Magjia e universit justinian, si e kam njohur Justina Aliaj

Magjia e universit justinian, si e kam njohur Justina Aliaj

Justina Aliaj

Na ishte një herë një vajzë e vogël. I pëlqenin lulevilet, shermashekët, karafilat... Quhej Justina Alia. Edhe pse vajzë me gërsheta si ëndrra, ishte si djalë çapkën. Nuk linte “dy gurë bashkë”.

Këngën e kishte dashur që fëmijë. Fëmijëria ishte lidhur me të. Zërin e kishte të bukur. Trashëgim nga e ëma. Dhe fëmijëria mbetet e shenjtë për Justin.

Jo më kot shprehet:

Koha më e artë e jetës sime është fëmijëria, e pasur me jetë, me dashuri në familje, aktivitete të pafundme. Mbaj mend 6 vjeçe kam mësuar notin duke kënduar këngët shkodrane. Kam qenë kurreshtare, intuitive. Mamaja më bërtiste, sepse merrja çarçafët e shtëpisë dhe luaja teatër “Borëbardhën”. Lojërat e mia më të preferuara ishin, “Kush pozon më bukur, teatri... e shumë çapkënllëqe pa fund. Ndërsa Shiroka ka qenë nostalgjia më e madhe për mua.

Justina Aliaj

Gjithashtu me moshën e saj fëmijërore lidhën këngët e bukura dhe të paharrueshme, si “Pula e gjeli”, “Kukullës”, etj., si dhe respekti për mësuesin e parë, zotni Toninin (Tonin Dainë).

Më vonë do të këndonte në një festival me numtin 11. U quajt “famëkeq” e “modern”. Si gjithmonë vjen një urdhër i prerë nga lart... duhet të dënohet Justina Alia. Shumë vite më vonë, gazetari Edison Ypi do të shkruante: “Do ju rrëfej për një njeri të jashtëzakonshëm, një njeri “lindur për të kënduar” që djajtë e kuq e shndërruan në njeri për të “jetuar për të vuajtur”...

E kënduara e saj ishte një miks mahnitës i talentit, butësisë, ëmbëlsisë, seriozitetit, përgjegjësisë, po aq sa edhe i një nervozizmi të dukshëm, një shqetësimi të brendshëm, një revolte të shpallur. Ishte pra, diçka e pa provuar kurrë më parë, diçka jo e atyshme, e këtushme, diçka e përtejme, njëkohësisht tepër e largët dhe tepër e afërt, diçka prej Udstoku, dhe më tepër.” 

Në jetën e saj artistike, ashtu si dhe për të tjerë artistë, solli një goditje të rëndë duke i prerë në mes ëndrrat e saj. Ajo “këngë” ia mbylli gojën për shumë e shumë vite me radhë. Jo vetëm kaq, por edhe disa sekuenca të një filmi, si “Pylli i lirisë”, ia dogjën. E vranë për së gjalli. Rruga e saj, tani, do të ishte plot privacione, dilema, dhimbje, rrëzime, ngritje përsëri në këmbë, lot,... Por Justi qëndroi stoike si një Bernarda Albë... Justi, një emblemë e artit shqiptar!

Dhe në një intervistë, para katër vitesh, Justina do të shprehej:

Unë nuk e kam qarë kohën që më bëri për të qarë. Unë e dashuroj këtë jetë dhe kam bërë paqe me veten. Jeta është kaq e bukur dhe kaq e thjeshtë, saqë njerëzit bëjnë gabim që e kompleksojnë dhe e vështirësojnë më së koti.

Justina Aliaj

2. Biseda e parë e vogëlushes Justinë me gjuhën muzikore ishin mësimet e zotni Tonin Daisë.

Ja, edhe skena... përralla muzikore “Mësimi i pyllit”, teksti Lec Fishta, muzika Tonin Harapi, regjisor Andrea Skanjeti. Kjo përrallë muzikore u vu në skenë dy herë. Në të parën protagoniste ishte Roza Xhuxha (Anagnosti)., kurse në të dytën Justina Alia. U inçizua në Radio Tirana dhe u transmetua disa herë.

3. Justi, që në fëmijëri u rrit mes mjediseve muzikore e artistike, që i kishte traditë Shkodra.

Që në kontaktet e para me skenën, shpalosi një cilësi që e ruajti gjithëherë si një ëndërr të bukur, si një relike të çmueshme, - aftësinë për të rrëmbyer spektatorin me interpretimin e saj.

Falë talentit, në tiparet e saj si këngëtare u mishëruan shprehitë artistike, vokale, emocionale dhe aktoreske, të cilat u njëjtësuan kurdoherë dhe ia arritën qëllimit. Mbi të gjitha, me shumë kurajo, e me të drejtën që i dha vetes të interpretojë në skenë, këtë angazhim e justifikoi deri në fund. Tingujt e këngëve nga repertori i kompozitorit Agim Krajka, si “Unë dhe shokët e mi”, “Unaza”, “Jam një vajzë”, e plot këngë të tjera: “Mall për Vendlindjen”, “Në ekranin e televizorit”, “Stacion i dashur”, “Në mbrëmjen e vallëzimit” etj., e plotësojnë dhe e dritësojnë portretin e Justit si këngëtare. Ato kanë mbetur në kujtesën e publikut.

Dhe në kujtimet e saj, Justi për këngën “Mall për Vendlindjen” do të shprehet: “Pas 18 vitesh nga Festivali i 11-të, për të parën herë në ekran jam shfaqur me këngën “Mall për Vendlindjen”. Tish Daija është vula për këtë baladë të paharruar. Oh, sa histori ka kjo këngë, por unë po kam dëshirë me nderue disa nga ata muzikantë që më janë aq të dashur e u jam mirënjohëse.

I ndjeri dhe i paharrueshmi Alqi Kareco, që e zbukuroi aq mrekullisht këngën me orkestracionin e tij dhe lëvizjet brilante të gishtave të tij në piano. Alqi më ka ngjethur shpirtin sa herë me mënyrën se si ai e konceptoi baladën.

I talentuari Gugash Balena, violina e të cilit tingëllon si e një virtuozi të vërtetë, i pavdekshëm në introduksionet e këngës, dhe që, për hir të së vërtetës dua ta them sinqerisht se, ngado që e dëgjoj këngën time të kënduar (apo edhe mua vetë kur mundohen me më shoqërue alternativa të ndryshme orkestracioni për këtë baladë), nga askënd e nga askush nuk e dëgjova të tingëllojë si violina e Gugash Balenës së viti ’90, kur u inçizua. Faleminderit Gugash! Tish Daija është legjendë në muzikën shqiptare, dhe personalisht i jam pafundësisht mirënjohëse! E quaj për krenari që jam pjesë e karrierës muzikore të së madhit Daija.”

4. Një kujtim nga drama “Nora” e A. Skanjetit

Është viti 1975. Përsëri në skenën e Teatrit “Migjeni” do të ishte mysafire drama “Nora” e Andrea Skanjetit. Regjisore Violeta Sekuj.

Tek përgatiste rolin e Norës (i cili ishte kryesori në këtë dramë), Justi shkonte shpesh në shtëpinë e Andreas. Bisedonte shtruar me autorin. I kërkonte mendim për një skenë e për një tjetër... Shpesh i tregonte se si i kishte zgjidhur disa batuta të dramës, për ndonjë mizanskenë, për ndonjë emocion. Dhe Andrea në  kujtimet e tij, në mes të tjerave shkruan: “... nisa të kuptoj se sa ajo e dashuronte rolin e me sa pasion e përgatiti atë, gjë që më vonë do t’i sillte suksesin e dëshiruar...”. më vonë, disa vite më vonë, me syrin e regjisorit dhe të kujtimeve Andrea shkruan: “Gjatë eksperiencës sime kam hasur ndër aktorë me prirje të zhvilluar që në fëmijëri dhe që kanë vazhduar skenën edhe në moshë. Këtu do të veçoja Justina Alinë.

Aktori është për t’u vlerësuar edhe nga gjatësia e pauzave kuptimplote. Aktori i mirë, ndër pauza gjen mjetin e fuqishëm për të treguar aftësitë e tij, sepse në pauzë ka fushë për t’u shpjeguar lirisht, duke e mbushur me aksion zbraztinë e lënë nga fjalët. Këto konstatime i shkojnë për shtat aktores së talentuar Justina Alia.”

5. Një ftesë nga larg...

“Në 40-vjetorin e punës sime si regjisor në Teatrin “Migjeni”, - shkruan përsëri në kujtimet e tij Artisti i Popullit Andrea Skanjeti, - duke u frymëzuar nga romani “Prijësja e komitëve” i Sulejman Krasniqit, në vitin 1976 shkrova dramën “Drenusha e Drenicës, e cila u vu në skenë në vitin 1978.

Një ditë mbi tavolinën time të punës, në teatër, gjej një ftesë. Grupi diletant i ndërmarrjes së Mjeteve mësimore në Tiranë do të jepte premierë dramën “Drenusha e Drenicës” në skenën e Teatrit Popullor. Nuk isha aspak në dijeni. Më erdhi e papritur. U gëzova shumë (siç gëzohet njeriu kur shikon një lule, aq më shumë kur të shfaqet e beftë) që regjisore dhe personazh kryesor, pra Shota ishte Justina Alia, tashmë për mua një emër i njohur dhe i respektuar. Mendova me vete, ku paska përfunduar...

Pashë shfaqjen si spektator bashkë me spektatorët e shumtë që mbushnin sallën e Teatrit Popullor, të cilët e pëlqyen shumë dhe e duartrokitën shumë herë. Interpretimi i Justinës qe i lartë. Nuk më çuditi aspak, sepse ajo si aktore profesioniste në Teatrin “Migjeni” realizoi aq bukur dhe mirë rolin e Norës. Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe edhe me rolin e Shotës...”

6. Një dëshirë që mbeti dëshirë...

Artisti i Popullit Pjetër Gjoka kur doli në pension, shpesh vinte në Shkodër. Kujtonte vitet e fëmijërisë e të rinisë. Por... ai vinte të takonte edhe miqtë e tij të ngushtë. Njëri ndër ta ishte dhe regjisori Andrea Skanjeti.

Të dy, nën atë mbrëmje të vakët prilli, po rrinin në verandën  e hotel “Rozafës” e po pinin kafe. Bisedonin e kujtonin... Më pas filluan të flisnin për planet e projektet që kishin ndërmend të bënin. Pjetri, me atë javashllëkun e tij, i tregon se kishte shkruar një skenë nga vdekja e Azem Galicës dhe donte ta transmetonte në Radio Tirana. Kurse Andrea i thotë se, sapo ka përfunduar dramën “Drenusha e Drenicës që i kushtohej Shotës.

Pjetri i shfaq dëshirën që këtë dramë ta vinte në skenën e teatrit “Migjeni”, pasi aktorja e talentuar Justina Alia, në atë periudhë po korrte sukses me “Norën”. Ai e kishte parë këtë shfaqje, dhe në revistën “Skena dhe ekrani” Nr.1, 1981, do të shkruante: “... binte në sy forca e talentit të aktores Justina Alia, e cila, me interpretimin bindës e të natyrshëm, të saktë e realist, plot forcë komunikuese mendimi dhe emocioni në rrethana shumë të koklavitura, arriti të ngrejë lart figurën zemërtrime”.

7. Në mes kolegëve... kujtime për Justin

Aktori Bep Shiroka, Artist i Merituar: “... ndoshta ishte kënga që e solli në skenën e teatrit si aktore. Duke mbartur dramën e dhimbjes të largimit nga puna si regjisore në televizion; e pafajshme e plot dinjitet aktorja Justina Alia vjen në qytetin e lindjes me pasaportën e së drejtës për të luajtur vetëm në skenën e Vendlindjes. Pra, e solli rasti ta kisha partnere. Interpretuam te “Nora” e A. Skanjetit. Unë në rolin e babës, ajo të Norës. Ishte momenti kur bija ime do të shkëputej nga gjoksi im dhe do të nisej te pasha. Ishte aq e mbushur emocionalisht, kaq e vërtetë, sa tërë dritën e saj ma dha mua. Dhe unë e përcolla me dritën e saj...”

Aktori Nefail Piraniqi: “Justi ishte një shoqe e mirë. Mbi të gjitha ishte njerëzore. Një botë aktoreje që ishte për t’u pasur zili. Temperamenti i saj ishte i tillë sa prestonte për humor dhe bënte gjithëherë një humor të këndshëm shkodran”.

Aktori Lec Bushati, Artist i Merituar: “Ishte koha kur teatrit “Migjeni” i duhej një vajzë e re. Papritur e pakujtuar i erdhi aktorja Justina Alia. E pritëm me simpati. Me të vërtetë e justifikoi simpatinë tonë. Ndonëse kisha vite si aktor, kur interpretoja me të, të krijonte freski dhe të rinonte. Kujtoj rolin e Danës te drama “Djem të mbarë” të F. Krajës. Ishim babë e bijë. Ende sot e kujtoj me nostalgji atë skenë takimi prekës e të përmalluar, një rol i luajtur me vërtetësi e sinqeritet, pa teatralitet e lot ndër sy... Justi e justifikoi pritjen tonë, që ishte mungesa e vajzës së re në teatër e njëkohësisht vërtetoi talentin e saj”.

8. Justi ishte një aktore pasionante.

Aq sa kur fillonte punën, nuk njihte orar... Jetën si aktore në skenën e teatrit të Vendlindjes e pati të shkurtër. Përsëri shkoi në Tiranë. Përsëri errësira zgjati mantelin e saj... E pas këtij manteli erdhi një rreze shprese... Një rol në filmin “Rrethi i kujtesës”. E për këtë film Justi thotë: “Është një film i rëndë, por i realizuar bukur. Është punuar me pasion. Ndonëse ka pasur shumë vështirësi, është realizuar me përsosmëri nga regjisori Esat Musliu. Interpretimin e personazhit, ia mora dikujt borxh karakterin, dikujt që e njihja mirë dhe që kishte bërë keq. Më pas erdhi roli në filmin “Vdekja e burrit”. Pata një rol më me hapësirë. Ishte pozitiv. Ishte hera e parë pas dënimit që më dhanë një rol pozitiv në kinematografi. Eh, vitet!.. Vitet më kujtojnë... dhe po ndalem në vitin 1989. Kam lozur rolin më të bukur në jetën time. Ishte pjesa “Opera për tre grosh” e B. Brehtit. Isha në rolin e Polit. Ka qenë roli më fantastik për mua. Por... nuk dua të harroj... i bukur ka qenë dhe roli te “Bernarda Alba””.

Dhe... kthehemi në atë periudhë pritjeje të gjatë të Justit. E lodhshme, ajo pritje! Sfilitëse, raskapitëse.. pret ashtu “syrgjyn gjallë e syrgjyn vdekur”, ashtu shpirt gjymtuar e shpirtshpresë Stinën e Lirisë që shumë e kishte ëndërruar...

Fillimisht nisi t’i dëgjohej zëri me recitime nga krijimtaria e poetëve shkodranë, një pjesë e tyre e harruar. Nisën të trokisnin ftesat: “Ju ftojmë në...” Adresa: Teatri Kombëtar, Elbasani, Korça... etj. Kështu... do të ishte ftesa e Teatrit Kombëtar për shfaqjen “Tartufi” të Molierit me regjisor Erion Kame, që e solli Justin në skenën magjiplote. Dhe Justi sjell nëpër mend: “Jo, nuk ishte Tartufi që më solli. Ishte Drejtori i Teatrit Kombëtar që më solli të interpretoj në teatër me pjesën “Tartufi”, ku unë pata rolin e mrekullueshëm zonjën Pernelë, rol i cili më bëri të prek kënaqësinë e profesionit tim të shtrenjtë përfshirë skenën time. E dashuroj Pernelen (personazhin) dhe kam dhënë gjithçka që ky rol të ishte dinjitoz me gjithë çmendurinë e personazhit, të cilit unë luaja. Kam punuar në çdo detaj, siç edhe kam mënyrën time të punuarit me tekstin, deri te kostumi, ngjyra blu të cilën ai përfundimisht mori, apo vogëlsira të shumta, të cilat nuk po i përmend për mos t’iu mërzitur.”

Pas disa muajsh nisi punën me regjisorin Stefan Çapaliku në dramën “20 vjet, 2 javë dhe 2 ditë”. Dhe më pas “Justina shoë” në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit, tamam në atë auditor ku u godit edhe Festivali aq i përfolur me numër 11-të.      Edhe kënga – pasioni i saj i dikurshëm u ringjall, siç ringjallet Feniksi. Kënga mori shpirt nga shpirti i saj, mori krahë e fluturoi si një dallëndyshe nëpër hapësirat e qiellta të shpirtit të Justit. Eh, sa shumë i kishte ëndërruar!..

9. Justi herë pas here vjen në Shqipëri, vjen në Shkodër në Vendlindjen e saj.

Çdo zë i largët, sado i largët që të jetë, mjafton të mbajë erë vendlindjeje, erë Shqipërie; i zgjon mall e kujtime. Edhe më shumë... dhimbje!

Justi, ende, sot mban një pengë në shpirt. E mban përjetë. Është  peng i një çasti dhimbjeje që nuk largohet, ajo nuk mori pjesë në varrimin e Nënës së shtrenjtë. Se Justi ishte larg, shumë larg... Për këtë loti është pak, malli është shumë e dhimbja është mal. E, si në një mirazh vijnë tingujt e një violinçeli, si edhe të një pianoje. Është një sonatë kujtimi, që interpretojnë fëmijët e Justit, për t’i kujtuar pavdekësinë gjyshes...

Koha dhe vitet shumë rrudha e thinja “i falën” ëndrra të pafajshme të Justit. E ajo në një bisedë telefonike do t’i thoshte këngëtares Zana Çela: “Unë s’ia kam zënë askujt karrigen. Aty ku jam ulur ka pasur vetëm një emër: JUSTINA ALIA.”

Malli i këngës “Vendlindjes sime të kompozitorit të mirënjohur shkodran Tish Daija, të cilën e këndoi plot shpirt, në një recital televiziv, rri ndezur si një qiri, si një peng, si dashur, si... Sa herë unë në Vendlindje kthehem, / fëmijërinë, rininë filloj të kërkoj...

Ato rrinë si një pikë loti mbi faqen Artistes së madhe, aktores së talentuar JUSTINA ALIA.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Drejt përfundimit shkolla dhe kopshti “Jusuf Hoti” në Katund të Ri, Rama ndan pamjet (VIDEO)

Drejt përfundimit shkolla dhe kopshti “Jusuf Hoti” në Katund të Ri, Rama ndan pamjet (VIDEO)