Maksim Greku:Mihal Artioti-Trivoli,
shenjtori arbëror nga Arta

Maksim Greku:Mihal Artioti-Trivoli,<br />shenjtori arbëror nga Arta<br>
Mihal Artioti siç është quajtur në vendlindje, apo Mihal Trivoli, siç e quajnë në studime të ndryshme, Maksim Hagioriti është një tjetër emër paralel - ka lindur në nje familje arbërore të kulturuar rreth viteve 1475~ 1480,  në qytetin shqiptar Artë që ishte pushtuar nga osmanët në vitin 1449.

Prindërit e tij ishin Emanuel dhe Irena Trivoli, Ata çmoheshin si njerëz të ditur për kohën dhe që kishin afrimitet me personalitete të kulturës në Itali, u kujdesën që i biri të mësonte në shkollat humaniste evropiane. Kështu Mihalin e ri në vitin 1492 dërguan me studime ne Itali e më pas në Paris. Ka hamendjeve që mund të ketë studiuar edhe në Spanjë.

Në Itali qëndroi për shumë vjet. Aty studioi artet si dhe ndoqi ligjërata ne fushën e moralit, drejtësisë, filozofisë dhe dijeve të tjera. Mori mësime humaniste në Firence nga profesorë të  njohur mes të cilëve Pico della Mirandola; studioi në Bolonja, Milano, ndërsa në  Padova, ku ai ndiqte studimet, jepte mësime bashkëkombasi i tij, filozofi, historiani e astronomi i madh me prejardhje shqiptare nga Epidamni Leonik Tomeu (1456-1531, i cili mendohet se qe mësues i Nikola Kopernikut.

Mihal Artioti qëndroi edhe në  Venedik, ku zhvillonin veprimtarinë e tyre figura të njohura me origjinë shqiptare si Marin Barleti, humanisti Marin Beçikemi dhe piktori i famshëm i Viktor Karpaci. Në këtë qytet, ai bashkëpunoi me tipografë të njohur venecianë. Gjatë kohës që ishte në Itali, Mihal Trivoli - Artioti bie nën ndikimin e ideve te Savonarolës. Krahas marrjes së mësimeve humaniste ngulmoi për kalitjen e karakterit te tij, duke bërë nje jetë stoike. Ne vitin 1502, në Firence u futën në  urdhërin katolik domenikan.

Ndërsa ne vitin 1506 futet ne urdhrin e murgjve ortodoksë te manastirit të famshëm Vatoped në Malin e Shenjtë, i njohur për jetën e mundimshme e të shkëputur nga bota, prej të cilit kane dalë  43 shenjtorë të ortodoksisë. Ai, me aftësitë dhe veprimtarinë e tij bëhet një nga fugurat më të rëndëishme në historinë e manastirit famëmadh. Rreth vitit 1516 ai u kthye në Artë, por në qytetin e tij ishte e pamundur të zhvillonte veprimtari për shkak të kushteve të rënda të pushtimit.

Kur Knjazi i Moskës, Vasili i III Ivanoviç kërkoi një letrar të shquar e njeri të ditur për përkthimin e shkrimeve të shenjta që kishte marrë  nga Bizanti, Mihali e pranoi ftesën dhe pas një qëndrimi në Krime për te mësuar rusishten, me 4 mars 1518 arriti në Moskë, ku u prit me nderime dhe ku, biblioteka e pasur e këtij qyteti iu vu në përdorim. U mor me përkthimet fetare te psalmeve si dhe rishikimet e teksteve fetare të përkthyera më parë prej të tjerëve nga latinishtja, por tashmë duke pasur për bazë origjinalet në greqisht.

Në Rusi mori një emër te ri, Maksim Greku. Arsyeja e këtij ndajemri të ri nuk e dimë me siguri. Ndoshta se ai ishte një interpretues, njohës e përkthyes i kulturës antike dhe bizantine, Një arsyetim tjetër do të qe rritja dhe brumosja e tij në manastiret e Malit të Shenjtë Atos në Greqi.

Tekefundit, me këtë emër do të njihet si në studimet e shumta origjinale, por edhe në studimet e botimet e autorëve të ndryshëm mbi të. Veprimtaria e parë humaniste që bëri në Moskë që hapja e një shkolle nën shembullin e shkollave, ku kishte studiuar ne Itali. Ai dëshironte të sillte në këtë vend të prapambetur frymën e ideve të Rilindjes Evropiane, duke u bërë botërisht i njohur si humanisti i parë në Rusi. Në kohën e Ivanit të Tmerrshëm hapi të parën shtypshkronjë të rregullt dhe me shkrimet e tij publicistike i dha popullaritet zbulimeve te reja gjeografike të epokës (zbulimi i Amerikës nga Kolombi mbërriti disa vjet mbrapa në Rusi) duke afruar dukshëm Rusinë me zhvillimet evropiane, çfarë nuk u pa me sy të mirë nga ato forca me prirje prapakthyese që përfaqësonin të shkuarën.

Në atë kohë, në Rusi kishte dy grupime, kundërshtare me njëra-tjetrën, grupimi aristokrat konservator dhe ai liberal. I afohet këtij të fundit për shkak të karakterit humanist të ideve të tij, ai do të bëhej objekt sulmesh e ndjekjesh, madje ndonjëherë publike. Duke qenë më i fuqishëm, krahu konservator arriti edhe ta arrestojë në 1525 dhe e mbyllin në kështjellën- manastir të Volokolamskut. Në vitin 1531 do t'i bënin sërisht një gjyq me padinë si heretik dhe se kishte keqinterpretuar përkthimet biblike nga greqishtja në rusisht. Nga viti 1531 deri në vitin 1551 e izolojnë në manastirin Otrou në Tain. Por internimet nuk do t'i ndahen. Fundin e jetës do t'a kalonte në manastirin e Shën Sergeit dhe mjaft kohë i qe ndaluar të lexonte e shkruante.

Kërkesën këmbëngulëse te Maksim Grekut, që në moshë të thyer t’ia lejonin kthimin në atdheun e tij, në Epir, Knjazi i Moskës ìa refuzoi me pretekstin se, duke qenë njeri i ditur e i zgjuar, që di aq shumë për Rusine, ai do të përhapte të vërtetën në të gjithe botën. Është për të vënë në dukje se ai shkroi veç të tjerash edhe për vendlindjen e vet Arbërinë-Epirin dhe për kohën e bëmat e Gjergj Kastriotit - Skenderbeut.

Kështu Mihal Trivoli-Artioti (Maksim Greku), njeriu më i ditur dhe humanisti më i madh i Rusisë, që përçoi idetë e mëdha të Rilindja Evropiane në atë vend, në përpjekje të jashtëzakonshme për t'a bërë atë pjesë e asaj kulture, u dënua t'a kalojë jetën në internime të pafundme, por me një krenari e dinjitet te palëkundur e të admirueshem, sepse nuk hoqi dorë deri në frymën e fundit prej ideve të ndritura të kulturës e të dijeve që kishin përfshirë kontinentin dhe hapnin një epokë të re për njerëzimin. Edhe pse rreth 80 vjeçar, i lodhur e i dërrmuar nga jeta e vështirë, vdiq i papërkulur në idete e veta te ndritura, i vetmuar e në internim në Trinita Sergiev, me 21 janar te vitin 1556.

Duhej te kalonin afro pesë shekuj që shqiptari i Artës, Mihal Trivoli - Artioti, me emrin e rusifikuar Maksim (Greku), të shpallej në ngadhënjyeshëm prej Sinodit te Shenjte, si Shenjtori i Ortodoksisë Ruse ne vitin 1988. Sido që të mbiquhet, të gjithë studiuesit seriozë, shqiptarë dhe të huaj nëpër epoka (madje edhe vete studiuesit rusë, në një Fjalor enciklopedik, botuar nga "Ruskoje sllovo" të vitit 1996) e kanë vlerësuar dhe e vlerësojnë Mihal Trivolin - shenjtorin e ortodoksisë Maksim Greku - si arbërin/epiriotin nga Arta.

Mihal Artioti, ishte humanist i madh që dha një kontribut të jashtëzakonshëm në mendimin intelektual humanist të Rusisë. E mund të konsiderohet në mënyrë te padyshimtë më i shquari në Rusinë e kohës, sepse ai zhvilloi një veprimtari të gjerë filozofike, pedagogjike, etike,publicistike si dhe në fushën e përkthimeve, duke qenë autor i me shumë se njëqind e pesëdhjetë veprave e studimeve në fushat e teologjisë, filozofisë, pedagogjisë e shkencave humane. "I pari që e ka bërë të njohur publikisht zbulimin e Amerikës tek rusët ka qenë Maksim Greku në vitin 1540

Ivani i Tmerrshëm i kërkon mendim Maksim Grekut

Dy fragmente nga “Ivani i Tmerrshëm – Henri Troyat, Paris:  Flammarion, 1985

...Këshilltarët e Radës, ia rikujtojnë që ende s’e ka marrë plotësiht veten, që lodhja e rrugës mund të jetë e rrezikshme për shëndetin e foshnjës dhe që do të bënte mirë të rrinte në kryeqytet që të ndreqte gjendjen shqetësuese të Kazanit ku revoltat po shtoheshin. Veçanërisht Silvestri dhe Aleksis Adashevi ngulmojnë që të heqë dorë nga ky udhëtim. Pa dyshim, besojnë ata, se prelatët e shumtë që asketojnë në manastire do të ankohen për bashkëpunëtorët e tij të ngushtë?

Ajo që mundin të marrin nga Ivani është që para se të niset për Kirilov, do të ndalojë në manastirin e Trinisë së Shenjtë për të kërkuar mbi këtë çështje mendimin e një eremiti të urtë, Maksim Grekut. Ky murg shumë i ditur, lindur në Shqipëri, rritur në një kuvend të malit Atos, u thirr në Rusi nga duka i madh Vasili III, babai i Ivanit, më vonë i syrgjynosur se kishte qortuar martesën e re të mbretit të tij me Helenë Glinskin. I burgosur për njëzet e një vjet, plaku u lirua nga vetë Ivani dhe u zhvendos në manastirin e Trinisë së Shenjtë. Ai u bë simbol i asketizmit, i mençurisë dhe shenjtërisë...

...Duke hyrë në qoshkun e Maksim Grekut, Ivani e shpërfill faktin që të dërguarit e Silvestrit dhe Aleksis Adashevit i janë lutur njeriut të shenjtë ta bindë të heqë dorë nga projekti i tij. Pas fjalëve të mirëseardhjes, i moshuari i thotë vizitorit :“A ia vlen të ndërrmarësh një udhëtim të mundimshëm, me nusen e re dhe djalin, për t’u endur larg e më larg, nga manastiri në manastir? A mund dëshirat e dënuara nga arsyeja të kënaqin Perëndinë? Është e kotë ta kërkosh në shkretëtirë atë që gjendet gjithkund.

"Dhe ai i pohon carit se mënyra më e mirë për të falenderuar Të gjithpushtetshmin është të ndërmarrë një fushatë të re kundër tartarëve. Ivani ngel i shastisur. Ai don të shkojë në Kirilov, jo vetëm se i ka premtuar Zotit, por edhe se e ëma ka kryer të njëjtin pelegrinazh kur ish shtatzanë me të... (Përgatiti & përktheu: Enton Bido)

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Armë për Ukrainën/ A mund të ndihmojë Ballkani Perëndimor?

Armë për Ukrainën/ A mund të ndihmojë Ballkani Perëndimor?