotëson kushtet, edhe nëse ndërron jetë, familjarët e tij marrin pension, konkretisht gratë në moshën 55 vjeçe dhe kur është pa punë, por marrin edhe fëmijët kur ndjekin mësimet apo studimet në shkollë.

Çfarë duhet të kemi parasysh tjetër? P.sh. për t’u siguruar për vitin 2018, 2017, 2016 e të tjerë me radhë, gjatë të cilave personi nuk ka punuar, ai duhet të paguajë shumën 62.208 lekë të rinj. Në qoftë se ka 12 vite punë dhe sigurohet për këto 3 vite, pra për vitet 2018, 2017 dhe 2016, i plotësohen 15 vite punë dje personi merr pension ditën kur të plotësojë moshën 65 vjeç nëse është mashkull, dhe në moshën 60 vjeçe e 8 muaj nëse është femër. Gjithnjë deri në fund të vitit 2018. Por kushti është që këto sigurime të paguhen përpara se personat të plotësojnë moshën e daljes në pension.

Çfarë ka tjetër? Në qoftë se janë të rinj dhe nuk i kanë vitet e plota të punës, janë në emigracion por edhe në Shqipëri, atëherë mund të bëjnë sigurime vullnetare sepse mund të dalin në pension p.sh. në vitin 2025 apo në vitin 2030. Mund të paguajnë sigurime vullnetare këtë vit për vitin e ardhshëm 2019, në vitin 2019 për vitin 2020 e kështu me radhë. Kur paguajnë sigurime vullnetare për vitin e ardhshëm, shuma prej 62.208 lekësh të rinj, ulet me 6%, pra e barabartë me 3.733 lekë të rinj. Pra edhe një herë, nëse personat sigurohen për vitin 2018 dhe për vitet e mëparshme, nuk përfitojnë ulje të vlerës së sigurimeve vullnetare.

Jam një qytetar nga Tirana. Jam 64 vjeç. Kam një vjetërsi pune prej 35 vitesh e 2 muaj. Jam invalid i grupit IV, dhe marr invaliditet nga shteti 2 orë punë. Nuk jam në marrëdhënie pune që prej 13 vitesh. A më quhen vjetërsi pune ato 2 orët apo duhet të bëj sigurime vullnetare?
Ju do të dilni në pension në moshën 65 vjeç deri në vitin 2032. Burrat që janë jashtë vendit apo brenda vendit, për vitet që kanë punuar, do të dalin në pension në moshën 65 vjeç dhe nuk u shtohet as edhe 1 ditë. Për të marrë pension të plotë, vitin e ardhshëm, juve do t’ju kërkohen 36 vite e 8 muaj punë të siguruar gjithsej, nga mosha 16 vjeç. Mund të keni punuar kudo në vendin tonë, por jo jashtë vendit. Mund të keni punuar në kooperativë bujqësore, në SMT, mund të keni qenë ushtar, mund të keni bërë sigurime vullnetare, mund të keni bërë sigurime si i vetë punësuar në bujqësi. Quhet vjetërsi pune leja e zakonshme, raportet mjekësore. Quhet vjetërsi pune njëkohësisht edhe periudha që keni marrë pension të plotë dhe të pjesshëm invaliditeti. Është neni 58 i Ligjit të Sigurimeve Shoqërore. Për pensionin e plotë të invaliditetit ligji ka qenë në fuqi që nga viti 1947, ndërsa për pensionin e pjesshëm të invaliditetit ligji funksionon që nga viti 2005 e në vijim. Ato 2 orët ju quhen vjetërsi për efekt të pensionit të pleqërisë dhe do të llogariten me vitet që keni punuar. Ju keni 35 vite e 2 muaj punë. Ju duhen 36 vite e 8 muaj punë të siguruar, kur ju të mbushni moshën për të dalë në pension pleqërie. Pra ju mungojnë 1 vit e 6 muaj. Keni kujdes se me këto që më thatë, nuk merrni pension të plotë. Ju rekomandoj që me librezën e pensionit të invaliditetit, të shkoni tek Agjencia e Sigurimeve Shoqërore sa më shpejt që të keni mundësi, në mënyrë që që specialistët atje të bëjnë llogaritë e duhura. Ju merrni edhe 2.200 lekë të rinj në muaj nga fondi i Bashkisë, përveç pensionit të invaliditetit. Për të gjitha hollësitë e duhura e të nevojshme do t’ju sqarojnë specialistët e Sigurimeve Shoqërore.

Jam një naftëtar nga qyteti i Vlorës. Jam i datëlindjes 25 dhjetor 1955. E kam filluar punën më 2 shkurt të vitit 1977. Kur dal në pension?
Në bazë të statusit të naftëtarit, të miratuar me ligjin e datës 2 shkurt të vitit 2017, pra po mbushen gati 2 vite nga miratimi i tij, por për fat të keq asnjë person nuk e ka marrë pagesën sipas statusit të naftëtarit. Të drejtën për të fituar statusin e naftëtarit e kanë fituar rreth 1.600 veta, por lekë nuk kanë marrë. Unë mendoj që bashkë me librezën e punës, të shkoni në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore. Sipas ligjit për statusin e naftëtarit, dalin në pension të plotë, burrat në moshën 60 vjeç, kur kanë gjithsej 30 vite punë dhe nga këto, 25 vite në naftë. Statusi i naftëtarit me siguri që do t’ju jepet sepse e ka miratuar Kuvendi i Shqipërisë, më 2 shkurt të vitit 2017. E ka miratuar edhe qeveria në zbatim të ligjit. Besoj se do të miratohet së shpejti sepse po punohet shumë intensivisht.

Flas nga Kavaja. Në prill mbush 65 vjeç. Kam 17 vite punë në kooperativë. Kam të siguruara 16 vite e 8 muaj bashkë me ushtrinë. Gjithsej më bëhen 33 vite e 8 muaj. Sa duhet të paguaj për vitet që më mungojnë?
Atëherë, në prill, kur të mbushni 65 vjeç, me këto vite pune që keni, do të merrni pension kooperative. Për të marrë pension të plotë shteti, ju duhen gjithsej 36 vite e 8 muaj. Vit i plotë pune në kooperativë bujqësore quhet nga mosha 16 vjeç, kur keni realizuar 280 ditë pune në një vit kalendarik ose 24 ditë pune në një muaj. Në qoftë se në një vit nuk keni realizuar 280 ditë, por ta zëmë 140 ditë, ju quhen 6 muaj punë. Ka raste kur mund të keni realizuar më shumë ditë pune në një vit, atëherë do t’ju quhet një vit i plotë pune me 280 ditë, dhe asnjë ditë tjetër pune mbi numrin 280 nuk ju quhet për llogaritjen e pensionit. Unë ju sugjeroj që të shkoni tek Agjencia e Sigurimeve Shoqërore në Kavajë. Atje nuk caktohen pensionet, por vetëm llogariten vitet tuaja të punës. Nëse ju do të keni paqartësi nga sqarimet e specialistëve të atjeshëm, atëherë do t’i shkruani një letër Drejtorisë së Sigurimeve Shoqërore në Tiranë. Të gjitha këto paqartësi duhet t’i sqaroni përpara se të mbushni 65 vjeç. Më pas ju dalin probleme sepse nuk keni më të drejtën për të bërë sigurime vullnetare.

Na shkruan zoti Dritan: “Babai im mbush 65 vjeç më 24 janar 2019. I shtohen muajt për pension. Mamaja ime gjithashtu mbushi 60 vjeçe më 15 mars 2018. Mund t’i bëjë dokumentet për pension?”
Në qoftë se mamaja e zotërisë ka mbushur moshën 60 vjeçe në mars të vitit 2018, atëherë ajo do të dalë në pension në moshën 60 vjeçe e 8 muaj, pra më 15 nëntor të vitit 2018. Dokumentet mund t’i dorëzojë kur të ketë dëshirë ajo. Pensioni do t’i paguhet që nga dita kur ka plotësuar moshën. Sigurimet Shoqërore i mbajnë dokumentet deri në 60 ditë kalendarike për të bërë verifikimet dhe llogaritë e duhura. Kushti tjetër është që duhet të ketë të paktën 15 vite punë të siguruar. Nëse ka 36 vite e 4 muaj punë të siguruar, zonja përfiton pension të plotë. Unë i sugjeroj që të shkojë tek Agjencia e Sigurimeve Shoqërore bashkë me librezën e punës dhe me kartën e identitetit. Sqaroj që, nëse ka punuar nën moshën 16 vjeçe, ajo periudhë deri në moshën 16 vjeçe, nuk i quhet vjetërsi pune për efekt të pensionit. Ndërsa babai mbush 65 vjeç më 24 janar 2019. Ai del në pension po në këtë datë, pra nuk i shtohet as edhe një ditë më shumë mosha për të dalë në pension. Sqaroj se mosha e daljes në pension për burrat nuk do të shtohet deri në vitin 2032. Ndërsa si vjetërsi pune, i duhen për pension minimal 15 vite punë të siguruar, dhe 36 vite e 8 muaj punë të siguruar për pension të plotë, duke përfshirë këtu edhe periudhën kur ka qenë ushtar, edhe periudhën kur mund të ketë qenë në asistencë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë