POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Legalizimi i ndërtimeve të vjetra/ Si do përcaktohen kufijtë, afatet dhe marrja e certifikatës (Procedura e plotë)

Foto ilustruese

Nga data 17 shtator nis procedura e legalizimit për regjistrimin e banesave të ndërtuara para vitit 1991. Kreu i ALUIZNI Artan Lame u shpreh dje se të gjithë qytetarët duhet të paraqiten me dokumentet përkatëse. Gazeta Shqiptarja.com zbardh sot procedurën e plotë si do bëhet legalizimi i banesave para vitit 1991. Si do përcaktohet kufijtë dhe marrja e certifikatës së pronësisë.

Deklarata e plotë
Në korrik 2018, Qeveria miratoi Vendimin 442: “Për regjistrimin e Banesave të ndërtuara para vitit 1991”. Ky Vendim i Këshillit të Ministrave, shërben si bazë ligjore për dhënien e dokumentit të pronësisë pronarëve të banesave të ndërtuara para vitit 1991, në të gjitha ato raste kur ky dokument mungon.

Pra, qëllimi i këtij vendimi është të formalizojë një kategori pasurish të paluajtshme, të cilat edhe pse fizikisht ekzistojnë dhe zotërohen prej dekadash (herë-herë edhe prej shekujsh), pronarët e tyre nuk kanë patur dokumentacion të mirëfilltë pronësie, duke mos i gëzuar asnjëherë ligjërisht. Numri i banesave që mendohet të trajtohen nga ky vendim është 40-60 mijë. Duhet theksuar se asnjëherë nuk është bërë një evidentim i plotë dhe i saktë i këtyre objekteve, ndaj si rrjedhim, shifra reale mund të jetë edhe më e lartë se ajo e mësipërme. Zbatimin e këtij vendimi dhe gjithë procedurën përkatëse, Qeveria ja ngarkoi ALUIZNI-t. Tashmë që procesi i legalizimeve ka hyrë në fazën përmbyllëse të tij, procesi i rregjistrimit të banesave para vitit 1991, është sfida e radhës e ALUIZNI-t.

Risitë kryesore të vendimit të miratuar së fundmi janë:

1. Lehtësimi i barrës së aplikuesit, nga detyrimet dhe dokumentacioni i tepërt, (aplikuesi tanimë do të duhet të paraqesë vetëm një numër shumë të kufizuar dokumentesh pranë ALUIZNI-t);

2. Zgjidhja e të gjithë pamundësisë së deritanishme, për të provuar periudhën e ndërtimit (para datës 10.8.1991), gjë që ka penguar finalizimin e procedurës;

3. Kalimi i pronësisë së truallit të ndërtesës falas deri në 300 metra katrore, si dhe mundësia për të blerë sipërfaqet mbi këtë masë.

Siç e thashë edhe më lart, vendimi u miratua që në korrik dhe këta dy muaj na shërbyen për të organizuar stafet tona dhe për të krijuar pranë secilës drejtorie rajonale të ALUIZNI-t nga një sektor që do të merret me ndjekjen dhe zbatimin e kësaj VKM-je.

Po çfarë duhet të bëjnë tani qytetarët nga ana e tyre?

Duke filluar nga e hëna, 17 shtator, të gjithë qytetarët e interesuar për regjistrimin e banesave të tyre të ndërtuara përpara vitit 1991, do të mund të fillojnë të paraqiten pranë sporteleve tona për të aplikuar.

Ndërkohë mund të fillojnë nga grumbullimi i dokumentacionit që ata posedojnë, leje ndërtimi të vjetra, akte pronësie, skica genplane, akte shitblerjeje apo posedimi, vendime të vjetra të Këshillave Popullore, apo dokumenta të tjera provuese të çdo lloji dhe kohe.

Formularët e aplikimit mund të plotësohen pranë Drejtorive Rajonale në të gjithë Shqipërinë.

Gjithashtu ato mund të shkarkohen direkt nga faqja zyrtare dhe profili në fb i ALUIZNI-t.

Meqenëse kemi të bëjmë me një problem të mbartur prej dhjetra vjetësh dhe që intereson me dhjetramijëra familje, do të kërkoja mirëkuptimin e qytetarëve për të mos krijuar situata rradhash dhe grumbullimesh pranë sporteleve tona.

Në një periudhë të parë, le të paraqiten ata qytetarë që kanë urgjenca të ndryshme, duan të shesin banesën, çështje kredish, trashëgimie, etj, si edhe ata qytetarë që e kanë filluar këtë aplikim pranë Bashkive.

Më pas le të vazhdojmë qetësisht së bashku me qytetarët e tjerë.

Në këto vite krijuam besim tek qytetarët dhe çuam drejt përfundimit kalvarin e legalizimeve. Me të njëtin besim ju drejtohemi qytetarëve, që edhe këtë sfidë të re ta përballojmë së bashku.

Procedurat e kalimit të pronësisë fillojnë:
-me kërkesë të subjektit/subjekteve, sipas modelit të kërkesës të miratuar me këtë vendim, pavarësisht nëse zona kadastrale i është nënshtruar ose jo regjistrimit fillestar sistematik;

-gjatë procesit të regjistrimit fillestar apo përmirësimit/përditësimit të zonës kadastrale. Në këtë rast, me kërkesë të regjistruesit apo të çdo subjekti të ngarkuar nga Kryeregjistruesi, njoftohet ALUIZNI për verifikimin e kushteve dhe vendimmarrjen, sipas këtij vendimi;

-me kërkesë të institucionit shtetëror, në rastet e shpronësimit për shkak të zbatimit të projekteve publike, pavarësisht nëse zona  kadastrale i është nënshtruar ose jo regjistrimit fillestar sistematik.

ALUIZNI evidenton në terren ndërtimin dhe truallin funksional, duke verifikuar, paraprakisht, bazën e të dhënave të ndërtimeve pa leje, nëse për të është paraqitur aplikim për legalizim. Gjatë evidentimit në terren verifikohet edhe posedimi efektiv i ndërtimit nga subjekti përfitues. Procedurat e evidentimit duhet të përfundojnë brenda 10 ditëve.

Të dhënat e kërkesës dhe të evidentimit në terren bëhen publike për 30 ditë, në ambientet e njësisë administrative ku gjendet pasuria, në ambientet e ALUIZNI-t, ZVRPP-së si dhe në faqet përkatëse “ëeb”.

Si rregull, nëse për ndërtimin është aplikuar për legalizim si ndërtim pa leje, ai përjashtohet nga fusha e zbatimit të këtij. Përjashtim bën rasti kur nga korrespondenca e ALUIZNI-t me organet kompetente (të vetëqeverisjes vendore dhe Arkivin Qendror Teknik të Ndërtimit -AQTN) apo nga dokumentacioni i paraqitur nga kërkuesi arrihet të provohet se ndërtesa është ndërtuar përpara datës 10.8.1991.

Banesat e palegalizuara
Për ndërtimet e paregjistruara ose të regjistruara pa titull pronësie, për të cilat nuk është paraqitur aplikim për legalizim, ALUIZNI verifikon nëse ndërtimi është i pranishëm në produktin e fotografimit ajror të Republikës së Shqipërisë të vitit 1994. Nëse ndërtimi ndodhet në territor të papërfshirë në këtë fotografim, ALUIZNI verifikon me radhë produktet e fotografimeve ajrore të viteve 1999, 2001 dhe në fund, atë të vitit 2007. Nëse ndërtimi është i pranishëm në, të paktën, njërin prej materialeve fotografike të mësipërme, ai prezumohet se është ndërtuar para datës 10.8.1991 dhe trajtohet sipas dispozitave të këtij vendimi.

Përcaktimi i kufijve
Sipërfaqja e truallit funksional dhe kufijtë e tij përcaktohen nga ALUIZNI gjatë procedurave të evidentimit në terren dhe pasqyrohen në genplan. Në përcaktimin e sipërfaqes ALUIZNI bazohet në kufijtë faktikë të sipërfaqes së poseduar, pa tejkaluar masën prej 300 metrash katrorë. Për procedurën e ndjekur, subjekti përfitues paguan për llogari të ALUIZNI-t tarifën e shërbimit, në vlerën 8 000 lekë për çdo kat ndërtimi, e cila përdoret për të përballuar shpenzimet e evidentimit në terren dhe shpenzimet e tjera të procedurës administrative.

Vendimi për kalimin e pronësisë miratohet në favor të subjektit kërkues dhe bashkëshortit/es së tij, duke respektuar dispozitat e Kodit të Familjes për regjimet pasurore martesore. Në rast se subjektet nuk paraqesin dokument që provon regjim pasuror martesor të veçantë apo marrëveshje të posaçme noteriale për të drejtat mbi ndërtesën, vendimi miratohet në favor të të dy bashkëshortëve, duke prezumuar regjimin e bashkësisë ligjore. Vendimi për kalimin e pronësisë miratohet brenda 20 ditëve nga administrimi i vërtetimit për pagesën e tarifës së shërbimit, por, në çdo rast, jo më herët se data e përfundimit të afatit të njoftimit publik. ALUIZNI, brenda 10 ditëve, nga miratimi i kalimit të pronësisë, përcjell vendimin, së bashku me genplanin, për regjistrim pranë ZVRPP-së, e cila është e detyruar të kryejë regjistrimin brenda 10 ditëve nga administrimi i dokumentacionit.

d.ba.
Komento

Komente

  • Fredi: 14/09/2018 08:52

    Mir legalizimet e banesave te vjetra, po ndonje plan te pergjithshem per rikonstruktimin e tyre do ketë qe qytetet të marin pamje tjeter apo ashtu karakatinllek shpifësirë?!

    Përgjigju