POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Këndi i ekspertit/ Fadil Kepi: Kush përfiton nga rritja e pensioneve të vjetra

Fadil Kepi në 'Këndi i ekspertit'

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report Tv, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, si çdo të premte, ka qenë i ftuar eksperti i problematikave të pensioneve, Prof. Dr. Fadil Kepi. Në këtë emision Profesor Kepi ka sqaruar pensionistët se kush kategori dhe cilat janë kushtet që ata duhet të plotësojnë për të përfituar nga vendimi i qeverisë për rritjen e pensioneve të vjetra. Profesor Kepi u është përgjigjur edhe disa problematikave të tjera që kanë shtruar qytetarët me pyetjet e tyre live në Report TV.

Kemi pasur disa ndryshime të reja për sa u përket pensioneve. Ç’mund të na thoni për këto ndryshime që priten të ndodhin?

Para tri ditëve, Kryeministri i Shqipërisë ishte në bashkëbisedim me qytetarët e Hasit, në Kukës. Midis të tjerave, kryeministri, duke iu përgjigjur pyetjeve të të interesuarve, tha: “Po punojmë intensivisht në qeveri, për përgatitjen e projektligjit për statusin e minatorit. Do të jetë një ligj evropian”. Së dyti, meqenëse në datën 1 janar të vitit 2019 do të ndryshojë vendimi i qeverisë për shpërblimin e fëmijëve që do të lindin gjatë vitit të ardhshëm, është menduar në projekt që një nënë, e cila lind një fëmijë do të marrë një shpërblim prej 40.000 lekësh, nëse lind fëmijën e dytë shpërblimi do të jetë 80.000 lekë dhe për fëmijën e tretë do të jetë 120.000 lekë. Kryeministri sqaroi edhe rastet kur nënat lindin fëmijë binjakë ose trenjakë. Në vendin tonë, shumica e nënave lindin nga një fëmijë në një lindje. Por ka edhe nga ato që lindin binjakë në një lindje. Raporti është i tillë: në 10.000 lindje me nga një fëmijë, një nënë lind binjakë. Janë 125 nëna që kanë lindur trenjakë. Janë 4 nëna që kanë lindur nga katër fëmijë njëherësh. Dhe është një nënë e cila ka lindur pesë fëmijë.

Gjithashtu, një qytetar nga Hasi i Kukësit, i bëri zotit Edi Rama këtë pyetje: “Kam punuar 24 vite në minierë, nën tokë dhe nuk marr pensionin sepse Sigurimet Shoqërore më thonë që nga kontrolli që i kanë bërë dokumentacionit, u del që nuk kam punuar. Si i bëhet?”. Kryeministri iu përgjigj: “Ju do t’i bëni një kërkesë portalit “Shqipëria që duam” për 3 minuta dhe pastaj do ta shqyrtojnë specialistët përkatës dhe do të të kthejnë përgjigje. Nëse do të rezultojë që ju keni punuar, do të merrni pensionin. Dhe punonjësi i Sigurimeve Shoqërore që ju ka dhënë përgjigje negative, do të largohet nga puna. Në qoftë se ti nuk ke punuar, nuk ke për të marrë pension”.

Këshilli i Ministrave po punon për të përgatitur një projektligj të ri për Sigurimet Shoqërore. Do të sqaroj se si do të ndryshojë ligji i ri për pensionet, për t’u ardhur më shumë në ndihmë qytetarëve. Por kam marrë edhe ankesa nga qytetarët.

Flas nga Shkodra. Jam 68 vjeçe. A më takojnë diferencat e viteve të punës në kooperativë bujqësore, të cilat nuk m’i kanë hedhur Sigurimet Shoqërore qëkurse kam dalë në pension?

Vitet e punës në ish-kooperativat bujqësore njihen kur zonja ka punuar nga mosha 16 vjeçe e lart. Një vit i plotë pune për pension quhet kur ka punuar 230 ditë pune në një vit kalendarik, ose ndryshe 20 ditë pune në muaj. Kanë kaluar shumë vite dhe kooperativat bujqësore janë prishur në vitin 1991, pra para 27 viteve. Nuk është faji i zonjës që këto vite pune nuk gjenden. Por, nuk është as faji i Sigurimeve Shoqërore. Mirëpo kooperativat bujqësore janë shpërbërë. Atëherë, unë i sugjeroj zonjës që t’i bëjë një ankesë me shkrim Komisionit të Ankimit, pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore të Shkodrës dhe do të marrë po një përgjigje zyrtare se cila është arsyeja. Zonja ka rreth 8-9 vite që ka dalë në pension. Para 3 vitesh ka dalë një vendim qeverie, në të cilin, duke pasur parasysh që të mos sorollaten shumë njerëzit, thuhet që të gjitha dokumentet e kooperativave bujqësore që disponon arkivi i Shkodrës ose arkivi qendror në Lundër, të shkruara me laps plumbi apo me laps kopjativ, dhe çdo dokument tjetër që vërteton që ka punuar në kooperativë, janë të vlefshme.

Flas nga Durrësi dhe jam 70 vjeçe. Kam dalë në pension në vitin 1994. Ka dalë një vendim qeverie që vendos ngritjen e pensioneve për ata persona që kanë dalë në pension para vitit 1996. Shkova te Sigurimet Shoqërore dhe më thanë që mua nuk më ngrihet pensioni sepse e kam pasur të ulët. Nuk e kuptoj.

Zonja e ka të pasaktë informacionin. Vendimi i qeverisë mban numrin 409, datë 1 qershor 2016, botuar në “Fletoren Zyrtare” nr. 98, “Për ngushtimin e diferencave të pensioneve”. Në pikën e parë thuhet: “Përfitojnë shtesë pensioni ata që kanë dalë në pension të plotë nga data 01.10.1993 e në vazhdim”. Ndahet në 6 grupe. Zonja duhet t’i bëjë kërkesë me shkrim ose duhet të shkojë e të takojë personalisht Drejtoreshën e Sigurimeve Shoqërore në Durrës.

Kam marrë tokë nga Ligji nr. 7501, por kam lëvizur nga fshati në qytet. Tokën e kam në qarkun e Beratit dhe banoj në qarkun e Fierit, në qytet që nga viti 1997-1998. Ku mund ta paguaj kontributin e sigurimeve shoqërore?

Të gjithë qytetarët, të gjithë shtetasit shqiptarë që kanë marrë tokë sipas Ligjit nr. 7501, dt. 19 korrik 1991, deri në datën 1 maj të vitit 2005, pavarësisht se ku kanë banuar, kishin të drejtë të bënin sigurime si të vetëpunësuar në bujqësi sepse janë më të lira. Aktualisht, për t’i siguruar për zonën e Beratit e të Fierit paguhen 38.400 lekë të reja në vit. Ndërsa ata që s’kanë tokë, paguajnë 62.208 lekë, pra gati gjysmë për gjysmë. Nga data 01.10.1993 deri në datën 30 prill të vitit 2005, pavarësisht se mund të ishte në Berat, pavarësisht se mund të kishe shkuar në Fier apo diku tjetër, ke pasur të drejtë të paguash. Zotëria është larguar në vitin 1998 dhe deri në këtë vit, 1998, presupozohet që ka qenë në Berat. Nga dita që zotëria është larguar për në Fier, nuk ka të drejtë të sigurohet si i vetëpunësuar në bujqësi sepse është larguar jashtë qarkut. Zotëria mund të bëjë vetëm sigurime vullnetare. Në rast se nga viti 1998 e këtej, duke mos e ditur ligjin, i ka paguar kontributet e sigurimeve shoqërore, nuk është faji i zotërisë që nuk e di ligjin, por është faji i punonjësve të Sigurimeve Shoqërore, të cilët paguhen për të njohur ligjin dhe nuk e njohin. Sepse në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore të Fierit duhej ta kishin njoftuar zotërinë që nuk mund t’i paguante atje sigurimet shoqërore, pasi zotëria nuk e ka tokën në Fier. Në rast se zotëria i ka paguar lekët, ka edhe një vendim tjetër qeverie, me nr. 551, i datës 27 korrik 2016, i firmosur nga vetë kryeministri, i cili thotë që në rast se janë paguar në një qark ku qytetari nuk ka tokë, atëherë nuk i qytetarit nuk i quhen vite pune si fermer, por i kthehen të gjitha lekët. Kjo thuhet në pikën 12 të vendimit të qeverisë që sapo thashë.

Na ka ardhur disa herë një mesazh, nga zonja Natasha Limaj nga Vlora, e cila na shkruan: “Kam arritur moshën e pensionit. Kam punuar në sektor privat dhe në të njëjtën kohë që punoja isha e siguruar privatisht, por vazhdoja edhe studimet me kohë të plotë. A më quhen vite pune vitet e shkollës së lartë, pasi unë kam derdhur dy herë siguracione, në të njëjtën kohë?”.

Deri në datën 31 dhjetor 2018, femrat dalin në pension në moshën 60 vjeçe e 8 muaj dhe duhet të kenë 15-36 vite e 4 muaj punë të siguruar. Këtu përfshihet edhe periudha e studimeve të larta ditën, duke barazuar një vit shkollor me një vit pune, që vërtetohet nga fotokopja e noterizuar e diplomës së fakultetit. Nëse zonja ka qenë në marrëdhënie pune, ka marrë rrogë dhe njëkohësisht ka vazhduar edhe fakultetin (disa fakultete kanë qenë me korrespondencë dhe disa pasdite), atëherë në këtë rast po ta ketë vazhduar fakultetin me korrespondencë, nuk quhet vjetërsi pune sepse në të njëjtën kohë zonja ka studiuar dhe ka punuar.

Flas nga Tirana. Punoj në një fabrikë këpucësh. Dua të di se përse nuk ka dallime tani për personat që punojnë në profesione të vështira, siç ishte më parë?

Asnjëherë puna në fabrikën e këpucëve nuk është përfshirë në profesionet e vështira. Janë përfshirë në profesionet e vështira disa profesione në Kombinatin e Tekstileve, për shkak të zhurmave dhe të pushit të pambukut. Është e vërtetë që edhe në fabrikën e këpucëve puna është e vështirë, por jo për të dalë në pension para kohe.

Mamaja ime ka qenë mësuese dhe ka dalë në pension të parakohshëm në vitin 1994. Tani e ka 16.000 lekë të reja pensionin. A do t’i rritet pensioni?

Pensionet edhe në masën 70% janë të ulëta, sigurisht që në masën 60% janë edhe më të ulëta. Nga dita që zonja ka dalë në pension me 60% në vitin 1994, pensionet janë rritur me përqindje të ndryshme, sipas mundësive financiare që ka pasur shteti. Në datën 1 korrik të këtij viti u rritën me 2,8%, ndërsa për vitin tjetër është parashikuar në buxhetin e vitit 2019, që të rriten me 3%. Të gjitha këto ngritje pensione, zonja i përfiton. Por gjithnjë pensioni i saj do të jetë më i ulët se sa i personave që e kanë pensionin në masën 70%. Këtë vit, p.sh. femrat dalin në pension në moshën 60 vjeçe e 8 muaj, kur kanë 36 vite e 4 muaj punë. Ka një ligj që thotë se mund të dalin edhe tre vite më përpara në pensio, d.m.th. 57 vjeçe e 8 muaj, gjithnjë kur kanë vitet e duhura të punës. Nëse dalin në këtë moshë do të marrin 21% më pak të pensionit të plotë që u takon nëse do të dilnin në pension në moshën 60 vjeçe e 8 muaj.

ke.mu.
Komento