POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Lushnjë/ Jetesa në varfëri dhe kushte skandaloze, familja Zeneli: Kërkojmë ndihmë, po na bie çatia mbi kokë

E varfër dhe me shumë halle, jeton familja Zeneli në fshatin Grabjan të Lushnjës. Katër anëtarë të kësaj familje jetojnë në një kasolle, e cila është e sajuar me disa dërrasa, por edhe ato janë të hapura në disa pjesë. Tavani i kasolles është tërësisht i rrënuar sa që çfarë bie jashtë futet brenda. E zonja e shtëpisë Jolanda Zeneli, prej vitesh është e sëmurë, ndërsa njërën këmbë e ka të amputuar për shkak të sëmundjes.

Kryefamiljari Hasan Zeneli thotë se nuk kanë mundësi financiare për të ndërtuar një shtëpi tjetër, pasi sipas tij sëmundjet e bashkëshortes e kanë gjunjëzuar edhe më shumë.

"Jemi duke vuajtur jashtë mase. Ne nuk jemi të punësuar, jemi thjesht duke kërkuar ndihmë për një strehë, për një shtëpi", shprehet për Report Tv Jolanda Zeneli.

Ndërkohë vajza e çiftit, e cila është e divorcuar, kujdeset për të ëmën e cila është e paralizuar dhe e ka të pamundur për të levizur pa ndihmën e dikujt. Anifeja kërkon ndihmë nga shteti pasi gjendja në të cilën ndodhen është e papërballueshme.

"Unë qesh e martuar, por më ra gjendja e nënës, u sëmur dhe burri nuk më linte. U detyrova ta lija atë dhe erdha tek nëna", thotë Anifeja, e cila shton nëpër lot se e ëma ka shumë nevoja ekonomike. 

Për familjen Zeneli shteti apo edhe politikanët kujtohen vetëm në raste zgjedhjesh, atëherë kur ata vizitohen me thasë më miell e me ushqime të cilat nuk e mbyllin javën. Familja Zeneli apelon për ndihmë pasi dimri po afron e ata nuk kanë më së ku të fusin kokën.

a.s.
Komento