Këndi i ekspertit/ Gjergji Begaj: Problematikat me ligjin 7501, si duhet të veproni

Këndi i ekspertit/ Gjergji Begaj: Problematikat me ligjin 7501, si duhet të veproni

Eksperti Gjergji Begaj dhe moderatorja Valbona Mhilli

Si çdo javë eksperti i çështjeve të pronave Gjergj Begaj ka sqaruar qytetarët shqiptarë mbi problematikat e ndryshme, në studion e emisionit “Këndi i Ekspertit” në Report Tv, nën drejtimin e gazetares Valbona Mhilli. Në këtë emision eksperti Begaj është rindalur edhe një herë tek problematikat që kanë qytetarët me Ligjin 7501, duke sqaruar rastet kur ka abuzime dhe çfarë duhet të kenë parasysh qytetarët që të mos bien pre e mashtrimeve.

Do ta nisim emisionin tonë me një ligj, për të cilin është folur shumë në emision, është Ligji 7501, për të bërë një përmbledhje. Në të gjitha emisionet për pronën që kemi zhvilluar, ky ligj ka qenë më i diskutuari. Të gjitha paqartësitë që kanë ndjekësit e emisionit tonë do të mundohemi t’i sqarojmë edhe një herë.

Vërtet që ky është një ligj që është trajtuar në të gjitha puntatat e emisionit dhe gati 70% e popullsisë që te ne jeton në zonat rurale, pra në fshat, është furnizuar me tokë bujqësore, në ish-kooperativat dhe në fermat, d.m.th. janë marrë tapitë për këto toka. Por çfarë ka ndodhur? Kemi thënë që është abuzuar me këtë ligj gjatë viteve, që nga hyrja në fuqi e këtij ligji, nga ish-pushtetarët por edhe nga pushtetarët, si mbivendosje parcelash, futje njerëzish në konflikt etj., etj. Kohët e fundit është vënë re një fenomen, prandaj dhe unë kërkoj ta ngre me forcë këtë gjë që, krahas abuzimeve për të cilat kemi folur, që i kanë nxjerrë edhe organet e Prokurorisë dhe janë nën hetim. Kemi informacione që në disa zona vazhdon ende të abuzohet me këtë ligj. Duhet t’i vëmë pikat mbi i. Ka parcela që janë pasuri shteti dhe çfarë ndodh? Po flasim troç që në të gjitha ish-komunat që janë kthyer në qendra administrative, ka njerëz të cilët vazhdojnë të abuzojnë, siç janë ish-kryepleqtë që merren me këto punë dhe sekserët që normalisht gjenden kudo.

Të gjitha këto ne i kemi ezauruar, pra kemi folur në emisionet tona. Megjithatë, çfarë parashikohet për sa i përket Ligjit 7501? Çfarë të rejash do të kemi në vazhdim?

Pikërisht aty dua të dal. Bashkitë me urgjencë duhet të bëjnë inventarizimin e pronave sepse këto janë prona shtetërore. Dhe normalisht, nëse ka njerëz të cilët nuk janë furnizuar me tokë bujqësore, sipas ligjit, duhet të furnizohen. Por jo të çohen tek abuzuesit.

Si duhet të veprojnë qytetarët?

Normalisht ata qytetarë që i kanë marrë tapitë në rregull, duhet të vazhdojnë procedurat nëpërmjet bashkive. D.m.th. udhëzimet do t’i marrin nga bashkitë dhe nga qendrat administrative. Por çfarë ndodh? Ndodh ky fenomen që sapo thashë, që abuzuesit plotësojnë letra false për këto toka bujqësore që janë në zërin kadastral shtet dhe vazhdojnë regjistrimet. Kujdes këtu duhet të kenë hipotekat, zyrat e regjistrimit. Duhet të bëjnë verifikimin e dokumenteve në mënyrë të hollësishme dhe të thelluar në bashkitë dhe në qarqet. Të shikojnë me kujdes nëse tapitë janë të regjistruara pranë këtyre organeve apo janë plotësuar diku në ndonjë lokal apo në ndonjë cep rruge.

Domethënë, ky duhet të jetë kujdesi i hipotekave ndaj qytetarëve.

Normalisht. Ne kemi informacione që abuzimi po ndodh. Edhe për rrethinat e Tiranës ka informacione që ky fenomen po ndodh. Këtu duhet vëmendje maksimale e organeve kompetente. Ne po e japim këtë sinjal.

Megjithatë, në rastin e këtyre abuzimeve, është një akuzë shumë e fortë kjo dhe që duhen marrë masa.

Duhen marrë masa sepse këtu kemi një vjedhje të hapur të pronës së shtetit, nga këta abuzues. Prokuroria dhe organet e tjera kompetente duhet të bëjnë punën e tyre, por vëmendjen kryesore duhet ta kenë hipotekat gjatë regjistrimit të pronave. Edhe këtu duhet bërë Vetting-u. Normalisht që do të digjen një pjesë që i marrin këto tapi dhe u duket se i gëzojnë, por kjo është vetëm për momentin sepse nuk do të zgjasë shumë. Më vonë do të dalë patjetër e vërteta në shesh.

Flas nga Tirana. Kam një pronë në Fier bashkë me vëllanë. E kemi marrë me Ligjin 7501, në vitet 1991-1992. Mirëpo aty ka një ngatërresë. Në vitin 1991 vëllai ishte i ndarë dhe morëm tokë të gjithë. Tani babai ka ndërruar jetë. Vëllait i shkojnë veç detyrimet e tokës në komunë. Ai do që ta shesë tokën se është në Greqi, por e ka bashkë me ne. Por detyrimet i paguajmë më vete, edhe unë, edhe ai. Tani që vdiq babai duhen ndarë, që unë të merrem me tokën time.

Zotëria thotë që e kanë marrë tokën bujqësore dhe kanë qenë dy kurora bashkë, në një certifikatë familjare sepse kryefamiljari ka qenë babai. Nuk është e koklavitur kjo sepse ata duhet të shkojnë në gjendjen civile aty ku banojnë, të marrin vërtetime të sakta, që janë ndarë si familje bujqësore më vete dhe të bëjnë edhe aktin e trashëgimisë të babait sepse babai ka ndërruar jetë dhe qendra administrative ka për detyrë të bëjë saktësimin dhe sqarimin. Nuk kanë pse të paguajnë të dy taksa të veçanta për të njëjtën pasuri. Pra, duhet të shkojnë në qendrën e tyre administrative ku kanë edhe gjendjen civile dhe ta sqarojnë këtë problem. Është detyrë e qendrës administrative që ata të paguajnë vetëm një taksë për pasurinë që janë. Taksën duhet ta paguajë ai që posedon pronën dhe jo ai që nuk e ka në ngarkim. D.m.th. është detyrë e qendrës administrative që t’i sqarojë dhe t’i japë zgjidhje këtij problemi.

Dua të më sqaroni për certifikatat e pronësisë që thonë se do të ripërtërihen sidomos ato nga viti 2015 e këtej. Me çfarë vlere financiare do të vlerësohet sepse disa thonë që do t’i paguajë bashkia dhe disa të tjerë thonë që do t’i paguajnë vetë personat. Si do të veprohet në hipotekë?

Zotëria i referohet ndryshimit të ligjit të vitit 2015 për regjistrimin e tokave. Kompetencat i kanë kaluar bashkive qendrore për ta zbatuar ligjin. Pikërisht në këto bashki qytetarët do të marrin udhëzimet e sakta se si do të veprojnë. Zotëria ishte pak i paqartë kur thotë certifikatat e reja dhe të vjetra sepse nuk ka të tilla. Qytetari duhet të kuptojë se nëse merret certifikata, merret një herë derisa kalon ose tjetërsohet te një person tjetër, pra kur prona shitet apo dhurohet te një person tjetër. Kartela është ajo që mund të ripërtërihet ose dokumente të tjera, por jo certifikata. Certifikata është dokument ligjor që jepet dhe merret vetëm një herë. Qytetari ndoshta quan certifikata në këtë rast aktet e vjetra të marrjes së tokës në pronësi, prandaj duhet të orientohet pranë bashkisë qendrore, të marrë udhëzimet përkatëse, të plotësojë dokumentet e duhura pranë qendrës së tij administrative dhe pastaj të vazhdojë me regjistrimin e tokës nëse ka tokë bujqësore.

Flas nga Tirana. Kam një sipërfaqe toke, rreth 300 m2, i kam bërë të gjitha dokumentet sipas rregullave që kërkon shteti, i kam dorëzuar, është bërë edhe vlerësimi, më thanë të hapja një numër llogarie në bankë dhe pres të më dërgojnë shumën e lekëve që më kanë caktuar. Si mendoni, do t’i marr apo s’do t’i marr këto lekë? Kur mund t’i marr?

Qytetari normalisht që është i shqetësuar. Me sa kuptuam, ai ka një pronë për kompensim monetar. Ne kemi sqaruar edhe herë të tjera që, Komisioni i Kthimit të Pronave është duke punuar me dosjet dhe herë pas here, në gazeta të ndryshme edhe në televizion, nxjerr lista të shpronësimeve me emrat e pronarëve. Zotëria duhet të interesohet pranë Komisionit të Kthimit të Pronave. Në qoftë se i intereson që të marrë një pagesë të shpejtë, mund të marrë 20% të vlerës së caktuar, ose ndryshe duhet të presë kur t’i vijë koha që të marrë vlerën e plotë. Por kjo është me grafik. Duhet të interesohet se kur mund t’i vijë radha sepse kjo varet nga viti kur ka mbyllur dosjen dhe me çfarë vitesh po punon Komisioni i Kthimit të Pronave. Duhet të marrë informacion pranë zyrës së informacionit të Komisionit të Kthimit të Pronave, e cila ndodhet në katin e dytë, dikur pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit.

Flas nga Tirana. Disponoj një sipërfaqe toke prej 11.500 m2, në një fshat afër Tiranës. Kam certifikatë pronësie. Prona është e rivlerësuar me të gjitha dokumentet. Kam fituar edhe një proces gjyqësor për lirim dhe dorëzim sendi dhe fitimin e munguar. Doja të bëja punime në tokë. Personat që ma kanë shfrytëzur tokën, nuk më lejojnë, me pretekstin se jemi në proces gjyqësor. Procesin gjyqësor e kam inicuar unë për lirimin dhe dorëzimin e sendit. Tani po presim të dalë vendimi i Gjykatës së Apelit. Tokën e kam përfituar me Ligjin 7501. Zaptuesit nuk kanë asnjë lloj të drejte tek ajo pronë sepse e kanë zaptuar në mënyrë të paligjshme. Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë është dhënë që të më shpërblejnë me rreth 12.000.000 lekë. Nuk kanë asnjë lloj dokumenti. Thjesht e kanë zaptuar.

Të kërkoj ndjesë që po ta them, por ti je viktimë e këtyre gjyqeve apo e këtyre gjykatave, të cilat i zvarrisin pa fund këto çështje në vendin tonë. Ndërkohë që ju keni certifikatë pronësie dhe duhet të favorizoheni me urgjencë, ndërkohë që pala tjetër nuk ka asnjë dokument dhe vazhdon të punojë tokën tuaj. Nuk e di se me çfarë e mbrojnë ata zotërinjtë këtë çështje në Gjykatën e Apelit kur nuk zotërojnë dokumente. Çfarë dokumentesh i ka pranuar gjykata? Zotëria ka marrë dokument pronësie dhe zotëron certifikatën. Pala tjetër duhet të ketë një dokument të fortë ose të barabartë dhe bindës që të vazhdojë proceset gjyqësore. Është defekti i gjykimit të shkallës së parë. Menjëherë duhej dhënë vendimi i formës së prerë. Pra, ky është një problem i organeve të drejtësisë që kanë zvarritur dhe vazhdojnë të zvarrisin me qindra procese dhe vendime gjyqësore. Ti je i favorizuar sepse zotëron çdo gjë si pronar i asaj toke, por thjesht duhet të presësh vendimet e gjykatave.

* Për qytetarët që kanë probleme pronësie, drejtohuni pranë Studio Ligjore “Bylis”, përballë Hipotekës në Tiranë, Rruga “Panorama”. Kontaktoni edhe në numrin e celularit 0694093431

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Komisioni Hetimor për Shëndetësinë mblidhet sërish sot, pritet miratimi i planit të hetimit dhe kërkesave për informacion

Komisioni Hetimor për Shëndetësinë mblidhet sërish sot, pritet miratimi i planit të hetimit dhe kërkesave për informacion