‘Relacionet’ e Zamputit, rikthehet
kryevepra për Shqipërinë 1610-1650

‘Relacionet’ e Zamputit, rikthehet<br />kryevepra për Shqipërinë 1610-1650<br /><br>
20 vjet më parë, më 28 shkurt të vitit 1998, u nda fizikisht nga familjarët, të afërmit dhe miqtë, historiani, shkrimtari, përkthyesi, etnologu, arkivisti, filologu, paleografi dhe diplomatisti; dijetari i pazakontë Injac Zamputti. Humbja e këtij njeriu përveçse një humbje njerëzore, shënon në vetvete humbjen e njeriu të madh në të gjitha përmasat, posaçërisht për dijen albanologjike. Puna e tij e jashtëzakonshme lidhur me traskriptimin, përkthimin dhe botimin e dokumenteve për Shqipërinë e shqiptarët ka lënë gjurmë të thella në historiografinë shqiptare.

Pikërisht në përvjetorin e 20-të të ikjes së tij, Albanisches Institut dhe Shtëpia botuese “Faik Konica”, morën përsipër për t’a përkujtuar dhe nderuar Injac Zamputtin me ribotimim e kryeveprës së tij monumentale dokumentare të botuar së pari në Tiranë para më shumë se 50-vjetësh, me titullin: “Relacionet mbi gjendjen e Shqipërisë veriore e të mesme në shekullin XVII“, vëllimi I (1610-1634) më 1963 dhe vëllimi II (1634-1650) më 1965, nga Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë. Tre vjet më parë (2015), ishin po të njëjtë botues të cilët botuan “Dokumente për historinë e Shqipërisë (1623-1653)“, vepër të cilën autori e kishte lënë në dorëshkrim e që me të drejtë do të kishte mbajtur titullin “Relacione III”.

[gallery]25722[/gallery]
Ajo që kemi mundur të mësojmë është se fotokopjet e këtyre dokumenteve të nxjerra nga Arkivi Historik i Propagandës Fide, Zamputti ia kishte parë mbi tryezë eprorit të tij që drejtonte Sektorin e Historisë së Mesjetës, Prof. Aleks Budës, të cilit duke i vënë në dukje rëndësinë që kishin ato dokumente, ia kërkoi që t’i përkthente si punë suplementare në shtëpi. I gjithë materiali dokumentar i këtyre dy vëllimeve me relacione është përthyer e përgatitur për botim për një vit e gjysëm punë  në vitet 1955-1956, duke filluar punë çdo mëngjes nga ora tre ose tre e gjysëm për të vazhduar deri sa zgjoheshin fëmijët ; aty në tavolinën e bukës në kuzhinën e apartamentit të tij të ngushtë në Tiranë. “Relacionet“, vepër që sikurse e përmendëm më sipër ishte botuar më parë në dy vëllime, kësaj here vjen si botim i përmirësuar me disa risi qoftë të natyrës së kompozimit editorial, qoftë edhe atij redaktorial. Po cilët janë këto ndryshime?

Për studiuesit dhe specialistët e fushës, por edhe për lexuesin e zakonshmëm që është njohur me botimin e parë, ndryshimi vjen që në titull, i cili është është ngjeshur disi, por duke ruajtur termin “Relacione” dhe periudhën kohore në të cilën janë përfshirë dokumentet (1610-1650). Mendojmë se titulli më i drejtë i këtyre vëllimeve do të duhej të ishte: Relacione të vizitave baritore dhe letërkëmbimi i klerikëve nga Shqipëria në shek. XVII (1610-1650). Një ndryshim tjetër vjen në këtë botim, krahasuar me botimin e parë është sepse titulli është vënë edhe në gjuhën italiane, përveçse atij në gjuhën shqipe, për t'u bërë i përshtatshëm për publikun e huaj, kryesisht atë italian, ngaqë dokumentet orgjinale janë në dy gjuhë, pra shqip e italisht, kështu me të drejtë është gjykuar që titulli të jetë po ashtu dygjuhësh.

Është një botim “anastatik” (në kuptimin e botimit të plotë besnik të tekstit autentik të botimit të parë), por me ndryshimin se dy vëllimet janë botuar në një vëllim të vetëm, e kjo është gjykuar nga botuesi për lehtësi dhe komoditet për përdoruesit. Vëllimi i parë ka 39 dokumente gjithsej, 16 prej të cilëve janë relacione, 19 janë letra 1 informacion, 2 janë dëshmi dhe 1 është pasqyrë. Vëllimi i dytë ka 114 dokumente nga të cilët 19 janë janë relacione, 75 janë letra dhe 20 janë të tjera si 3 dëshmi, 1 pasqyrë, 1 urdhëresë 8 lutje, 1 dëftesë, 1 informacion, 3 kërkesa 1 promemorie dhe 1 interdikt.

Vëllimi është një përmbledhje e relacioneve (relationes), të vizitave baritore të dërguara Propagandës Fide nga ana e ipeshkvinjve, arqipeshkvinjve dhe vizitatorëve apostolikë, misionarëve rregulltarë apo klerit shekullar në dioqezat përkatëse të Shqipërisë si ato të Marin Bicit (1610), Domenik Andreasit (1623), Gjon Kolesit (1625), Pjetër Mazrrekut (1623-1924 dhe 1633), Benedikt Orsinit (1629), Gjergj Bardhit (1632, 1634, 1636, 1638/1639, 1641-1642), P. Bonaventura da Palazzolo (1636), Fra Kerubinit (1638), Françesk Leonardit (1638), Frang Bardhit, (1637, 1938, 1941), Mark Skurës  (1641 dhe 1644/1650) Jacint Sospello (1650), Grigor Mazrrekut (1650)., etj, si dhe letërkëmbimi i tyre me po të njëjtin digaster. Në relacione jepen të dhëna mjaft të rëndësishme mbi infrastrukturën kishtare, sikurse mbi pozicionin gjeografik, vendndodhjen dhe shtrirjen e dioqezave, gjendjen e kishave katedrale, numrin e famullive, vendosjen topografike të famullive dhe kishave, si dhe emërtimin e së cilës prej tyre. Nga këto relacione, për kishat rrënoja në gjendjen e sotme, mësojmë emrin e pajtorit, të cilit i është kushtuar kisha, meshtarin ose famullitarin që e mbarështonte, gjendjen fizike të saj, gjendjen dhe të ardhurat ekonomike; pronën (toka dhe livadhe), të ardhurat nga vreshtat dhe bagëtitë, të dhëna mbi taksat dhe inventarin e pajisjeve dhe orendive kishtare, elterit, petkave të meshës, mbishkrimet, reliket, objektet e vjetra, pikturat, jetën fetare, arsimore, kulturore shoqërore e politike të klerit, numrin dhe përbërjen demografike të popullsisë, cilësinë e shërbimit baritor përmes drejtimit dhe administrimit të sakramenteve sipas Ritualit Romak (pagëzimi, krezmimi, kurora e martesës, vajimi i shenjtë) si dhe regjistrimi i tyre në regjistrat kishtarë përkatës etj. Aty janë trajtuar gjendja e shkollimit të kandidatëve të thirrur për meshtarë (xhakonë), bestynitë, çrregullimet martesore (konkubinati), kamatat, çështje doktrinale të besimit nën dritën e Konçilit të Trento-s apo të zbatimit të kalendarit të ri gregorian etj., si dhe plot konsiderata të përgjithshme, një lloj përshkrimi ky panoramik mbi Shqipërinë në përgjithësi, si dhe marrim vesh:

1-gjendjen e rëndë politiko - fetare, social – ekonomike, arsimore e morale, si rezultat i sistemit të rëndë të taksave, si pasojë e të cilave, një pjesë e mirë e popullsisë e lëshoi fenë e u konvertua në islamizëm për arsye të diskriminimit juridiko - administrativ apo ekonomik.

2-numrin e pakët të klerit (ipeshkvinjve, meshtarëve, rregulltarëve), si dhe nivelit të ulët kulturor dhe shpirtëror të tij, për shkak të pamjaftueshmërisë së përgatitjes së tij arsimore.

3-gjendjen e rëndë ekonomike dhe financiare të kishave, famullive dhe strukturave kishtare e ipeshkvore, si rrjedhojë e grabitjeve të bëra nga ana e turqve.

4-mosmarrëveshjet e vazhdueshme midis ipeshkvinjve për çështjet të kufijve kishtarë mes dioqezave apo juridiksionit kishtar mbi famullitë.

Vëllimet e relacioneve të botuara në vitet 1963 dhe 1965, tekstin origjinal të transkriptuar dhe përkthimin e tyre e kanë në dy faqe krah njëra-tjetrës, ndërsa në këtë ribotim janë sjellë në të njëjtën faqe, në dy shtylla, ashtu si në të gjitha vëllimet e mëvonshme të dokumenteve. Kjo është bërë për të respektuar traditën e nisur nga botimet e dokumenteve të nisur nga Giuseppe Valentini e Injac Zamputti në revistën “Leka”, traditë e cila është ndjekur edhe në botimin e mjaft dokumenteve në “Buletinin e Shkencave Shoqërore”, e që u ndoq në botimet e mëvonshme të Zamputti-t, por çuditërisht në botimin e “Relacioneve” nuk qe i tillë. Kjo metodë botimi përbën edhe një lehtësim për studiuesit, kur atyre u duhet duhet t’i referohen dokumenteve të këtij botimi, sepse çdo referim apo citim korrespondon me të njëjtën faqe në të dyja gjuhët, si në origjinalin italisht, ashtu edhe në përkthimin shqip, me ndonjë përjashtim kur teksti për arsye të natyrës përkthimore të gjuhës sikurse dihet, në ndonjë rast nuk mund të kufizohet në të njëjtët kofiçientë fizikë.

Po ashtu në këtë ribotim janë bërë edhe ndreqjet e nevojshme të gabimeve dhe plotësimet e duhura që në botimin e parë ishin vendosur në fund të secilit vëllim.

Shënimet e shumta dhe mjaft të çmuara të cilat shoqërojnë dokumentet, qoftë ato italisht, qoftë ato shqip, e që në botimin e parë ishin vendosur në fund të secilit vëllim, në botimin e ri janë vendosur në fundfaqe me numër progresiv rritës.

Për historinë e albanologjisë Eqrem Çabej (1908-1980) dhe Injac Zamputti do të themelonin dy „shkollat“ e tyre përkatëse; shkollën filologjike dhe atë të diplomatikës. I pari në vitin 1959 me “Tekstet e vjetra shqip dhe disa kritere rreth botimit të tyre”, dhe i dyti në vitin 1963 me „Parathanie-n“ e „Relacioneve“. Parathënia e “Relacioneve”, edhe pse jo i shkruar për qëllime të njëmendta të formulimit të metodës paleografike, e që do të përbënte elementët bazikë të një prontuari paleografik, ka pasur dhe ka ende vlerën e një minimanuali të vogël metodologjik dhe përbën një vade mecum për diplomatikën shqiptare.

Injac Zamputti e nxori historinë e Shqipërisë të periudhës së sundimit të zymtë osman (shek. XVI-XVIII), nga kronikat provinciale, thuajse të panjohura e të shpërndara andej-këndej ndër burime të pakta dokumentare të drejtpërdrejta dhe të tërthorta, duke e shndërruar atë në një seri të plotë dokumentare, unike e të munguar për këtë periudhë historike, seri e cila shkëlqen jo vetëm për nga sasia por mbi të gjitha për nga cilësia e saj. Udhëtimi i tij në një tokë djerrë dhe të pashkelur më parë, e cila që me vdekjen e Gjergj Kastriotit (1468) dhe rënien e Shkodrës (1479), rëndom konsiderohej si një periudhë 5 shekullore e humbur, apo e thënë ndryshe “periudhë e errësirës”, që gjithsesi kishte “prodhuar” historinë e saj,  rezultoi jo vetëm frutdhënës, por mbi të gjitha themelor në shkrimin e historisë së popullit shqiptar për këtë periudhë kohore. Vepra dokumentare dhe studimore e Injac Zamputti-t ia arriti të provojë qartazi se përkundrejt frakturës së rëndë politike-ekonomike dhe kulturore që kreu pushtimi osman, ai nuk arriti të bënte atë që pretendonte e pretendon të bëjë historiografia ballkanike; orientimin ideologjik i periudhës së regjimit komunist (1945-1990) dhe tash së voni edhe disa qyqarë të sevdasë neootomane, të kontaminuar me përbërës ngjyrosës nga shkretëtirat arabike, të cilët kishin dhe kanë si shumatore të përbashkët mendimin që e konsideronte kinse këtë periudhë si një shkëputje e pakthyeshme e lidhjeve të botës shqiptare me botën perëndimore, që rrekej në fund të fundit t’a zhvendoste e t’a paraqiste Shqipërinë në Lindje. Dokumentacioni që pruri Zamputti tregoi qartë se shqiptarët pavarësisht bindjeve fetare (katolikë ose ortodoksë, apo më pas duke marrë fenë e pushtuesit e duke u konvertuar me dhunë apo për privilegje në myslimanë), edhe përgjatë kësaj periudhe “përgjumjeje”, vijonin të ishin të orientuar nga Europa, jo thjesht si një alternativë e detyruar nga nevoja, por mbi të gjitha se ata e shihnin dhe e shohin edhe sot këtë orientim si një ndjesi dhe njëkohësisht si një përkatësi identitare. Këtë e tregon qartazi dokumentacioni i kohës i përcjellë nga Injac Zamputti, prej të cilit merret vesh se shqiptarët janë në komunikim dhe marrëdhënie të ngushtë me Republikën e Venedikut e Republikën e Raguzës, me Mbretërinë e Napolit, me Mbretërinë e Spanjës dhe Selinë e Shenjtë. Këtë barrë përgjegjësie shkencore, fati e deshi ta ndërmerrte vetiu mbi shpatulla këtu e gjashtëdhjetë vjet më parë një dijetar i tillë, më një profil elitar për të cilin familja puna dhe atdheu ishin si uji, ajri e zjarri, përmes të cilëve ai përballoi, trysninë intelektuale të një monodrame vetmitare e cila nuk e ligështoi, nuk e demoralizoi dhe nuk e dëshpëroi për asnjë çast të vetëm, por i dha mundësinë të gëzojë me modestinë që e karakterizonte për gati nëntë dhjetëvjeçarë frymën dhe corpin e paqtë që frymonte bota e tij e pasur e shpirtit. Me të drejtë ka theksuar historiani Pëllumb Xhufi se “....falë tij, [Injac Zamputti-t, shënimi im K.M], historia e Shqipërisë në shekujt e sundimit osman mbeti një histori evropiane dhe nuk u katandis në një kronikë provinciale otomane.”

Kontributi dhe trashëgimia e tij e pasur shkencore pranë Institutit të Shkencave dhe atij të Historisë, përfshin pjesën më të madhe të dokumentacionit të shekujve XV-XVII, (tre shekujt të parë të sundimit osman), dhe veçanërisht dokumentacionit kishtar të kësaj periudhe. Këtë dokumentacion ai e transkriptoi, përktheu, komentoi në trajtën e një korpusi dokumentar në dhjetë vëllime, përgatitur me një akribi të rrallë shkencore dhe botuar nën logon e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Institutit të Historisë, vëllime të cilat janë ende të pakalueshme dhe përbëjnë serinë themelore të burimeve për historinë e Shqipërisë të botuara në Shqipëri.

Si burime kryesor i studimit hulumtues për gjetjen e dokumentacionit dhe më pas përpunimit dhe seleksionimit të tij, i kanë shërbyer vjeljet e kryera nga fondet jashtëzakonisht të pasura të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, e cila ka ndërmjetësuar sigurimin përmes praktikës së huazimit apo mikrofilmimit të botimeve të rralla nga bibliotekat e huaja apo botime dhe dokumente të mikrofilmuara që i kishte biblioteka dhe Arkivi i Instituti i Historisë, ardhur përgjithësisht nga Arkivat e huaja, të cilët ia vunë në dispozicion autorit, ndërkohë që pjesa tjetër përbëhej nga materiale të pabotuara që ruheshin në Arkivin Qendror të Shtetit, si pjesë nga fondet dokumentare të konfiskuara nga nga shteti komunist në Arkivin e Jezuitëve, Arkivin e Françeskanëve, Arkivin e Kryeipeshkvisë së Shkodrës, Arkivin e Kryeipeshkvisë së Durrësit etj.

Janë më shumë se 5000 faqe me dokumente të botuara të dala nga dora e tij, ndërkohë që rreth 1500 të tjera mbeten ende të pabotuara. Të gjitha këto vëllime janë botuar me transkriptimet origjinale, përkthimet përkatëse, me indekset e emrave të personave e të vendeve dhe me shpjegimet e duhura. Është e qartë se Zamputi duke jetuar e punuar në mjediset e jezuitëve, pasaçërisht mes Ndre Mjedës, Giusepe Valentini-t dhe Fulvio Cordignano-s, duke parë punën e tyre lidhur me arkivimin e dokumenteve, kishte krijuar një përvojë të vlefshme e cila i shërbeu më pas në riorganizimin e Arkivit të Shtetit dhe atij të Historisë, sipas përvojës më të mirë të arkivistikës moderne, për aq sa ia lejonin atij kushtet dhe mundësitë e asaj kohe. Duke qene se ai kishte kaluar nëpër duar de visu koleksionet dokumentare, i kishte invetarizuar dhe i kishte kataloguar ato, do të thotë se ai kishte një pamje të plotë rreth përmbajtjes së fondeve. Bazuar në prioritet e vëna nga Instituti i Historisë për shkrimin e Historisë së Shipërisë në 3 vëllime, vëllimi i parë i së cilës u botua në vitin 1959, Zamputti pati edhe pjesën e tij. Në pjesën e tretë të këtij vëllimi, në kapitujt VII dhe VIII, Zamputi ka dy nënkapituj.

I pari mban titullin : « Vazhimi i rezistencës shqiptare në malësi (1480-1506), » ndërsa i dyti :  « Vatrat e qëndresës shqiptare në shek. XVI-XVII» mbetej prioritet shqyrtimi i dokumentacionit arkivor dhe natyrisht kontributi i Zamputit ka qenë vendimtar. Kjo mund të shihet fare qartë në përgatitjen dhe botimin e vëllimeve me dokumente që pasuan vëllimin e parë të këtij teksti, i cili më pas u pasua më pas edhe nga dy vëllimet e tjera, e ku dora e Zamputit pa dyshim ka pasur vendin e saj të rëndësishëm. Por ndryshe nga këta vëllime me dokumente, të cilat u botuan pa transkriptimet e origjinaleve, Zamputi në botimet e mëvonshme i ikën punës kolektive të mëhershme dhe i kthehet statusit të dokumentit si i tillë dhe falë përvojës që testoi me publikimet e herpashershme në Buletinin e Shkencave, sikurse ishte rasti me relacionet e Frang Bardhit e të Pjetër Budit bëri të mundur që në vitin 1963 dhe 1965 të botonte dy vëllimet e njohura me relacionet e klerikëve katolikë shqiptarë të gjysmës së parë të shekullit XVII.

Seria kryesore me dokumente për historinë e Shqipërisë të botuara nga Injaz Zamputi përfshin periudhën e tre shekujve të parë të sundimit osman rreth 220 vjetësh nga viti 1479 deri në vitin 1699, duke nisur nga rënia e Shkodrës në pushtimin osman, për t’u përmbyllur me luftën mes Austrisë dhe Venedikut nga viti 1883, luftë e cila përfundon me paqen e Karlovacit. Gjithsesi projekti diplomatikës së tij sa i takon përgatitjes së burimeve dokumentare për botim do të vendosej paraprakisht në dy shtylla : a. në mbledhjen, skedimin, përzgjedhjen, riprodhimin dhe botimin e dokumenteve të mbledhura e të botuara nga të tjerët dhe b. në botimin e dokumenteve të pabotuara të nxjerra drejpërdrejt nga arkivat.

Në të dy rastet parimi themelor i vendosur prej tij do të ishte i njëjtë : qëndrimi sa më besnik ndaj teksteve dhe paralel me ta botimi i transkriptimeve të dokumenteve origjinale përballë përkthimit shqip. Në mjaft raste në pamundësi për të patur përduarsh de visu faksimiljet e dokumenteve arkivore autentike, nxjerrë nga burime parësore, materialet burimore të këtyre vëllimeve Zamputti i ka siguruar duke hulumtuar nëpër bibliografitë ekzistuese të botimeve me karakter përmbledhjeje dokumentesh ose në studimet që kanë në shtojcat e tyre dokumente për ilustrim; hulumtime në historigrafinë e shekujve XVI-XVII (nëpër studime apo shtojca studimesh të shoqëruara me dokumente shoqëruese ilustruese të nxjerra nga fonde të ndryshme arkivore (histori me karakter të përgjithshëm, intinerare udhëtimi të udhëtarëve, dhe për aq sa ishte e mundur edhe materiale dokumentare paralele nga burime të ndryshme, materiale të krijuara nga kancelaritë, zyrtarët, entet, të cilët hartonin shkresa, urdhëresa, raporte, porosi etj), duke bërë njëherësh edhe korigjimet e duhura të gabimeve të shkaktuara nga mosanaliza e mirë e burimeve parësore ose edhe të bëra qëllimisht për arsye politike.

Një pjesë e madhe e këtyre dokumenteve kanë qenë të botuara, kryesisht prej autorëve dhe institucioneve të huaja si ato studiuesve të ndryshëm si: Augustin Theiner, Franc Mikloshich, Stojan Novakoviè, Eusebius Fermendzin, Franjo Raèki, Sime Ljubiè, Ivan Kukuljeviç, Vikentij Vasilyevich Makuèev, Charles Hopf, Franc Babinger, Giuseppe Gelcich, Nicolae Jorga, Marino Sanuto,  Konstandin Jireèek, Ludëig von Thalloczy, Milan Sûfflay, Gennaro Maria Monti, Konstantinos Sathas, Vittorio Catualdi, Constantin Marinesco, François Lenormant, Donato Fabianich, Luigi Maria Ugolini, Cirillo Karolevskij, Fulvio Cordignano, Giuseppe Valentini, etj., të cilët nuk e kanë pasur si qëllim më vete botimin e dokumenteve për Shqipërinë por janë marrë në shqyrtim për botim për shkak të përbajtjes integrale të dokumentit për viset ballkanike në të cilat bënte pjesë edhe Shqipëria, por që gjendeshin në botime të ndryshme vetëm në gjuhën e origjinalit e që thuajse përbënin raritete dhe ishin të shfrytëzueshme me shumë vështirësi, për shkak se pjesa më e madhe e tyre ishin botuar rreth një shekull më parë, ndaj edhe kjo kishte bërë të nevojshëm botimin e tyre, ndërsa një pjesë fare e vogël e tyre që u përfshinë aty, janë dokumente të dala drejtpërdrejt nga burimore arkivore, kryesisht rastësore.

Në jo pak raste dokumentacioni i botuar më parë ka qenë i njëanshëm, i kufizuar në hapësirë dhe në përmbajtjen e tij integrale, i kushtëzuar kështu varësisht dhe qëllimisht nga synimi i autorëve përgatitës të përmbledhjeve dokumentare dhe më pas edhe i botueve të tyre. Në këto dokumente ka edhe ndonjë rast kur dokumenti nuk është botuar i plotë, por vetëm pjesa që Zamputti e gjykoi se kishte interes dhe që nevojitej, ngaqë sillte informacion rreth zhvillimeve ekonomiko-sociale, kishtare dhe politike të vendit në territoret e trojeve etnike shqiptare, duke ndjekur kështu një praktikë të njohur në botimet e ngjashme të kësaj natyre. Çdo material dokumentar i botuar më parë ose jo, që trajtonte në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthorazi çështje që kanë të bëjnë me Shqipërinë dhe shqiptarët është paraqitur në këto vëllime në rend kronologjik. Një pjesë dokumentash, nisur nga qëllimi i ndryshëm autorëve dhe  botuesve të cilat nuk e kënaqnin rigorozitetin shkencor, kur ka qenë e mundur janë përkthyer drejtpërdrejt nga origjinali duke sqaruar gabimet e mundshme të shtypit dhe duke e lexuar korrekt origjinalin. Pranëvënia e origjinaleve ballas përkthimit shqip nga autori ynë është përcjellë gjithashtu me një punë redaktuese kritike mbi tekstet e botimeve nga të cilat ai i ka nxjerrë dokumentet.

Në mungesë të dokumenteve origjinaleve arkivore, punën redaksionale e bërë mbi bazën e një shqyrtimi të të imët kritik duke e shoqëruar këtë me shënimet përkatëse. E gjitha kjo është pasqyruar në vëllimet e botuara, ku autorit i është dashur të mbajë sërish qëndrim të qartë duke zgjedhur udhën më të drejtë dhe për çdo paqartësi, dykuptimësi apo paplotësi dhe për t’a lehtësuar studiuesin, tekstin e përkthyer e ka shoqëruar me shënime sqaruese të mbushura me informacion tejet të vlefshëm në funksion të kuptimit sa më të saktë të teksteve përmes një një logjike intuitive depërtuese të përimtuar e cila njëkohësisht vjen e koncentruar dhe e qëruar nga inflacioni gjuhësor i panevojshëm. Kjo ishte një bërthamë që do të shërbente për një punë sistematike të hulumtimeve të ardhshme sepse Zamputi ishte i bindur se dokumentet e botuara prej të huajve kishin mangësi, se madje kishte parashikuar se „Në kohë të ardhshme do të dalë nevoja që edhe materialet e njohura e të botuara prej hulumtuesve të huaj të sigurohen me mjete moderne të riprodhimit fotografik për të bërë siç e thamë transkriptime të drejtpërdrejta.„

Pjesa më e madhe e materialeve qenë krijuar për nevoja të administratës dhe luftës, për të siguruar të dhëna lidhur me pozitën strategjike dhe burimet ekonomike për të cilat interesoheshin oborret princërore e mbretërore. Një pjesë e madhe e këtij dokumentacioni nuk është i drejpërdrejtë, por i tërthortë, i gjentur kryesisht në korrespondencën, relacionet dhe memorialet që mbaheshin me botën e jashtme. Shqipëria ishte pjesë e takimit të drejpërdrejtë me botën Perëndimore përgjatë gjithë bregdetit të saj nga Tivari, Ulqini, Shkodra, Lezha, Durrësi, Vlora, Butrinti e po ashtu edhe Himara-Labëria, Shqipëria Veriore dhe ajo e Mesme Qendrore, Dukagjini etj. Qëllimi i botimit të tyre ka qenë vënia në dispozicion të studiuesve dhe studimeve e dokumenteve të dorës së parë, të cilat do të mund të shërbenin si bazë për interpretime dhe riinterpretime të çështjeve dhe ngjarjeve të caktuara historike të përfshira në kufijtë kohorë ku datohen dokumentet e botuara.

Zamputti ka mbajtur shënime në skedarët dhe në fletoret e tij, çdo dokument, por mbi të gjitha kryesorja për të ka qenë të mos i ikte nga dora asnjë prej tyre;  asnjë e dhënë dokumentare  që  kishte  lidhje  me Shqipërinë që nga lashtësia e deri në periudhën e Rilindjes Kombëtare. Vështirësia kryesore që i është paraqitur ka qenë deomos mospasja në dispozicion e botimeve të rralla të dokumentacionit, sidomos ato të shekullit XIX, fakt ky që e ka detyruar të daktilografojë ose të shkruajë mundimshëm në fletoret e tij, sikurse mund të shihet në fondin e tij personal në AQSh. Pavarësisht kësaj, ai i ka kopjuar me dorë apo daktilografuar tekstet e plota të dokumenteve të nxjerra nga këto botime, dhe kjo pavarësisht nga fakti që ato dokumente i ka transkriptuar më pas drejtpërdrejt nga fotokopjet dhe mikrofilmat që i silleshin prej arkivave të Venedikut, të Romës dhe të Raguzës, mbasi ai vetë kishte pëgatitur më parë listën e dokumenteve që ua dorëzonte ekipeve që më pas shkonin për t’i mikrofilmuar. Familjarët dhe miqtë e tij dëshmojnë punën e tij prej murgu mbi mikrofilmat që i sillnin nga arkivat e huaja. Mbasi ia zmadhonin, ai punonte me orë të tëra me lenten e tij ndër duar para syve, duke lexuar dhe bërë transkriptimin me një durim të jashtëzakonshëm.

Pasi i hidhte në letër tekstet e dokumenteve me ato shkrimet karakteristike të sitilizuara në formë dhe përmbajtje sipas përdorimeve të kohës, sidomos sqaronte shkurtimet e tyre si dhe plotësimet e pjesëve të dëmtuara prej kohës, ai i hidhte me shkrimin e tij të bukur në të pastër e më pas i përkthente dhe niste duke bërë plotësimet e duhura të toponomastikës dhe mikrotoponimisë historike për emrat e moçëm që shfaqeshin nëpër dokumente, duke i lokalizuar ato përmes konsultimeve të hartave të vjetra që kishte arritur t’i koleksiononte qëllimisht për këtë punë, me një synin të qartë për hartuar një hartë të detajuar, bazuar mbi burimet dokumentare, e cila do të përfshintë të gjithë Shqipërinë veriore deri në lumin Shkumbin, sikurse kishte kishte vepruar më herët Ermanno Armao.

Edhe punën përfundimtare në makinën e shkrimit e bënte gjithnjë vetë. Nuk ia linte t’a kryente këtë punë asnjë daktilografisti sepse dëshironte të kontrollonte gjithçka vetë deri në imtësi. Po ashtu edhe në fazën përmbyllëse, ia sillnin bocat e shtypshkronjës sipas porosisë së tij, për t'i korrigjuar po ai vetë. Po ashtu bibliografia, të gjitha shënimet, të gjitha treguesit emërorë të emrave të vendeve dhe të personave në fund të librave me dokumenta, shpjegimet terminologjike të fjalëve të veçanta janë përgatitur të gjitha nga dora e tij. Si për të provuar se sa dëshirë të madhe kishte ai që t‘a „provonte“ sërish veten me dokumentet, edhe pse i kishte nxjerrë duarsh me kohë, Zamputti-i, ishte prapë aty, madje kjo punë nuk përfundonte as këtu në vëllimet e përgatitura e të botuara në bibliotekën e tij, pjesë e përdorimit personal. Përfund tyre shihen sërish shënime plotësuese të të zotit të tyre i cili kuvendimin me ta e kishte pasur pjesë të ekzistetncës së tij, e që nuk mori më vete duke na e lënë trashëgim pajë për brezat e ardhshëm të diplomatikës shqiptare.

Vijues i traditës së „shkollës jezuite“, Zamputt-i do të vijonte ta çonte më tej këtë traditë, gjithnjë i vetëm dhe gjithnjë brenda Shqipërisë, pa as më të voglin kontakt fizik me vendndodhjet e burimeve arkivore, ndërkohë që kolegu i tij At Valentini do ta vijonte edhe ai të çonte në realizim të njëjtën punë me Acta Albaniae Veneta, edhe ai pa pasur as më të voglin kontakt fizik dhe komunikativ me vendin „amë“, ku tashmë arkivi i tij ishte sekuestruar pa lënë gjurmë të pashme publikisht. Mbledhjen dhe botimin e burimeve dokumentare, Zamputti e shoqëroi me kritikën e burimeve e cila si disipinë u zhvillua nga Ernst Bernheim (1850-1942). Ajo konsiston para së gjithash në vlerësimin e autenticitetit të një burimi duke verifikuar besueshmërinë e tij qoftë në rastet kur kemi të bëjmë më shumë se me një kopje të të njëjtit dokument, sikur është rasti i relacionit të Mariano Bolicës (1614), për të cilin autori ka punuar mbi tre kopje të ndryshme përmes ushtrimit të metodave komplekse të cilat duke u ndërkëmbyer arrijnë të integrojnë njohuri të shumta ndërdisiplinore. Vëllimin e parë të Relacione-ve, Zamputt-i e ka pajisur në fund të tij me dy lloj shënimesh për secilin dokument : shënime për tekstet origjinale, dhe shënime për tekstet shqipe, ndërkohë që në vëllimin e dytë të botuar dy vjet më pas shënimet për tekstet origjinale i vendosi në fundafaqe, ndërsa shënimet e për tekstet shqipe sërish në fund të vëllimit.

Nuk janë pak por rreth 1700 shënime në të dy vëllimet, të cilat së bashku me fjalorthin terminologji në fund të vëllimit të dytë përbëjnë, një manual të jashtëzakonshëm sqarimesh të kontestit historik, sqarimesh gjuhësore e posaçërisht toponomastikë si dhe përkufizimeve terminologjike njëherësh të cilat dëshmojnë akribinë shkencore të dijetarit Zamputti. Puna e Zamputti-t këtu duket qartë teksa na paraqet një studiues me njohuri të gjithanshme nga shkencat  juridike, politike, ekonomiko-financiare e tregtare, të karakterit privat dhe shtetëror, administrativo-shtetërore si dhe veprimtarisë private e familjare. Posaçërisht vëmendje të shtuar ka zënë terminologjia e veprimtarisë kishtare dhe sidomos Zamputti na shfaqet si një studiues me një njohje të thelluar të gjendjes gjuhësore dhe dialektore të gjuhëve të përdorurura në dokumentacion dhe sidomos një njohje të terminologjisë së përdorur në kohën kur janë krijuar këta dokumente duke shkuar deri në përimtime në dukje pa ndonje vlerë sot, por që kanë rëndësi shumë të madhe të madhe kur është fjala për vlerat e peshave dhe të masave në vendet dhe kohët e ndryshme. Shpjegimet e thukëta nganjëherë deri në përimtime në dukje të karakterit episodik, sidomos sa i takon terminologjisë kishtare kanë qenë, janë dhe do të mbeten për shumë kohë një model konsultimi për studiuesit, arsimtarët, gazetarët, studentët dhe lexuesin e kultivuar që do të ketë rastin t’i përdorë këto vëllime.

Aty do të gjejnë për çdo rast nëpër shënime dhe në këtë fjalorth këshilluesin e patëmetë. Dokumentet janë transkriptuar drejtpërdrejt nga riprodhimi fotografik i origjinaleve duke i vendosur përkrah përkthimit edhe traskriptimin e origjinalit, pra qoftë në gjuhën e origjinaleve, qoftë në përkthimin shqip, të përcjella gjithashtu me shënime dhe komente sqaruese të karakterit terminologjik, historiko-diplomatik, toponomastikës historike dhe gjuhësisë, të cilat nga ana tjetër përbëjnë një aparat ndihmës fort të çmuar për çdo studiues, për të mos thënë se janë të pazëvendësueshëm dhe të pandarë nga vetë tekstet e dokumenteve, në funksion të të cilëve ato janë përgatitur. Interpretimi i të dhënave që përcjellin dokumentet e botuara prej tij, janë një çelës me rëndësi thelbësore në kuadrin e vetë burimeve që na ka sjellë Zamputti e që ruajnë vlerën e interpretimeve po kaq të rëndësishme sa mund të krahasohen me vetë dokumentet. Ai në mjaft raste është munduar të zgjidhë se kush e ka prodhuar, ku është prodhuar dhe cili është konteksti i dokumentit duke kombinuar dhe ndërkëmbyer kështu të dhënat e integruara shpesh të paqarta të dokumentit me dokumentet e tjera paraardhës e pasardhës në rend kronologjik. Duke kaluar nga faza e parë filologjike që lidhet me vlerësimin e autenticitetit formal të dokumentit, përmes analizës së shkrimit, analizës stilistikore (formulimit stilistikor përshëndetës) hyrës (pra nëse është e shkruar nga e njëjta dorë), apo datimin në koherencë me kohën, vendin etj., Zamputti ka kaluar më pas natyrisht në fazën interpretative të dokumentit që ka të bëjë me vlerësimin e përmbajtjes së dokumentit të lidhur natyrisht kjo në marrëdhënie me dokumentet e tjerë paraardhës e pasardhës, duke nënvizuar, ndërshtënë dhe krahasuar mospërputhjet e mundshme që raportojnë të dhënat e secilit prej tyre.

Zamputti është impresionues me intuitën dhe me interpretimet fenomenale që ka bërë, me « katarsisin » e shqyrtimeve të tij ; interpretime ndërdokumentare që kanë kaluar dhe integrojnë një "proces hetimor » të gjatë e të detajuar me nje ndërlidhje fenomenale mes tyre për të nxjerrë prej tyre kronologjinë e ndërtimit të fakteve historike në mënyrën më lineare të mundshme, të cilën për shekujt XVI-XVII e kishim thuajse tërësisht fragmentare. Gjurmimi, qëmtimi, mbledhja, arkivimi, studimi, transkriptimi, përkthimi dhe pranëvënia origjinaleve; komentimi dhe paisja me shënime kritike si dhe me indekset e emrave të personave dhe të vendeve e më në fund botimi i burimeve dokumentare për Shqipërinë dhe shqiptarët e bën Injac Zamputti-n ashtu sikurse e vën re Aurel Plasari “themeluesin e disiplinës së diplomatikës në historiografinë shqiptare“, dhe nuk do të ishte e tepërt të thuhet se po ai u bë njëkohësisht edhe themeluesi i shkollës historiografike moderne shqiptare në kuptimin e plotë të fjalës.

Ai në njëfarë mënyre i përcolli historiografisë shqiptare kontekstin e plotë të doktrinës arkivore bashkëkohore duke e shoqëruar atë me aplikimin d.m.th., botimin më të mirë të mundshëm të prodhimit dokumentar për aq sa i lejoi koha dhe energjitë e tij fizike. Injac Zamputi kreu në diplomatikën shqiptare në një farë mënyre atë që bëri në Itali Ludovico Antonio Muratori (1672-1750), i konsideruar si babai i historiografisë italiane, referuar medievistikës. Mbledhja e mijëra dokumenteve dhe botimi i tyrë në mënyrë sitematike e organike ishte një detyrë kulturore që një njeri si Zamputti bëri që të vendoste në peshore temperamentin dhe shijen e tij enciklopedike shkencore bazuar në njohuritë e tij teologjie letrare, juridike, historike erudicionin e tij klasik, mesjetar, civil e religjioz. Emri i tij rezulton të jetë emri më i cituar pothuajse në të gjitha rrethet e studimeve albanologjike të disiplinave të ndryshme jo vetëm përmes gjurmës së dokumenteve por edhe përmes studimeve të tij të vyera. Duhet theksuar kjo e fundit, sepse përveçse operacioneve paleografike, tekstologjike e filologjike etj., në personalitetin e Zamputti-t shfaqet po ashtu në krye të herës historiani, për të vijuar më pas gjuhëtari, etnologu, shkrimtari, kritiku dhe studiuesi i letërsisë.

Do të ishte në nderin e Akademisë së Shkencave, Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe Institutit të Historisë që një nga sallat kryesore të tyre të kishin emrin e tij. Do të duhej që pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA), ose pranë Arkivit Qendror të Shtetit, (AQSh), duhej të kishte një shkollë të posaçme pasuniversitare në Paleografi, Diplomatikë dhe Arkivistikë, një lloj kursi specialistësh që përveç paleografisë, diplomatikës, filologjisë dhe gjuhëve të vjetra (greqisht, latinisht, osmanisht), të jepte mundësinë e formimit në aspekte teorike e praktike ndërdisiplinare, në mënyrë që kandidatët pjesmarrës të diplomuar në shkencat humanitare (histori, letërsi, gjuhësi, etnologji, arkeologji, antropologji kulturore, jurisprudencë apo teologji), të formoheshin si specialistë të pritshëm që garantojnë studimet e nesërme albanologjike. Më mirë se sa emri i Injac Zamputti-t nuk do të mund t‘a nderonte atë duke pasur përkrye emrin e tij. 

 Duke ditur se deri në fund të viteve ’60 është lejuar botimi edhe në dialektin e veriut, sikurse del edhe në punimet e tjera të autorit, gjatë asaj periudhe, dhe duke qenë se edhe vëllimet me dokumente qenë botuar në dialektin gegë, pra para vendosjes së standardit gjuhësor të vitit 1972, edhe në këtë ribotim është respektuar botimi i parë, pra nuk është ndërhyrë në gjuhën e përdorur nga autori. Botimin e shoqëron në fund edhe një pasthënje e autorit të këtyre radhëve, i cili ia kushton atë punës së madhe dhe vendit që zë Injaz Zamputi në historiografinë modernne shqiptare dhe posaçërisht në diplomatikë. Vëllimi është përgatitur për shtyp nga i biri i autorit, Jozef Zamputti, i cili ka bërë edhe ndonjë shënim rast pas rasti, shënime të cilët janë njoftuar në fund të tyre.

Botuesit paralajmërojnë që së shpejti do të publikojnë tezën e doktoraturëse ende të papublikuar e të mbrojtur në Itali më 1941, me titull: “Settecento Veneziano e l’Albania Turca (Shtatëqinda Veneciane dhe Arbëria Turke), e që në Shqipëri nuk iu njoh kurrë si e tillë, për të mos i njohur si të tillë titullin shkencor. Më pas do të vijojë botimi i artikujve të tij studimorë botuar në periodikë të tillë si: Buletinin e Shkencave Shoqërore, Studime Historike, Studime Filologjike, Iliria, Studia Albanica, Hylli i Dritës, për t’u ndjekur më pas nga “Kujtimet” e tij që ka lënë në dorëshkrim, të cilat me shumë siguri do të jenë një “histori” më vete e shekullit të jetës së Zamputit.

Injac Zamputti zë kryet e vendit në historiografinë shqiptare, ngaqë ai qe një ndër ndër të vetmit historianë shqiptarë që e kuptoi më mirë se askush tjetër rëndësinë botimit të burimeve dokumentare. Pikërisht kjo bëri që ai këtë punë ta kthejë në një mision. Modeli i transkriptimit, përkthimit dhe botimit të dokumenteve për historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve mbetet sot e gjithë ditën një model i panjollë i cili do të duhej e duhet të shndërrohet në një shkollë të paleografisë, diplomatikës dhe arkivistikës.

Relacione e dokumente për historinë e shqipërisë (1610-1650)/Relazioni e documenti per la storia dell’albania (1610-1650). Transkriptuar e përkthyer nga - Trascritti e tradotti da
Injac Zamputti. Albanisches Institut dhe “Faik Konica”, Prishtinë 2018.

Dokumente për historinë e Shqipërisë “(1623-1653)/Documenti per la storia dell’ Albania 1623–1653. Transkriptuar e përkthyer nga - Trascritti e tradotti da Injac Zamputti. Albanisches Institut dhe “Faik Konica”, Prishtinë 2015.

 

d.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

A është e shëndetshme që fëmijët të flenë me kafshët shtëpiake

A është e shëndetshme që fëmijët të flenë me kafshët shtëpiake