POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Kur de jure dëftorja është e barabartë me urdhëroren

Kuvendi i Shqipërisë

 Një President “as i dobët”, as “i fortë”

Mosdekretimi nga ana e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, i të propozuarit prej Kryeministrit Edi Rama për në funksionin e ministrit të Brendshëm, Gjeneral Sandër Lleshi, ndonëse realisht nuk mundi të krijojë as krizë politike dhe as ndonjë ngërç institucional të pazgjidhshëm, por ndezi menjëherë dhe që mund të shuhet po ashtu, si flak’e kashtës, një debat të paqenësishëm. Një debat i shtruar edhe më herët, që gjatë hartimit dhe miratimit të tekstit origjinal të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë (1998): a është Presidenti i Republikës, si kryetar i shtetit, pra një nga institucionet themelore të strukturës kushtetuese, funksionar “i fortë” apo “i dobërt”?

Edhe atëhere, edhe tani, pas ndryshimeve të herë - hershme që i janë bërë Ligjit Themelor të shtetit, Presidenti i Republikës ka kompetenca për emërimin e organeve të kontrollit, si edhe rolin e garantit të rendit kushtetues. Sidoqoftë, me Kushtetutë, Presidenti i Republikës nuk ngarkohet të kryejë funksione ekzekutive. Por kësaj “zbehje” të kapacitetit funksional të tij, tonet i ngihen kur sanksionohet, për shembull në nenin 90/1 të Ligjit Themelore, se ai “… nuk ka përgjegjësi për aktet e kryera në ushtrim të detyrës së tij.”

Vështruar kështu, sipërfaqshëm dhe në mënyrë të veçuar, kompetencat e Presidentit të Republikës duken si kontradiktore. Por, në të vërtetë, ky imazh i copëzuar kthjellohet apo qartësohet tek lexohen në tekstin e Kushtetutës (Pjesa e Katërt) rastet kur presidenti nxjerr dekrete individuale për emërimin dhe shkarkimin e një sërë zyrtarëve të lartë, si edhe dekrete për hyrjen në fuqi apo kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjeve të miratuara më parë. Pikërisht, për një nga këto kompetenca u shpreh këto ditë keqkuptimi në një pjesë të politikanëve dhe të opinionit publik, çka u shoqërua me një tension të panevojshëm. Më poshtë, le të ndalemi te rasti konkret.

E drejtë apo detyrim i Presidentit?

Në Kushtetutë (Pjesa e Pestë) parashikohet se në fillim të legjislaturës apo kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, Presidenti i Republikës është ai që emëron kryeministrin e ri. Por, shprehur qartë, ky emërim duhet të miratohet ngza Kuvendi. Më tej (neni 98): “Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit brenda 7 ditëve”. Dhe për këto veprime, Presidentit nuk i lihet lihet ndonjë hark i gjerë kohor, por veçse një limit i ngushtë një javor. Ndërsa, sipas pikës 2 të këtij neni: “Dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi”, siç ndodhi dje me shkarkimin e Ministrit të mëparshëm, Fatmir Xhafaj.

Pra, këto veprime (si emërimi, edhe shkarkimi) nuk lihen në dikrecion të Presidentit, nuk bëjnë pjesë në të drejtat e tij. Përkundrazi, ato janë detyrim kushtetues, çka për rastin konkret do të thotë se Presidenti nuk mund të refuzojë as emërimin dhe as shkarkimin e propozuar. Kryeministri është ai që ka të drejtën të propozojë konkretisht personat me të cilët mendon dhe punon që të ndërtojë kabinetin e tij. Të mos harrojhmë se, zakonisht dhe kudo, çdo qeveri mban emrin e atij që e kryeson atë.

Në këtë kuptim, ashtu sikurse e ka vënë në dukje prej kohësh doktrina juridiko – kushtetuese, “dëftorja është e barabartë me urdhëroren”. Sepse, ashtu siç ndodh rëndom në aktet legjislative, edhe te Ligji Themelor në asnjë dispozitë që flet mbi përcaktimin e detyrave të Presidentit për nxjerrje të dekreteve dhe emërimin apo shkarkimin e ministrave, nuk gjendet folja gjysmëndihmëse ‘mund’. Nëse do të futej kjo folje në formulimet e këtyre dispozitave, atëhere po, Presidentit i lihej hapësira e nevojshme për të formuar ose jo bindjen personale ndaj kandidatur/ës/ave të propozuar/a.

Ky arsyetim i ngurtë, aspak i libralizuar dhe shprehur me ndajfolje mohuese ka të bëjë edhe me parashikimet e nenit 89 të Kushtetutës, sipas të cilit: “Presidenti i Republikës nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike, nuk mund të jetë anëtar partie dhe as të kryejë veprimtari tjetër private”. Në këto kushte, një shkelje tjetër që Presidenti Meta i bëri Kushtetutës ishte edhe letra që i dërgoi Kryeministrit Rama apo edhe sqarimet që bëheshin nga Preszidenca, ku nuk jepej asnjë shpjegim konkret i natyrës juridike, por përkundër urdhërimit kushtetues në ‘to theksohej mospërmbushja nga Meta e një bindjeje personale, çka të linte të kuptohej një qëndrim politik.

Gjithashtu, ky arsyetim i ngurtë, aspak i liberalizuar, shprehur në Kushtetutë për kuptimin që duhet të marrin qëndrimet dhe veprimet e Presidentit, ka të bëjë edhe me afirmimin e rolit të Kuvendit në aspektin legjislativ. Duke parandaluar ometimet dhe keqkuptimet apo edhe kundërvëniet e mundshme institucionale, nga Ligji ynë Themelor bëhet e qartë se veprimi i ligjit nuk varet thjesht nga pëlqimi apo bindja personale e Presidentit të Republikës, i cili ka të drejtën e vetos pezulluese për t’ia kthyer ligjin përkatës Kuvendit vetëm një herë. Por jo, përkundër kësaj, Presidenti Meta e ka ushtruar gjatë këtij sesioni legjislativ veton pezulluese dy herë për të njëjtin ligj, për atë që në publik njihet si “Ligji për Teatrin”.

Le të mos vazhdojmë me çka mund të kuptohet “shkelje e rëndë e Kushtetutës”, që sipas nenit 90/2 Presidenti i Republikës mund të shkarkohet, ashtu si edhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Nuk mund të vazhdojmë, sepse nëpër tekstin e kësaj dispozite nuk barazohet dëftorja me urdhëroren, përderisa ndërfutet atje ajo folja gjysmëndihmëse që përmendëm më lart.

Por, ndoshta është e nevojshme që në përfundim të këtyre rradhëve të citohet neni 94 i Kushtetutës, që parashikon se: “Presidenti i Republikës nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera, përveç atyre që i njihen shprehimisht me Kushtetutë dhe që i jepen me ligje të nxjerra në pajtim me të”. Besoj se kjo dispozitë nuk lë vend për interpretime të ndryshme!    

ke.mu.
Komento