Kur do të ketë llogaridhënie në PD?

Kur do të ketë llogaridhënie në PD?

Lulzim Basha dhe Sali Berisha

Llogaridhënia në konceptin modern të fjalës, është padyshim termi më i përdorur sot në politikën europiane. Duke përjashtuar partitë dhe pushtetet diktatoriale, çdo parti politike demokratike, që ka një program të detajuar zhvillimi, padyshim transparencën e gjithçkaje e ka në plan të parë. Në vendet postkomuniste,të cilat për afro gjysëm shekulli ishin mësuar me komandën e Njëshit, dhe bindjen ndaj një partie, koncepti llogaridhënies ishte ndryshe, ku mbizotëronte “llogaridhënia e komunistit para partisë”. Në Shqipëri pas vitit 1992 me ndryshimin e sistemit, vetëm përgjatë këtij mandati qeverisës, koncepti teorik dhe praktik i llogaridhënies është futur dhe zbatuar nga Edi Rama. Mirë apo keq, kryeministri ka nisur në turin e tij në rrethe, fushatën e llogaridhënies së ministrave, zv/ministrave, drejtorëve, dhe deri tek rrangjet e ulëta.

Natyrisht nuk kishte se si të mos kundërshtohej nga opozita aktuale edhe nisma e zotit Rama, pasi është në të drejtën e saj të jetë kundër gjithçkaje që propozon kreu i qeverisë. Me fakte ose pa fakte, opozita aktuale e cila përfaqësohet historikisht në Shqipëri akoma nga PD, ka dalë hapur dhe me veprime konkrete si grumbullime dhe pankarta në duar, duke kundërshtuar llogaridhënien e Ramës dhe stafit të tij qeveritar. Por habia më e madhe e kësaj kundërshtie të kësaj opozite qëndron në faktin se, veprimet e saj bien ndesh me situatën në të cilën gjendet sot partia e tyre, pra PD. Brënda asaj partie ka kohë që ndodhin çudira, ndodhin përmbysje, ndodhin ngjarje dhe krijohen situata të rënda që kanë penguar dhe dëmtuar seriozisht funksionimin normal të asaj force politike.

Më e pakta që kryesia, kuvendi, forumet, anëtarësia e asaj partie, duhej të kishin kërkuar nga lidershipi Partisë Demokratike arsyet e mungesës së llogaridhënies, për katastrofën ku gjendet sot kjo forcë politike. Kur një qeveri nis fushatën e llogaridhënies në popull, mes të djathtëve dhe të majtëve, mbi gjithçka ka bërë, mbi gjithçka nuk ka bërë, mbi problemet dhe hallet e qytetarëve, përse një parti politike demokratike, heziton të japë llogari para anëtarësisë saj ? Përse kryetari PD, prej 1 viti e gjysëm premton “llogaridhënien para bazës mbi gjithçka lidhet me humbjet, dhe shkatërrimin struktural të partisë” nuk e bën një gjë të tillë?

Kush e pengon, përse e pengon, çfarë e mundon, dhe nga kush trembet ? Baza e partisë, të larguarit dhe të palarguarit e Partisë Demokratike, nuk ka ditë të mos kërkojnë nga kupola drejtuese e kësaj partie , nisjen e fushatës së llogaridhënies në çdo qytet dhe fshat të vendit, për të njohur jo vetëm situatën ku janë katandisur degët në rrethe, por edhe për ti njohur militantët e zhgënjyer të fushatave elektorale me shkeljet dhe gabimet e liderit. Historikisht nuk mbahet mend që në PD, të ketë patur ndonjëherë “fushatë të llogaridhënies së kupolës drejtuese”, edhe atëhere ( në 1997) kur shteti u shpartallua dhe kjo parti u shpërbë pothuajse fare.

Duke ecur mbi të njëjtën rrugë, mbi të njëjtën gjurmë, duket se edhe kryetari Basha, as ka ndërmend të nisë ndonjë fushatë “llogaridhënie në bazë”, aq më tepër kur ajo nuk është bërë kurrë as dje dhe as sot. Mendoj se mosnjohja e gabimeve, mosnjohja e mosbërja e autokritikës serioze para bazës së partisë, kurhumb zgjedhjet në fushatë elektorale, kur ti fitoren tënde si kryetar partie e ke të kontestuar, kur nuk ke një program të qartë dhe serioz për aksionet opozitare, dhe kur nuk mban asnjë premtim që lidhet me të ardhmen ekzistenciale të partisë, e kanë bërë PD një parti të pabesueshme, që nuk ngjall shpresë tek qytetarët.

Llogaridhënia e Bashës para bazës, (dhe jo deklarata para kuvendit të partisë se “I njoh gabimet e mia”) do të ishte aksioni më i mirë politik i kryetarit të asaj që quhet sot opozita në Shqipëri. Duke u marrë me “llogaridhënien e Ramës”, dhe duke “harruar” llogaridhënien e tij, duke nxjerrë 10-15 veta me parrulla në çdo rreth si protestues, PD thjesht po humbet terren, dhe po tkurret më shumë politikisht në sytë e shqiptarëve.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Protestuesit po tentojnë të heqin barrierat, përplasen me policinë

VIDEO/ Protestuesit po tentojnë të heqin barrierat, përplasen me policinë