DSIK kërkoi shkarkimin, KPK e konfirmon në detyrë, gjyqtari Ilir Toska kalon Vettingun

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit Tiranë, Ilir Toska, është konfirmuar në detyrë, duke kaluar me sukses Vettingun. KPK ka dhënë sot vendimin pozitiv për gjyqtarin Toska, edhe pse Drejtoria për Sigurimin e Informacionit pranë Kryeministrisë kërkoi një ditë më parë shkarkimin e tij, për kontakte të papërshtatshme me botën e krimit. 

Kjo ishte hera e parë në gjithë procesin e Vettingut, që DSIK kërkonte shkarkimin e një gjyqtari, pasi deri më tani njerëzit e drejtësisë janë ‘djegur’ vetëm nga pasuria, pasi siç dihet, tri shtyllat kryesore të Vettingut janë pasuria, pastërtia e figurës dhe aftësitë profesionale.

Megjithatë, trupa gjykuese e KPK e përbërë nga Etleda Çiftja, Xhensila Pine dhe Valbona Sanxhaktari nuk i kanë vlerësuar të drejta pretendemet e DSIK, duke i hapur 'dritën jeshile' gjyqtarit Ilir Toska për të vazhduar karrierën në sistemin e drejtësisë. 

Pasuria e gjyqtarit Ilir Toska
Gjyqtari posedon vetëm dy pasuri të paluajtshme, konkretisht një apartament me sipërfaqe 91.44 m2, me vlerë 50 292 euro, blerë me kursime, hua dhe me një kredi bankare si dhe 33% të një apartamenti banimi me sipërfaqe 68 m2, në vlerën 25 000 lekë. Në deklaratën fillestare, gjyqtari deklaron edhe 2 600 000 lekë para cash.

Ndërkaq, në vitin 2007, gjyqtari deklaron se ka blerë një autoveturë me vlerë 1 000 000 lekë. Sa i takon të ardhurave, gjyqtari deklaron vetëm pagën e tij, të ardhura nga disa projekte të ndryshme si dhe pagën e bashkëshortes. Nga viti 2004 deri në vitin 2014, bashkëshortja e gjyqtarit deklaron vetëm një pagë rreth 497 106 lekë, ndërsa më pas, ajo rezulton me disa punë paralele.

Në vitin 2016, bashkëshortja e gjyqtari deklaron 48 375 lekë pagë si pedagoge e jashtme, 483 408 lekë të ardhura nga paga pranë subjektit privat 'Albiomed' sh.p.k, 209 610 lekë ardhura nga paga pranë subjektit privat Qendra Diagnostike Moskat dhe 96 000 lekë të ardhura nga paga pranë subjektit privat person fizik Gëzim Shaholli, 'Medical farma'.

Në seancën dëgjimore, Drejtoria e Sigurisë dhe Informacionit të Klasifikuar (DSIK) ka paraqitur një raport të detajuar dhe ka vlerësuar si të papërshtatshëm vijimin e ushtrimit të profesionit të gjyqtarit nga Ilir Toska. 

Grupi i kontrollit  
Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar, Shërbimi Informativ Shtetëror dhe Shërbimi i Kontrollit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, kanë krijuar një grup pune për verifikimin e kontakteve të prokurorëve dhe gjyqtarëve me botën e krimit.

Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar, me kërkesë të grupit të punës ose të institucioneve të rivlerësimit, ka të drejtë të komunikojë me shtetet e tjera për të marrë informacionin e nevojshëm për personat e përfshirë në krimin e organizuar ose për personat e dyshuar si të përfshirë në krimin e organizuar për qëllim të këtij ligji.

Grupi i punës, gjatë procedurave të kontrollit të figurës, bën verifikimin e saktë të identitetit në të shkuarën dhe të tashmen, për çdo individ; verifikimin nëse ka tendenca kriminale për përfshirjen në krimin e organizuar; vlerësimin e përgjithshëm, nëse individi mund të vihet nën presion nga struktura kriminale si dhe kontrollin nëse ka qenë, është ose tenton të angazhohet fshehurazi, vetëm, në bashkëpunim, ose në përbërje të një organizate kriminale.

Gjashtë ankesa
Sa i takon aspektit profesional, ndaj gjyqtarit ka pasur gjashtë ankesa nga qytetarët për vendime të dhëna. Denoncimet janë bërë nga shtetasit V.C, l.M, A.C, H.A, H.V dhe B.B, të cilat janë përfshirë në raportin e komisionit. Megjithatë, lidhur me anën profesionale sipas Inspektoratit të KLD, rezulton se Toska është i aftë profesionalisht, ndërsa sa i takon pasurisë, Toska ka në pronësi një apartament me sipërfaqe 83 m2 në zonën e “Ali Demit” si dhe 33% të një apartamenti tjetër banimi.

Sipas verifikimeve doli që Toska kishte vetëm këtë pasuri. E pranishme në këtë seancë ka qenë edhe Avokatja e Popullit Erinda Ballanca.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Gazetari Xhunga: Berisha nuk zbret nga kati i 8-të, Rithemelimi më i izoluar se talebanët

Gazetari Xhunga: Berisha nuk zbret nga kati i 8-të, Rithemelimi më i izoluar se talebanët