'Këndi i ekspertit', Fadil Kepi: Si llogaritet pensioni suplementar i ushtarakëve

'Këndi i ekspertit', Fadil Kepi: Si llogaritet pensioni suplementar i ushtarakëve

Këndi i Ekspretit

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report Tv, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, si çdo të premte, ka qenë i ftuar eksperti i problematikave të pensioneve, Prof. Dr. Fadil Kepi. Në këtë emision Profesor Kepi ka sqaruar se si llogaritet pensioni suplementar i ushtarakëve dhe shumë problematikave të tjera që kanë shtruar qytetarët me pyetjet e tyre live në Report TV.

Në adresën tonë në Facebook na shkruan zoti Dilaver Zeqiraj, ish-ushtarak: “Në qoftë se ke 6 muaj e 25 ditë a njihen si vit i plotë për suplementin ushtarak?”

Pyetja e të interesuarit është e drejtë. Deri në datën 30 qershor të vitit 2009, kështu ka qenë ligji, që po të kishe mbi 6 muaj, qoftë edhe një ditë plus 6 muajve, quhej si vit i plotë. Nga data 1 korrik e vitit 2009 e në vazhdim, në bazë të ligjit nr. 10142, datë 15 maj 2009, neni 16 thotë kështu: “Ushtarakëve u quhet vjetërsi pune aq kohë sa kanë punuar për pension pleqërie”. P.sh., 14 vjet e 6 muaj e 13 ditë, 17 vjet e 3 muaj e 20 ditë. Pra, për pension pleqërie quhet aq sa ka punuar në vite, në muaj dhe në ditë. Kur bëhet fjalë për pensionin suplementar, neni 16 që sapo citova, thotë: “Për pension suplementar do të njihet 1 vit i plotë pune dhe për çdo vit të plotë pune si ushtarak, merr 1% të pagës mesatare referuese neto”. P.sh. sivjet, një ushtarak për të dalë në pension, i duhen 36 vjet e 4 muaj punë e siguruar, ata që plotësojnë moshën deri në datën 31 dhjetor të këtij viti. Ai ka gjithsej 40 vite punë, ushtarak dhe civil. Atëherë ushtarak dhe civil me 40 vite punë, do të marrë pensionin social plus aq sa i takon pra 40 vite punë shumëzuar me 1% të pagës. Për pension suplementar, ta zëmë se ai ka 14 vite e 6 muaj, atëherë do të marrë vetëm për vitet e plota, pra 14 shumëzuar me 1% të pagës. Në rast se një ushtarak pagën e ka pasur 60.000 lekë të rinj dhe ka 14 vite punë, në fakt ai ka 14 vite e 6 muaj, por thamë që pensioni suplementar llogaritet për vitet e plota, shumëzuar me 14%, atëherë ai do të marrë 8.400 lekë të rinj shtesë mbi pensionin. Por gjithmonë pensioni suplementar për ushtarakët nuk mund të kalojë gjysmën e pensionit të pleqërisë. Në qoftë se një ushtarak që ka 40 vite punë, ta zëmë se pensioni i pleqërisë i ka dalë 30.000 lekë të rinj, atëherë pensioni suplementar, pavarësisht se sa ka punuar si ushtarak, pavarësisht nga grada që ka pasur, nuk mund të dalë më shumë se 15.000 lekë të rinj, shumë e cila është gjysma e shumës së pensionit të pleqërisë. Pra, për çdo vit të plotë pune si ushtarak, përfiton 1% të pagës mesatare, për pensionin suplementar.

Jam nga Tirana. Jam invalid i klasit I. Nusja ime paguhet si kujdestare. A i njihet si vjetërsi pune për pension?

Është një vendim qeverie me nr. 326, datë 12 mars 2009, i cili thotë: “Personave kujdestare që u shërbejnë invalidëve paraplegjikë ose tetraplegjikë dhe që janë caktuar si kujdestare me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, pranë Sigurimeve Shoqërore, u quhet vjetërsi pune për efekt të përfitimit të pensionit të pleqërisë”.

Kujdestarë kanë edhe të verbrit. Këtyre kujdestarëve aktualisht nuk u quhet vjetërsi pune periudha e shërbimit si kujdestarë.

Flas nga Korça. Kam punuar si llogaritar, para viteve ’90. Kur u prish kooperativa, u dogjën dokumentet e të gjitha kuadrove. Kur u ka ardhur mosha për të dalë në pension, shokët e shoqet e mia kanë hapur proces gjyqësor për të vërtetuar vitet e punës, pavarësisht se i kanë të shënuara në librezën e punës. Po kështu më ka ndodhur edhe mua. Tani edhe unë duhet të hap gjyq?

Në qoftë se ke qenë i punësuar apo i emëruar si llogaritar, me vendim të Komitetit Ekzekutiv të asaj kohe, të quhet vjetërsi pune, pavarësisht se janë djegur dokumentet. Nëse e ke vendimin e Komitetit Ekzekutiv, me anën e të cilit ti je emëruar si llogaritar në kooperativën bujqësore ku ke punuar, atëherë dërgoje në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore dhe nuk është fare e nevojshme që të hapësh proces gjyqësor.

Në linkun tonë Shqiptarja.com, nga shkruan zonja Drita Mehmeti: “Vitin tjetër mbush 60 vjeç. Kur duhet të dal në pension? Kam 18 vite punë me rrogë shumë të mirë. Sa duhet të më dalë pensioni?”.

Vitin e ardhshëm zonja do të dalë në pension, kur të mbushë moshën 60 vjeçe e 10 muaj, nëse këtë moshë e plotëson deri në datën 31 dhjetor të vitit 2019. Për pension të plotë do t’i kërkohen 36 vite e 8 muaj punë të siguruar, ku përfshihet edhe periudha e arsimit të lartë me shkëputje nga puna, duke filluar nga mosha 16 vjeçe. Shuma e pensionit llogaritet sipas viteve të punës dhe nga paga mesatare bruto e të gjitha viteve të punës. Të gjithë personave që kanë dalë në pension dhe do të vazhdojnë të dalin, nga data 1 janar 2018 e në vazhdim, shuma e pensionit do t’u llogaritet me koeficientët e rinj të shumëzimit të pagave, të cilët janë rritur. Gjithashtu edhe barnat mjekësore, 560 të tilla, pensionistët i përfitojnë falas nga shteti. Sqarime më të hollësishme, zonja mund të marrë pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në qytetin ku banon.

Zonja Merita Duda nga Greqia, na shkruan: “Jam 50 vjeçe dhe banoj në Greqi. Kam punuar 7 vite në bujqësi. Për sa vite duhet të paguaj kontributin vullnetar të sigurimeve shoqërore dhe sa është shuma që duhet të paguaj?”.

Zonjës kur të dalë në pension, do t’i duhen 15 vite punë të siguruar në Shqipëri. Ajo ka 7 vite punë dhe ato duhet t’i ketë nga mosha 16 vjeç e lart sepse vitet e punës para moshës 16 vjeç nuk quhen. Me 7 vite punë, zonja nuk merr pension. Ajo është 50 vjeçe dhe do të dalë në pension rreth moshës 63-vjeçare. Unë i këshilloj zonjës që kur të vijë në Shqipëri, të shkojë patjetër në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore të qytetit ku ajo ka banuar. Atje duhet të bëjë patjetër sigurime vullnetare. Për një vit, kontributi është në vlerën 62.208 lekë të rinj, ose 5.200 lekë të rinj në muaj. Nuk është shumë. Ia vlen ta paguash këtë kontribut sepse mosha mesatare e gëzimit të pensionit në vendin tonë, për femrat është rreth 24 vite.

Flas nga Tirana. Jam 67 vjeç. Kam dalë në pension, por vazhdoj ende të punoj. Sa më takon shtesë pensioni për çdo vit pune që po punoj?

Zotëria ka dalë në pension në moshën 65 vjeç, pra para dy vitesh, në vitin 2016. Dhe që nga viti 2016 ai merr pensionin bashkë me shtesat që janë bërë. Do të marrë edhe shpërblimin për Vitin e Ri, gjithashtu edhe shtesat që do t’i bëhen pensioneve në vitin 2019. Plus këtyre ai ka marrë dhe do të vazhdojë të marrë edhe rrogën në qendrën e punës ku punon. Natyrisht që do të paguajë edhe kontributet e sigurimeve shoqërore. Deri më sot, që data shënon 23 nëntor 2018, nëse zotëria do ta lërë punën nesër apo pasnesër, për vitet që ka punuar mbi moshën e pensionit, nuk merr asnjë lek shtesë mbi pension. Njerëzit mund të kenë lexuar disa shkrime në gazeta, ku thuhet se sipas një vendimi të qeverisë që pritet të miratohet në Këshillin e Ministrave, pra ende nuk është miratuar, por as që është diskutuar në qeveri, parashikohet të vendoset që personat të cilët kanë punuar mbi moshën e pensionit në sektor privat se në sektorin shtetëror nuk lejohet, pra kanë marrë edhe pensionin nga shteti edhe rrogën nga privati, për çdo vit që kanë punuar dhe kanë paguar kontributin e sigurimeve shoqërore, të marrin një shtesë prej 2,4% në vit mbi shumën e pensionit të pleqërisë. E theksoj edhe një herë, që zotëria aktualisht për këto 2 vite që ka punuar mbi moshën e pensionit, nuk përfiton asnjë lek shtesë. Theksoj që edhe në qeveri ende nuk është diskutuar një projektvendim për këtë çështje. Gjithashtu njoftoj qytetarët që, nëse miratohet një vendim i tillë nga Këshilli i Ministrave, ai do të fillojë të zbatohet 15 ditë pas botimit të tij në “Fletoren Zyrtare”.

Flas nga Elbasani. Kam punuar për 22 vite si polic burgu. Jam 56 vjeç. Dua të di nëse më quhet si vjetërsi pune periudha kur kam kryer shërbimin ushtarak? Po sikur të dal në pension të parakohshëm si ndikon në daljen time në pension pleqërie?

Zotëria është 56 vjeç dhe do të dalë në pension në vitin 2027. Ai do të marrë dy lloje pensionesh. Do të marrë pensionin e pleqërisë nëse ka deri në vitin 2027, 38 vite e 6 muaj punë të siguruar. Do të marrë gjithashtu edhe pension suplementar. Nëse zotëria dëshiron të dalë në pension të parakohshëm, atëherë duhet të plotësojë këto kushte: të ketë moshën 55 vjeç, duhet të ketë gjithsej 15 vite punë si ushtarak. Zotëria i plotëson të dy këto kushte. Në dy vitet e para do të marrë pagesë kalimtare, e cila 2 muajt e parë është 100% e pagës, 22 muaj me 50% të pagës dhe merret aty ku zotëria merr edhe sot pagën e tij. Pastaj, pas 2 viteve merr pension të parakohshëm, i cili llogaritet me përqindje më të ulët. Zotëria do të paguhet me 33% të pagës, kështu që unë i rekomandoj që të mos dalë në pension të parakohshëm. Duhet të punojë edhe 9 vite. Tjetër gjë pastaj është kur është i sëmurë dhe nuk mund ta përballojë punën. Por me dëshirën e tij, unë i këshilloj që të mos dalë në pension të parakohshëm. Tani, për pyetjen tjetër. Periudha që zotëria ka kryer shërbimin ushtarak i njihet si vjetërsi pune për efekt të pensionit të pleqërisë. Por i quhet vjetërsi pune si civil dhe jo si ushtarak.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • blendi: 29/11/2018 09:51

    Kam qene ushtarak dhe me reformen e atehershme te vitit 1993 ,nuk perfitova pensionin e parakohshem per gadi 4 muaj domethene kisha 14 vjet e 4 muaj , tani jam 63 vjeç ,per pension pleqerie a do te llogariten 3 vitet e shkolles ushtarake ,duke perfshire edhe nje vit stazhin e atehershm mbas shkolles se larte , dy vitet e asistences ,plus vitet e punes. faleminderit .

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

I dënuar me burgim të përjetshëm, pendohet pas 26 vitesh anëtari i Camorra-s i njohur si 'Sandokan'

I dënuar me burgim të përjetshëm, pendohet pas 26 vitesh anëtari i Camorra-s i njohur si 'Sandokan'