Marrëveshje e re për lehtësimin
e procedurave të vizave Shqipëri-Kinë 

Marrëveshje e re për lehtësimin<br />e procedurave të vizave Shqipëri-Kinë 
Në ditën e dytë të vizitës së tij në Republikën Popullore të Kinës, Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati u prit në takim nga Ministri kinez i Punëve të Jashtme Wang Yi. Dy ministrat rikonfirmuan miqësinë tradicionale midis dy vendeve, shprehën vullnetin dhe gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh dhe në kuadër të Nismës 16+1 Kinë-Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore".

 “Dëshiroj të ri konfirmoj angazhimin tonë në forcimin e miqësisë tradicionale dhe besimit reciprok midis vendeve tona” - u shpreh Ministri Wang Yi gjatë bisedës me Ministrin Bushati. Ai nënvizoi ndihmën e Shqipërisë për rikthimin e RPK-së në OKB dhe Këshillin e Sigurimit dhe vlerësoi politikën e Shqipërisë në njohjen e një Kine. “Shqipëria është pjesë e rëndësishme e Evropës Qendrore dhe Lindore dhe anëtare e Nismës së bashkëpunimit 16+1. Në këtë kontekst, falë përpjekjeve të saj dhe vendeve të tjera të EQL-së dhe Kinës, është rritur bashkëpunimi dhe mirëbesimi mes vendeve tona, por edhe ndërmjet vendeve të EQL-së, të cilat janë bërë shembull i bashkëpunimit rajonal, duke bërë të mundur kalimin në një fazë më të maturuar të bashkëpunimit” - vuri në dukje Ministri Wang. Ai konfirmoi mbështetjen e Qeverisë kineze për projekte me interes reciprok në kuadër të bashkëpunimit dypalësh dhe vullnetin për të marrë pjesë në më shumë projekte në fushat e energjisë, infrastrukturës dhe industrisë.

Nga ana e tij, Ministri Bushati konfirmoi vullnetin për intensifikimin e mëtejshëm të lidhjeve dhe bashkëpunimit me Kinën. Aktualisht marrëdhëniet me Kinën reflektojnë një klimë shumë të mirë të bashkëpunimit dypalësh. Për vitin 2016, Kina renditet si partneri i dytë tregtar i Shqipërisë.

Në përfundim të takimit, palët nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit midis dy MPJ-ve për lehtësimin e ndërsjellë të procedurës së vizave dhe Marrëveshjen për godinat e ambasadave në prani të mediave. Në vijim Ministrat Bushati dhe Wang dhanë një deklaratë për shtyp.

 “Shqipëria konfirmon me kënaqësi qasjen pragmatike të Kinës në rajonin tonë – u shpreh Ministri Bushati gjatë deklaratës për shtyp – dhe unë dëshiroj të inkurajoj autoritetet kineze të zhvillojnë edhe më tej këtë qasje dhe mbështesin realitetet e raja në Evropën Jug-Lindore, ku janë ngritur mekanizma të reja të bashkëpunimit rajonal. Këto mekanizma – vijoi ai – synojnë të transformojnë armiqtë e vjetër në fqinjë pragmatikë”. “Shqipëria – nënvizoi Ministri Bushati – është një vend i vogël, por një mik i vërtetë dhe partner solid i Kinës dhe popullit kinez. Marrëveshja e rëndësishme që firmosëm sot për lehtësimin e regjimit të vizave e dëshmon qartë këtë dhe unë jam i sigurt që do të bëjë që Shqipëria të jetë një nga destinacionet më të mira në Evropë për investitorët dhe turistët kinezë”.

Ministri Bushati u takua dhe me Kryetarin e Departamentit për Çështjet Ndërkombëtare të PKK-së, Song Tao, si dhe ishte i ftuar special dhe mbajti një fjalë në Institutin për Studime Evropiane pranë Akademisë së Shkencave Shoqërore të Kinës me temë “Kina dhe vendet e Evropës Jug-lindore: nga konkurrenca në bashkëpunim".

Në takimin me Kryetarin e Departamentit për Çështjet Ndërkombëtare të PKK-së, Song Tao, u konfirmua miqësia 67-vjecare ndërmjet vendeve tona dhe u diskutuan potencialet e reja të bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë.

Në një prej institucioneve më të respektuar në vend, në Institutin e Studimeve Evropiane, pranë Akademisë së Shkencave Shoqërore të Kinës, Ministri Bushati prezantoi kursin e reformave të ndërmarra nga Shqipëria, ecurinë dhe përforcimin e marrëdhënieve shqiptaro-kineze, impaktin e iniciativave kineze në Europën Qendrore dhe Lindore, dhe bashkëpunimin tonë në përballimin e sfidave ndërkombëtare.

Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com 

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale