Këndi i Ekspertit/ Gjergji Begaj: Akti i trashëgimisë për pronat, si dhe ku bëhet

Këndi i Ekspertit/ Gjergji Begaj: Akti i trashëgimisë për pronat, si dhe ku bëhet

Gjergji Begaj

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, ka qenë i ftuar eksperti i çështjeve të pronave Gjergji Begaj. Eksperti ka sqaruar procedurat që ju duhen qytetarëve për të marrë aktin e trashëgimisë për pronat, kur një familjar i tyre largohet nga jeta. Gjithashtu Begaj ka sqaruar qytetarët për pyetjet e tyre të ndryshme live në Report Tv për problematikën e pronave.

Do të flasim për një temë shumë të rëndësishme, siç janë aktet e trashëgimisë për pronat. Ku duhet të drejtohen qytetarët dhe çfarë dokumentesh u duhen atyre?

Me të drejtë kjo çështje është një shqetësim për qytetarët sepse akti i trashëgimisë është një dokument me shumë vlerë. U bëj me dije qytetarëve që akti i trashëgimisë bëhet kur humb jetën një nga pjesëtarët e familjes ose prindërit. Pjesa e pasurisë duhet të trashëgohet pastaj nga familjarët e tjerë, si fëmijët dhe bashkëshortja apo bashkëshorti, por mund të shpërndahet edhe te nipërit e mbesat. Aktet e trashëgimisë tani bëhen te noterët dhe kjo është një lehtësi e madhe për qytetarët, pasi më përpara bëheshin pranë gjykatave të shkallës së parë dhe procesi kërkonte shumë kohë. Por edhe mbledhja e dokumenteve kërkonte shumë kohë rreth, disa muaj. Tani procesi zgjat vetëm 7-10 ditë. Dokumentet që duhen të grumbullojnë janë: certifikata familjare, certifikata e vdekjes së personit që ka ndërruar jetë. Me këto dokumente shkohet pranë një zyre noteriale, regjistrohen dhe brenda 7-10 ditëve, pas verifikimit që bën, noteri prodhon aktin e trashëgimisë.

Më parë ka pasur edhe abuzime. Shumë familjarë janë përjashtuar qëllimisht nga aktet e trashëgimisë nga gjykatat e shkallës së parë. Kjo është bërë me qëllim përvetësimin e pronës dhe ka shkaktuar konflikte civile nëpër gjykata, por edhe branda familjes. Sigurisht që kjo nuk është një gjë e mirë. Tani, ky proces pra që procedura e aktit të traashëgimisë zhvillohet pranë noterëve, e ka zgjidhur më së miri këtë problem. Dhe koha e zgjatjes së procedurës është shumë e shkurtër. Normalisht qytetarët duhet të jenë të pajisur me certifikatat e duhura, të cilat i marrin pranë zyrave të gjendjes civile në njësinë ku ata banojnë dhe i dorëzojnë pranë zyrave noteriale. Zyra noteriale pasi bën verifikimet e saj dhe prodhon aktin e trashëgimisë, njofton qytetarët, të cilët me dokumentin e aktit të trashëgimisë dhe me një certifikatë pronësie mund të shkojnë pranë hipotekave për ta regjistruar.

Duhet theksuar sepse është e rëndësishme që regjistrimi nuk duhet të bëhet për çdo dokument, por thjesht regjistrohet vetëm me një certifikatë sepse hyn vetë në sistem. Kjo bëhet sepse qytetarët mund të kenë disa prona, në disa zona të ndryshme të vendit. Kështu që mjafton ta regjistrojnë dokumentin në një nga qytetet, me qëllim që të mos gjobiten sepse aktet e trashëgimisë duhet të regjistrohen brenda një muaji. Në qoftë se qytetarët e vonojnë regjistrimin përtej afatit të caktuar, normalisht që ka penalitete. Në qoftë se qytetarët e regjistrojnë brenda një muaji në një hipotekë, normalisht që janë të lehtësuar dhe në çdo hipotekë thjesht mund të marrin kopjen e aplikimit. Ky ishte një shpjegim me pak fjalë sepse akti i trashëgimisë ka pa fund gjëra për ta shpjeguar me të gjitha detajet.

Unë jetoj te shtëpia e babait tim. Kam lindur aty dhe jam rritur aty. Shtëpia është pa tapi. Çfarë duhet të bëj unë që të pajisem me tapinë e shtëpisë?

Zonja duhet të marrë dokumentet nga Arkivi i Shtetit, nëse ka dokumente të vjetra, ose regjistrimi i shtëpisë mund të jetë një vërtetin pronësie që vërteton se babai i saj e ka regjistruar shtëpinë në emrin e vet, dhe të shkojë pranë zyrës së hipotekës në qytetin ku ajo banon dhe ka shtëpinë. Duhet të bëhet edhe një plan rilevimi i shtëpisë nga një topograf, që të gjendet se në cilën zonë ndodhet prona dhe të bëhet aplikimi për të marrë një informacion të saktë. Pasi merret informacioni i saktë, do t’i duhet të shohë se çfarë dokumentesh do t’i duhen akoma për të bërë regjistrimin e shtëpisë. Gjithmonë, nëse babai ka ndërruar jetë, zonja është pjesë e aktit të trashëgimisë. Por mund të jenë edhe familjarët e tjerë. Në një rast të tillë, të gjithë familjarët duhet të bëjnë një marrëveshje se kush nga ata do ta gëzojë të plotë shtëpinë ose t’i bëjnë lëshime njëri-tjetrit. Në qoftë se zonja ka shumë kohë që jeton aty dhe i ka shërbyer babait apo familjes, normalisht që duhet të gëzojë pjesën më të madhe të pronës. Pra, ajo duhet të dorëzojë dokumentet e vjetra të shtëpisë, që mund të disponojë, siç është vërtetimi i pronësisë në emër të babait, një hartë rilevimi e cila tregon vendndodhjen e pronës, mund të ketë ndonjë akt dhurimi ose ndonjë testament nga babai në qoftë se ai ka ndërruar jetë, t’i dorëzojë pranë zyrave noteriale dhe pastaj mund të shkojë pranë çdo hipoteke, ku bëhet aplikimi i parë. Normalisht, dokumentet e saj janë të rregullta, ajo do të pajiset me certifikatën e pronës. Në qoftë se duhen dokumente shtesë, hipoteka i plotëson me akte verifikimi dhe vazhdon procedura deri sa të plotësohen të gjitha dokumentet.

Jam nga Përmeti. Më kanë vdekur prindërit dhe kam bërë dëshminë e trashëgimisë së tyre. Ndërkohë më ka vdekur edhe një vëlla në Sarandë. Gruaja e tij ka bërë dëshminë e trashëgimisë në vitin 2015 dhe ka regjistruar shtëpinë në emrin e saj dhe të fëmijëve. Shkova në zyrën e hipotekës në Përmet dhe pata vështirësi. Nuk e quanin që ishte regjistruar në zyrat e shtetit dhe gjoba ishte afërsisht 3 milionë lekë të vjetër. Me ndihmën e drejtorit të hipotekës së Përmetit procedura vazhdoi deri në fund dhe erdhi përgjigjja pozitive që nuk më kapte neni për gjobën. Paraqita dokumentet e dëshmisë së trashëgimisë së Përmetit dhe të rrethit ku ka vdekur vëllai, mirëpo inxhinieri më thotë se vërtet i kam përgjigjet pozitive dhe dokumentet në rregull, por kërkon edhe pagesën që është bërë. Faturën e ka nusja e vëllait. Ajo e ka regjistruar banesën në Sarandë, ku jeton, ndërkohë ka regjistruar edhe skicën e banesës.

Unë e thashë edhe në fillim, që në qoftë se akti është regjistruar në një nga hipotekat brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, duhet të merret një dokument nga kjo hipotekë që ky akt është regjistruar atje. Ju duhet të shkoni te zyrat e hipotekës së Sarandës dhe të bëni një kërkesë për të marrë dokumentin zyrtar që vërteton datën se kur është aplikuar akti i trashëgimisë. Data e certifikatës përkon me datën se kur është bërë aplikimi. Patjetër që në hipotekën e Sarandës ndodhet praktika e këtij aplikimi. Përgjigjen zyrtare hipoteka e Saramdës duhet t’ia përcjellë hipotekës në Përmet. Natyrisht që një kopje të shkresës zyrtare, të protokolluar, duhet ta merrni edhe juve.

Kemi përfituar tokë sipas Ligjit nr. 7501. Kemi aplikuar për t’u pajisur me dokumentet e pronësisë së tokës dhe na doli që toka është e zënë, gjysma del pronë shteti dhe gjysma e zënë nga të tjerë. Tokën e punojmë vetë, e kemi mbjellë me ullinj e me vreshta, frutet e punës i përdorim po për vete. Si duhet të veprojmë që të njihemi si pronarë të kësaj toke?

Zonja tha që një pjesë e tokës i del e zënë dhe një pjesë tjetër pronë shteti. Nëse zonja është banore e një fshati në periferi të Tiranës dhe ka në zotërim aktin e marrjes së tokës, gjithashtu zotëron edhe tokën që e punon dhe njëkohësisht ka edhe certifikatën e vitit 1991 që është banore e atij fshati, duhet t’i drejtohet qendrës administrative me anën e një shkrese zyrtare dhe me të gjitha dokumentet që thashë më lart. Nëse nuk merr përgjigje atëherë është e detyruar të hapë një proces gjyqësor zyrës së administrimit të tokës pranë qendrës administrative. Nuk kemi të bëjmë më tani me “të fortë” dhe me “pushtet”. Ligji zbatohet për të gjithë njëlloj. Zonja duhet të ndjekë një procedurë standarde. Nëse nuk e bën dot vetë, duhet të pajtojë një avokat ose një zyrë ligjore që të ndjekë procedurën.

Flas nga Tirana. Zotëroj një truall që para vitit 1991. Kam ndërtuar edhe shtëpinë. Del që certifikatën në truallin tim e ka fqinji. Ka marrë edhe një kredi në bankë dhe është e bllokuar te zyra e përmbarimit. Unë i kam bërë të gjitha dokumentet nga ish-komuna. Çfarë duhet të bëj?

Zotëria thotë që ka ndërtuar një shtëpi para vitit 1991, por që certifikata e truallit ka dalë në emër të fqinjit. Nuk është hera e parë që e dëgjojmë këtë problem. Ka shumë raste kur një person gëzon shtëpinë dhe tjetri ka certifikatën dhe tjetri e pretendon. Këto ndodhin edhe me qëllim në disa raste, edhe pa qëllim. Me qëllim mund të jetë kur dikush ka vepruar me dokumentet dhe zotëria nuk është marrë fare ose nuk i ka parë, duke menduar se ka shtëpinë dhe nuk ia merr njeri. Mirëpo tjetri ka punuar me dokumentet në qendrën e ish-komunës dhe në hipotekë dhe e ka marrë këtë certifikatë. E ka lënë dhe garanci për kredi në bankë. Këtu është edhe defekti i bankave, që duhet theksuar fort. Ekspertët duhet të tregohen shumë të kujdesshëm kur shkojnë të marrin një pronë në ngarkim, e cila lihet peng në bankë. Këto veprime bëhen nga zyrat, mbushin direkt një akt në zyrë dhe kaq. Kjo është gjëja më e keqe në këtë rast, se pjesë e lojës bëhet edhe banka. Meqë zotëria e zotëron shtëpinë që nga viti 1991, duhet të gjejë një hartë të vjetër te Qarku i Tiranës, hartat 1:5000, të cilat kanë qenë të regjistruara para vitit 1990 dhe është një dokument ligjor. Pastaj duhet të hapë një proces gjyqësor për të vërtetuar pretendimet e tij dhe të hedhë poshtë certifikatën që zotëron fqinji. Pra, të mbledhë provat që duhen dhe të hapë një proces gjyqësor për të hedhur poshtë certifikatën e fqinjit dhe pastaj të marrë certifikatën e pronës në emër të tij. Fqinji që e ka marrë nuk e lëshon, përderisa e ka vënë edhe si garanci për kredinë e bankës. Pra, fqinji ka vepruar me vetëdije, kështu që midis zotërisë dhe fqinjit nuk mund të ketë mirëkuptim. E vetmja rrugë mbetet procesi gjyqësor kundër fqinjit, kundër zyrës së regjistrimit të tokave, kundër qendrës administrative.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Guri i Kamjes: 24/10/2018 09:49

    Lehtesimi per qytetaret do te vije kur te mos kete fare deshmi trashegimjie. Jemi vendi i vetem ne Europe qe zbaton rregulla te tilla pa kuptim.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Rithemelimi e PL molotov e dhunë para bashkisë së Tiranës, SHBA e BE e dënojnë në bllok: Akte të tilla s'kanë lidhje me protestën

Rithemelimi e PL molotov e dhunë para bashkisë së Tiranës, SHBA e BE e dënojnë në bllok: Akte të tilla s'kanë lidhje me protestën