Kuvendi miraton buxhetin 2013
Topalli: PS kërkon anarki

Kuvendi miraton buxhetin 2013<br />Topalli: PS kërkon anarki
TIRANE - Kuvendi miratoi sot nen për nen dhe në tërësi projektbuxhetin për vitin 2013. Buxheti u miratua me 72 vota pro dhe 60 kundër.

Kuvendi nuk miratoi propozimin e Partisë Socialiste për menaxhimin e borxhit publik nga Banka e Shqipërisë. Në nenin 18 të këtij projektligji, Partia Socialiste përmes një amendamenti kërkoi që borxhi publik dhe defiçiti buxhetor të menaxhoheshin dhe llogariteshin nga Banka e Shqipërisë, pasi siç u shpreh deputetja e PS, Mimi Kodheli, kanë dalë jashtë kontrollit të qeverisë.

Propozimi u rrëzua me 73 vota të mazhorancës, ndërsa 53 vota të opozitës votuan pro. “Propozim i rrezikshëm për të hedhur në erë sistemin fiskal. Ju doni anarki totale, harrojeni” - e cilësoi kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli propozimin e PS-së, qëu prezantua në emër të socialistëve nga nënkryetarja Komisionit Parlamentar të Ekonomisë. Ajo paraqiti propozimin e bërë para pak ditësh nga kryesocialisti Rama për një rol menaxhues të Bankës së Shqipërisë.

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, tha se implementimi i këtij projektbuxheti për vitin 2013 do të jetë i vështirë. Sipas tij është rritur borxhi publik, deficiti buxhetor, si dhe është ulur niveli i të ardhurave.

KODHELI: BSH TE MBIKQYRE QEVERINE, BODE: DONI TE RIKTHENI SISTEMIN TOTALITAR
Në emër të socialistëve, nënkryetarja e Komisionit Parlamentar, Mimi Kodheli, e quajti çmenduri fiskale heqjen e çdo lloj limiti në garancinë që ofron qeveria në blerjen e energjisë. Kodheli përsëriti edhe propozimin e bërë para pak ditësh nga kryesocialisti Rama për një rol menaxhues të Bankës së Shqipërisë, sa i përket nivelit optimal të borxhit dhe respektimit të tij.

Deputetja Mimi Kodheli në nenin 18 të këtij projektligji, përmes një amendamenti kërkoi që borxhi publik dhe defiçiti buxhetor të menaxhoheshin dhe llogariteshin nga Banka e Shqipërisë, pasi sipas saj "kanë dalë jashtë kontrollit të qeverisë". Kodheli e quajti nenin 18-të të pr/buxhetit “çmenduri fiskale”.
“Duke hequr tavanin ligjor të borxhit publik, duke rritur defiçitin duke e bërë pjesë të një situate të keqe ekonomike në vend, do të ishte mungesa më e madhe e transparencës. Borxhi do të jetë më i madh se rritja ekonomike, dhe rritja nuk do të mund të gjenerojë punësim.Më së pari Kuvendi duhet të monitorojë këtë situatë të vështirë financiare. Duhet të gjejmë mekanizma të tjerë të pavarura për të vënë nën mbikëqyrje këtë qeverisje. BSH të detyrohet me ligj të njoftojë në çdo rast kur qeveria shkel kufirin ligjor”, -deklaroi Kodheli.

Nga ana e tij ministri i Financave e kundërshtoi:  “Ka qënë një kohë kur borxhi e defiçiti buxhetor mbahej nga Banka Qendrore, në regjimin totalitar. Detyra e Bankës është të garantojë stabilitetin e çmimeve dhe të mbikqyrë sistemin bankar. BSH i ka kryer më së miri pasi kemi nivelin më të ulët të inflacionit dhe asnjë para publike nuk u përdor për sistemin bankar", tha ministri Bode.

Ndërkaq, kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli tha se është “propozim i rrezikshëm për të hedhur në erë sistemin fiskal. Ju doni anarki totale, harrojeni”.

Propozimi i PS-se u hodh në votim dhe u rrëzua me 73 vota të mazhorancë, 59 vota të opozitës votuan pro.

MALAJ: PR/ BUXHETI JO REALIST, BODE: PR/BUXHETI SIPAS KUSHTETUTES

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, deputet i Partisë Socialiste tha se implementimi i këtij p/buxheti për vitin 2013 do të jetë i vështirë. Malaj tha se është rritur borxhi publik, deficiti buxhetor, si dhe është ulur nivel i të ardhurave. Akti normativ i cili parashikon uljen e nivelit të të ardhurave me rreth 7 miliardë lekë, sipas Malajt, do të ndikojë në parashikimet për vitin 2013. "Edhe ky buxhet sapo të miratohet, për shkak të parashikimit jorealist të shifrave, do të bllokohet dhe të krijohet kosto. Ne e kemi paralajmëruar këtë rrezik", -tha Malaj.
 
Por ministri i Financave, Ridvan Bode tha se diskutimi në parim i projektbuxhetit është bërë në seancën e datës 7 dhjetor. Sipas tij, sot do të dikutohen amendamentet e bëra nga komisionet Parlmentare. Bode ritheksoi se akti normativ si dhe ndryshimet në ligjin për menaxhimin e buxhetit janë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën.

HIDHET POSHTE AMENDIMI I PS PER SHPENZIMIN E TE ARDHURAVE NGA ALBPETROL

U hodhën poshtë edhe amendamentet e tjera të prezantuara nga socialistët, përfshi ai mbi mënyrën e shpenzimit të 850 milionë eurove që do vijnë nga shitja e Albpetrol. Duke qenë se shuma përbën 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, PS kërkoi që ajo të mos shpenzohet sipas dëshirës së Qeverisë, por të marrë një miratim paraprak të Kuvendit.

“Ne jemi kundër nenit 9 të projektbuxhetit ku janë të përfshira edhe të ardhurat nga privatizimi i Albpetrolit. Këto para përbëjnë 10 përqind të GDP dhe s`mund të përdoren nga Kryeministri pa marrë miratimin e Parlamentit. Kjo. për opozitën është anti-kushtetuese. Qeveria nuk i ka të vetat paratë dhe paratë e privatizimeve janë të qytetarëve dhe është detyrimi i kësaj qeverie të marrë miratimin në Kuvend. Këto të ardhura do shkojnë për asfalt e makijazh elektoral, nuk do ulin varfërinë për aq kohë sa neni 9 do vazhdojë të jetë i shkruar siç është”, -tha Kodheli duke shtuar se duhet një plan i ri buxhetor për përdorimin e të ardhurave.

Ministri i Financave Ridvan Bode tha se ky nen është hartuar në bazë të një standardi të përdorur edhe më parë. “Formulimi në nenin 9 është standard i përdorur edhe nga qeveritë e majta dhe të djathta. Paratë e privatizimeve përdoren nga qeveria për rritjen e investimeve publike dhe për uljen e borxhit. Ato që propozon opozita janë pjesë e këtij neni”, -tha ministri Bode.

Amendamenti u hodh për votim, por u refuzua nga shumica parlamentare

Më herët kryetari i Komisionit të Ekonmisë dhe Financave, Edmond Spaho paraqiti disa prej amendamenteve që parashikonin shtesa fondesh për disa institucione buxhetore. Ai tha se Ministrisë së Transporteve i janë dhënë 500 milionë lekë shtesë për rrugën Lushnje-Berat-Çorovodë, pas ankesave publike të LSI-së kërcënimit për të mos miratuar buxhetin.

VOTIMI NE PARIM, PS KUNDER

Seanca e sotme u zhvillua 10 ditë pas miratimit në parim të buxhetit vetëm me votat e mazhorancës, 74 vota pro, 56 kundër dhe 0 abstenim.
Edhe pse mazhoranca e prezanton këtë buxhet, si një buxhet historik, opozita  e kundërshton duke deklaruar se qeveria ka dështuar me rritjen ekonomike, mbledhjen e të ardhurave, punësimin, industrinë, privatizimin dhe rritjen e mirëqënies. Sipas opozitës, sot Shqipëria është më keq se 8 vite më pare.

Sipas mazhorancës, projektbuxheti 2013 është me i madhi në histori, duke kapur shumën e 409 miliardë lekë dhe janë janë parashikuar rritja e pagave dhe investime në infrastrukturën rrugore. Kryeministri në seancën paraardhëse mbrojti pr/buxhetin dhe e cilësoi si një buxhet të suksesshëm të hartuar në një kushtet “e një krize të paprecedentë në vendet fqinje".

Redaksia Online
(sg/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Partia e Mitsotakis kandidon Fredi Belerin për eurodeputet, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Sot jepen dy biletat e para të gjysmëfinaleve, titullarët e Barcelona - PSG dhe Dortmund - Atl. Madrid

Champions League/ Sot jepen dy biletat e para të gjysmëfinaleve, titullarët e Barcelona - PSG dhe Dortmund - Atl. Madrid