Artan Lame: Kur do iu regjistrohet prona pas legalizimit

Drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame, i ftuar në emisionin "Këndi i Ekspertit" në Report Tv, i drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, iu përgjigj pyetjeve dhe shqetësimeve të qytetarëve për problemet dhe reformën e qeverisë te pronat. Pronat vijojnë të mbeten një nga plagët sociale dhe problemi më esencial i qytetarëve dhe qeverive ndërvite, kreu i ALUIZNI-t ka sqaruar problematikat e shumta nga Report TV.

Ndër shqetësimet e qytetarëve ishte edhe ai për legalizimin e pronës, për kërkesat e dorëzuara pranë ALUIZNI-t vite më parë. Lame tha se institucioni arrin të legalizojë 3 mijë objekte në muaj dhe të gjitha kërkesat e dorëzuara do shqyrtohen me të njëjtin intensitet.

Lame foli edhe për ligjin 7501 i aplikuar në Shqipëri pas rënies së regjimit komunist me qëllim ndarjen e pronës së kolektivizuar nga sistemi. Sipas tij, ky ligj, pas vitit 2000 kur mbaroi toka e kooperativave, solli plaçkitjen e tokave shtetërore si ranishtet dhe pyjet.

Si është aktualisht situata e pronësisë në vend, duke pasur parasysh që është një nga fushat më problematike të këtij çerekshekulli?
Është një nga fushat më problematike. Tashmë mund të themi që çështja e pronës në Shqipëri ka arritur në limitet ku mund të bllokojë zhvillimin ekonomik të vendit. Për sa kohë që, të gjithë si kaçakët ishim hedhur maleve për të zënë nga një copë tokë, dhe shpresonim që me të, të bëhej ç’të bëhej, edhe mund të shtyhej kjo punë. Tashmë zhvillimi ekonomik, garancia e pronës, siguria, shtimi i problematikave, pak a shumë e zunë të gjithë Shqipërinë dhe kemi ardhur që të jemi bërryl më bërryl me njëri-tjetrin, na detyron që duhet t’i japim zgjidhje, përndryshe do të vazhdojmë të vritemi, përndryshe do të vazhdojmë të bllokojmë zhvillimin ekonomik të vendit dhe do të vazhdojmë të vritemi shumë më tepër se sa jemi vrarë, therur e plagosur me njëri-tjetrin, deri më sot.

Kur them problematika e pronës nuk them thjesht problemi i kthimit apo i kompensimit të pronave, që është një nga zërat e saj, por e gjithë problematika e pronave, problematika e zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, e hipotekave, problematika e ALUIZNI-t, e legalizimeve, dhe çdo problematikë tjetër e lidhur me pronën.

Politika bën plane dhe projekte, por qytetarët në shumë raste arrijnë vetë te problemi edhe pa qenë nevoja që të arrijmë ne përpara. Megjithatë, e them këtë në funksion të një gjëje: ideja e bashkimit të institucioneve të pronave në një institucion të vetëm, nuk është e sotmja, është që në vitin 2013, në zgjedhje PS e pati në program. Nuk u realizua dot për arsye të ndryshme, në 4-vjeçarin e parë, por ka qenë gjithnjë ideja e bashkimit të këtyre problematikave dhe institucioneve që trajtojnë pronën, por të palidhur dhe të pa integruar me njëri-tjetrin. Mosbashkimi i këtyre institucioneve në mandatin e parë shërbeu si eksperiencë për gjërat që nuk shkonin dhe që duheshin rregulluar dhe, tani jemi në këtë pikë, ta bëjmë tani. Këtu arritëm ne.

Nga ana tjetër, vetë qytetarët kishin arritur para nesh në këtë histori sepse unë e vija re që, që gjatë mandatit të parë pafundësia e qytetarëve që i drejtoheshin këtij institucioni, ALUIZNI-t, për çdo lloj problematike që kishte të bënte me pronën dhe që ne, në shumë raste, i devijonim apo i dërgonim tek institucionet e tjera. Kështu që qytetarët e kanë ndjerë këtë nevojën e fokusimit në një institucion të vetëm, i cili i harmonizon të gjitha problematikat brenda vetes. Kjo është ajo që po bëhet tani. Jemi në fazën e përmbylljes së legjislacionit unifikues, bashkues të institucioneve dhe gjykoj që është realisht reforma më e madhe në fushën e pronës në këtë çerekshekulli. 

Po trajtimi i pronarëve, kompensimi i tyre a është duke u vënë dinjitet për këtë shtresë sociale?
Të gjitha të ligat u janë bërë. Komandanti për 50 vjet i masakroi, u mori shpirtin, u mori pronat dhe i dënoi. Pastaj u kujdes edhe demokracia këtë çerekshekulli që t’i keqtrajtonte me sa të ishte e mundur, duke i kthyer në shumicën e rasteve nga një shtresë që kërkonte rikthim të dinjitetit dhe rikthim të pronës aty ku ishte e mundur, thjesht në lypsarë të pronave të tyre. Po të shohësh nëpër Tiranë ndonjë burrë plak me dosje nën sqetull dhe që flet me vete, dihet që vjen rrotull për pronën e tij, në shumicën e rasteve.

Pra, ky është një problem i mahisur duke filluar që nga viti 1993, kur u bë ligji i parë për kthimin dhe kompensimin e pronave, i rënduar vit pas viti, qeverisje pas qeverisje, deri më sot, deri në gati plasjen e problemit, në vitin 2013, vit në të cilin qeveria Berisha që po largohej la një faturë jashtë çdo imagjinate qoftë nga pikëpamja financiare, qoftë nga pikëpamja e numrit të gjyqeve në Gjykatën Ndërkombëtare të Strasburgut, e cila po e vinte shtetin shqiptar në limitet e falimentit. U desh të ribëhej ligji nga fillimi, me të gjitha problematikat që mbartte, dhe të rikonceptohej tërësisht Agjencia e Trajtimit të Pronës, e cila, po të hapësh librin se çfarë gjeti dhe të gjitha problematikat në Gjykatën e Strasburgut, justifikohet për shumicën e vonesave.

Aktualisht kompensimi vazhdon në dy kategori: njëra është përllogaritja e vlerës së pronës mbi bazën e ligjit të ri, dhe tjetra, është kompensimi që u bëhet ish-pronarëve për tokat e zëna nga ndërtimet pa leje. Është një fond të cilin e xhiron ALUIZNI për Agjencinë e Trajtimit të Pronës një herë në disa muaj, dhe është fond i cili përdoret për kompensimin e pronarëve, të cilëve u është zonë toka nga ndërtimet pa leje.

Flasim pak për Ligjin 7501. Çfarë po ndodh me këtë ligj? Dimë që para dy muajsh qeveria shqiptare ka dhënë një vendim për pezullim. Çfarë mund të na thoni më tepër për t’i informuar dhe qytetarët që ndjekin këtë emision.

Ajo që bëri qeveria para dy muajsh ishte një hap ekstrem, në kushte ekstreme, që do të thotë që neve, këtë Shqipërinë tonë, të cilën në vitin 1991 e ndamë me Ligjin 7501. Ua ndamë atyre që punonin tokën. Pastaj, në vitin 1993 harruam që e kishim ndarë një herë dhe filluam ta ndajmë edhe një herë tjetër në funksion të kthimit dhe të kompensimit të pronave. Po në këtë kohë filloi edhe procesi i privatizimeve masive. Ndërkohë harruam që e kishim ndarë dy herë, por e ndamë edhe një herë me privatizimet. Pastaj filluam procesin e legalizimeve. Filluam ta ndajmë edhe një herë tjetër. Në të gjitha këto katër herë që e kemi ndarë, Shqipëria kjo ishte. E kemi copëzuar. Shqipëria një është.

Të gjitha këto operacione, të bëra mbi të njëjtin truall, kanë krijuar vetëm kaos. Një nga proceset më kaotike të të gjitha këtyre proceseve ka qenë Ligji 7501, i viti 1991, i cili në parim ishte një ligj i mirë, por degradoi me kohë, për dy arsye. Të njëjtën Shqipëri që e ndamë me Ligjin 7501 e ndamë edhe me këto ligjet e tjera, duke e futur në një pafundësi konfliktesh, por nga ana tjetër degradoi sepse pasi mbaroi toka që duhej ndarë me Ligjin 7501, të themi diku rreth vitit 1996-1997, ndoshta deri nga viti 2000, pas vitit 2000 ky ligj ka prodhuar vetëm plaçkitje sepse ç’kishte për të ndarë nga kooperativat, u nda.

Atëherë mblidheshin deputeti dhe kryetari i fshatit apo i komunës dhe merrnin e ndanin si tokë bujqësore pyllin e fshatit, rërën e bregdetit apo parkun etj., duke krijuar një zallamahi tjetër. Ajo që bëri qeveria para dy muajsh ishte që ta frenonim plaçkitjen për një moment. Tani nuk regjistrohet më asnjë akt në fashën bregdetare, frenojmë plaçkitjen dhe komisionet që janë ngritur me ligj që në vitin 2012, të bëjnë verifikimin e titujve të pronësisë, të dhëna në bregdet. Ata që janë tituj të ligjshëm do të vazhdojnë, ata që janë tituj të paligjshëm do të kthehen mbrapsht në tokë të shtetit. Ky ishte thelbi.

Flas nga Peqini. Kam dy pyetje: e para, dua të blej truallin kur kam tapinë e objektit. Kam gati dy vjet që i kam bërë të gjitha aplikimet sipas ligjit. Dosja është punuar dhe tani pritet VKM dhe të dalë emri. E dyta: kam pasur një objekt privat, 132 m2, që ia kam blerë këshillit të rrethit në vitin 1992. E keqja ishte se nuk e kisha regjistruar me noteri. Pata një shtesë prej 50 m2, kam paguar lejen e saj. Tani nga Kontrolli i Lartë i Shtetit del që duhet të paguaj sërish tapinë time prej 132 m2, që unë ta gëzoj të gjithë këtë sipërfaqe. Si veprohet?
Për pyetjen e parë: procesi i legalizimeve aktualisht funksionon kështu këto dy vitet e fundit: bëhet legalizimi i objektit, nxirret dokumenti për legalizimin  e objektit dhe pastaj përgatitet një akt i VKM për t’i kaluar edhe truallin qytetarit. Është një proces i përcaktuar me një VKM. Tashmë i kolauduar edhe si proces. Ka ndodhur një ngecje masive vitin e kaluar për shkak të fushatës. Që në shkurt-mars të vitit 2017 deri në tetor 2017 nuk u bë asnjë mbledhje qeverie që të kalonin VKM. E para, për shkak të fushatës elektorale dhe e dyta, sepse para fushatës elektorale doli ajo teoria që po përdorej legalizimi për efekt të fushatës dhe qeveria vendosi që të mos kalonte asnjë VKM që të mos ngriheshin akuza nga opozita që po përdoreshin legalizimet për fushatë. Pra, për këtë periudhë 6-mujore nuk kaloi asnjë VKM. Kështu që u krijua një pirg prej rreth 8.000 objektesh, të cilat ishin legalizuar por s’ishte bërë VKM-ja për truallin. Në tetor 2017 filloi procesi normal, po i evadojmë pjesë-pjesë, pra në çdo vendim qeverie të ri që kalon, kalojnë dhe 500-1.000 nga të prapambeturit. Kjo ka qenë arsyeja e vonesës për VKM-në e qytetarit. E shpjegova hollësisht sepse është një problem që është shumë frekuent te platforma e bashkëqeverisjes, tek ankesat që vijnë aty. Pra, qytetarët e kanë marrë legalizimin, dhe kërkohet pak durim sa t’u dalë emri në gazetë për të marrë VKM-në e truallit. Nuk është nevoja për asnjë lloj kontakti, për asnjë ndërhyrje tek askush, për asnjë lloj miku. Thjesht qetësi dhe durim sepse të gjithë do ta marrin.

Për pyetjen e dytë: është pak teknike. Edhe këtu përfitoj për të bërë një lajmërim. Këtë cikël takimesh “Prona ime” që e nisa unë sot, do ta vijojnë në javët e ardhshme ekspertë nga zyra e kthimit të pasurive të paluajtshme, ekspertë nga ALUIZNI dhe ekspertë për problematikat për kthimin dhe kompensimin e pronave. Kështu që qytetarët janë të lutur të telefonojnë dhe të marrin përgjigje nga ekspertët për këto çështje teknike.

Flas nga Tirana. Kam bërë një kërkesë për legalizim që në vitin 2006. Jam interesuar dhe më thonë që do të vijnë të bëjnë matje dhe nuk ka ardhur askush. Si mund të veproj?
Në qoftë se kemi një numër kolosal të objekteve që janë në proces legalizimi, deri tani kemi arritur në shifrën e rreth 150.000 legalizimeve të kryera, që nga viti 2006. Në vitin 2013 qeveria para nesh kishte kryer 21.000 legalizime, sot kemi arritur te 150.000. ritmet janë shumëfishuar. Kjo ka bërë që, në qoftë se deri në vitin 2012 qytetarët e kishin fjetur mendjen që s’bëhen më legalizime, se dëgjonin vetëm fjalë, tani që e shohin se po bëhen, është normale që t’i bëjnë të gjithë legalizimet. Nga njëra anë është gjë e mirë, por nga ana tjetër krijon mbingarkesë për institucionin.

Aktualisht legalizimet kanë një shifër prej rreth 3.000 legalizimesh në muaj. Pra, çdo muaj ALUIZNI jep 3.000 certifikata pronësie të legalizimeve. Është një shifër realisht e jashtëzakonshme. Ka qenë shumë më e madhe vjet, ku arriti në limitin në 5.000 certifikata në muaj dhe ishte një ngarkesë shumë e madhe për punonjësit e ALUIZNI-t. Ritmi normal është rreth 3.000 certifikata në muaj. Sa më shumë persona e marrin certifikatën, aq më shumë nxiten të tjerët për të pyetur se përse vonohet certifikata e tyre. Por, është thjesht një çështje radhe.

Në muajt e verës kur kthehen dhe emigrantët, ne u japim më shumë hapësirë atyre sepse janë këtu maksimumi për dy muaj dhe duan të mbarojnë punë ato dy muaj. Kështu që të tjerët do të presin radhën, duke ndihmuar ata që vijnë nga jashtë. Ka dhe raste kur nxjerrim nga radha ata që bëjnë ankesa te drejtoritë tona apo në drejtorinë qendrore, për arsye të ndryshme dhe u japim përparësi. Pjesa tjetër kërkon vetëm durim sepse është një proces që zgjat por do të finalizohet për këdo.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • zzzzzz...............z: 30/04/2018 17:02

    ORE JU VAZHDONI LEGALIZONI ATA QE ZAPTOJNE PRONAT E PRONARWEVE TE VERTETE ...DHE ATA I SOROLLATNI NEPER GJYQE ....!!!!!!!!!!!POSHTE OLIGARKET E MAFIOZET E RINJ BASHKE MEPARTITE E MILITANTET E TYRE SHPELLARE....!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!

    Përgjigju
  • Qytetari: 30/04/2018 16:30

    Kaq kishe per te then lamja per Aluizmin,kjo eshte shqiperija qe duam e cila ka 27 vite qe lekalizon te paligjeshnen,edhe Lamja e din mire kete problem,por nuk kacti thot ketij populli qe voton per grabitqaret e tije,vete jeton ne koliben e qenit.Lamja lekalizon Vila ambjete bisnesi ndertuar ne token e tjeterit,dhe nuk lekalizon nje banese te fshatarit per te jetuar,qe e ka ndertuar ne pronen e tij.Rrofte rilindja Rana dhe tallavitja e tije me kolicijonin qeverise per qytetar e fshatar.Teuri e prajtik e padegjuar ne perehdim,mado mendja dhe ne vendet e pazhvillura te afrikes.Kolicjoni me qytetaret eshte zbatimi i ligjit per te gjithe,praktike ecila deri me sot nuk ka funksjonuar,derisa duhet te presi ky popull.Le tja thot Rama e Tan Lamja.Qe njerzit flejn me andren e shpreses.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Morinë/ Qentë endacakë kthehen në problem për udhëtarët

Morinë/ Qentë endacakë kthehen në problem për udhëtarët