Lëkundjet sizmike, Tërmeti godet sërish me qindra herë, intensiteti në rënie

Foto ilustruese

Toka tronditet ende. Gjashtë lëkundje të tjera sizmike janë regjistruar midis të enjtes dhe të premtes në Durrës dhe Tiranë, me epiqendër sërish në detin Adriatik, përballë Gjirit të Lalzit. Lëkundja e parë dhe më e fuqishmja ka qenë ajo e orës 00:48, me intensitet 4.3 ballë të shkallës Rihter, sipas të dhënave të raportuara nga Qendra Europiane e Sizmiologjisë dhe Institutit të Gjeoshkencave. Lëkundja është ndjerë e fortë edhe në Tiranë.

Epiqendra është regjistruar në detin Adriatik, jo shumë larg nga bregdeti i Gjirit të Lalzit, 16 km në veri perëndim të Shijakut dhe 32 kilometra në veriperëndim të Tiranës me një thellësi prej 2 kilometrash.

Intensiteti sizmik në zonë ka vijuar edhe gjatë orëve në vijim, ku janë regjistruar edhe 5 tërmete të tjera me manitudë nga 2.1 deri në 3.3 ballë, i fundit i regjistruar në orën 05:28 të mëngjesit të sotëm. 

Sipas raportimeve paraprake nuk raportohen dëme dhe nuk dihet nëse do të ketë lëkundje të tjera. Zona përreth Gjirit të Lalzit vijon të jetë me intensitet të lartë sizmik prej dy ditësh, ndërsa ka shkaktuar dëme materiale në disa banesa në zonat përreth.

Sipas ekspertëve të sizmiologjisë, është një tipologji e njëjtë e tërmeteve që, pas një goditjeje të fortë, shoqërohen me pasgoditje. Pra, pllakat tektonike në thellësi lëvizin derisa të zenë një vend të ri. Nisur nga ecuria e aktivitetit, ata mendojnë që është duke u relaksuar, pra duke arritur në ekuilibër. Kjo do të kërkojë edhe pak kohë, por një situatë e tillë ka treguar se të radhës do të jenë me magnitudë më të vogël, pra të mos përbëjë më rrezik

Për Report TV ka folur sizmiologu Rrapo Ormeni, i cili ka qetësuar qytetarët duke u shprehur se nuk ka vend për panik. Sipas tij, duke marrë parasysh se epiqendra e tërmeteve të fundit ka qënë në Durrës, banorët e zonës nuk duhet të shqetësohen, pasi në këtë qytet ka histori me tërmete më të forta ndër vite. “Mbas tërmetit kryesor, me magnitudë 5.3 Rihter, ky tërmet shoqërohet me pasgoditje, e tillë ishte edhe ajo e mbrëmshmja. E rëndësishme është që këto goditje janë të dobëta, por ndonjëherë ndodh që disa goditje të jenë më të forta se të mbrëmshmet. Është normale që vazhdojnë pasgoditjet, numri i tyre vjen duke u zvogëluar. Janë jo të rrezikshme. Janë tërmete që bien, por nuk kanë efekte dëmtuese. Vija bregdetare e Adriatikut është më e goditur. Aty kanë rënë tërmete më të fuqishëm, që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në qytetin e Durrësit dhe Shijakut”, u shpreh ai.

Zona

Shqipëria është në zonën e rrezikut përsa i përket dëmtimit nga aktiviteti sizmik. Sipas një raporti të fundit nga dy shkencëtarë amerikanë, vendi vlerësohet me një normë risku prej 10 për qind, më e larta në të gjithë Europën, e vetmja me ngjyrë të kuqe.

Ndërkohë, gjeologët parashikojnë se mund të ketë dy herë më shumë tërmete në vitin 2018 në të gjithë botën. Viti 2018 regjistroi vetëm në muajin e parë të tij tre tërmete të forta me magnitudë mbi 7 ballë. Edhe pse e vështirë që të parashikohen tërmetet, në një raport të publikuar nga dy shkencëtar amerikanë, Roger Bilhalm dhe Rebecca Bendick, argumentojnë se në pesë periudha historike, aktiviteti sizmik u dyfishua kur rrotullimi i Tokës u ngadalësua. Raporti vlerësoi përqindjen e rrezikut duke marrë në shqyrtim 173 vende të botës, bazuar në probabilitet e ndodhjes së një tërmeti, stuhie, përmbytje, thatësire dhe rritjes së nivelit të detit.

Nga dëshmitë që zotërohen deri më sot, rezulton që qysh prej shekullit II para Krishtit deri në ditët tona, Shqipëria është goditur prej 55 tërmetesh të fortë me intensitet deri në 8 ballë. Prej këtyre 55 tërmeteve, të një periudhe më shumë se 2000-vjeçare, 36 i takojnë shekullit të 19. Stacionet europiane të sizmologjisë kanë regjistruar matjen e saktë të tërmeteve në Shqipëri me magnitudë 6 ballë që në fillim të shekullit të 20-të. Ndërsa magnitudat më të ulëta deri në dy ballë kanë nisur të maten në fund të viteve 1960.

Shqipëria është në mesin e një zone të gjerë kontakti midis pllakave tektonike të Afrikës. Rajonet që rrethojnë Shqipërinë përfshijnë një zonë tektonike mjaft të gjerë, ku bëjnë pjesë Greqia, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Bullgaria Jugore dhe Turqia Perëndimore. Çdo vit, në këtë rajon ndodh të paktën një tërmet me magnitudë më të ulët se 6.5 ballë.

Vendet më të rrezikuara në botë

Vanuatu – 36.43%

Tonga – 28.23%

Filipine- 27.52%

Guatemala – 20.88%

Bangladesh – 19.81%

Ishujt Solomon – 18.11%

Kosta Rika – 16.94%

Kamboxhia – 16.9%

El Salvador – 16.85%

Timor-Leste – 16.37%

Papua Guinea e Re – 15.9%

Brunei Darussalam – 15.58%

Mauritius – 15.18%

Nikaragua – 14.89%

Japonia – 14.1%

Fixhi – 13.56%

Guinea-Bissau – 13.09%

Vietnam – 12.81%

Kili – 12.28%

Xhamajka – 12.15%

Vendet më pak të rrezikuara

Katar – 0.1%

Malta – 0.61%

Barbados – 1.16%

Arabia Saudite – 1.32%

Grenada – 1.44%

Islanda – 1.55%

Kiribati – 1.78%

Bahrain – 1.81%

Emiratet e Bashkuara Arabe – 2.1%

Suedia – 2.26%

Finlanda – 2.28%

Egjipti – 2.34%

Norvegji – 3.35%

Izrael – 2.49%

Singapor – 2.49%

Estonia – 2.52%

Sejshelle – 2.58%

Zvicër – 2.61%

Luksemburg – 2.68%

Oman – 2.74%

f.g.
Komento

Komente

  • Petraqi: 07/07/2018 09:34

    Po ne Rusi a bie termet?

    Përgjigju
    • Maks: 07/07/2018 16:35

      Si duket perendia qenka zemruar keq me politikanet tan hajdutet qe kan ngtit vila ne gjirin e lalzit dhe do ua rrafshoj nga faqa e dheut sepse i ksn me gakun e popullit