POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Krist Maloki, shqiptari me kulturë europiani

Krist Maloku mes studentëve në Grac të Austrisë

Dijetari shqiptar i shkollës kulturore gjermane, Krist Maloki, i rritur në filozofi dhe i provuar në kritikën letrare, teoricien i kombit e skajues i oksidentalizmit, me diskurset e tij përqendron dhe provon temat e mëdha shqiptare të modernitetit. I lidhur në këto nyja, e i hapur në diskurset e tij, portreti ditunor i Malokit shenjon një pamje të kulturës shqiptare moderne, me gjenezë kritikën e me kulm ideologjinë. Insistimet e forta te metoda, temat themelore, bashkë me diskursin, e shenjojnë Malokin një dijetar të zgjedhur, kritik letrar të kultivuar e teoricien të identitetit shqiptar. Të hapura në analizë, diskurset e Malokit shenjojnë e përfaqësojnë autorin e tyre, temat e tij të zgjedhura; shenjojnë e provojnë debatin shqiptar për jetën e gjallë, për heronjtë a prijësit e literaturës e të kulturës. Me një fjalë, nga diskurse të Malokit, ato bëhen diskurse që përfaqësojnë një kulturë.  Si të gjithë autorët e shenjuar, edhe Maloki shkon përtej vetes e bëhet një figurë e epokës, që merr e jep shenja të kulturës së tij, të ëndërrueshme si të kulturës shqiptare, dhe shenja të kulturës së vendit, në zjarrminë e në shpërthimet e modernitetit shqiptar. Diskursi i Malokit është me rrënjë në filozofi e në kulturologji që, së bashku, e bëjnë konceptual edhe kur përshkruan e paraqet. Kjo është shenjë për diskursin substancial dhe, më tej, për dijetarin metodik. Në fund a në fillim, substancialiteti bëhet sistematikë kërkimore, të cilën e provon përherë metoda e Malokit. Kur lidhen këtu pikëpamjet, diskurset e Malokit bëhen programatike, ndoshta mësime për kulturën e për jetën shqiptare. I lidhur me temat e mëdha, diskursi i Malokit kap problemet e mëdha të kulturës e të jetës së shqiptarëve. Oriental apo oksidental? Si jeton Ideja shqiptare? Esencë është shtetit apo kombi? Cili është Heroi kulturor, d.m.th. Prijësi shpirtëror i shqiptarëve? Janë pyetjet e mëdha, që bëhen tema të mëdha në diskurset e Malokit, nyja që do t’i zgjidhë kur bën kritikën apo kur e thotë mësimin. Kritika letrare e Malokit, e lidhur në tekstet për Naimin e Poradecin, e provon dijetarin e letërsisë, kritikën me rrënjë në filozofi, teori të kulturës e psikanalizë, që do të thotë në diskursin për gjenezën e veprës, të artikuluar me shenja programatike. Këto shenja së bashku e skajojnë diskursin analitik të Malokit e bëhen dhe shenja themelore të profilit të tij si kritik letrar. Me këto shenja, kritika letrare e Malokit hapet në funksion të diskurseve kulturore, që shkojnë përtej letërsisë, te temat e mëdha të jetës shqiptare. Në diskursin e tillë, Naim Frashëri e Lasgush Poradeci skajohen si fenomene letrare e kulturore. Ndërsa, nga letra që i dërgonte Nolit, mësojmë se Maloki edhe atë e skajonte si një fenomen. Në krye të pemës së fenomeneve letrare-kulturore shqiptare vihet Gj. Fishta, i kurorëzuar Dichter. Diskursi i Malokit është i lidhur, i përqendruar, veti e cila e çon në substancialitet diskursiv. Derisa, saktësia dhe argumentet çojnë në diskursivitet e figurat bëhen  exemplum-e që shoqërojnë e provojnë argumentet. Së bashku me ngjyresat e nuancat polemike, këto veti e determinojnë stilin dhe bëhen shenja të retorikës së diskursit të Malokit.

ORIENTAL APO OKSIDENTAL?

Eseja e njohur Oriental apor Okcidental (1937) lidhet në temën e madhe, madje në debatin e madh shqiptar për identitetin oriental apo oksidental. Siç e provon me luciditet të thellë Maloki, orientalizmi e oksidentalizmi shqiptar s’kanë të bëjnë me mosha e breza, por me mënyrën e jetës e të sjelljes, që reflektojnë mendësi, madje një filozofi. Ky tekst pason debatin ndërmjet pleqve dhe të rinjve,, të cilin Maloki e njeh si të kotë,meqë vetë debati e provoi se nuk ka pleq e të rinj, por orientalë e oksidentalë. Orientalizmi shqiptar identifikohet me kotësinë e me dembelinë, që burojnë nga papërgjegjësia. Atë Maloki e mendon një faj e trashëgimi të kristianizmit evro-aziatik, pasojë të administratës bizantine, me rrënjë në bizantinizmin historik. Prapa këtyre shenjave e përcaktimeve, lexohet orientalizmi si markë e egos që s’e njeh jetën kolektive, që s’mund të shkojë përtej vetes, që s’e bën detyrën si/për detyrë dhe që do të përfitojë nga veprimi i tjetrit. Kështu, Maloki përfton shenjën e karakterit të orientalit dhe vë përballë socium-in që pret veprat në dobi të përbashkët. Përballë orientalizmit, oksidentalizmi është mënyrë sjelljeje që buron e rritet nga përgjegjshmëria, nga detyra që bëhet si/për detyrë, pa ndonjë zor e pa pasur në mend përfitime individuale. Një detyrë e tillë lidhet përherë me një ideal e ide të përbashkët/sociale që mbështillet me moral. Vërtet, këto janë shenja veprimi, ndërsa ndjenjat që skajojnë aksidentalin janë dhimbja e mëshira, si marka të shpirtit fisnik. Vetëm shpirti e mbron njeriun, humanen, e thotë filozofia dhe e provon jeta e gjallë. Në këtë kapërcim,diskursi i Malokit do sjellje me burim shpirtin, si kategori humane universale. Mësimi i Malokit, në fillim e në fund, lidhet në vlerësim e skajim të detyrës së bërë me përgjegjshmëri, si shenjë oksidentalizmi. Sepse kjo pikëpamje âsht e saktë: okcidentalizma e vertetë përmblidhet në kryemjen e perplotë së një detyre të pershtatshme shejtnisht me vetflijimin per një idé të naltë shoqnore... Nga kjo pikëpamje âsht mâ okcidental xhandari shqiptar i detyrës, ushtari biles i rojes kufitare dhe bulku i shkretë dhjetarak... sesa nëpunësi e zyrtari i kafehaneve me një çarçaf diplome ‘bon por l’Orient’....

IDEJA SHQIPTARE

Por, në cilat nyja lidhet autentikja, si jeton e si manifestohet ajo në jetën e gjallë shqiptare? Krist Maloki, shqiptari me kulturë evropiani, shqiptarëve u jep mësimin mbi autentiken, të formuluar si Ideja shqiptare. Bashkimi është shpëtimi, ligjëron ai, dhe bëhemi bashkë kur bëhemi Shqiptarë. Saktëson fort, Shqiptarë dhe s’e ka fjalën për kombëtarët, meqë ideja kombëtare është punë e mendjes, ndërsa ajo shqiptare buron nga zemra. Maloki vijon argumentimin për kombëtarinë e mësuar e shqiptarizmën e (për)jetuar, kur përballë kombëtarëve, që s’ishin e s’u bënë Shqiptarë, vë malësorët, që kurrë s’kanë dëgjuar për ide kombëtare, por përherë kanë qenë shqiptarë. Dijetari ynë, në terma të tjerë, e lakon idenë për kombëtaren, këtu të identifikueshme me nacionalen, si kategori politike, e shqiptarizmën si esencë që nuk tretet kurrë. Do ta quanim këtë një etnopolitikë, po së pari është etnoetikë, me shenja të një etnoantropoetike. Në diskursin e tillë, Ideja shqiptare karakterizohet nga tri cilësi të shpirtit të vërtet shqiptar: Besa, Nderi e Burrnija.2 I lidhur me këto veti, shqiptari në shekuj e ka ruajtur Idenë shqiptare. Këto veti e kanë bërë atë luftëtar e hero, i kanë mbajtur gjallë e bashkë shqiptarët. Nga ruajtja e shpërthimi i tyre, u mbërri edhe Rilindja kombëtare. Qoftë dhe nga termat e skajimet e gjejmë mësimin e Malokit të rritur në jetën tradicionale shqiptare, me besë, nder e burrni, në kodet morale, që s’bën të preken a të thyhen. Këtë traditë Maloki e lexon të përthyer në letërsinë e Fishtës, në veprën e tij të madhe, të mbrujtur me palc ethnik (Ernest Koliqi), moralitet të vendit e shenja të politikës nacionale, që, së bashku, e bëjnë atë letërsi vepruese (edukuese). Së pari Shqiptarë, pastaj kombëtarë, sepse Shqiptarizma është identitet e kombëtarizma program ideologjik/politik, mëson Maloki. Edhe në këtë pikë, Maloki na shtyn të hapim rishtas njëqind (pikë) pyetjet që lidhte ai, në shekullin e vet, tek Ideja shqiptare, për idenë e jetën shqiptare, për qenien e rrnesën, madje për rendin politik, të gjitha si përvijim identiteti, për të zbuluar edhe një herë se sa rëndë ka pyetur ai e sa pak përgjigje kemi dhënë ne.

SHTETI APO KOMBI?

Ndërkaq, Shteti apo kombi? është dilema që një teoricien i përjetshëm i etnisë e zgjidh në dobi të kombit, kur ai përcaktohet si kategori etnike, e lidhur me esencat e jetës, e përftuar si lidhje gjaku, traditë e jetë e përbashkët, përballë shtetit, si strukturë politike. Për ta parë problemin në dimensionin jetësor të Malokit, hapim artikullin Pro doma të vitit 1964, në të cilin kombi skajohet si ent historik, kulturor e moral,3 një totalitet aristotelik, e totaliteti është më i vlefshëm se të gjitha pjesët e tij në vete. Ndërsa, shteti një parcialitet politik, që s’e mban kombin shqiptar, si ent historik, kulturor e moral, por nacionin, si kontratë politike. Maloki bën skajimet shtet e komb, kur ka para shtetin shqiptar të Tiranës, që s’e përmban kombin si të tërë. Fjala komb âsht njí kaptim ethnik. Kombi përmbledh në gjí të vet njí grumbull personash që janë lidhë shoq me shoq (ideel!) nëpër gjakun e fisit e njajtë dhe mâ fort nëpër njí botëshikim e botëkuptim (Weltanschaung!) të përbashkët. Ndërsa fjala nacion âsht njí kaptim politik, e mâ fort politiko-ekonomik. Skajimet e tilla dhe shteti shqiptar, pa tërë shqiptarët brenda, e bëjnë ideologun e totalitetit të kërkojë shpëtimin e Shqipërisë nga kombi, nga etnia e jo nga strukturat (organizimet) politike. Maloki rri larg pragmatikës së identifikuar me politikën, për t’u bërë, disi paradoksalisht, apolitik, por një politikan i etnisë, politikë që, në terma të tij, do të skajohej si politikë e esencave. Në këtë pikë, lidhja me skajimet e Malokit për kombin çon te profili i tij si dijetar, kërkues i ekzistencës së etnisë, i traditës dhe i jetës së gjallë, që së bashku marrin emrin komb: Kaptimi komb âsht njí nga ata kaptime që nuk mund të thjeshtëzohen mâ, si kaptimi jeta, njeriu, Zoti... Kombi âsht kombi... njí ndjesí që vlon ndër zemrat e njí grumbulli njerëzish që e përbajnë at komb... njí ndjesí që: ose âsht ose s’âsht... që s’mund të blehet, të shitet, as të merret me qirá... Dhe para së gjithash: kombi âsht njí totalitet ashtetnor (jo antishtetnor!) dhe nuk mund të kufizohet me gardhet politike të njí shteti sado përparimtar apo oriental... Kombi rrnon, kombi gjallnon...

HEROI I KULTURËS

Në zjarrminë e kërkimit e të kurorëzimit të Poetit kombëtar të shqiptarëve,Maloki propozoi Poetin e tipit Dichter të gjermanëve apo Vates të latinëve, i cili bën bashkë veprën e veprimin, të kurorëzuara si përfaqësim. Një Dichter është një Hero i kulturës, autor e Prijës, përftues e përfaqësues i jetës etnike. Një Dichter kap temat e mëdha të vendit, kolektivitetit, etnisë ka të kombit. Vepra e veprimtaria e tij janë lehtësisht të identifikueshme dhe thellësisht përfaqësuese. Një Dichter është autor i rëndësishëm, përcaktim që shkon përtej aksiologjisë te një epistemologji letrare e kulturore, e cila ka premisat e përfaqësimit të kolektives. Kjo nyjë lë jashtë përnjëherë autorët e temave personale, të dhimbjeve e të dramava dhe kurrë nuk takohet me triumfin a gëzimet e lehta të njeriut. Përfaqësimi, dikur e sot, imiton apo imagjinon të rëndësishmen, përfaqësuesen, që shkon përtej shenjave të individit dhe lidhet në rrjetin e kolektivitetit. Me shenja të tjera, përfaqësuesja lidhet me identitetin apo me autentiken, bëhet trezor i saj dhe e rrezaton vetë atë. Maloki e lexon Naimin, poetin e madh, dhe i del thellësisht universal, i lidhur me bektashizmin e me rrënjët e tij të vjetra. Temat nacionale të Naimit janë të vona, ndërsa autentikja, e identifikuar si kolorit shqiptar, s’jep shenjë në rrjetin e temave a të frymës universale të veprës së tij. Derisa, Poradeci i duket tepër fluid, kur ligjëron me vaj për humbjet e veta, thellësisht personal, prandaj jopërfaqësues. I larguar nga Naimi e Poradeci, Maloki kërkon Poetin te Fishta shkrimtar e veprimtar. Në këto përcaktime lidhen vetitë e një Dichteri shqiptar, njeri i literaturës dhe i kulturës, i temave dhe i veprave etnike. Në diskursin e në rrjetin e argumenteve të Malokit, Fishta është Dichter, Vates, Poet, Hero, d.m.th. Prijës. Dekada më vonë, në 20-vjetorin e vdekjes së Fishtës, Maloki rihapte temën e madhe të Poetit kombëtar, në trajtën A asht heró Gjergj Fishta? (1960) Vërtet, ky tekst në dorëshkrim e rimerr çështjen në tërë përmasën e saj, nga formati teorik, te shenjat e një Prijësi kulturor a shpirtëror të shqiptarëve. Prijësi i tillë është zbulues i shpirtit të kombit, i vullnetit dhe i energjive të tij, si burim për veprim. Maloki e provon Fishtën me këtë format, ndesh dilemat e mëdha, atëherë kur Fishta hesht, dhe e rigjen si Hero, kur rihap veprën e trashëgimisë së tij kombëtare. E me gjithë atë: Gjergj Fishta asht heró Në kohën e jetës së tijë dishka ka mungue në te dhe vepra e tijë disì ka marrë mësysh politikisht. Porse hylli i tij i flakshëm s’asht zhdukë - e s’ka per t’u zhdukë - nga qielli i Kombit Shqiptar. Sepse, si difton  psykologjija socjologjike - sidomos ajo e fellësisë Tiefenpsychologie) e Jung-ut - botëkuptimet dhe idealet e një kombi jan të rranjosunë, të pashlyeshëm dhe të pandryshueshëm në Trunin dhe Shpirtin Kombëtar. Mysteri i qenjës së një KOMBI asht i lidhun esencjalisht me njato ndjenja, me njato ideale apor karakteristika të veçanta e të përmbëledhuna ontologjike, që jan ngulë e formue neper shekuj e kohe nga një fat i pakuptueshëm, por i perendishëm (...) Gjergj Fishta la lëshue dritë nepër njato fellësina, nepër njato mystere të kombit t’onë: aj na ka kasnecue mbi Marash Utsin e të birt e Tsalit, mi Oso Kuken, Ded Gjo Lulin e sa e sa heroa tjerë të Kombit t’onë (...) Lene mandej që e shumëta e njatyne të rijve - që e bane deken si me lé - kan qenë të frymzuemë nga vepra e pavdekëshme e Gjergj Fishtës. Sepse rinija e vertetë e një KOMBI i don idealet dhe veprat hovdhanëse kombëtare. Prandaj edhe n’asht çudì që sot Lahuta e Malcisë dhe vepra tjera fishtjane kalojn mësheftas dorë më dorë dhe këndohen e shijohen ma fort se kurr në Shqipnì. Tirana pra duhet të ja vejë menden këtij problemi: Shqipnija patriotike - në daç komuniste, në daç antikomuniste - mund të mbahet vetëm me një rinì thjesht shqiptare. E deri sa nen rregjimin komunist nuk del ndonjë poet tjetër heroik e romantik me kvalitetin e Gjergj Fishtës, në mos ma tepër, kangëtari i Lahutës ka per të qëndrue gjithmonë si hyll i pashlyeshëm në qiellin e andrimeve të rinisë s’onë. Këtu asht Fishta me të vertët herò dhe vepra e tijë ka per të mbetë gjithmonë e gjallë mbrenda Kombit Shqiptar.

* * *

Tek “A asht Poet Lasgush Poradeci”? Maloki e rihap në nyjat themelore çështjen e Poetit kombëtar, duke u marrë përnjëherë me veprën e Poradecit e me studimin e Kutelit për poezinë e tij. Maloki e ndërton teorinë e Poetit duke ndjekur përcaktimet e kulturave të mëdha, me përqendrim të parë atë gjermane. Ai bën modelin, pastaj e mat Poradecin me të, duke e dikur se ai është autor i një modeli tjetër dhe duke treguar shenjat që çojnë, përmjet Koliqit, te Poeti kombëtar, Gjergj Fishta. Vepra e Poetit kombëtar lidhet me temat e vendit, të etnisë, me moralitetin dhe bëhet vepruese, një vepër edukuese. Vepra që ka këto shenja, shkon përtej rrafshit të estetikës, te rrafshi i rëndësisë, pra te klasa e veprave përfaqësuese. Kur e përthyen në argumente konkrete, Maloki do mendësi e moralitet kombëtar në vepër, kolorit shqiptar, që përcaktohet si frymë, madje formë letrare e shenjës autentike. Këto kërkohen te poezia e Poradecit, te vepra e rrathëve personalë e  universalë, përherë në metodën via negation, që ndërton skemën e veprës përfaqësuese dhe e provon se vepra (këtu, vepra e Poradecit) që studiohet s’hyn tek ajo skemë, meqë hapet drejt personës e universales. Në formatin e tillë të Poetit, Poradeci është i humbur. Maloki e diskuton në formatin e poetit, për të kaluar ngadalë te një lexim letrar, i cili vërtet sugjerohet nga vepra e Poradecit. Edhe në këtë pikë Maloki rrëshqet shpejt te skema e tij, e vënë nga pikëpamjet e tij dhe e forcuar nga metoda, për të kërkuar, pa i gjetur, shenjat e Heroit te poetika e veprës (në kuptimin e një poiesis-i).

f.g./b.ha.
Komento