'Lutje detit', Borxhi i Khaled Hosseinit ndaj djalit sirian Alan Kurdi

'Lutje detit', Borxhi i Khaled Hosseinit ndaj djalit sirian Alan Kurdi

Khaled Hosseini

Libri “Lutje detit” është një libër për të gjitha moshat, një histori për të rriturit, për prindërit, për ata që përpiqen të gjejnë një vend, një strehë pa luftë në botë.

Ky libër i autorit bestseller ndërkombëtar Khaled Hosseini është një përgjigje e qartë ndaj krizës së refugjatëve sirianë, frymëzuar nga imazhi që tronditi botën i Alan Kurdit 3-vjeçar, që u gjet i mbytur, pa, jetë në një nga plazhet e Turqisë.

Shkruar në formën e një letre, “Lutje detit” është një reagim i babait, ndërsa shikon djalin e tij në gjumë, në udhëtimin e rrezikshëm nëpër det, që shtrihet përpara tyre. Është gjithashtu një pasqyrë e jetës së tyre në Homs, Siri, para luftës dhe e shndërrimit të shpejtë të atij qyteti nga një vend i qetë në një zonë vdekjeprurëse lufte. Libri është realizuar në bashkëpunim me UNHCR-në, Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët dhe fillimisht është promovuar si film virtual i Guardian-it në shtatorin vitit të kaluar.

Ky tregim poetik i rrëfyer me shumë intensitet, në përkujtim të përvjetorit të tretë të vdekjes së Alan Kurdit 3-vjeçar, trupi i pajetë i të cilit u gjet në një breg të Turqisë në shtator të vitit 2015 e duke shkaktuar zemërim në mbarë botën, hapet me përshkrimin e një plazhi të ndriçuar nga drita e hënës, ku një baba mban në krahë të birin që fle, teksa presin zbardhjen e agimit dhe mbërritjen e varkës. Tregimi është konceptuar si një letër nga një baba i frikësuar sirian për djalin e tij, në prag të kalimit nëpër detin e pabesë për në Europë. Ai i flet të birit për verën e gjatë të fëmijërisë së vet, duke kujtuar shtëpinë e gjyshit në Siri, zhurmërimën e degëve të ullinjve që i trazonte era, blegërimat e dhisë së gjyshes së tij, përplasjet e kusive të gatimit.

Dhe kujton po ashtu jetën paqësore të familjes si edhe botën gjithë gjallëri të Sirisë para luftës civile, fushat me lule dhe tregjet e mbushura plot e përplot në qytetin e Homsit, me rrugët plot me njerëz, me xhaminë dhe Souk-un e tij të madh, përpara se qielli të niste të derdhte bomba e qyteti të shndërrohej në një zonë lufte vdekjeprurëse dhe ata të detyroheshin të merrnin arratinë. Duke shkruar në vetën e parë, Hosseini e kontraston me sukses Homsin, një qytet gjithë jetë para luftës, të cilin vogëlushi e ka njohur, me një qytet të shkatërruar nga bombat, uria dhe vdekja. Kontrasti është shprehur përmes stilit lirik të Hosseinit, që na jep fuqimisht në mënyrë të drejtpërdrejtë gjendjen në të cilën ndodhen popullatat e detyruara të zhvendosen, por gjithashtu është realizuar në mënyrë grafike në një nivel të lartë artistik, përmes një ndryshimi të theksuar të penelatave të Williamsit me akuarel. Ngjyrat e qiellit dhe të ujit, të dyja ndërthuren emocionalisht me tekstin dhe i paraqesin figurat e njerëzve të vogla e të brishta. Së bashku, ilustrimet joshëse dhe proza e hijshme dhe emocionale e bëjnë të qartë se Maruani dhe prindërit e tij nuk kanë zgjidhje tjetër, përveçse të kenë besim te deti. Babai i flet të birit për shtëpinë, shpresën dhe frikën.  Kur të lindë dielli, ata dhe të tjerët përreth tyre do të mbledhin plaçkat e do të nisen në një udhëtim të rrezikshëm në det drejt Europës, në kërkim të një shtëpie të re.

 

Pjesa e dytë e letrës është një lutje për një udhëtim të sigurt. Është fuqishëm evokimi i gjendjes në të cilën popullatat e zhvendosura e gjejnë veten duke marrë përsipër një udhëtim, megjithëse janë të ndërgjegjshme ndërkohë për pasigurinë e tij, por që megjithatë për ta është e vetmja mundësi që të shpëtojnë familjet e tyre. Libri lexohet si një tekst sintetizues tepër tronditës. Është e pamundur të lexosh pa ndier dhembshuri për ata njerëz që kanë lënë shtëpitë e tyre, për t’i shpëtuar luftës shkatërrimtare, nga të cilët sot ka mijëra të tillë nëpër botë, që u ngjajnë personazheve në libër.

Kjo letër, me fjalët tepër emocionuese që shpreh, dëshmon në vetvete një akt të madh dashurie. Në ato rreshta ndiejmë shpresën e frikën, lumturinë e dhembjen. E pamundur të mos i ndiejmë dhe të mos i aprovojmë ato fjalë, kur mund të mendojmë se në vend të atij babai dhe atij fëmije atje, mund të ishim vetë ne. Gjithashtu është e pamundur që duke e njohur këtë realitet të qëndrojmë mënjanës, aq më tepër kur këto ngjarje zhvillohem pranë nesh.

Hosseini tha se ai e kishte shkruar librin jo vetëm "për të ndihmuar në ruajtjen e kujtesës së Alan Kurdit, por edhe si një borxh që u kemi mijëra njerëzve që humbën jetën në det. Le të jetë një kujtesë për dëshpërimin që i detyron njerëzit të rrezikojnë gjithçka që kanë. “Por nuk është  gjithçka në errësira. "Drita është një pjesë tepër e rëndësishme e punës sime," shpjegoi Williams, "dhe simbolikisht kjo sjell një nivel shprese. Duhet të ketë gjithmonë një element shprese. "

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Komisioni Hetimor i Shëndetësisë/ 'Turp që bëni avokatin', Ilir Metaj - Ilda Dhorit: Harroje teorinë e kaosit

Komisioni Hetimor i Shëndetësisë/ 'Turp që bëni avokatin', Ilir Metaj - Ilda Dhorit: Harroje teorinë e kaosit