Leninistët e djathtë

Leninistët e djathtë

Në Universitetin e Prishtinës 72 për qind e profesorëve nuk justifikojnë titujt e tyre sipas ligjeve në fuqi. Por justifikojnë natyrën e shtetit të kapur.

1.Kur lexova statistikën për profesorët e Universitetit të Prishtinës, më ra në mend barsoleta e viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar për hapjen e striptiz-barit të parë në Moskë.

Barsoleta thotë se në konkursin për valltare nudo u paraqitën disa dhjetëra kandidate dhe sipas kërkesës u zgjodhën pesë sosh. Kryetari i Komisionit raportoi në Komitet Qendror sukses të plotë: që të pestat kishin mbi 35 vjet stazhi anëtareje të Partisë.

Statistika e Universitetit të Prishtinës, publikuar nga organizata ORCA, thotë se në vitin 2017 kanë dhënë mësim 500 profesorë, prej të cilëve 322 nuk i justifikojnë titujt e tyre sipas ligjeve në fuqi.

Në analogji me barsoletën e Moskës, kushdo që i ka pranuar në punë në këto vite nga çlirimi mund të raportojë sukses të madh, edhe pak e bile të plotë. Pra, nga numri i përgjithshëm i profesorëve, 72 për qind nuk i justifikojnë titujt e tyre. Kjo do të thotë se kriter për atë vend pune nuk ka qenë përgatitja akademike, por një kriter tjetër, që i përngjet atyre të valltareve: devotshmëria ndaj Partisë (Idesë, Liderit, Regjionit, Klanit).

Tash në analogji me barsoletën, ata 28 për qind e profesorëve që janë përvjedhur, e që i justifikojnë titujt, kanë ende kohë të riedukohen, pra të shohin se kredencialet partiake (“patriotike”, klanore etj) janë më të rëndësishme se puna kërkimore-shkencore, e lëre më publikimi i kësaj pune në ndonjë revistë prestigjioze.

Nëse tregojnë vendosmëri në rrugën tashmë të trasuar, suksesi për rekrutuesit e profesorëve në UP mund të jetë, një ditë, i plotë.

2.Nuk mendoj se duhet harxhuar shumë kohë për të shpjeguar se për cilën parti është fjala kur flitet për “devotshmërinë ndaj Partisë” (dhe rrjedhimisht Liderit të saj). Në këta gati dy dhjetëvjetësh një parti ka pasur Shërbimin e vet sekret dhe kryesisht për anëtarët e një Partie flitet kur duhet të ngrihet ndonjë aktpadi (të institucioneve ndërkombëtare) për vrasje, zhvatje, uzurpim prone, vjedhje vote dhe formave të tjera më “beninje” të krimit të organizuar. Po ashtu, nuk mund të anashkalohet një Parti kur duhet vendosur për drejtor të KEK-ut, PTK-së, anëtar të bordeve të ndërmarrjeve publike, licenca për telefoni,vendosjen e pikave të karburanteve nëpër autostrada, emrat e rrugëve të qytetit, tokat private nëpër të cilat do të kalojnë autostradat… Madje, Partia do konsultuar edhe për renditjen e lajmeve të mbrëmjes në RTK.

Këto do të ishin simptoma të sistemit njëpartiak, por si të kuptohet një gjë e tillë kur në Kosovë ekziston sistemi shumëpartiak, e brenda atij sistemi Partia në pushtet nuk ka qenë gjithherë vetëm në pushtet, madje gjatë një periudhe nuk ka qenë formalisht as pjesë e pushtetit?

Ndër studiues amerikanë ka lindur gjatë këtij shekulli emërtimi “shtet hibrid” apo “sistem hibrid”, pra sistemi a shteti në të cilin ekziston njëkohësisht një kornizë formale e shtetit shumëpartiak e demokratik me institucionet e veta të pavarura dhe ekziston një forcë politike, e cila i ka zaptuar (kapur) në një masë ato institucione. Pra, Kosova do të vendosej fare mirë brenda një përshkrimi të këtillë: ekzistojnë zgjedhje dhe Kuvend e institucione formalisht të pavarura si Prokuroria e gjykatat, por njëkohësisht ekziston kapja e këtyre institucioneve në një masë a tjetër nga ana e Partisë në pushtet (asaj që gjithherë është në pushtet, edhe kur nominalisht është në opozitë).

3.Anne Applebaum, historiane dhe gazetare konservatore amerikane, mund të ndihmojë, pa dashje, edhe më tej në të kuptuarit e asaj që po ndodh në Kosovë. Muajin e ardhshëm do të botojë një artikull në “The Atlantic” ku përpiqet të shpjegojë, si kërcënim se çka e pret Amerikën me se çka po ndodh në Poloni e Hungari, shtete anëtare të Bashkimit Evropian, demokraci shumëpartiake që prej shembjes së Murit të Berlinit. Këto tash janë “demokraci joliberale”, për të përdorur përshkrimin që i dha kryeministri i tanishëm hungarez, Viktor Orban, opsionit të vet politik, pra janë demokraci ku jodomosdo vlen i njëjti kut si në ato të konsoliduara të Evropës Perëndimore. Në këto demokraci joliberale, partitë në pushtet, shkruan Applebaum, pos nacionalizmit e ksenofobisë (që janë ideologjike, pjesë të së djathtës së skajshme) përdorin edhe leninizmin, diçka që gjithsesi vështirë të identifikohen me të djathtën, të skajshme a jo.

Sipas Applebaum, partitë në pushtet në Poloni dhe Hungari janë në përpjekje e sipër e të suksesshme për vendosjen e kontrollit mbi gjyqësor, media dhe në ambientin biznesor- drejt një shteti njëpartiak. Dhe, këtu kopjojnë leninizmin, ndonëse ideologjikisht deklarohen si të djathta.

“Për dallim prej marksizmit, shteti njëpartiak i Leninit nuk është filozofi. Është mekanizëm për mbajtje të pushtetit. Funksionon, sepse në formë të qartë definon se kush mund të bëhet elitë-elita politika, kulturore, financiare”. Në Poloni e Hungari, sipas saj, po tejkalohen 100 vjetët e kaluar të historisë. Në monarki elitat aristokratike janë caktuar nga lindja, në demokracitë perëndimore elita përcaktohet nga kompeticioni, gara zgjedhore, testet merikrotatike për qasje në arsim sipëror, shërbimi civil, tregjet. Shteti njëpartiak synon sërish me modelin bolshevik, por në kondita të demokracisë që përmbush kërkesat formale zgjedhore, që krijimi i elitave të kalojë nëpër Parti.

4.Kosova mund të thyejë një rekord zulmëkeq. Mund të marrë merita se ka filluar të ndërtojë “demokraci joliberale” para se të shpikej ai nocion, bile nja dhjetë vjet më herët. Mund të tregojë se Partia, e cila u lind me marksizëm-leninizëm, hoqi dorë nga ideologjia e Marksit dhe e para adoptoi kapitalizëm-leninizmin, sistem i tregut të lirë aq sa të pasurohet elita e re, e cila e bën këtë me kapje të përgjithshme të shtetit.

Dhe mund të tregojë se asnjë përshkrim i lirshëm intelektual për pasojat e shtetit të kapur, partiak, nuk është i ekzagjeruar. Siç dëshmon njëra prej shtyllave kryesore të identitetit kosovar, arsimi, që ngriti një popull drejt shtetësisë, ka mënyra se si e tëra mund të kthehet mbrapsht. Kur nxënësi kosovar, në shumicë absolute prej gati 80 për qind, nuk e kupton tekstin që e ka lexuar, e ka të garantuar avancimin shoqëror vetëm duke qenë student në Universitetin kur tri të katërtat e profesorëve nuk përmbushin kriteret për të qenë të tillë e pastaj për të hyrë në tregun e punës me një certifikatë tjetër, atë partiake.

Hanna Arendt, thotë Applebaum, që në vitet dyzet të shekullit të kaluar e përshkroi shtetin më të keq njëpartiak. Është ai që “detyrimisht zëvendëson të gjitha talentet e klasit të parë, pa marrë parasysh simpatitë e tyre, me ata dalldaukë dhe budallenj, mungesa e inteligjencës dhe e kreativitetit të të cilëve është garancia më e mirë e besnikërisë së tyre”.

Ky është sistemi i radhës: Sundimi i injorancës së përgjithshme./Koha.net

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Mati: 05/10/2018 10:08

    PO kush po flet ore,Kush po flet!?Nje prodhim sllav, Nje mendje sllave,Nje sherbetor me "besnikri qeni" qe nga katragjyshi, gjyshi,babi e axha "popullit i popullit", me nje tradite t e "lavdishme" familjare e personale.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Të paraburgosurit në burgun e Drenovës i gjendet celular

Të paraburgosurit në burgun e Drenovës i gjendet celular