Letërsi e angazhuar – arti politik në shekullin XXI

Letërsi e angazhuar – arti politik në shekullin XXI

Vepër e grafistit Clifford Harper

Prej kohësh lexojmë e dëgjojmë se artistët nuk duhet të bëhen mjete, vegla apo marioneta në duart e politikës. Po çfarë sugjerohet për këtë? Letërsi e angazhuar? Përsëri letërsi e angazhuar edhe në shekullin XXI…?

E angazhuar si, dhe në ç’drejtim? Letërsi e angazhuar politikisht, e vendosur kundër politikave dhe ngjarjeve aktuale? Letërsi e angazhuar, si përqeshje dhe satirë, humor i zi ndaj çështjeve sociale, ndaj temës së emigrantëve, ndaj rikthimit të histerisë së masave dhe pranisë së kampeve në Europë? Letërsi e angazhuar ndaj çështjeve gjinore, fobive, përndjekjes dhe persekutimeve të ndryshme që u mbartën nga shekulli XX drejt shekullit XXI, ndaj luftërave në Siri apo valës në rritje të fashizmit politik dhe kapitalizmit agresiv në vendet e Europës juglindore? Apo letërsi që shkruan të kundërtën e asaj që bën politika dhe institucionet, kur gabojnë?

Një letërsi që i kundërvihet asaj që shpesh njerëzit e besojnë verbërisht. Një letërsi rezistence, kundrejt asaj që është kthyer në cliché, kundër asaj që pranohet edhe pse nuk na pëlqen, ngaqë njerëzit janë thyer, ngaqë shpresat dhe besimi janë rrëzuar dhe të gjithë ndihen të lodhur, të zhgënjyer dhe të dorëzuar? Mos vallë angazhim do të thotë ngulmim i një autori ndaj të njëjtës çështje: angazhim ndaj lexuesit dhe ndaj zejes së shkrimit për të krijuar një vepër të mirë?


Vepër e grafistit Clifford Harper

Në kohë të ndryshme dhe në rende të ndryshme shoqërore termi angazhim në letërsi ka njohur disa kuptime, të cilat shpesh kanë qenë edhe të kundërta. Për Bashkimin Sovjetik, për shembull, angazhimi në letërsi kishte gjithmonë kuptimin e agjitacionit dhe propagandës në dobi të kauzës socialiste dhe simpatisë ndaj komunizmit.

Por pavarësisht këtyre, ekziston edhe një term i përpiktë që këtë letërsi e përkufizon tek letërsitë e angazhimit etik, shoqëror e politik. Ndonëse prirja dhe qëndrimi politik vërehet që me veprat e para të tragjedisë dhe komedisë greke, dhe madje, sipas disa studiuesve edhe teatri i Shakespeare-it, sidomos me Rikardin e III-të, është “një teatër politik” edhe kryevepra e George Eliot-it, Middlemarch po ashtu, termi “letërsi e angazhuar” lidhet me rastin kur shkrimtari e shpall haptazi dhe jo vetëm në forma letrare, përmes veprës, angazhimin e tij ndaj një çështjeje apo një kauze, të tilla si ato që u shfaqën menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore.

Në këtë rrjedhë u përfshinë sidomos shkrimtarët dhe filozofët ekzistencialistë francezë të gjysmës së dytë të shekullit XX, të cilët ofruan qasje intelektuale në trajtimin e çështjeve publike, për t’ia lëshuar vendin më vonë dramave realiste të Arthur Millerit, teatrit epik të Bertolt Brecht, komedive të Dario Fo apo autorëve si Selman Rushdie, Elfriede Jelinek, Harold Pinter, Carly Churchill, Ayn Rand, Jean Genet, Margaret Atwood, Jonathan Coe dhe shumë të tjerë.


Grafikë e Clifford Harper

Por letërsia e angazhuar nuk është një fenomen që i përket përjashtimisht kohërave moderne. Lista që mund të fillonte me Eskilin, për të kaluar në shekullin XIX me Anthony Throllop e për të vijuar me Ushtarin e mirë Shvejk të Jaroslav Hašek, pasurohet edhe me “Esetë” e Montaigne, shkruar me angazhim publik e qytetar shekuj më herët se të lindte termi “letërsi e angazhuar”.

Duke u kthyer pas në kohë sjell në vëmendje se ishin vetë shkrimtarët e shekullit XX ata që kërkuan ta veshin me qëllime veprën e tyre dhe të shtronin pyetjet nëse një vepër letrare duhet të jetë e dobishme (?) e nëse po, kujt duhet t’i shërbej kjo vepër(?).

Letërsia e angazhuar gjatë shekullit XX nuk ishte dhe as nuk mbeti thjesht një term. Ajo u realizua si një lëvizje, që kishte lindur në formë kundërvënieje ndaj autorëve të shekullit të XIX dhe fillimit të shekullit XX, të cilët e shihnin botën të distancuar kur vinte çështja e përballjes “realitet – art”. Ata nuk përfshiheshin fort në shoqëri, duke pëlqyer të mbeteshin “magjistarë të fjalës” apo “dëshmitarët me status të privilegjuar” artistik.

Qasja e tyre u braktis, sidomos me fillimin e Luftës së Parë botërore, duke e zhvendosur shkrimtarin drejt zhytjes në realitet, duke e përfshirë atë në “valët dhe vorbullat e jetës” dhe duke e nxitur të mbajë një qëndrim të caktuar dhe haptazi moral e publik lidhur me atë që ndodhte në shoqëri.

Mbeti pak vend për mbrojtësit e veçuar të vlerave humane dhe estetike, të cilët besonin se arti do ta shpëtonte botën. Mbeti pak hapësirë edhe për sogjetarin e vetmuar të shpirtit njerëzor. Llogoret e luftërave ishin ato që ndanë edhe pozicionet e autorëve. Nga tërheqja në botën e shkrimeve të tyre, nga kujdesi për të skalitur personazhet e vet, shkrimtarët e shekullit XX kaluan në aktivizëm qytetar dhe në përfshirjen publike mes njerëzve.

Lëvizjet për art të angazhuar kishin marrë nxitje edhe prej mendimtarëve, të cilët e plotësuan aktivizmin me mendim filozofik. Formalizmi, fenomenologjia, ekzistencializmi, strukturalizmi dhe poststrukturalizmi i dhanë shpjegim dhe baza teorike veprimit që kishte nisur ndërkohë.

Por nëse do të duhej që kronologjinë e kësaj forme të letërsisë ta fillonim me një emër, ndër më të parët do të ishte ai Jean-Paul Sartre. Ky autor ringjalli idenë e përgjegjësisë së madhe dhe thellësisht serioze që merr mbi vete shkrimtari ndaj shoqërisë në të cilën bën pjesë.

Përgjegjësia e shkrimtarit, sipas tij, mund të merrej në kuptimin e ngushtë, si angazhim i një pjesëtari të një kulture të caktuar, por edhe si angazhim ndaj forme të zhvillimit tëqytetërimit në përgjithësi. Kjo, pasi pyetjes retorike se “Çfarë është letërsia?”, Sartre i përgjigjet me fjalët se letërsia na hedh e përfshin në betejë dhe se të shkruarit është një mënyrë për ta dashuruar lirinë…”, por nga ana tjetër ai nuk e pranon mendimin e shpirtrave ushtarakë, duke kundërshtuar se littérature engagéeështë realizmi i vjetër socialist,nëse nuk është një ringjallje e populizmit, vetëm se më agresiv.

Lidhur me konceptin e letërsisë së angazhuar dhe, duke qartësuar pikëpamjet e tij mbi marrëdhëniet midis letërsisë dhe politikës e më gjerë, Jean-Paul Sartre, në tekstin shoqërues të Les Temps Modernes (1945), të cilin e shfrytëzoi për t’u shprehur ndaj littérature engagée, qortoi Marcel Proust për vetë-përfshirje të tepruar në tekst. Angazhimi i sugjeruar nga Sartre kuptohej si një sfidë morale dhe individuale e tij. Ky qëndrim përfshinte përgjegjësitë që merr autori, përshtatjen e sjelljeve publike që bën ai, përfshi këtu edhe format e shfaqjes së angazhimit, që nga pjesëmarrja në partitë politike e deri në drejtimin e shtypit, gazetave e revistave etj.

Më shumë sesa rekrutim apo rreshtim në formacione politike, bëhej fjalë për zgjedhjen e lirë të tij apo marrja e një qëndrimi për çështje të ndryshme politike. Por ajo që erdhi si produkt i asaj sjelljeje ishin qëllimet me dobi shoqërore. Angazhimi në letërsi, bënte fjalë për një kërkesë, një parim dhe një qëndrim. Është shkrimtari ai që vetëpërcaktohet, duke e ndjerë veten pjesë të një angazhimi në mënyrë të vullnetshme. Përveç J.P Sartre, shekulli XX solli emra të tjerë të letërsisë së angazhuar, si George Orwell, që shkroi romane kritikë mbi regjimet totalitare, Eugene Ionesco që, përmes figurës së rinoqerontit krijoi metaforën e totalitarizmit dhe përshkallëzimin e fashizmit në Europë, Albert Camus, që mbajti qëndrime të hapura ndaj konfliktit algjerian apo André Malraux, që denoncoi Luftën Civile spanjolle.

Pozicioni që zgjodhën autorët apo artistët që u përfshinë në lëvizjen për letërsi të angazhuar erdhi si në formën e një reagimi jo kundrejt diçkaje të paemërtuar, por kryesisht kundër artit për art. Formë e kësaj kundërvënieje është gjithashtu edhe shprehja kundër asaj forme arti ku artisti priret dhe ndihet më shumë i detyruar ndaj zejes letrare sesa ndaj lexuesit, komunitetit dhe shoqërisë.

Edhe letërsia shqiptare që u zhvillua pas vitit 1944 ka historinë e saj lidhur me angazhimin e arteve dhe artistit në shoqëri. Letërsisë iu kërkohej të ishte jo vetëm e angazhuar, por edhe letërsi e partishme, në shërbim të propagandës. Ky angazhim, i cilësuar si “tendenciozitet”, ishte shfaqur në formë kërkese që në vitin 1947, kur një artikull i Fadejevit u botuar në“Literatura jonë”. Ndër të tjera autori shprehte tezën se zor mund të gjenden artistë më tendenciozë seBalzak, Dickens apo dhe Mark Twain, të cilët e “demaskuan kapitalizmën”, qoftë përmes mendimeve të vetë autorëve apo përmes fjalëve të personazheve të tyre.

Në këtë këndvështrim letërsia shqiptare e atyre viteve trajtohet si një armë ideologjike, ndërkohë që dhe autorët mbeteshin thjesht militantë. Ndaj asaj letërsie u krijuan pritshmëri shoqërore e politike, madje iu hartuan plane e u caktuan detyra konkrete, siç shihet në fletët e revistës “Literatura Jonë” në vitin 1949, në artikullin me titull “Plani dyvjeçar i shtetit dhe detyrat eShkrimtarëve” Tridhjetë vjet më pas, në fjalimet e Enver Hoxhës Për letërsinë dhe artin, hidhet teza se “që të gjykohen veprat e një shkrimtari, bashkë me to duhet të gjykohet edhe aktiviteti i tij politik”.

Por paradigma pro dhe kundër letërsisë së angazhuar, që nisi nga Sartre në vitin 1948 me pyetjen “ç’është letërsia” dhe që vijoi drejt viteve ’50-’60 me “Nouveau Roman”, duke shpallur vdekjen e angazhimit letrar, pasoi me diskursin postmodern mbi “epokën e fundeve”, ku njeriu ka mbërritur “në fund të meta-rrëfimeve” (Lyotard), ku ka ardhur “fundi i historisë” (Fukuyama) si dhe “në fund të letërsisë.” (Demanze, Viart).

Sot, kur njeriu i është “nënshtruar doktrinave ideologjike”, duket se paradigma e formës së angazhimit letrar po rikonceptohet. Përmes eseve, poezive, teksteve nonfiction, vërehet një formë ndryshe e shfaqjes së kundërshtimit, e refuzimit kritik, që i rri disi larg formulës së angazhimit të Sartre. Por lexuesi, nga ana tjetër, së paku gjatë dekadës së parë të shekullit XXI, po dëshmon se ka më tepër etje për informacion sesa për letërsi, të angazhuar apo jo. Sidoqoftë, forma të angazhimit vërehen gjithmonë e më shumë në poezi dhe sidomos në “teatrin politik”, që herë pas here e shohim të shfaqet edhe në skenat shqiptare.

Por a ka letërsia ndonjë rol a ndonjë qëllim tjetër më të lartë, përtej argëtimit?, do të pyeste Mario Vargas Llosa disa vite më parë. Për të mos e shfaqur haptazi pesimizmin lidhur me kalimin e artit thjesht në zbavitje, disa nga tekstet që botohen në këtë numër të revistës paraqesin forma të reja të angazhimit moral dhe qytetar në kontekste të tjera shoqërore, për të kundërshtuar banalitetin e së keqes dhe të keqen vetë, përmes letërsisë dhe shkrimit kushtuar idealeve që mbijetuan me shekuj, më së shumti lirisë.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët