Ku është topi i vjetër dhe “i fismë” i kalasë së Petrelës?

Ku është topi i vjetër dhe “i fismë” i kalasë së Petrelës?

Foto e vitit 1935 ku shihet topi i vjetër i kalasë

Kushdo që  ka qenë i entuziazmuar nga enigmat e lashtësisë dhe  ka patur kuriozitetin për të vizituar kalanë e Petrelës, me siguri  do të ketë vënë  re në pjesën më të lartë të saj, pra te ai si shesh, një top të vjetër, nga ata që hidhnin gjyle ndonja dyqint metra larg, e jo më shumë. Herë-herë ai  ka qenë vendosur mbi mure, herë i  lënë në baltë, e kohët e fundit në një shtrat topi, të sajuar me  dërrasa të trasha si trarë çatie.

Ndryshku e ka ngrënë topin pa kursim, që të mos thomi pa e mëshiruar. Unë  e kam parë  për herë të parë në vitin 1962 të vendosur pa ndonjë kujdes mbi  murin e rrënuar të pjesës jugore  të kalasë së lashtë. Përshtypja nuk ishte mbresëlënëse: një top i vjetër dha aq. Madje edhe forma e tij u shua nga kureshtaja ime.

Topi i  kalasë së Petrelës

Nuk do të pyesja se “Ku është topi i vjetër dhe “i fismë” i kalasë së Petrelës” , po të mos kisha parë me vëmendje një fotografi të vjetër, të mbas vitit njëmijë e nëntëqint e tridhjetë, por jo më e vonë se e vitit njëmijë e nëntëqint e tridhjetë e pesë, që është një kujtim i vyer i babit tim.

Fotoja ka ngrirë në imazh disa punonjës të postës së Tiranës, ku punonte edhe im atë, (i fundit djathtas, në rreshtin e sipërm), në një eskursion, apo piknik, siç quhej atëherë, në kalanë e Petrelës dhe një nga të veçantat që u imponon meshkujve karakteri i forcës, një top të vjetër në “shoqërinë” e tyre,  e pikërisht në mes të nëpunësve që pozonin.

Topi i kalasë

Në se do ta shikojmë me kujdes topin në foto, do të vemë re se nuk është ai që ndodhet sot në kala. Është “më i fismë”, jo aq i dëmtuar nga ndryshku, rrathët përgjatë trupit janë katër, njëlloj, por në një tjetër renditje, ka dy doreza që shërbenin për ta mbjatur, a lëvizur dhe një rreth përqark vrimës nga i vihej zjarri barutit.

E pra, ku është topi që shihet në foto?

Mendimet të çojnë në dy udhë. E para: Ose në kala kanë qenë së paku dy topa, njëri prej të cilëve ai i fotos dhe është marrë, apo vjedhur dhe i dyti: Në kala ka qenë vetëm një top dhe ai është ndërruar me një tjetër, me këtë të sotmin dhe jo aq “i fismë”.

Duke u munduar t’i afrohem së vërtetës, u përqëndrova në kujtimet e mija ndaj të gjithë topave që kam parë në muzeumet e Shqipërisë, por kujtesa nuk më afron në asnjërin prej tyre. Atëherë mendova të interesohem me banorët e vjetër të Petrelës, e përsëri nuk arrita ta zbuloj të fshehtën: Koha i ka larguar njerëzit dhe ka shuar kujtimet.

Atëherë: Ku është topi i vjetër dhe “i fismë” i kalasë së Petrelës?

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Beteja këmbngulëse e Ramës ndaj një reportazhi të  RAI

Mero Baze: Beteja këmbngulëse e Ramës ndaj një reportazhi të RAI