'Këndi i Ekspertit', Gjergji Begaj: Ja dokumentet që ju duhen për leje ndërtimi

'Këndi i Ekspertit', Gjergji Begaj: Ja dokumentet që ju duhen për leje ndërtimi

Eksperti Gjergji Begaj i ftuar te 'Këndi i Ekspertit'

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, ka qenë i ftuar eksperti i çështjeve të pronave Gjergji Begaj. Eksperti ka sqaruar procedurat që ju duhen qytetarëve për të marrë lejet e ndërtimit për të ndërtuar shtëpi apo për të bërë shtesa. Gjithashtu Begaj ka sqaruar qytetarët për procedurat për marrjen e certitikatës së pronësisë.

Do të flasim për një temë e cila është shumë e diskutueshme dhe aktuale. Do të flasim për lejet e ndërtimit në zonat urbane. Çfarë roli luajnë bashkitë për sa u përket këtyre zonave?
Ne kemi trajtuar shumë tema për pronat sepse prona nuk zhvillohet vetëm nëpër hipoteka dhe tek ALUIZNI, por një temë e rëndësishme është edhe zhvillimi i pronës pranë bashkive, sepse aty marrin lejet e ndërtimit. Po flasim për lejet e ndërtimit në zonat urbane dhe rurale, duhet t’i ndajmë d.m.th. në qytet dhe në fshat. Normalisht që ligji është përmirësuar. Herë pas here janë bërë amendime dhe përmirësime të ligjit dhe Ligji nr. 231 që është përmirësuar në vitin 2017 normalisht që ka lehtësuar dhënien e lejeve të ndërtimit dhe ka bërë edhe përmirësime duke shkurtuar afatet e marrjes së një leje sepse ka qenë një kohë e gjatë, gati një vit ose dy më përpara. Pra, do të aplikojë për një leje dhe duhej të prisje një vit për ta marrë atë. Ishin procedura që të vononin shumë. Sot procedura është thjeshtuar e shkurtuar dhe afatet shkojnë deri në 30 ditë, d.m.th. brenda 30 ditëve bashkitë duhet të japin përgjigje. Në momentin që qytetarët mbyllin dokumentet, bashkia brenda 30 ditëve duhet të kthejë përgjigje për leje zhvillimi, d.m.th. që lejohet ose nuk lejohet në zonën ku qytetari ka pronën, d.m.th. në zonën ku qytetari ka një tokë dhe dëshiron të bëjë një ndërtim. 

Sa kohë ka që është bërë ky ndryshim?
Përmirësimi i ligjit ka filluar që në vitin 2015 me disa përmirësime të vogla, por tërësisht është përmirësuar në vitin 2017. Pra, Ligji nr. 231 ka bërë goxha përmirësime sepse janë miratuar edhe planet, PDV-të, në pjesën më të madhe të qyteteve, por edhe në zonat rurale është bërë zhvillimi që në çdo zonë, për sa u përket periferive të qytetit janë dhënë edhe kuadratet se ku do të ndërtohet. Qytetari shkon te një studio arkitekture dhe i jep certifikatën me hartën treguese të pronës. Arkitekti e studion dhe sqaron se sa kate mund të ndërtohet dhe se sa është koeficienti i ndërtimit.

Cilat janë dokumentet që duhen?
Dokumentet me të cilat një qytetar duhet të aplikojë pranë bashkive janë thjeshtuar, është kërkesa për leje, është formulari tip i aplikimit që i përmban rregullorja, në sistemin elektronik të lejeve, prokura ose autorizimi që qytetari ia ngarkon studios që do të merret me lejen e ndërtimit, sepse normalisht që studiot kanë licencat dhe lejet elektronike për të aplikuar, është vërtetimi i pronësisë që duhet të ketë si vërtetim certifikatën e pronësisë bashkë me kartelën dhe hartën treguese, plani i rilevimit që përgatitet nga një topograf i licencuar, në shkallën 1:500 ose rilevimi topografik që i duhet edhe arkitektit por i duhet edhe bashkisë për të bërë studimin për të dhënë lejen e zhvillimit, dhe një projekt-ide nga një studio arkitekture ose nga një arkitekt, që të japë idenë se çfarë do të ndërtojë në këtë zonë. Pastaj normalisht që shoqërohet me kopje të licencave të noterizuara të topografit dhe të arkitektit dhe mandat-pagesat që vërtetojnë tarifat nornmale për të aplikuar për një leje ndërtimi. Kjo është një paketë ose pikat ku qytetari duhet të mbështetet dhe të grumbullojë dokumentet. Dua të theksoj që aplikimin e bëjnë studiot ose njerëzit e ngarkuar, të cilët janë persona fizikë, arkitektët, që kanë licencë elektronike, d.m.th. qytetari çon kërkesë vetëm për leje zhvillimi në fazën e parë dhe pastaj e ndjek studioja procesin deri në marrjen e lejes. Afati është prej 20 ditësh që bashkitë duhen të marrin parasysh për t’i dhënë një përgjigje qytetarit, pra 20 ditë pune ose 30 ditë kalendarike ku përfshihen edhe ditët e pushimeve, të shtunat e të dielat. Normalisht që kjo është një gjë që qytetari duhet të marrë informacion nëse i lejohet të ndërtojë ose jo.

Ligji i legalizimit është mbyllur një herë në vitin 2006 pastaj u shty deri në vitin 2014. Qytetarët janë informuar që të mos bëjnë më ndërtime sepse pastaj do të dënohen edhe penalisht, por edhe me gjoba. Normalisht, nëse ti ke pronën tënde me certifikatë, është normale që të paraqitesh pranë një institucioni për të marrë një leje ndërtimi dhe të ndërtosh sipas rregullave të urbanistikës dhe sipas rregullave të tjera. Kemi parë ose edhe shikojmë ndërtimet që janë bërë në mënyrë kaotike. Mirë themi legalizim, por duhet edhe urbanizimi, që do të thotë kanalizime, ujësjellësi, rruga, ndriçimi, duhet të jenë në një linjë.

Por njerëzit kanë ndërtuar aty-këtu dhe pjesa më e madhe edhe mund të digjen nga legalizimet sepse në qoftë se kanë ndërtuar në mes të një rruge, normalisht që nuk do t’i aprovohet ndërtimi. Prandaj duhet leja e ndërtimit, që qytetari të shkojë dhe të marrë leje nga bashkia dhe e ka të garantuar që ajo ndërtesë është e tij dhe nuk ka asnjë rrezik. Dhe projekti duhet bërë sipas zonës ku ndërtohet. Pra lejohet aq sa duhet lejuar.

Kam marrë tokën në bazë të Ligjit nr. 7501 dhe disponoj Aktin e Marrjes në Pronësi të Tokës. Dua të pajisem me certifikatën e pronësisë. Çfarë dokumentesh më duhen dhe çfarë detyrimi financiar kam për të paguar?
Zotëria zotëron AMTP-në që është dhënë në vitin 1991 për tokat bujqësore dhe në vitin 1992 për tokat që kanë qenë fermë. Qytetarit i duhet një certifikatë familjare të vitit 1991, të cilën do ta marrë në zyrat e gjendjes civile në zonën ku banon, kjo është themelore. Duhet të marrë një vërtetim si banor i lagjes. Në qoftë se nuk i ka hartat sepse normalisht ai i ka parcelat, i disponon, por duhet të paraqitet pranë qendrës administrative dhe në qoftë se ata kanë topografë që mund të bëjnë hartat apo planet e rilevimit, por në qoftë se nuk kanë topograf qendrat administrative, duhet të marrë një topograf nga një studio private dhe të bëjë gentplanet.

Pra, duhet të ketë certifikatën familjare, vërtetimin që është banor i lagjes ose i fshatit, planet e rilevimit dhe normalisht, edhe një fotokopje të noterizuar të AMTP-së ose të nxjerrë nga hipoteka me vulën e hipotekës që kjo AMTP gjendet pranë zyrës së regjistrimit. Këto dokumente duhet t’i dorëzojë në qendrën administrative dhe të fillohet procedura për regjistrimin për t’u pajisur me certifikatë pronësie. Këtë procedurë në bashki e ndjek qendra administrative, ndërsa bashkia i përcjell dokumentet në hipotekë për të marrë certifikatën e pronësisë.

Jam një qytetar nga Tirana. Dua të pyes për certifikatën e ndarjes së tokës në vitin 1991 sipas Ligjit nr. 7501 që është e ndryshuar. A qëndron kjo?
 Atëherë në vitin 1991 certifikatat janë për shpërndarjen e tokave të ish-kooperativave bujqësore, ndërsa në vitin 1992 ka filluar edhe për tokat e ish-fermave bujqësore. Ka raste që tapitë janë mbushur edhe në vitin 2002. Unë them çfarë thotë ligji. Ka pasur probleme, madje edhe sot bashkitë kanë një detyrim ligjor që në qoftë se qytetari ka marrë një formular me nr. 6 dhe nuk ka marrë tapi, janë të detyruara që ta sistemojnë me tapi të re. Nuk është vetëm viti që përcakton marrjen e tapisë, por janë disa dokumente bazike, si vendbanimi para vitit 1991, kusht është që ju të jeni ish-punonjës i kooperativës ose i ish-fermës, si edhe disa dokumente të tjera që plotësojnë tapinë në fund fare. Duhen plotësuar këto kushte që sapo përmenda. 

Jam një qytetar nga Tirana dhe kam një problem me tokën. Tokën e kam me hipotekë dhe kur shkova tek ALUIZNI për të marrë lejen, sipërfaqja e tokës në hartë del më e vogël se sipërfaqja në terren. Aktualisht sipërfaqja e tokës është e saktë dhe më thanë që duhet të korrigjoj hartën. Toka ime ndodhet në krahun e jashtëm, në zonën e Unazës së Re. Si mund të ndodhë kjo?
Studio jonë ka gati 10 vite që punon me këto zona. Për pjesën e brendshme të Unazës është bërë harta e re dhe është sistemuar. Është futur në shkallë dhe janë sistemuar pasuritë. Problemi qëndron në pjesën e jashtme të Unazës, ku ka tokën edhe zotëria. Kemi defekte serioze sepse, siç e kemi thënë edhe herë të tjera, është punuar me hartat e vjetra ashtu siç janë marrë nga qarqet dhe janë shumëfishuar hartat me anë të fotokopjeve. Zotëria duhet të marrë një topograf, i cili do të bëjë matjen faktike të pronës në vend, duke u lidhur edhe me fqinjët anësorë sepse duhet bërë një azhurnim i pjesshëm, të shoqërohet me ortofoto dhe t’i drejtohet hipotekës për korrigjim të hartës sipas gjendjes faktike.

Normalisht që duhet të shkojë edhe në qendrën administrative sepse janë edhe ato përgjegjëse për këto prona. Qendra administrative në koordinim me hipotekën duhet të bëjë korrigjimin në qoftë se prona është e saktë në terren. Ky është një fenomen në këtë zonë. Nuk është problemi vetëm i këtij qytetari. Këtu kemi me qindra prona që janë të mbarsura me këtë problem. Në rast se ne do t’ia sistemojmë qytetarit këtë pronë, do të përplaset me pronën tjetër, që ka pas ose me pronën në pjesën tjetër. Është çështje shumë delikate. Domethënë që ky është një efekt domino, që pronat do të përplasin njëra-tjetrën. Duhet që kjo zonë të azhurnohet e gjitha. Është në proces, pra vazhdon ende procesi i sistemimit. ALUIZNI e ka të saktë hartën. Këtë gjë e kërkon nga hipoteka. Po diskutohet që brenda muajit dhjetor apo janar, hipoteka të bashkohet me ALUIZNI-n dhe në ato momente mund të sistemohet që qytetari të marrë një përgjigje shumë të shpejtë. Institucionet mund të koordinojnë punën me njëra-tjetrën dhe të punojnë me një hartë. Dhe kjo do të jetë zgjidhja, kur të përdoret një hartë e saktë. Duhet vetëm pak durim.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

I dënuar me 12 vjet burg për prodhim dhe shitje droge, arrestohet 40-vjeçari në Durrës

I dënuar me 12 vjet burg për prodhim dhe shitje droge, arrestohet 40-vjeçari në Durrës