POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Konsulenti i Fiera di Bologna për Shqiptarja.com: Të bindim investitorët t’i sjellin në Shqipëri fondet e lira

Nicola Zanardi

Flet për Shqiptarja.com konsulenti përfaqësues i Fiera di Bologna, Nicola Zanardi.

Që prej 82 vjetësh, Fiera del Levante vijon të jetë një aktivitet plot gjallëri. Kush është çelësi i suksesit ndër vite?

Në këtë panair, populli barez dhe puljez gjen një pjesë të historisë së vet. Kur them këtë, flas edhe për historinë e lidhjeve ekonomike. Këtu gjejmë idenë që shumë nga qytetarët këtu kishin që kur ishin fëmijë për këtë panair. Pra, këtë panair e frekuentojnë shumë qytetarë, sikurse e frekuentojmë shumë biznese. Panairi i Bolonjës, i dyti në Itali dhe i nënti në Evropë për nga kapaciteti, ka vendosur të investojë në Fiera del Levante, duke parë impaktin dhe mundësitë që ka në drejtim të tregjeve, lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare.

Çfarë leverdish i krijohen Shqipërisë nga aktiviteti tuaj?

Po shikojmë mundësitë që të krijojmë një bashkëpunim në fushën e panaireve edhe në drejtim të Shqipërisë, që do të ishte një zgjerim i aktivitetit tonë investues në vende të treta, me shumë interes, në projekte të përbashkëta. Unë mendoj se kryeministri shqiptar është një person shumë inteligjent, shumë i përgatitur dhe që ka lidhje të rëndësishme në Itali dhe në Pulje, duke përfshirë presidentin e rajonit Emiliano. Nuk mund të bësh politikë pa një vizion dhe ai duket që ka një vizion lidhur me zhvillimin ekonomik të vendit dhe lidhjet e jashtme që e ndihmojnë atë. Të dy vendet kanë se çfarë vlerash t’i shtojnë njeri-tjetrit.

Çfarë e intereson, kryesisht, biznesin italian në Shqipëri?

Mund të them se ekonomia italiane është shumë e pozicionuar në industrinë mekanike. Natyrisht, kemi personel shumë të kualifikuar në proceset përfundimtare të montimit të makinerive, por kjo nuk përjashton mundësinë e bashkëpunimit në prodhimin e pjesëve të makinave. Nuk e kam fjalën vetëm për automjetet, por psh ne në Bolonja jemi lider në prodhimin e makinerive të paketimit, që i shesim me shumë sukses në mbarë botën. Paketimi i duhanit, çajit, orizit, etj. Ndërmarrjet italiane furnizohen nga ndërmarrje të huaja që prodhojnë pjesët përbërëse të tyre.

Mos bie kjo ndesh me politikat e reja të qeverive italiane për rritjen e punësimit në vend nëpërmjet ndalimit të transferimit të bizneseve jashtë Italisë?

Këtu bëhet fjalë për procese të caktuara, për të cilat edhe qeveria e di se ndërmarrjet tona nuk kanë leverdi t’i prodhojnë pjesët në vend. Ndërkohë, mjeshtri përfundimtar është detyrimisht italian. Pra, një pjesë plastike e makinës prodhohet psh me 0.8 euro në një vend të tretë, ndërkohë që kushton 35 euro po të prodhohet në Itali. Kështu që ky proces nuk do të shmanget nga tendencat globalizuese, ku përfshihet vendi tuaj.

Si ju duket ideja e bashkëpunimit në fushën e turizmit me Shqipërinë?

Sa i përket turizmit, Pulja natyrisht ka vendet e veta të mrekullueshme dhe një sektor në lulëzim, por bashkëpunimi shihet në eksportimin e mallrave që do të sillnin më tej në standardet moderne cilësinë e hotelerisë dhe restoranteve shqiptare, që po ecin me shumë sukses përpara në kushtet e shtimit të turizmit në vendin tuaj. Po kështu, italianët mund të kontribuojnë në përmirësimin e kushteve infrastrukturore të turizmit, në portet, linjat e transportit, etj.

Çfarë mund të përfitojë Shqipëria nga ekonomia italiane?

Në përgjithësi, në Itali ka shumë fonde të lira, sidomos në veri të vendit. Fonde që presin të investohen. Duhet të punojmë bashkarisht që t’i mbushim mendjen një privati që t’i investojë në vendin tuaj dhe jo diku tjetër.

Një pyetje tjetër nisur edhe nga përvoja që Italia ka patur në të kaluarën në këtë drejtim. Sa pengesë mendoni se bëhet korrupsioni ndër zyrtarët për projektet investuese dhe bashkëpunimin ekonomik mes vendeve?

Mendoj se teknologjia e re e kufizon jashtëzakonisht këtë fenomen. Kam parasysh transparencën që sigurohet nëpërmjet aplikimeve online për gara, tendera, etj. Ky është avantazhi në kohën tonë; në veri të Italisë psh korrupsioni gati është zhdukur, por edhe në jug ka rënë në nivele shumë të ulta. Besoj se edhe në vendin tuaj do të ecet në këtë rrugë. Edhe qytetarët po e kuptojnë gjithnjë e më shumë se pagesa e taksave është një e mirë për të gjithë, ndërkohë që korrupsioni ofron të mira vetëm për një numër shumë të kufizuar njerëzish. Ne, në Itali, pavarësisht nga korrupsioni i pasluftës ndër politikanët, kemi gjetur forcën që të punojmë dhe të japim energjitë tona për zhvillimin e vrullshëm të vendit, që ka arritur të jetë i shtati aktualisht në nivel botëror. Me punë arrihet gjithshka.

Mendoni se kjo teknologji, krahas të mirave, po eliminon edhe sektorë të ndryshëm, si psh biznesin e vogël?

Natyrisht që krijon probleme, psh tregtia online bën të falimentojnë shumë dyqane lagjesh. Madje e ndjejnë goditjen edhe supermerkatot.

Por ofron mundësinë që të kalohet në sektorë apo metoda të tjera bashkëpunimi. Duhen kërkuar dhe gjetur rrugët më të mira për të shfrytëzuar gjithnjë mundësitë e reja teknologjike. Kjo ka ndodhur edhe në të kaluarën, ndodh edhe sot, do të ndodhë edhe në të ardhmen. Por nuk ka penguar ekonomitë që të ecin përpara.

Më përpara kanë ecur ato, që kanë ditur të përshtaten më shpejt. Afërsia mes vendeve tona duhet të shihet dhe të përdoret si një avantazh për të gjetur të përbashkëta për të ecur përpara. Tirana nga Bari është vetëm 35 minuta larg me avion! Bolonja është shumë më larg prej këtej.

Kryeministri shqiptar është një person shumë inteligjent, shumë i përgatitur dhe që ka lidhje të rëndësishme në Itali dhe në Pulje, duke përfshirë presidentin e rajonit Emiliano. Nuk mund të bësh politikë pa një vizion dhe ai duket që ka një vizion lidhur me zhvillimin ekonomik të vendit dhe lidhjet e jashtme që e ndihmojnë atë.

ke.mu.
Komento