POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Dëshmi historike/ Listat e viktimave nga masakrat e Zervës në Çamëri

Lista e viktimave të çamëve

Enver Kushi sjell dy dëshmi të tragjedisë çame, që përmbajnë emrat e të masakruarëve çamë nga bandat e kriminelëve të Napoleon Zervës. Lista përmban emrat e pleqve e grave të masakruara e të humbura; emrat e të marrëve e sakatëve të masakruar dhe emrat e familjeve të zhdukura dhe të masakruara gjatë 1944-1945.

1. Dëshmi të listave të dhimbjes

Në vitin 2007, kur merresha me projektin dhe realizimin e veprimtarive kushtuar historisë dhe kulturës së Çamërisë, z. Hilmi Saqe, më solli për të ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar, ca fletë të zverdhura nga koha. Ato ishin të fotokopjuara. Me duart që më dridheshin dhe me shikim të turbulluar (pse ta fsheh nga lotët), i shfletova disa herë dhe i lexova me dhimbje ato fletë. Ato nuk janë as kujtime,  as kronika  të tragjedisë Çame, as të dhëna për masakrat e viteve 1944-1945. Ato janë më shumë se kujtime, më shumë se kronika individësh, më shumë se raporte të shtabeve të Luftës se Dytë Botërore në Çamëri. Ato janë lista me emrat e të masakruarve. Nuk janë të plota. Janë një pjesë (vetëm 13 faqe). Duhet të kenë qenë qindra faqe, sepse diku në fund të tyre, dallohen numrat 105, 106, të faqeve. Krahas tyre, z. Hilmi Saqe, më dha edhe një listë tjetër,  ku janë shënuar emrat e atyre që kanë deponuar për masakrat në Paramithi, Pargë, Filat, Spatar, Vola, Vërselë, Smarte. Ndoshta këta apo edhe të tjerë kanë dhënë edhe emrat e të masakruarëve çamë nga bandat e kriminelëve të Napoleon Zervës. Ç`përmbajnë këto lista:

Fëmijë të masakruar nga forcat zerviste gjatë 1944-1945.

1.  Emrat e pleqve e grave të masakruara e të humbura gjatë 1944-1945.

2.  Emrat e të marrëve e sakatëve të masakruar gjatë 1944-1945.

3.  Familje të zhdukura dhe të masakruara gjatë 1944-1945.

Dhimbja dhe kuja është në çdo emër të këtyre listave, por më ulëritëse ato janë në listën e parë, ku përfshihen 64 emra fëmijësh të moshave nga 1 deri në 12-14 vjeç. Mes tyre është edhe fëmija me numrin 42, i quajtur Nail Gjinika nga Margëllëçi, vjeç 13. Përbri këtij emri është edhe ky shënim i veçantë: pjekur në furrë. Vetëm kaq, që menjëherë të të mbahet goja, vështrimi të turbullohet dhe të ringjallet kujtesa tragjike e mijëra çamëve, për të trokitur në ndërgjegjen e trazuar të fqinjit tonë të jugut.

Vetëm kaq për të sjellë ndër mend edhe gjykimet objektive të ndonjë historini grek, siç është Niko Zhangu, i cili për tragjedinë e popullsisë çame dhe masakrat e bandave kriminale të Napoleon Zervës shkruan: “Duhet të shikojmë fytyrën tonë në pasqyrën e historisë dhe të na vijë turp për ato që u bënë, sepse nuk janë në karakterin e popullit tonë”.

Duke u larguar me dhunë nga trojet stërgjyshore, çamërit e të gjithë moshave, fiksuan në kujtesën e tyre imazhet e tmerrshme të tragjedisë, pamjet makabre të krimeve të banditëve zervistë, e cila është transmetuar nga brezi në brez me një vërtetësi të habitshme. Pamjet e qiellit, retë, shirat,  erërat, ngricat e dëbora apo ditët e nxehta, imazhet e shtëpive të djegura, brigjet e detit, ujërat e turbullta të lumenjëve Kalama dhe Aheron, shtigjet dhe monomatet nga kanë kaluar, zërat e viktimave të pafajshëm, kokat e prera, kalldrëmet e  përgjakura, gjymtyrë të flakur nëpër kanale, gra shtatëzëna me barqe të çara etj, etj, përbëjnë kujtesën e dhimbjes çame.

Asnjë ligj i botës, ka shkruar shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, asnjë formim kulturor nuk mund t`i bëjë njerëzit të mos kenë kujtesë e aq më pak, të mos kenë nostalgji. Është një dhembje që nuk ikën ngaqë dikush e shpall të paligjshme. As duke bërë sikur nuk e di, aq më pak, kur sillesh pa nderim ndaj saj.

2. Dëshmi e dhimbjes në vargje

Këto ditë, duke kërkuar në dosjet e arkivit tim modest për Çamërinë, gjeta të fotokopjuar vjershën “Sanije Bollati” , shkruar nga Gjergj Komnino dhe botuar në gazetën “Zëri i Çamërisë”. Gazeta në fjalë ishte organ i Komitetit Antifashist të Emigrantëve Çamër në Shqipëri dhe u botua vetëm në disa muaj,  duke nisur nga gjysma e dytë e vitit 1945. Në faqet e kësaj gazete Gjergj Komnino ka publikuar disa nga krijimet poetike më të dhimbshme kushtuar tragjedisë çame si “Paramithi, Paramithi”, “Rruga e kthimit”, “Sanije Bollati”. Do të duhej një studim i veçantë kushtuar jetës dhe veprës së Gjergj Komninos, që siç shkruan shkrimtari durrsak Shpend Topollaj, ishte “diplomuar jasht shtetit, ku kish mbrojtur shkëlqyeshëm diplomën me një studim për Luixhi Pirandelon. Këtë intelektual, në damarët e të cilit “ rridhte gjak princësh e deri perandorësh”, këtë antifashist të orëve të para, regjimi komunist do ta burgoste Agim Musta në librin “Mandelët e Shqipërisë”, mes të tjerash, kujton edhe fjalët e Komninos: “ Më dënuan me vdekje më 1956 –ën. Gjashtë muaj duke ngrënë si qeni, në koritë, gjashtë muaj me duar e këmbë të lidhura me hekura, gjashtë muaj duke urinuar në tesha, gjashtë muaj ….“

Le të rikthehemi te poezitë e Gjergj Komninos kushtuar tragjedisë çame. E përbashkëta e tyre është dhimbja e skajshme dhe tragjizmi deri në ulërimë. Poeti duket se është njohur nga afër me plagën çame dhe trupin e sfilitur të Çamërisë. Ai është bërë pjesë e kësaj tragjedie dhe duket sikur edhe trupi i tij është me plagë që ende rrjedhin gjak. Mendoj se poezia “Sanije Bollati” është nga më tragjiket. Atmosfera është danteske. Duket, se ajo flet në boshllëk diku mes tokës e qiellit. Ka 37 vargje dhe në fund një sqarim për lexuesin: “ Sanije Bollati është një viktimë e monarko- fashistëve grekë, të cilët e dogjën pak nga pak dhe e masakruan tmerrisht”.

Kush është Sanije Bollati? Ka lindur në qytetin e Paramithisë, bijë e një prej fiseve të hershme të këtij qyteti (ku ndodhjet ende në këmbë kulla e Bollatatëve) dhe martuar po në këtë qytet në familjen Nuri. Është me interes për lexuesin të bëj të njohur deklaratën noteriale të Fadil Nurit, që mban datën 26 janar 2005, lindur në Paramithi në vitin 1935 dhe është biri i Sanije Bollatit . Po citoj një pjesë të dëshmisë e tij, marrë nga Z. Ilmi Saqe dhe vërtetuar nga noterja Ruko Sako: “Nëna kishte në djep motrën 6 muajshe, Dilenë dhe shkon në banjë për të marrë ndresat e motrës, por kriminelët e djegin. Nëna del nga banja duke u djegur gjithë flakë. Unë fillova të qaja me të madhe, duke parë nënën që i digjej gjithë trupi flakë. Një zervist më qëllon dhe më shtynë nga kati i dytë dhe më rrëzon nëpër shkallë, duke u vrarë dhe coptuar . U mbusha tërë gjak nga plagët që mora. Kjo shenjë që kam në ballë është nga këta kriminelë. Nëna vazhdonte të digjej, deri sa humbi ndjenjat. Ajo është përcëlluar komplet, mishrat e trupit ishin nxirë dhe vende- vende kullonin gjak. … Buzët ishin djegur,  dhëmbët ishin përjashta. Nga djegia trupi ishte rrudhosur dhe tkurrur. Ishte një pamje lemeritëse. Ajo pamje më ka shoqëruar dhe do të shoqërojë deri sa të rroj…. Kriminelët vranë në djep edhe motrën, Dilenë 6 muajshe…..”

Dëshmia e lartpërmendur, e pashembullt në kanibalizmin e bandave zerviste ndaj popullsisë të pafajshme çame, më sjell ndërmend, mes të tjerave, thënien e historianit objektiv grek: Niko Zhangu “Duhet të shikojmë fytyrën tonë në pasqyrën e historisë dhe të na vijë turp për ato që u bënë , në Thesproti sepse nuk janë në karakterin e popullit tonë”.

Të njëjtën mendim ka edhe historiani bashkëkohor grek Jorgos Margaritis, i cili në librin “Bashkëpatriotë të padëshiruar”, shkruan për Paramithinë që më 27 qershor 1944 “ qyteti u kthye në thertore…. Rreth pesëqind persona u vranë me mënyrat më çnjerëzore. Keqtrajtimi i përgjithshëm i grave dhe rrëmbimi i pasurisë, e plotësonin këtë kuadër”.

Me këtë rast i bëjmë një thirrje opinionit të shëndoshë grek: Etërit tuaj të mëdhenj të lashtësisë, ata që i dhanë një dimension tjetër më pas kulturës botërore, në tragjeditë e jashtëzakonshme që shkruan trokitën fort në ndërgjegjen e bashkëkohësve dhe brezave, duke bërë katarsis. Hiri i trupit të vdekur të Sanije Bollatit në Paramithinë martire është akoma jashtë, pakallur në dhe. Të pakallur në dhe janë edhe eshtrat e pleqve , burrave e grave apo femijëve masakruar barbarisht nga bandat famkeqe të Napoleon Zervës. Në emër të atyre shpirtërave që nuk gjejnë qetësi, të paktën lejonani t’u vëmë nga një trëndafil atje ku janë: në viset tragjike të Çamërisë tonë.

Kjo poezi u flet.  Zëri që del nga shkrumbi i trupit të zhuritur të Sanije Bollatit, ju flet. Dëgjojeni këtë zë dhe atë të poetit Gjergj Komnino!

Dokumenta, lista e viktimave të çamëve

ke.mu./b.ha.
Komento