Serbët paralajmërojnë autonomi, Vuçiç kundër! Haradinaj: Do ndërhyjmë! Mediat: Beogradi bën gati ushtrinë!

Serbët paralajmërojnë autonomi, Vuçiç kundër! Haradinaj: Do ndërhyjmë! Mediat: Beogradi bën gati ushtrinë!

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj

Paralajmërimet e serbëve të Veriut se të dielën do shpallin autonominë rrezikojnë të rikthejnë tensionet në Kosovë. Pas këtyre qëndrimeve të zyrtarëve lokalë serbë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thirrur me urgjencë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, nga ku ka deklaruar prerë se Prishtina nuk do tolerojë cenimin e territorit të Kosovës. Në një konferencë për mediat, kreu i qeverisë ka paralajmëruar se institucionet e rendit dhe ligjit do të reagojnë nëse ndokush provon të shkaktojë ndonjë incident brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Haradinaj ka kërkuar rritjen e gatishmërisë së institucioneve të rendit dhe ligjit. Ai qartësoi se rritja e shkallës së gatishmërisë nuk është urdhër për veprim.

E vërteta është se kam kërkuar rritjen e gatishmërisë e institucioneve të rendit dhe ligjit në gjithë vendin në mënyrë që të sigurojmë rend dhe ligj, qetësi në gjithë vendin në ditët që vijnë. pra, ky është edhe rezultati i këtij takimi. Me këtë nënkupton se gjendja në rend dhe ligj është e qetë, stabile, megjithatë kemi kërkuar rritjen e gatishmërisë për veprim në rast të çfarëdo prishje të rendit dhe ligjit……

Kushdo që hyn brenda territorit  Kosovës me qëllim qoftë të shkaktimit të ndonjë incidenti, të prishjes së rendit dhe ligjit, normal që do ta merr reagimin e institucioneve të rendit dhe ligjit, dhe këtu nuk do të ketë dilema. Rritja e shkallës së gatishmërisë nuk është urdhër për veprim, nuk ka urdhër të ndodh kjo ose ajo, por jemi në gjendje gatishmërie në rast se prishje të rendit dhe ligjit, do të veprojmë. 

Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës

Ndërkohë, për shkak të afateve për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, është folur, jo zyrtarisht, për kërkesën e serbëve në veri që të shpallin autonominë.

Retorika për kufijt ose për territoret që ndodhen në Kosovë, mendojmë që është kundër-reagim i një retorike që vjen nga Beogradi gjoja për të drejtat e Serbisë në Kosovë specifikisht për veriun, pra është kundër reagim. Kjo retorikë nuk e ka qëllimin të prishja e rendit dhe ligjit, pra duhet të ndjehen të gjithë të sigurt, as serbët e Kosovës as komunitetet tjera po as shqiptarët nuk duhet të ndjehen të rrezikuar, pra është retorikë politike, publike kundër retorikë e një retorike që vjen.

Ramush Haradinaj

Me kërkesë të Bashkimit Evropian, 4 gushti është data kur duhet të dorëzohet drafti i statutit për formimin e AKS-së. Duke folur për këtë, Haradinaj tha se sa i përket Asociacionit, Kosova është brenda obligimeve të veta.

Ne qëndrojmë brenda obligimeve nuk kemi dal  nga obligimet qofshin në dialog, por as nga Kushtetuta dhe ligjet tona. sepse ne kur e marrim transkriptin ne e japim kontributin tonë dhe duhet të sigurohemi se është brenda ligjeve dhe Kushtetutës së vendit. me këtë po dua të them se Kosova si palë është serioze brenda obligimeve ndërkombëtare dhe vendore. Askush nuk e ka të drejtën të marrë obligime të njëanshme, pse sepse asnjë thyerje as një dalje nga obligimet nuk ka dal Kosova. Nëse dikush merr veprime të njëanshme atëherë ato veprime janë jashtë ligjit të  Kosovës dhe jashtë marrëveshjeve ndërkombëtare. Dhe ai veprim do ta merrte përgjigjen e organeve të rendit dhe ligjit, do ta merr, një veprim dot a merr përgjigjen e organeve të rendit dhe ligjit.

Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës

Haradinaj tha se Kosova e respekton Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Ai përsëriti se nëse dikush del jashtë marrëveshjes, dhe ligjeve të Kosovës, atëherë ligji do të veprojë. Pas paralajmërimeve të serbëve të Kosovës, ka reaguar edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç i cili është shprehur kundër shpalljes së autonomisë. Në një letër publike drejtuar serbëve të Veriut, Vuçiç shprehet se kundër kësaj lëvizje është e gjithë bota dhe çdo hap i tillë në drejtim të saj do ishte kundërproduktive për faktorin serb në Kosovë.

Nga ana tjetër, mediat serbe shkruajnë se Kosova po përgatit forcat speciale për t'i urdhëruar të futen në Veri gjatë orëve të para të mëngjesit të së shtunës. Media më e madhe e Beogradit, "Kurir" shkruan gjithashtu se presidenti Aleksandar Vuçiç ka urdhëruar ushtrinë të qëndrojë në gatishmëri. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:12
Teza e ndryshimit të kufijve të Kosovës, reagime edhe në Tiranë

Deklaratat e presidentit të Kosovës për korrigjim kufijsh kanë provokuar reagim të fortë në Prishtinë dhe Tiranë. "Është në fakt një maskim për këmbim territoresh. Kjo është një ide e vjetër që nga shpërbërja e Jugosllavisë dhe ka rrjedhur nga Akademia e Shkencave”, shprehet publicisti Veton Surroi. “Nuk e prisja kurrë që ky lloj propozimi të vinte nga Kosova. Ky lloj korrigjimi i kufijve të çon vetëm te ndarja e Kosovës”, thotë Edit Harxhi, ish-zëvendësministre e Jashtme.

“Serbia po përpiqet për një zgjidhje, të quajtur zgjidhja finale. Çdo gjë që është shqiptare të mbetet shqiptare dhe çdo gjë që është serbe të mbetet serbe. Kjo është një tezë që ka qarkulluar muajt e fundit dhe është një tezë shumë e rrezikshme, e cila synon të bëjë fakt të kryer marrjen e pjesës së veriut të Kosovës dhe mbi të gjitha krijimin e precedentit të ndryshimit të kufirit të Kosovës”, shprehet Arben Çejku, ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë.

Efekti domino në Ballkan do të ishte i pashmangshëm edhe me pasojë luftën.

Edit Harxhi: Unë parashikoj që nëse zhvillohet ky plan, Ballkani do të kalojë një luftë shumë të fortë.

Veton Surroi: Nuk ekziston formë paqësore e ridefinimit të kufijve etnik. Kjo është një “kuti e pandorës” për të gjitha kombet edhe për kombin shqiptar.

Edit Harxhi: Sepse që nesër mund të dalin shqiptarët e Maqedonisë dhe të kërkojnë bashkimin me Shqipërinë. Mund të kemi probleme të tjera me shqiptarët në Mal të Zi. Mund të ketë edhe grupe çame të mbetur veriun e Greqisë. Bullgarë të Maqedonisë që do të donin t’i bashkoheshin Bullgarisë. Kush mund të mohojë faktin që Republika Srbska mund të kërkonte t’i bashkohej Serbisë.

Qëndrimi i Hashim Thaçit i fortë që vjen pak javë pas takimit me presidentin serb Aleksandër Vuçiç në Bruksel në praninë Federika Mogerinit.

“Ky është një plan i vjetër ruso-serb. Mendoj se disa burokrat në Bruksel, të cilët nuk kanë mbështetjen e vendeve kryesore të BE, duke përfshirë Gjermaninë dhe Francën. Nuk ka në asnjë mënyrë mbështetje të SHBA, por po mundohen ta nxisin këtë si ide duke bërë edhe pak presion mbi liderët shqiptarë apo edhe mbi liderët e Serbisë, megjithëse Vuçiç nuk ka arsye pse të shqetësohet sepse nga një ide e tillë përfiton vetëm Serbia”, thotë Harxhi.

Me gjithë mjegullën e pranishme, ish-ambasadori shqiptar në Kosovë e Maqedoni lexon një ide kryesore. “Krijojnë përshtypjen se Kosova dhe Serbia do të ulen, por duke i injoruar gati të gjitha përpjekjet paraprake dhe duke hapur një kapitull të ri bisedimesh”, shprehet Arben Çejku.

Por mund të jetë dhe testim i opinionin publik, më e pakta një lapsus tjetër për korrigjim nga Hashim Thaçi. “Me gjithë respektin kam vënë re se ka pasur lëkundshmëri dhe ka patur edhe korrigjime dhe nga ai vetë”, thotë ish-ambasadori./top-channel.tv/

Ora 21:42
Haradinaj: Çdo lëvizje e kufijve shkakton luftë në Ballkan, do kënaqej vetëm Putini

Debatet për çështjen e kufirit në Kosovë kanë prodhuar deklarata pa fund. Kështu, kreu i qeverisë kosovare Ramush Haradinaj ka reaguar sërish lidhur me këtë temë, ndërsa shtoi se vetëm presidentit të Rusisë, Vladimir Putinit, i shkon për shtat lëvizja e kufijve.

Nuk ka asnjëri që dëshiron lëvizjen kufijve, vetëm njërit i shkon, ai është Vladimir Putin. Ai ka dëshirë m’i lëvizë në Bosnjë, që të përfitojë precedent. Është gabim që ne t’i ndihmojmë Putinit për ndarje dhe lëvizje.

Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës

Sipas tij me Serbinë nuk luan kufiri asnjë metër. “Nuk guxon askush të luaj kufij, të tentojë të bëj korrigjim të kufirit, të shkëmbejë territore”, është shprehur Haradinaj në Radio Televizionin e Kosovës.

Haradinaj tha se bëhet fjalë për një retorikë publike për kufij. “Kontrata jonë është Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Nuk guxojmë të krijojmë Kushtetutë të re”, ka theksuar ai. Sipas tij çdo lëvizje e re shkakton luftë të re në Ballkan.

Ora 18:33
Gazeta serbe: Forcat e Kosovës do hyjnë në Veri të shtunën në mëngjes! Beogradi bën gati ushtrinë

Shqiptarët e Kosovë përgatiten që të shtunën në mëngjes të hyjnë në veri të Kosovë dhe ta marrin Ujmanin në mënyrë që të pamundësojnë që serbët të fitojnë diçka në Kosovë”. Kështu shkruan gazeta e njohur serbe, "Kurir".

“Sot në orën 13 shërbimet e sigurisë së Kosovës kanë takim me kreun e pushtetit për t’u marrë vesh për detaje të këtij skenari i cili tashmë me ditë të tëra po përgatitet”, pretendon gazeta serbe.

Kjo gazetë shkruan gjithashtu se “ka zbuluar” se me ditë të tëra janë lëshuar dezinformatat mbi konfliktin dhe po përgatitet terreni për aksionin e nesërm. Gazeta vazhdon se hyrja në veri të Kosovës ka për qëllim të pamundësojë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe ta bëjnë pozitën e serbëve të pavolitshme në negociata në Bruksel.

Gjithashtu, e përditshmja më e madhe e Beogradit shton se "ushtria e Serbisë, policia serbe dhe shërbimet e sigurisë janë në gjendje gatishmërie"


(Artikulli i 'Kurir' për zhvillimet në Veri të Kosovës)

Ora 18:10
Vuçiç thirrje serbëve të Kosovës: Mos shpallni autonominë, kemi të gjithë botën kundër

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç u është drejtuar me një letër të hapur qytetarëve serbë të Kosovës, përmes së cilës u ka thënë se përderisa ai të jetë në krye të shtetit të Serbisë, nuk do të lejojë dhunë të organizuar mbi serbët dhe shenjtërit e tyre, as përndjekjen e tyre.

Këtë letër, Vuçiç ua ka drejtuar serbëve një ditë para kalimit të afatit për draftimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke thënë se “as kësaj here Prishtina nuk do të lëvizë as gishtin për të formuar Asociacionin e komunave serbe”.

Ai ka lutur qytetarët serbë që të mos ndërmarrin asgjë, ngase sipas tij, këtë do të mund ta shfrytëzonin shqiptarët ose një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare si pretekst për të ndërmarrë çfarëdo aksioni ndaj tyre.

Ai ka thënë se ruajtja e paqes në Kosovë është detyrë parësore e NATO-s prej të cilës pret dhe kërkon që “ta ruajnë paqen në atë mënyrë që të pengojnë çfarëdo tentimi eventual të kujtdo dhe me çfarëdo preteksti që ta marrin dhe ta grabisin hidro-elektranën ‘Gazivoda’ (Ujman) dhe trafo-stacionin ‘Vallaç’ ose cilindo objekt kyç infrastrukturor prej të cilit varet mbijetesa e serbëve”.

Vuçiç është shprehur po ashtu se për hir të paqes e stabilitetit do të angazhohet për zgjidhje paqësore dhe kompromisi të marrëdhënieve në Kosovë dhe nuk do të ndalet derisa serbëve të mos u sigurohen të drejta më shumë sesa që kanë sot.

Serbët kanë paralajmëruar më herët se nëse Asociacioni nuk formohet deri më 4 gusht, kur ekipi menaxhues do të duhej ta dërgoj draftin e statutit në Bruksel, atëherë ata më 5 gusht do ta shpallin vet formimin e Asociacionit, por në formë të autonomisë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Arditi: 04/08/2018 10:57

    Putini rri tamam si macja qe pret miun te dale vrima dhe ta kullufise.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

FOTO/ Nga mbërritja e Metës me dy gishta, te ‘selfie’ e përzemërta mes Elona Gurit dhe Kryemadhit në mbledhjen e PL-së

FOTO/ Nga mbërritja e Metës me dy gishta, te ‘selfie’ e përzemërta mes Elona Gurit dhe Kryemadhit në mbledhjen e PL-së