Kur ëmbëlsia e dashuria ikin pas Dajtit

Kur ëmbëlsia e dashuria ikin pas Dajtit

Skënderbeu dhe vdekja (ilustrim nga Agim Faja)

(Frymëzuar nga parafjala e Mitrush Kutelit tek i tiji “Tregime të moçme shqiptare”)

“...Ndërkaq kish nisur të afrohej vera. Trëndafili vazhdonte të lëshonte lule të reja. Plepat e lulishtes së Katër Dëshmorëve përhapnin anembanë fije pambuku, të cilat era i rrëmbente dhe i ngrinte gjer lart, rreth xhamisë së Zajmit. Lulishtja, rrugët, oborret, çatitë zbardhnin sikur të ishin shtruar me flokë dëbore. Dajti plak ishte veshur me petk të vezullimtë. (Shpesh rri e vras mendjen: Ku i ka rrënjët emri i këtij mali që e zbukuron kaq shumë Tiranën tonë? A mos ky emër rrjedh nga emri i atij fistit të madh ilir – fisit të taulantëve – që banonte dikur në këto vende, duke u shtrirë edhe në tërë anëdetin, gjer tutje në Myzeqenë e sotme dhe që kish si kryeqendër Dimalin? Me të vërtetë fjala “taulant” do të thotë “dallëndyshe”... Pra, “Dajt” mund të thotë, ndofta “Mali i taulantëve”apo “Mali i dallëndysheve”... Po kjo është një punë që u takon gjuhëtarëve dhe jo prralltarëve. Sidoqoftë, unë e dua shumë këtë qytet me klimë të ëmbël kaq të përshtatur sidomos moshës së pleqërisë. E dua edhe Dajtin që qëndron lart si roje e mbështetje, herë i vrenjtur dhe mendimtar, herë i përndritur, i qeshur dhe herë tjetër thinjak, po gjithnjë i bukur.

Po më falni, se këto të uruara fjalë janë si qershitë: heqin njëra tjetrën dhe unë u largova nga thelbi i çështjes, nga baladat dhe këngët e kreshnikëve tanë të kthyera në tregime. Tani po e lidh përsëri fillin ”...

***

Janë ditë blerje librash, fletoresh, lapsash e stilolapsash për vitin e ri shkollor. Krahas librit të gjuhës shqipe të klasës së gjashtë, mësuesit kërkojnë që nxënësit në shkollën e vajzës sime të kenë dhe librin “Tregime të moçme shqiptare” të Mitrush Kutelit. Do të doja shumë, që bashkë me klasën e gjashtë dhe mësimet e këtij viti, vajza ime të marrë me dashuri e pasion gjithë nektarin e këtij libri të bukur të legjendave të rralla të popullit tonë.

E megjithatë, diçka tjetër ma tërhoqi shumë vëmendjen: Parafjala, ose “bisedime me katër fëmijët e mi dhe vetveten rreth këtij libërthi”, siç e quan vetë Mitrush Kuteli kur e shkroi në të largëtin 4 prill 1964. Si dhe një surprizë e këndshme: ilustrimet janë bërë nga miku ynë i dashur i familjes, i cili prej pak kohësh nuk jeton më, piktori Agim Faja. Pra, në këtë libër janë puqur dy njerëz, dy artistë të rrallë që sot nuk jetojnë më, nga të cilët na mungon jo vetëm krijimtaria, por edhe të tjera vlera të rralla që të paktën unë shoh të humbin përditë.

Kanë kaluar 54 vite që nga ai 4 prill, por më duket se që nga ajo kohë, dalë nga dalë, nga karakteri i shqiptarëve ranë njëra pas tjetrës, si gjethet e një peme vjeshte, vlerat e mira, mirësjellja, fjalëëmbëlsia, ndjeshmëria, sinqeriteti, durimi, pasioni e të tjera e të tjera.

Jo pa qëllim shkëputa paragrafin e mësipërm nga ajo parafjalë. Për mua është një himn i ëmbël për Tiranën, për natyrën, për Dajtin, për fëmijët. Në fjalët e shkrimtarit perceptohet një finesë e rrallë, ndjeshmëri e madhe, dashuri, emocion e vlerësim i gjërave të vogla. Në fjalët e të madhit Mitrush Kuteli ndjehet edhe përulësi, mendje e hapur ndaj kritikave apo të çfarëdo lloj gjëje që mund të thonin apo mendonin vogëlushët për punë e tij. Eshtë një punë e mrekullueshme, le të kuptohemi, por shkrimtari është i sjellshëm, i ndrojtur, kurioz se si të vegjëlit do ta presin librin e tij. Nuk kam patur nderin të njoh nga afër Kutelin, veç të admiroj krijimin e tij, por pata fatin të flas e të mësoj shumë nga Agim Faja, e gjithmonë të vlerësoj elegancën e fjalës, të mirësjelljes dhe të punës së tij.

Jam e prekur shumë, e emocionuar nga këta dy shqiptarë që ritakova te “Tregime të moçme shqiptare”, por më duhet ta pranoj se nuk më ndodh e njëjta gjë nëse hedh sytë në vepra të autorëve të sotëm, në diktate në rrjete sociale apo në personazhë të tjerë që kumtojnë në publik: Një vrazhdësi e mëndjemadhësi e padurueshme e shoqëruar me krijimtari të varfër e të zbehtë, aspak emocionuese. Edhe aty ku në dukje ka një mirësjellje false, ajo rrëzohet menjëherë sapo krijohet një debat, apo një kundërshtim në mendim. Sjellja e bashkëkohësve tanë shndërrohet nga më ofendueset dhe agresivet e imagjinueshme.

Unë nuk e di çfarë po ndodh me shqiptarët e viteve 2000, por herë pas here, do të ishite mirë të shihnin e të mësonin si shkruanin, flisnin e kumtonin të parët: Embëlsia, eleganca, ndjeshmëria, aftësia, mençuria, janë vlera që ndoshta era i ka marrë e i ka çuar pas Dajtit. Dikush duhet të shkojë, t’i kërkojë, zbulojë e t’i marrë që aty.

/xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Ekskluzive/ 26 vite Ipeshkv i Shkodrës, Massafra rrëfen për Report Tv arsyet e dorëheqjes! Mesazhet për të rinjtë

Ekskluzive/ 26 vite Ipeshkv i Shkodrës, Massafra rrëfen për Report Tv arsyet e dorëheqjes! Mesazhet për të rinjtë