Kujtime, atë nëntor 1944

Kujtime, atë nëntor 1944

Çlirimi i qytetit të Elbasanit

Ishin ditët e fundit të muajit historik 1944, ditët e fundit të pushtimit mizor nazifashist të vendit tonë. Ne, në atë kasollen e bagëtive të fshatit të vogël malor të Shpatit, ku ishte vendosur baza ilegale e shtypit për qarkun e Elbasanit, i përjetonim me ankth e ngazëllim jo të zakontë ato ditë.

E dinim se çlirimi i vendit ishte në prag, por dinim gjithashtu se pushtuesit të tërbuar para humbjes përfundimtare do të tërhiqeshin duke shkretuar gjithshka. Në netët e gjata pa gjumë të atij Nëntori, me veshët ngrehur, ne përgjonim gjëmimet e topave që sillnin honet e maleve nga Kërraba përkundrejt, ku bëheshin luftime të ashpra për çlirimin e kryeqytetit.

Elbasani u çlirua më 11 Nëntor. Disa ditë më vonë, unë me shokët e tjerë pasi u dorëzuam bazën me gjithçka kishte fshatarëve mikpritës Dhimitër e Lef Shati në fshatin Stërstan zbritëm në Elbasan. Kanë kaluar dekada nga ajo ditë po ruaj të gjallë në kujtesën time emocionet e forta të atij gëzimi të veçantë, të asaj dite që do të merrja rrugën për në qytetin e çliruar. Për të mbërritur sa më shpejt ndoqëm rrugën më të shkurtër, po më të vështirë, përmes rrëpirash të thikta gjithë driza, ferra e përrenjsh të rrëmbyer, e megjithatë mbaj mend që nuk ecja po rendja si nuk kisha rendur ndonjëherë. Ishte hera e parë dhe e fundit që bëja një rrugë aq të vështirë por edhe aq të gëzuar.

Kur arritëm në fshatin më të afërt të Elbasanit, në Kryezjarr, morëm vesh se ura e Shkumbinit që çonte në Elbasan, ishte hedhur në erë nga nazistët gjatë tërheqjes, pra kalimi ishte i pamundur. Unë e kisha kapërcyer në vah lumin e Shkumbinit në muajin qershor, për mos u diktuar nga gjermanët që kishin nën kontroll të fortë urën. Atëherë ishte verë dhe lumi i shterur mund të kalohej, por tani në prag dimri a ishte e mundur?! Nuk patëm kohë për të gjetur një zgjidhje a për tu pezmatuar. Një fshatar që sapo kishte ardhur nga qyteti, na dha lajmin e mirë se falë xhenierëve tanë, i ishin bërë urës disa meremetime të përkohshme që lejonin kalimin.

Elbasanin e gjetëm në një festë mbarë popullore. Turma të hareshme poshtë e lart, flamurë kombëtarë ngado. Një grumbullim i madh njerëzish ishte në qendër të qytetit para godinës së Komitetit Ekzekutiv. Hyra midis tyre dhe mësova se herë pas here anëtarë të komitetit dilnin në ballkon dhe informonin qytetarët, që prisnin në ankth, lajmet që vinin nga fronti i luftës për çlirimin e Tiranës. Altoparlantët që na kish lënë “peshqesh” fashizmi italian, për të dëgjuar fjalimet bombastike ndjellkeqëse të “Duçes së madh”, gjëmonin nga këngët patriotike e partizane. Sakaq vrapova drejt shtëpisë sime për të përqafuar familjarët e mi dhe për të festuar me ta ngjarjen e madhe. Gjeta një heshtje që ma ngriu zemrën: prindërit e mi ishin nisur me urgjencë për në Tiranë përmes Peqinit (sepse rruga e qafë Krrabës që lidhte Elbasanin me Tiranën ishte bllokuar për shkak të luftimeve për çlirimin e Tiranës) ku kishte gjetur vdekjen nga një mortajë gjermane daja im i ri me një mbesë tetë vjeçare. E njëjta atmosferë ishte edhe në shtëpinë e Dhimitrit. Djali i tyre Pirrua (dëshmor i luftës), 22 vjeçar kishte humbur jetën pas një lëngimi të gjatë të shkaktuar nga një goditje e rëndë në përleshjen me armë me forcat e karabinierisë fashiste në “Demonstratën e Bukës”. Por Simoni, patriot i njohur, i tha të birit: sot nuk kemi ditë zie, po festë të madhe, pra respekto traditën tonë të festave, var flamurin kombëtar në ballkonin e shtëpisë dhe qit me pushkë. Dhimitri më vuri revolen e tij në duar duke më thënë se “ky nder të takon ty sot, në emër të gjashtëmijë vajzave partizane që luftuan heroikisht në radhët e Ushtrisë heroike Nacionalçlirimtare për çlirimin e vendit.” Krisma pushkësh që përshëndesnin çlirimin e qytetit dëgjoheshin ngado ato ditë Nëntori në Elbasan, kurse netëve të asaj vjeshte të hareshme qyteti ziente nga këngët dhe vallet që bëheshin në mbrëmjet e shumta të vallëzimit me orkestrat e improvizuara nga të rinjtë e qytetit. Pra qyteti ishte në festë natë e ditë.

Duke përkujtuar ato ditë Nëntori të hareshme nuk mund të harroj respektin, dashurinë, mirënjohjen që qytetarët shprehën në ato ditë për familjet e dëshmorëve. Ky rit fisnik i mrekullueshëm u simbolizua me 5 Majin “Ditën e dëshmorëve” që populli ynë i kushtoi bijve që u flijuan për atdheun e tyre dhe e përkujton çdo vit me krenari dhe mirënjohje.

Elbasani i dha Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare 136 dëshmorë, 50 të humbur në kampet e përqëndrimit, dëshmorë edhe ata, 19 dëshmorë jashtë territorit të Shqipërisë, në Jugosllavi. Do t’i quaja dëshmorë të Elbasanit edhe ata 400 normalistë që studiuan në Normalen e këtij qyteti dhe ranë heroikisht në luftë në krahina të ndryshme të Shqipërisë.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

‘Biznesmeni’, 3 net në Teatrin Kombëtar! Shkamb Jaka me ekspozitë te 'Tulla'! Të rinjtë e Qendrës Kulturore me ekspozitë! ‘Mbetjet e paranojës’ në Korçë!

‘Biznesmeni’, 3 net në Teatrin Kombëtar! Shkamb Jaka me ekspozitë te 'Tulla'! Të rinjtë e Qendrës Kulturore me ekspozitë! ‘Mbetjet e paranojës’ në Korçë!