POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Luigj Gurakuqi/ ‘HESHTJA’, vdekje ma e randë se atentati

Luigj Gurakuqi

Pyes: Sa herë vdiqe Gurakuq?

Me siguri që ti do të thuesh: të lutem, më len në qetësi, këtu, ku jam. A s’të mjaftoi gjithë jeta e veprimtaria ime, e trazueme dhe e flijueme per Shqipni? Të lutem, tash së paku, më len pa më trazue!

Mendoj: drejt o Gurakuq: Ti i pastri, i drejti, i nderëshmi, ti shembulli I atdhetarisë, ti motorri i pamvarësisë, luftove u perpoqe për liri e qetësi, e tash, këto i ke të shtrejta e lypë, me të drejtë , që mos ti trazojë kush.

- Më fal! Por, kaluen sa pervjetorë të lindjes sate, po ashtu edhe të vdekjes e askush s’u kujtue: asnji organ shtetnor apo shtypi. Heshtje vorri e këtë rasë, për keq, mbas sa dekadash të vdekjes sate.

Vdiqe!? Jo mor burrë por të vranë. Të vrau mbreti, të cilit, si duket, për meritë të vrasjes sate, të B. Currit, H. Prishtinës, A. Rrustemit etj. i u ngrit monumenti (interesant..., prej nji artistit që ka ba edhe E. Hoxhen!!!) dhe mendohei për mauzoleumin e dinastisë “ZOGU”.

I lumtë Demokracisë së gadi tridhetë vjetëve! Veçse nuk thohet drejtë për drejtë: Baltion Stamolla “të lumtë pushka” (e pabesë).

Kjo kje vdekja e parë e jote, vdekja fizike.

Erdhi përbindshi i kuq. Këtu jo se s’tu përmend emni e s’pat ndonji botim (monografia e P. Takos) e ndonji artikull, por përsa je përmend, peshove tepër lehtë. Universiteti i Shkoders mban emnin tand dhe u ba monumenti i yt, në qendër të qytetit tand. I lumtë Shkodres qi kujtohet për birin e vet, por aty, ku ti e kishe vendin, t’u mohue: NË MONUMENTIN MADHËSHTOR TË PAMVARSISË në Vlonë, nuk t’u dha asnji centimetër vend. E pra, pesha e jote, në 1912-ten ishte aq e madhe, sa s’ka kandar që ta peshojë.

Mos të mendojnë kush, se ka faj Vlona. Ajo të ka pasë e të ka në zemër, deri në të sosun të shekujve.

Atëherë kush: Grupi i skulptorëve apo shteti komunist?!

E din Partia, që po s’a pati diktue, do  t’ia kishte “zhgulë veshin” artistëve, për këtë mungesë absurde por, e justifikoi realizmi socialist: ...mbasi Gurakuqi, si shkodran, do të ketë kleçka, sado pak, si prej klerit ashtu edhe prej figurave tjera antikomuniste.

Ka shumë kohë, në nji letër që Gurakuqi i drejton nji mikut të vet, të botueme në nji revistë të herëshme, pat shkrue: “...na kanë fye randë, na kanë quejtë komunista...”, e këtë natyrisht, që komunistët s’mund t’ia falshin.

Megjithë atë, shtëpia e Gurakuqit u shpall “Muze”. Mjaft me kaq, mos tepër bile! Këtë ato s’e kanë thanë me gojë por, me zemër sigurisht që po!

Hëm..., “Shtëpia Muze” ! Vetëm nji pllakë, në krah të nji dere të madhe, që nuk ruen karakterin shkodran, thotë se: “Këtu ka lindë Gurakuqi”, ....e se, ...”mbrohet nga shteti”. Kush?! Shtëpia?!...AJO NUK EGZISTON. Pra, ke mbron shteti? Apo e ka prishë vetë? Kështu edhe me Daut Boriçin, kryetarin e degës së Lidhjes së Prizrendit për Shkodren, me Filip Shiroken, Isuf Tabukun, etj. I lanë pa plang e pa shtëpi, e kjo për se vdekuni. A ka hall ma të madh?! Ishte, nji njeri, burrë tepër i ndershëm, mik i Gurakuqit, (Gj. Kamsi), që kur u ba shtëpia muze, dorëzoi nji mori materialesh, që prej teshave të pergjakuna, kunorat, lajmërimet etj., që i kishte ruejtë me fanatizëm prej dekadash, në shtëpinë e tij. Mendim i mrekullueshëm i tij e që plotësoi sasinë e relikeve të shtrejta të heroit, por... ku janë sot?

Këta breza të rij, që rriten, a i kanë pa ndonjiherë dhe a dijnë se ekzistojnë? Edhe në kjoftë se ruhen në muze, vështirë për ekspozim të përherëshëm, për mungesë ambientesh.

Vorri?!

Ndër vorret e deshmorëve ishte e asht nji (vorr) i caktuem për te. Dikur, u pat thanë se erdhën eshtnat e bekueme të Gurakuqit, prej Barit, e u vëndosen aty. Edhe nji (vorr) për Dedë Gjo Lulin, por ky i fundit kje vorrosë në Kishen Françeskane, por, për mos me e lane vetëm, eshtnat e tij u treten në Bunë, bashkë me ata të At Gjergj Fishtës, kur u rropos gjithshka ndër kisha e xhamija.

Pyes vehten sot: ... i tiji (vorri i Gurakuqit), a ka gja mbrendë, atje në kodër? Po?! Si duket, Gurakuqi, për brezat e fundit të politikës, i takon tokës. “HESHTJE”. E pra, nji vrasje tjetër kjo.

Fluturoi, tashma kaherë 100 vjetori i pamvarsisë, e ....HESHTJE vetëm për emnin e tij. Dishroj me këtë rasë, që Shkodra të bante diçka, për të ekspozue ata relike, tepër të shtrejta, si dhe (ndoshta absurditet), nji bust, të derdhej në bronx e të çohej në Vlonë dhe të vihej tek kambët e Ismail Qemalit, se kje krahu i djathtë i tij, e ai, me siguri, do të ndjehet ma i fortë, prap si në ditët e Nandorit të madhnueshëm.

Kujtoj, sa përvjetorë të lindjes e të vdekjes së tij, e ....përsëri hiq... Turp! ... Edhe ma turp, kur kërkohet që gjakun e tyne të pastër (Gurakuqit, Currit, Gazullit, Prishtinës, Rustemit), ta përlyejnë, tue na thanë e quejtë “ Vllazën të nji gjaku”, me pushtuesit e ndryshëm... E pra, as probatina që i kena pi gjakun njeni tjetrit, nuk jena, ...DERDHË PO!?

Fishta thotë: Me gjithkend vllazen e shokë, por seicili n’cak të vet... Nuk paska folë kot, me ato dy elegji për Gurakuqin e Currin. Mirëpo, pyes përsëri: A mbulohet dielli me shoshë? Se kush kje e asht Gurakuqi, dihet prej botimeve të kaherëshme e plotësohet prej intervistave të W. Kamsit, V. Hotit, G. Shpuzës (të gjithë profesorë), të librit të Kolec Çefës etj.

Si ka mundësi të vihet nji eklips artificial, mbi një diell që ka shndritë me forcë token shqiptare?! Përsëri me fjalët e Fishtës së madh: ...A ka si i bahet kuej ma tepër dhunë? E vrasësi krekoset në bronx, për vepren e përgjakshme të tij, bile, thohet:...Me këtë nuk errësojmë figurat e tjera... Kulmi! Na në Shkoder thona: O puth kryqin o kërce hendekun..., pra, ...djajtë e shejtnit, kurrsesi nuk mund të rrijnë bashkë. Kanë kalue ka herë dy datat e tija: lindja me 19 shkurt 1879 dhe vdekja 2 mars 1925. Prap “HESHTJE”.

Pyes gjithnji: a i del zot kush, sot, në “Demokraci” këtij demokratit të madh, që nuk asht turp që në çdo zyrë demokratike, të jetë portreti i tij? A thue, të gjithë janë pro kësaj heshtje, që përveç se pa shtëpi e pa vorr, duen të jetë edhe pa emen? Historia kështu do të bahet?

Atëherë lutem: shëndritja, Zot, mendjen autoriteteve tona, shkencatarëve tonë, historianëve tonë e atdhetarëve tonë, që të vejnë emnin e tij të pavdekshëm, në piedestalin e Atdheut, për të cilin, shkriu jeten; e në kjoftë se heshtet ma, në këtë botë u baj thirrje shpirtënve e eshtnave të dëshmorëve: Gurakuq, Curr,  Prishtinë, Gazull, Rustem, të mblidhen tok atje në parajsë e si thotë Fishta: Para fronit të Perëndisë, lypni gjyq mbi këta “KAINA” të kunorzuem, që kombin tonë po duen me e pa të sharruem?!

Pyes, ...pyes,...Pse linde ndopak o Gurakuq?

Nga Pjerin Sheldija*)Mjeshtër i pikturës

d.ba.
Komento

Komente

  • Ismaili: 27/08/2018 08:36

    GURAKUQI POET E PATRIOT I FLAKET Në 93-vjetorin e vrasjes Nëno moj,mbaj zi për vllanë Me tre plumba na e vranë Na e vran’ e na e shanë Na I thane tradhtor. Kështu e pat filluar Noli elegjinë e Tij te famshme”Syrgjyn-Vdekur”, per mikun, bashkëluftëtarin e bashkëpunëtorin e Tij Luigj Gurakuqi , të vrarë më 2 Mars 1925 në Bari të Italisë. Noli pati shkas e arsye të madhe ta vajtojë”Katilinarqe” në nivel personal e kombëtar, historik e poetik këtë martir të Lëvizjes Kombëtare. Të vajtojë,duke kuvenduar,duke informuar popullin shqiptar, Shqipërinë-Nënën për këtë humbje të madhe, për vrasjen e Luigjit, patriot të flakët e vigan. këtë poet e arsimdashës te madh. Gurakuqi filloi herët të merret me vargënime, sigurisht i shtyer nga entuziazmi I Rilindasëve para Tij, e veçmas nga mësuesi I madh I Tij, Plaku I nderuar, Jeronim de Rada,”Duke ndëgjuar zanin e Tij të fikët, e tue pa sytë e tij të mekur”,Kur Ai e përmente Shqipërinë dhe Skëndërbeun, para nxënësit të Tij dhe poetit të ardhshëm, I dha shkas e motiv, të shkruajë edhe ai diç për këtë strall që e përjetoi nga kjo flakë e madhe patriotike. Shkrimet e Gurakuqit,nuk janë vetëm dëshmi e një akumulimi patriotik, sa edhe mllef ndaj dukurive negative, që atij I dukeshin në letërsi dhe sistemin politik e shtetëror të otomanëve të urrejtur nga poeti I ri. Një numër tjetër vargjesh të Gurakuqit, janë mall e konsideratë ndaj shokëve, veçmas ndaj Filip Shirokës, Hil Mosit, Gjergj Fishtës e të tjerëve, Në vragje e tilla, kemi edhe asosh që bëjnë çortim, ndaj një pjese shkrimesh, të cilat, sipas Gurakuqit, nuk shohin dritë për të tilla poezi, jo të nivelit artistik. Ata poet, nëse Gurakuqi ka menduar vetëm për një pjesë te veçantë, janë bastardhuesit e gjuhës dhe vargnimit shqip. O t’falitun,ku e xut këtë dituni Fort jeni tuj gabue / T’falun atdhetarit të Kosovës/ Gurakuqit I çante zemra, se këta ishin shkollarët shqiptarë, të shkolluar nëpër qendra të ndryshme të Evropës, që atë culture, nuk e sjellnin për të mirën e atdheut dhe gjuhës së tyre shqipe. Gurakuqi kërkonte nga të rinjtë, që të këndojnë si “Alkej e Safo për Vegjilin”, ose të atillë që, këndojne si Bajroni “ qi t’Tepelenit iu pat këndue luanin”. Më duket se. Gurakuqi për një kërkesë të tillë, kaq të prer e mohim kaq të thellë, nuk kishte lexuar e vlersua nivelin e poetikës shqipe, andaj duket paksa kërkesë e madhe. Ndoshta Gurakuqi, nuk kishte pjekuri artistike e as moshë, që të kërkojë edhe më pak, të gjykojë aq rrept letërsine dhe krijuesit e letërsisë shqipe dhe të lëshojë nën nivelin që ishte. Dihet se,, në mesin e krijuesve të asaj kohe, kishte të tillë, që kënduan mirë për shqiptarët e Shqipërinë, për ngjarjet dhe kohën e tyre, kishte Bajrona e Safo të merituar, Si Naimi Frashëri e Jeronim De Rada, këtë të fundit, Gurakuqi pati fatin, ta kishte mësues. Ate se nuk e çmoi sa lypej e meritueshëm poezinë shqipe, Gurakuqi e dëshmoi edhe në veprën e Tij, ”Vargnimi I Gjuhës Shqipe”, botuar më 1906. Në të cilen mendimet teorike, nuk I ilustroi nga brumi I letërsisë shqipe, por me ate nga letërsia e huaj, të cilën me gjasa e njihte më mirë. Pra, Gurakluqi nuk I përmente disa penda të spikatura të kohës. Ndërsa adhuronte disa të tjera, të cilat në krahasim me të parat, ishin më të ulëta, në pikëpamje të nivelit letrar, artistik e ideor. Si duket natyrshëm ishte paksa karakter I vrullshëm në vlerësim ashtu siç ishte edhe në jetën praktik, I tillë mund të ketë qene edhe ne vlerësim letrar e artistik. Andaj, edhe disa mendime teorike në veprën e përmendur nuk mund të qëndronim shumë në kohë. Për mendimtar mund të merret, se Ai u përpoq të thot diç edhe për vargnimet origjinale të letrësisë shqipe të kohës. Në poezinë “Qëndra” e cila konsiderohet për kryevepër poetike e Gurakuqit, nuk na del aq mendimtar, aq sa duhej të dali dhe çfarë ishte në jetën praktike. Kuptohet,poetët mendimar jane më të rrallë, ne marrim Naimin, që ze krye në këtë drejtim, Ndërsa tentimet e Gurakluqit, janë vetëm tentime pozitive për kohën. Të cilat nuk janë vazhduar më tej. Këtu nuk kemi romatizëm djaloshar, por stoizëm stabil para vështërsive. Veç nji qëllim I naltë,t’ban me durue e zemrën ta forcon ner kundershtime s’vyen kurr me u ligshtue mjerë ai qi nuk duron. Kjo më duket është poenta e kësaj poezia, të cilën poeti, që ishte burr, që rrallë lind malësia, edhe në jetë e praktikoi. Për sa vjersha kushtuar miqve e bashkeveprimtarëve, vendlindjes e atdheut.Vlen të përmenden, Elegjia kushtuar motës së vdekur,”Tuf lulesh,kujtim i të dashunve”, ku më dukët se, vërehet një sentimentalizëm dhëmbjeje e pikëllimi, sa lexusin e benë të derdh pak lot. Gurakuqi, ka ditur të vërejë ngjarjet e ta lexon kohën, për të cilat ishte I interesuar dhe ato t’I shënojë edhe në vargjet e Tija. Kështu, “Dita e 29 tetur 1900” dëshmon për ndjeshmërinë e Tij patriotike, kushtuar arbëreshve të Zarës, që nderuan Skënderbeun. Këto kanë të bëjnë me edukimin e formimin e Tij patriotik prej malësori e atdhetari të përkushtuar. Luigj Gurakuqi shkroi edhe një numër të vogël poezish për të vegjlitë, me të cilat dëshmon për aftësitë dhe nivelin e përgatitjes së tij prej pedagogu. Ato pak vargje që I botoi në”Kendimet”, janë pasqyrë dëshmuese të një njohësi të mirë e të afërt për të vegjëlitë. Për pedagog,ai do të tregohet edhe në Normalen e Elbasanit 1909,në të cilën ishte Drejtori i parë i sajë, e njëheri edhe hartuesi I shumë teksteve për nxënësit e sajë Gurakuqi duke bërë kështu përpjekje në krijimtari e punë patriotike, dosido iu desht të largohet nga krjimtaria letrare. Këte e bëri,siç thot Akademik Rexhep Qosja,duke parë se puna patriotike, ishte shumë më efikase dhe e domosdoshme që nuk kishte kohë për pritje, se sa krijimtaria letrare”, Ai e la herët krijimtarinë, edhe pse “me ato pakëz shkrime e pakez përkthime” që bëri mbetët në vend të merituar në historinë ë letërsisë shqipe. Luigj Gurakuqi, më shumë ishte njeri I aksionit e veprimit praktik kombëtar e intelektua. Kështu më 1908, në emër të delegatit të Shkodrës dhe arbëreshve të Italisë, mori pjesë në Kongrsin e Manastirit, për çështje të njësimit të alfabetit të gjuhës shqipe. Gurakuqi dha mendimin se, “edhe kombi shqiptar, duhet të marr rrugën e qytetërimit,si gjithë kombet e qytetërura”, E kur Shqipëria ishte nën zgjedhën e otomanëve, u hap shkolla e parë e mësuesisë shqiptare, e njohur me emërin “Normalja e Elbasanit” më 1909.Kjo ishte ngjarje,sa e madhe,aq edhe rëndësisë së domosdoshme për arsimin e popullit tonë. Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhovani e intelektualët të tjerë, punuan me nxënësit e kësaj shkolle, në përgatitjen e kuadrove “ si me mujt mirë me sherbye” arsimit kombëtar në shkollat e ardhshme në gjithë hapësirën etnike shqiptare. Nxënësit e kësaj shkolle u bënë pishtarët e arsimit tonë anë e mbanë, ku flitej shqipja. Poashtu,,këta bijë udhëhoqen edhe luftën për të mirën e popullit dhe Shqipërisë. Merita e dorës së parë, I bije hise, Drejtorit të parë me shkokë, të kësaj shkolle, si edhe për qëndresën e tyre rezistueëse, që këtë shkollë ta rihapin përseri më 1911., pasi turqit e mbyllën si të rrezikshme. Po ashtu Gurakuqi në aktivitetin e Tij në lëmin e gjuhës shqipe, ka merita për iniciativën e Tij, që më 1916, të merr pjesë të punojë e kontribojë në formimin tash më të njohuren “Komisija Letrare” në Shkodër, që njihet si veprim I parë konkret për fillimin e njësimit të gjuhës letrare kombëtare. Për Gurakuqin më së shumti mund të themi,Gurakuqi veprimtar kombëtar e parlamentar në ballë të opozitës dhe përball kundërshtarëve të jashtëm politik e kombëtar, si dhe publikimet e Tija në gazetat dhe revistat e kohës, si: Albania, Fjamuri i Arbërit e të tjera. Poashtu, ështe I njohur bashkëpunimi i Gurakuqit me shumë poet e patriot, si me Shiroken, Nolin, Skiroin, Fishtën e të tjerë.Bashkëpunoi ngusht me Hasan Prishtinën, Avni Rrustemin, Bajram Currin, Isa Boletinin e Plakun mjekerr bardh Ismail Qemailin e Ded Gjo Lulin.Kur shihen me kend punoi, me kend qëndroi, kuptohet edhe ku ishte e kush ishte Luigj Gurakuqi. Me këto përsonalitete madhore historike, patjetër Gurakuqi kaliti patriotizmën e Tij e do të mbetët personalitet I madh në historine shqiptare. Për fatin e Tij të mirë, kjo ishte kohë e vrullit dhe e lavdisë sonë historike. Patrioti stoik, i menqur, i matur dhe enciklopedik, mik i veprës e përparimit, u gjet i pranishëm e në ball të oraginizimit e veprimit në data të lavdishme të historisë sonë kombëtare, u lavdua,më 28 nëntor 1912, që ishte në krahun e djathët të Plakut Mjekër Bardh Ismail Qemailit, në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë nga sundimi mbi pesë shekullor Otoman, në Vlorën Heroike, ku pat thënë: Kjo zgjedhë duhet të jëtë e fundit” dhe për shqiptarët,”Kjo festë asht e mrekullueshme dhe e madhërishme”. Me 1921/24 Gurakuqin e shohim Deputet të Shkodrës në Parlamentin shqiptar në Qeverinë e Zogut, vrasësit të tij të ardhshëm, në pushtetin e të cilit Gurakuqi shihte ”pushtetin e hurit dhe të litarit”. Veprimet kundër Zogut në parlament gjithmonë I kishte në mbrojtje të interesave të fashtarësisë, dhe cdo herë foli në të mirë dhe mbrojtjen e tyre, Foli shumë për emancipimin e femnrës shqiptare, ishte I ashpër dhe I hapur, sa pati guxim, që Zogut para syve t’ia thot fjalët të shkruara nga Noli drejtuar mbretit satrap, “birit i Kainit,Tabdil si bari”, “sternip I Nasradinit”. Zogu edhe pse u mundua t’ia ndal gojën ketij “zemer hekuri”,kurrë nuk ia arriti qëllimit. Gurakuqi për Shqipërinë ishte patrioti xhevair I shtenjët, që siç thot historiani me kompetencë I historise së letërsisë shqiptare Rexhep Qosja, ” Nuk ka ditur, as nuk ka dashur t’i bëjë punët vangavinga”. Pas vrasjes së Avni Rrusteit, u bë nxitje e favorshme për kryengritje, të cilën e udhëhoqi fan Noli, dhe mu nga kjo kryengritje, nuk vonoi dhe u kororizua me formimin e njohur të Qeverisë Demokratike, Revulucioni e Qershorit më 1924.Edhe pse nuk pati jetë të gjatë, nga armiqët ziliqar sërbë dhe intrigave të me sllavët e kundërshtarëve tjerë, Jehona e tij qëndroi për shumë kohë e njihet në histori e dëgjohet edhe sot në Shqipëri dhe gjitha trojet etnike shqiptare. Gurakuqi ishte dorë e djathët e Qeverisë Demokratike shqiptare të Nolit, ku kreu detyrën e Ministrit të Arsimit. Qosja me të drejtë thotë:”Humbëm Qeverine Demokratike, që askush nuk e pati para nesh në Ballkan”. Ishte Qeveri e parë e këtij lloji në siujdhesën tonë. Pas këtij dështimi, Gurakuqi me shokë, shkuan në emigrim, për tu përkatitur e pritur nje ditë të përshtatshme të rikthimit. Por, Zogolli përgatiti mercenar të soji të vetë, që mos ta gjente edhe njeherë e liga mbretërore, i ndoqi, i vrau i shau dhe i zhduku këta patriot atdhetarë, me dorë tradhtare të mercenarëve, Vrau edhe Gurakuqin ndër të parët me 2 Mars 1925 në Bari të Italisë, Gurakuqi mbeti syrgjyn-vdekur, si edhe Bajram Curri e Hasan Prishtina më vonë në Selanik dhe dyfsih u hakmorr ndaj Avni Rrustemii pse ia vrau dajën e mikun më besnik të sërbëve, Esat Pash Toptanin. Luigj Gurakuqi, patrioti atdhetar e burrështetin emblematic, qe nuk ishte e as nuk mbeti “syrgjyn”.Pasi që tash afro një shekull, brez pas brezi, shqiptarët e mësojne, e lexojnë e shohi në përmendore të materializuar kudo në hapësirat shqiptare. Vepra letrare, pedagogjike e sodomos personaliteti I Tij historik është i gjallë dhe shërben symbol guximi e përparimi shqiptar, me të drejtë Noli e mbyll elegjinë për Gurakuqin me një gradacion rrefimi të një përshkrimi krenar. Nëno moj-ç’është përpjekur gojë-mjaltë e zemër hekur syrgjyn-gjall e syrgjyn vdekur ky vigan liberator.

    Përgjigju