Këndi i Ekspertit/ 'Si zgjidhen mbivendosjet e tokave të ndara me ligjin 7501'

Këndi i Ekspertit/ 'Si zgjidhen mbivendosjet e tokave të ndara me ligjin 7501'

Eksperti Gjergj Begaj në 'Këndi i Ekspertit'

Si çdo të hënë, këtë javë në Report TV në emisionin “Këndi i Eksperit” i drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, ka qenë i ftuar Gjergji Begaj. Eksperti i problematikave që lidhen me pronat ka sqaruar në këtë puntatë problemet që lidhen me tokat bujqësore të shpërndara me Ligjin 7501.

Nga Shkodra na shkruan zonja Angjelina, e cila ka punuar si veterinere në kooperativë dhe është larguar para viteve ’90. Ajo na pyet nëse i takon të pajiset me certifikatë pronësie sipas Ligjit nr. 7501?
Do të theksoj këtu jo vetëm për zonjën Angjelina, por për të gjithë qytetarët, të cilët kanë punuar në ish-fermat dhe në ish-kooperativat bujqësore, por që janë larguar prej tyre para vitit 1990 ose para vitit 1991, pra para se të hynte në fuqi Ligji Nr. 7501 për shpërndarjen e tokës, nuk janë përfitues. Përfitues me anën e këtij ligji janë të gjithë ata qytetarë, të cilët para muajit tetor të vitit 1991, janë gjendur në ish-kooperativat bujqësore ose në ish-fermat, në gjendjen civile. Pra zonja që na shkruan, nuk përfiton nga ky ligj sepse është larguar para kohe. Ligji e ka të specifikuar kohën dhe thotë datën, muajin dhe vitin se kur duhej të ishe banor i fshatit apo i fermës bujqësore.

Flas nga Korça. Kam tokë bujqësore të marrë sipas komisionit dhe ligjit. E kam punuar gjatë gjithë këtyre viteve dhe prapë e punoj. Tokën time e kanë mbivendosur mbi tokën e një personi tjetër. Ky person ka shitur tokë në mënyrë të paligjshme, duke marrë nga toka ime 700 m2. Çfarë duhet të bëj?
Në qoftë se zotëria është furnizuar me tokë sipas Ligjit nr. 7501, atëherë ai ka dhe një akt të marrjes së tokës në pronësi, në të cilin janë përcaktuar parcelat e tokës që ai duhet të regjistrojë në certifikatën e pronësisë pranë hipotekës së Korçës. Zotëria thotë se i del mbivendosje e tokës ose i është shkëputur një sipërfaqe prej 700 m2. Në këtë rast, ka dy mënyra për ta zgjidhur problemin. Njëra është zgjidhja me anën e marrëveshjes, ku ndërhyn qendra administrative me specialistët dhe topografët e saj për ta sqaruar këtë problem. Rruga tjetër është ajo gjyqësore. Dua t’u kujtoj të gjithë qytetatëve, që qeveria shumë shpejt do të rishikojë ligjin e pronave dhe në muajin dhjetor do të ketë ndryshime dhe zgjidhje të shpejta të mbivendosjeve, si edhe të disa problemeve të tjera që kanë lindur dhe që janë bërë fenomen. Ky ligj i ri do të miratojë edhe bashkimin e hipotekave me ALUIZNI-n, që do të thotë se qytetarët do t’i kenë më të thjeshtuara procedurat e regjistrimit të pasurive të tyre. Në këtë rast do të gjejnë zgjidhje të shpejtë edhe problemet e krijuara si ky problem që ka zotëria. Mbivendosjet janë probleme që kanë lindur nga institucionet, në pjesën hartografike të tyre, kështu që këto probleme duhet t’i zgjidhin po institucionet. 

Jam një banor i Fushë-Krujës dhe i Bashkisë së Krujës. Kam të gjitha dokumentet hipotekore për tokën dhe nuk disponoj 7.900 m2. Në certifikatën e hipotekës e kam unë tokën dhe shtëpinë. Kam një problem. I them personit që ka tokën, por ai më bën presion. Në këtë situatë gjenden shumë persona nga zona e Fushë-Krujës, fshati Larushk. Nuk po gjejmë zgjidhje. Në Bashki na thonë që nuk e dinë. Si mund të zgjidhet ky problem?
E kemi thënë edhe herë të tjera, që në këtë rast kemi të bëjmë me një fenomen të njohur, sidomos në këtë zonë. Pra, një person ka certifikatën e pronësisë dhe një person tjetër ka zaptuar tokën. Në këtë mes arbitër është pushteti vendor. Qendra administrative duhet t’u japë zgjidhje këtyre problemeve të banorëve të saj, për të shuar konfliktet që kanë lindur. Në këto raste kemi të bëjmë me njerëz që kundërshtojnë ligjin, i cili është një për të gjithë dhe duhet të jetë i zbatueshëm. Që ligji të jetë i zbatueshëm qytetari duhet të sqarohet nga institucionet. Në këtë mënyrë shmangen edhe konfliktet, të cilat në disa raste janë përshkallëzuar deri në kërcënime verbale dhe në konfrontime fizike. Në këtë rast, në qoftë se zotërisë që na telefonoi i është pushtuar toka nga një qytetar tjetër, zotëria duhet të bëjë një denoncim pranë komisariatit të policisë sepse pushtimi i pronës dënohet nga Kodi Penal. Pra zotëria nëse e zotëron tokën me anën e dokumenteve të rregullta ligjore, pra ka certifikatën e pronësisë së tokës në emër të tij, atëherë e denoncon zaptuesin e tokës, i cili pastaj ose largohet nga toka ose ndiqet penalisht. Kështu që zotëria duhet t’i drejtohet fillimisht Komisariatit të Fushë-Krujës, ku të denoncojë zaptuesin e tokës së tij. Normalisht, që situata do të vijë duke u zbutur sepse edhe ai qytetari që e ka zaptuar tokën do të reflektojë dhe do ta kuptojë që nuk mund të zotërojë me forcën pronën e dikujt tjetër. Qendra administrative duhet të ndërhyjë për të zbutur dhe zgjidhur problemin.

Jam një banore e Tiranës. Kam blerë një pronë në vitin 1994, një tokë. Veprimet i kemi kryer te një notere. Pronari e ka pasur këtë tokë nga Ligji nr. 7501, e ka firmosur dokumentin te noterja, ka marrë lekët. Në dokument ka nënshkruar që sapo të pajiset me certifikatën e tokës, do të ma sjellë mua. Tani nuk ma jep. Më kërkon lekë të tjera, ndërkohë që lekët e tokës i ka marrë...
Zonja ka bërë një deklaratë para noteres. Në atë kohë kur janë kryer veprimet, të dy qytetarët janë paraqitur para noteres dhe kanë pranuar kushtet e njëri-tjetrit. E kemi theksuar edhe herë të tjera, që prona nuk mund të shitet me deklarata, por vetëm me kontrata shitblerjeje ose me akte dhurimi. Këto janë dy mënyrat e duhura dhe të sakta për kalimin e pronës nga një pronar te një tjetër. Por nuk ka ndodhur kështu ndërmjet këtyre dy qytetarëve. Zotëria që ka firmosur deklaratën para noteres, është i detyruar të pajiset me certifikatë dhe t’i japë zonjës pjesën që i ka premtuar. Në rast të kundërt, zonja duhet t’i drejtohet Gjykatës së Shkallës së Parë për ta zgjidhur këtë çështje në rrugë gjyqësore, duke e detyruar zotërinë që me anë të ligjit, t’i japë pjesën që i ka shitur me anën e deklaratës noteriale. Ka shumë raste kur njerëzit shesin toka bujqësore në mënyrë të padrejtë, sepse duhet të firmosin të gjithë pjesëtarët e familjes. Megjithatë përgjegjësia mbetet e kryefamiljarit. Zonja duhet t’i drejtohet një studioje ligjore për të marrë udhëzimet e duhura ose që të merret drejtpërdrejt me çështjen e saj.

Jam nga Divjaka. Kam bërë një ndërtesë dhe e kam certifikatën e pronësisë për ndërtesën por jo për truallin. Ndërtesa fillimisht ka qenë një biznes i vogël, të cilin e kam blerë dhe më pas e kam zgjeruar. Si duhet të veproj?
Këto prona kanë qenë asete të ish-kooperativave dhe të ish-fermave bujqësore. Janë shitur në atë kohë veetëm baza materiale, si edhe ndërtesat. Zonja kërkon që të blejë edhe truallin. Për këtë, duhet të bëjë një kërkesë pranë Ministrisë së Financave, në Degën e Shitjes së Trojeve. Para se të shkojë në Ministri, duhet të këshillohet në qendrën e saj administrative duke marrë udhëzimet e duhura. Ndoshta dokumentet mund t’i përcjellë në Ministri edhe qendra administrative ku banon zonja. Sigurisht që trualli ka një vlerë të caktuar financiare që të kalojë pastaj pronësia e tij në emër të zonjës. Ky është një problem që ka zgjidhje. Zonja duhet fillimisht të noterizojë certifikatën dhe kartelën e pronësisë, të cilat pastaj duhet t’i paraqisë pranë këtij institucioni për të bërë blerjen e truallit.

Kam blerë një dyqan në vitin 1991. Ka qenë furrë pjekjeje dhe ka punuar burri im. E kam blerë edhe truallin bashkë me dyqanin. Tani në hipotekën e Beratit nuk më nxjerrin certifikatën e re. Më thonë që duhet të hap gjyq për ta fituar. Këtë problem e kam ngritur në Ministrinë e Drejtësisë, te Drejtori i Përgjithshëm i Hipotekave, në Kryeministri dhe akoma nuk kam marrë përgjigje. Në përgjigjet që kam marrë nga hipoteka thuhet se për pronat e vitit 1991 ka probleme midis qeverisë dhe bashkive...
Ka një handikap të shitjes së trojeve. Në vitet 1991-1992 u formua një institucion i përkohshëm që funksiononte pranë bashkive, i cili merrej me shitjet e trojeve. Më pas këto nuk u njohën nga hipotekat sepse kanë pasur probleme me ligjin. Ka qenë periudha e kalimit në pluralizëm dhe në shumë nga këto raste kryetari i Komitetit Ekzekutiv të atëhershëm ka firmosur shitjen e truallit. Ndoshta, sipas mendimit tim, edhe rasti i zonjës është i tillë, pra nuk është brenda kuadrit ligjor të shitjes së truallit. Normalisht që këtu shteti nuk të favorizon, por të kërkon që të plotësosh të gjitha kriteret dhe pastaj ta blesh. Por kjo duhet parë me kujdes dhe me imtësi. Unë e ftoj zonjën që bashkë me dokumentet, të vijë pranë Studios Ligjore Bylis. Bashkë me specialistët e tjerë të shohim të gjitha dokumentet që ka dhe se çfarë duhet bërë më tej.

Flas nga Durrësi. Kam dorëzuar dokumentet që prej 8 muajsh pranë zyrave të ALUIZNI-t. Kam blerë një apartament para 10 vitesh. Kam paguar të gjitha detyrimet. Me firmën ndërtuese kam kontratë me akt noterial. Si duhet të veproj për t’u pajisur me certifikatë pronësie të apartamentit?
Unë do ta këshilloja zonjën dhe qytetarët e tjerë, të cilët kanë blerë apartamente nga kjo firmë ndërtuese, që t’i drejtohen edhe një herë drejtuesve të kësaj firme. Ata mund ta zhbllokojnë situatën me dokumentet që kanë, pra me lejen e ndërtimit, që dokumentet e qytetarëve të mos rrinë nëpër zyrat e legalizimit. Firma ndërtuese në këtë rast mund të ketë ndonjë taksë të papaguar ende apo ndonjë dokument të paplotësuar. Kjo situatë mund të zgjidhet nëpërmjet ndërtuesve të pallatit. Kemi të bëjmë me një pallat me shumë apartamente, blerësit e të cilëve ndoshta mund të jetojnë edhe jashtë Shqipërisë. Kështu që ata nuk mund të bëhen të gjithë bashkë që të aplikojnë për t’u pajisur me certifikatë pronësie. 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Lëshonin fatura fiktive, Prokuroria e Tiranës kërkon arrest në burg për dy persona! I shkaktuan dëm shtetit 1 mln euro

Lëshonin fatura fiktive, Prokuroria e Tiranës kërkon arrest në burg për dy persona! I shkaktuan dëm shtetit 1 mln euro