Lucia Nadin: Këmbëngul t’i kthej Shqipërisë copëza nga historia e kujtesa e saj

Lucia Nadin: Këmbëngul t’i kthej Shqipërisë copëza nga historia e kujtesa e saj

Studiuesja italiane Lucia Nadin

Studiuesja e njohur italiane, Lucia Nadin, ka qenë e  entuziazmuar ditën e djeshme, pasi u shpall fituesja e  çmimit shkencor për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun dhe epokën e tij.  Gjatë ceremonisë që u mbajt në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Tiranë, Lucia Nadin u shpall fituese për veprën “Shqipëria e rigjetur” si autore e huaj. 

Fituesi tjetër i këtij çmimi ishte profesor Aurel Plasari që u vlerësua mes autorëve shqiptarë për veprën “Skënderbeu – një histori politike” Të dy studiuesit që fituan çmimet, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, kanë bashkëpunuar, jo pak herë në zbulimin e dokumenteve dhe fakteve historike.  Çmimet u dhanë pas nominimit të 6 autorëve, 3 shqiptarë; Aurel Plasari, Petrika Afezolli, Kasëm Biçoku dhe tre të huaj: Jose Manuel Floristan, Lucia Nadin, Oliver Schmitt. 

Studiuesja Lucia Nadin, kërkuesja shkencore dhe e zellshme e historisë shqiptare prej më shumë se 20 vjetësh, është edhe autore e librave tashmë të njohur “Shqiptarët në Venedik. Mërgim e integrim 1479-1552”, por edhe e studimit “Gjergj Kastriot Skënderbeu në Venecia”, ku ajo ka zbuluar për herë të parë praninë e një statuje që përfaqëson Skënderbeun në mjetin lundrues mitik venecian. 

Zbulimi më i madh, siç pohon edhe vetë Nadin, në një intervistë për “Shqiptarja.com” janë “Statutet e Shkodrës”, por jo pak vlerë ka edhe zbulimi më i fundit i saj në Bibliotekën Kombëtare të Francë; dorëshkrimi më i hershëm i “Rrethimit të Shkodrës”, shkruar nga Marin Barleti, që e prezantoi dy muaj më parë në Tiranë sëbashku me studiuesin Aurel Plasari.  Në intervistën e saj për “Shqiptarja.com”, Lucia Nadin rrëfen emocionet për disa nga zbulimet e historisë e kulturës shqiptare të mesjetës që ajo i konsideron si një rikthim të historisë shqiptare. 

Profesoreshë Nadin, si ndihesh pas vlerësimit me çmimin që ju e fituat në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut?

-Unë ndjehem shumë e nderuar me këtë çmim. Dhe ky çmim më bën më entuziaste që të punojë për Shqipërinë. Gjithashtu ky entuziazëm më bën që të këmbëngul më tepër më punën time e t’ia kthejë Shqipërisë disa copëza nga historia dhe kujtesa historike e saj. Libri im përshkruan përmes dokumenteve historinë e gjuhës dhe kulturës shqiptare, ku zbulohen dokumente të reja për  Gjon Buzukun, për identitetin e tij, qëndrimin e tij në Venecie, dhe kohën kur e shkroi Mesharin e tij, botuar në vitin 1555. Pse shqiptarët u strehuan në tokën veneciane. Sa e si u intergruan ata në bashkëjetesën me italianët. Si i ruajtën lidhjet me atdheun e tyre të parë, Arbërinë. Libri sjell të dhëna për kujtesën e humbur historike të Shqipërisë. Dhe këtë për këtë kujtesë entuziazmohem kur e zgjoj.

Cila është ajo ngjarje që edhe ju vetë e konsideroni si një zbulim të rrallë, nga dokumentet që ju keni mbledhur për të hartuar librin tuaj ose veprat e shkruara më parë?

-Unë mendoj se margaritari janë “Statuset e Shkodrës”, që tregojnë se Shqipëria që në vitin 1300 ishte një shtet shumë i madh në brigjet e Adriatikut. E unë jam ndjerë shumë e gëzuar me këtë zbulim, sepse dorëshkrimet ishin origjinalet e dokumenteve të 1300-s, ishin kopje unike të Bibliotekës së Venecias. Ato janë një dokument që vërtetojnë edhe një herë ekzistencën e qyteteve të mëdha shqiptare, të shtrira në kompleksin mesdhetar mes viteve 1300 dhe 1400, dhe që tregojnë zhvillimin e botës qytetare të zonës ballkanike.

Kur i keni nisur kërkimet tuaja, ka ndodhur që të jeni zhgënjyer prej mungesës së arkivave referuar figurës së Skënderbeut?

-Jo jo. Nuk kam mbetur asnjëherë e zhgënjyer. Për figurën e Skënderbeut në Venecia ka arkiva të pasura. Unë vërtetë kisha kohë që po i kërkoja materialet e librit tim, por i gjeta në Arkivat e Venecias.

A njihet në shkollat italiane figurat e Skënderbeut. Është e përfshirë  në panteonin e personaliteteve të njohura të Italisë së Mesjetës?

-Jo, në shkolla nuk trajtohet historia e Skënderbeut. Ai njihet kryesisht si figurë në jug të Italisë, por nuk trajtohet në këtë mënyrë. Është një figurë që njihet prej studiuesve dhe historianëve të asaj fushe që zgjedhin të studiojnë rreth personalitetit të tij. 

Po për studimin e personaliteteve të shquara italiane të Mesjetës, mendon se është bërë sa duhet nga historianët italianë?

-Jo sa duhet. Mangësi ka edhe për studimin e personaliteteve të historisë dhe kulturës italiane të Mesjetës. Por me kërkimet aktuale kërkimi rreth tyre do të vihet në një pikëvështrim të ri dhe do të shihet historia në konveksin e kohës ashtu siç ka qenë organizuar jeta dhe politik në  brigjet e Adriatikut dhe me rritjen e punës kërkimore në këtë drejtim, do të zërë një vend edhe të madh, edhe figura e Skënderbeut, në Itali e më gjerë. Prej kohësh, puna ime ka qenë e përkushtuar për studimet që lidhen me Shqipërinë dhe që i referohen lidhjeve të këtij vendi me Venecian. 

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Aksident te rethrrotullimi i Kolonjës, makina çan barrierat e rrugës dhe fluturon në kanal

Aksident te rethrrotullimi i Kolonjës, makina çan barrierat e rrugës dhe fluturon në kanal