Ligji i ri/ Ja si do zbatohen vendimet e Strasburgut për pronat

Përcaktohen për herë të parë rregullat dhe procedurat për zbatimin e vendimeve dhe urdhrave të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, kryesisht për çështjen e pronave, por edhe për mosmarrëveshje të tjera mes shqiptarëve dhe shtetit të tyre. Deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni, ka depozituar një projektligj në Kuvendin e Shqipërisë, i cili ndryshon ligjin për Avokaturën e Shtetit. Projektligji i depozituar nga deputeti socialist është hartuar nga një grup pune i përbërë nga ekspertë të nivelit të lartë, nga përfaqësues të opozitës, përfaqësues të Gjykatës së Lartë dhe Avokaturës së Shtetit. Nisma pritet të shqyrtohet dhe miratohet gjatë javëve në vijim nga Parlamenti.

Zbatimi i vendimeve
Përpos të tjerave, nisma ligjore, në nenin 14, parashikon autoritetin që do të zbatojë vendimet e Strasburgut, bashkë me rregullat dhe procedurat. Në këtë nen përcaktohet Avokatura e Shtetit si organ përgjegjës për ndjekjen e procedurave për zbatimin e vendimeve të Strasburgut pro ose kundra shtetit shqiptar, brenda një afati 3-mujor. “Avokatura e Shtetit nëpërmjet Agjentit Qeveritar është organi që vë në lëvizje procedurën e ekzekutimit të vendimeve ose urdhërimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Vendimet e formës së prerë të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut ekzekutohen, nga institucionet që kanë detyrimin për ekzekutim, brenda afatit 3 mujor nga momenti kur vendimi i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut ka marrë forme të prerë”, parashikon nisma ligjore. Po ashtu, Avokatura e Shtetit përcjell aktet në institucionet që kanë detyrimin për ekzekutim brenda 15 ditëve kalendarike nga dita e njoftimit të vendimit të formës së prerë. Deri më tani, në legjislacionin shqiptar, nuk ka ekzistuar një rregull i shkruar për mënyrën e zbatimit të vendimeve të Gjykatës së Strasburgut. Ekzekutimi i vendimeve të Strasburgut, si detyrim që vjen nga nënshkrimi i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, është bërë sipas një praktike e ndjekur në vite, por pa pasur parashikime ligjore, çka ka sjellë vonesa në ekzekutimin e vendimeve të formës së prerë.

“Nga praktika e ekzekutimit të këtyre vendimeve, në shumë raste tejkalohet afati 3-mujor për ekzekutimin. Kjo vjen si rrjedhojë e mospasjes së një procedure përgjegjëse të përcaktuar qartë në legjislacion për ekzekutimin e tyre”, thuhet në relacionin shpjegues të projektligjit. Gjithashtu, në projektligj përcaktohet për herë të parë e drejta e avokatëve të shtetit për të kërkuar kostot e përfaqësimit për dhënien e ndihmës juridike. Në rast se, pala kundërshtare përballë institucionit publik të përfaqësuar nga Avokatura e Shtetit e humb çështjen gjyqësore dhe i ngarkohen me vendin gjyqësor të formës së prerë shpenzimet gjyqësore, tarifa e shërbimit të përfaqësimit gjyqësor të institucionit publik derdhet në buxhetin e Avokaturës së Shtetit.

Ndryshon varësia
Projektligji i hartuar nga ekspertët e nivelit të lartë dhe i depozituar në Kuvend nga deputeti Alket Hyseni parashikon që Avokatura e Shtetit kalon nga Ministria e Drejtësisë në varësi të Kryeministrisë. Ky ndryshim argumentohet me shkurtimin e hallkave të panevojshme që pengojnë veprimtarinë e Avokaturës së Shtetit. “Qenia në varësi të kryeministrit mundëson kontroll dhe komunikim të drejtpërdrejtë të kryeministrit për realizimin e politikave të shtetit. Shkurtimi i hallkave të panevojshme dhe që vonojnë proceset e Avokaturës së Shtetit do të zgjidhte problematika të cilat janë vërejtur në veprimtarinë dhe rezultatet në lidhje me mbrojtjen e interesave pasurore të shtetit. Veprime të caktuara, të cilat janë në funksion të zbatimit të detyrave që burojnë nga politikat e shtetit mund dhe duhet të miratohen drejtpërdrejtë nga Këshilli i Ministrave, i cili është subjekti kushtetues përgjegjës”, thuhet në relacion.

Si do zbatohen Vendimet e Gjykatës së Strasburgut
Neni 14

I. Avokatura e Shtetit nëpërmjet Agjentit Qeveritar është organi që vë në lëvizje procedurën e ekzekutimit të vendimeve ose urdhërimeve të Gjykatës Evropianë të të Drejtave të Njeriut.

2. Avokatura e Shtetit në përputhje me legjislacionin në fuqi kërkon nga institucionet kompetente vënien në ekzekutim të urdhërimeve që përmban vendimi i formës së prerë apo vendimi i ndërmjetëm i Gjykatës Evropianë të të Drejtave të Njeriut.

3. Avokatura e Shtetit në aktet që përcjell evidenton ndër të tjera vendimin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut që vihet ne ekzekutim, identitetin e aplikantëve, llojin dhe masën e urdhërimit të vendimit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe institucionet që kanë detyrimin për ekzekutim ose mbikëqyrin ekzekutimin e vendimit.

4. Avokatura e Shtetit përcjell aktet në institucionet që kanë detyrimin për ekzekutim, brenda 15 ditëve kalendarike nga dita e njoftimit të vendimit të formës së prerë të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe menjëherë nga momenti i vënies në dijeni për vendimet e ndërmjetme të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

5. Në rastet kur masat që duhen marrë në zbatim të vendimit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë të paqarta Avokatura e Shtetit i rekomandon organeve kompetente marrjen e masave të caktuara.

6. Vendimet e formës së prerë të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut ekzekutohen nga institucionet që kane detyrimin për ekzekutim, brenda afatit 3 mujor nga momenti kur vendimi i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut ka marrë formë të prerë.

7. Vendimet e ndërmjetme të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut ekzekutohen, nga i institucionet që kanë detyrimin për ekzekutim brenda afatit të përcaktuar në vendimin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe kur del e nevojshme nga rrethanat, sipas udhëzimeve të Avokaturës së Shtetit.

8. Ekzekutimi financiar i vendimeve të Gjykatës Evropianë të të Drejtave të Njeriut përmbushet drejtpërdrejte nga Ministria e Financave, pas përcjelljes së akteve nga Avokatura e Shtetit.

9. Ministria e Financave ruan të drejtën për të kërkuar më padinë ë kthimit shumën e lëvruar në zbatim të vendimit të Gjykatës Evropianë të të Drejtave të Njeriut, nga personi rizik ose juridik përgjegjës për shkaktimin e shkeljes.

10. Organet dhe punonjësit që ekzekutojnë vendimet sipas këtij ligji, janë të detyruar të ushtrojnë me korrektësi kompetencat dhe detyrat e ngarkuara, në përputhje me vendimet, urdhërimet dhe afateve proceduralë të Gjykatës Evropianë të të Drejtave të Njeriut.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Pronaret: 13/09/2018 08:20

    Thuhet ne nje shprehje te urte popullore:" Hiqa lenes vurja prenes",ky eshte ligji i Alket Hysenlliut,grabitesi i tokeve te pronareve ne bregdet.Mazhoranca ka hubumbur si Xhaferri Simiten,sjell verdall pronaret,ndersa ndrikulla Opozit e Lul bashes ska kohe te meret me pronaret se meret me vetveten!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Meta e nis ditën vrullshëm, bën palestër me pesha të rënda dhe premton: 4 milionë shqiptarë plus

Meta e nis ditën vrullshëm, bën palestër me pesha të rënda dhe premton: 4 milionë shqiptarë plus