Kush është biznesmeni shqiptar që porositi makinat e mbushura me 3.4 mln euro?

Kush është biznesmeni shqiptar që porositi makinat e mbushura me 3.4 mln euro?

Makinat 'Toyota Auris' që sollën eurot në Portin e Durrësit

Mbetet mister emri i biznesmenit që porositi makinat ‘Toyota Auris’ të mbushura me 3.4 milionë euro të kapura dje në Portin e Durrësit, që dyshohet se kanë origjinë nga trafiku i drogës. Biznesmeni nuk u paraqit t’i tërhiqte, pasi operacioni u dekonspirua nga Lulzim Basha 4 ditë më pare në Kuvend.

Makinat e mbushura me euro u sekuestruan dje në orën 15: 00 në portin e Durrësit, sapo zbritën nga trageti i linjës Bari- Durrës, në porosi të një biznesmeni. Nga burime nga policia mësohet se janë arrestuar tre persona, pronari i kamionit që transportonte 9 makina, 7 ‘Toyota Auris’, një makinë ‘Opel’ dhe një ‘Alfa Romeo’, si dhe dy shoferët, por me mister mbulohet emri i biznesmenit që kishte porositur këtë ngarkesë.

Report Tv arriti të zbardhë dje dëshminë e Edi Likës, pronari i kamionit transportues, i cili mësohet të ketë deklaruar se nuk ka dijeni për sasinë e parave, por ka zbatuar vetëm porosinë sipas kontratës për transportin e makinave.

Nuk kam asnjë lidhje dhe dijeni për paratë, kam kryer thjesht transportin. Ishim të kontraktuar nga një biznesmen, kundrejt pagesës për të bërë transportin.

Pronari i kompanisë që transportoi makinat, Edi Lika

Kjo dëshmi ngre dyshime dhe pikëpyetje të mëdha lidhur me biznesmenin shqiptar që porosit makina të mbushura me euro. Edhe dy shoferët e kamionit, Klevi Cani dhe Agim Ceka janë arrestuar, ndërsa nga burime konfidenciale mësohet të kenë deklaruar se nuk kanë pasur dijeni për paratë, ndërsa kanë dhënë edhe detaje në lidhje me itinerarin e përshkruar me kamion.

Nuk dihet se përse ndërhyrja e policisë u bë në Portin e Durrësit sapo kamioni mbërriti dhe nuk u prit të shkonte deri në destinacionin final, te porositësi për të zbuluar edhe pronarin e parave, por dyshohet se kjo ndërhyrje është nxituar për shkak të dekonspirimit.

4 ditë më parë, ditën e enjte nga foltorja e Kuvendit, kreu i PD-së, Lulzim Basha, dekonspiroi këtë superoperacion, duke u shprehur se policia ka kapur një makinë ‘Toyota Yaris’ me 1. 5 milionë euro brenda, sa ishte edhe informacioni paraprak, dhe këtë ai ja atribuoi deputetit socialist, Taulant Balla. Ky dekonspirim me informacion të saktë, që dyshohet se ka rrjedhur nga radhët e policisë, ka dëmtuar këtë superoperacion dhe hetimet që po zhvilloheshin për të.

Ky (Balla) ka qenë në Gjermani para tre ditësh, mbajeni mend dhe ka porositur një ‘Toyota Yaris’ por ta kanë zbuluar bashkë me 1.5 nln euro e drogës brenda, do e shikosh se çfarë do të tundet para hundës shumë shpejt.

Deklarata e Lulzim Bashës ditën e enjte në Kuvend

Duket se dekonspirimi nga ana e Bashës i ka dhënë kohë poseduesve të parave që të mirëmendojnë dhe të tërhiqen nga transporti i këtyre parave, duke lënë mister edhe zotëruesin e tyre. Policia tregohet hermetike në lidhje me emrin e biznesmenit, si edhe për faktin nëse kanë nisur hetime për dekonspirimin dhe kush ia dha këtë informacion të saktë kreut të opozitës.

Shuma që përllogaritet 3.4 milionë euro ishin të fshehur në dy makina ‘Toyota Auris’, të cilat ishin të ngarkuara në një kamion që transportonte edhe 7 makina të tjera.

Dyert e para të këtyre makinave ishin përshtatur nga trafikantët në formën që paratë mos të zbuloheshin, por duket se policia ka pasur informacion për të gjithë lëvizjen e tyre dhe i ka mbajtur në vëzhgim gjatë gjithë kohës, që nga vendi i origjinës e deri në mbërritjen në Shqipëri, ku dhe operacioni u dekonspirua. Dosja hetimore u mor fillimisht në shqyrtim nga prokurori Sokol Nishani, vëllai i ish-Presidentit Bujar Nishani, por tashmë dosja i ka kaluar hetuesve të Task-Forcë, duke ia hequr vëllait të ish-Presidentit.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Partia e Mitsotakis kandidon Fredi Belerin për eurodeputet, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Grushta dhe dhunë në Shijak, degjeneron dueli i U-21 mes Erzenit dhe Partizanit

VIDEO/ Grushta dhe dhunë në Shijak, degjeneron dueli i U-21 mes Erzenit dhe Partizanit