Masakrën e Selenicës e prodhuam vetë

Masakrën e Selenicës e prodhuam vetë

Ajo që do të mbahet mend gjatë si masakra e Selenicës, mund të konsiderohet si krim shtetëror, pasojë e sistemit të krimbur gjyqësor por edhe si pasqyrë e degradimit të shoqërisë e familjes shqiptare. 

Krimi ndodh në një zonë të njohur si problematike, me kriminalitet të lartë pas viteve ‘90, por edhe me një profil të ulët shoqëror e ekonomik. Gjatë një bisede, një miku im psikolog më jep disa argumente, që nuk i kisha dëgjuar më herët edhe pse i kisha perceptuar dhe hasur shpesh. Problemet në zonën e Labërisë dhe rrethinave të Vlorës- më tha – e kanë diku larg gjenezën. Lidhja e kësaj zone me shumë fakte historike u ka rritur së tepërmi delirin e madhështisë shumë njerëzve në atë zonë. Kjo e lidhur edhe me shumë ngjarje të tjera, përfshi këtu edhe vitin e mbrapsht 1997, ku Vlora ishte kryeqendra e trazirave, e që regjistroi numrin më të madh të vrasjeve e plaçkitjeve. Sipas mikut tim, veprat e personaliteteve të shquara përfshi edhe Shpalljen e Pavarësisë kanë ndikuar keq në zhvillimin e personalitetit dhe sjelljeve tek shumë individë në atë zonë. 

Por jo vetëm kjo, masakra e Ritvan Zykajt nxori në pah edhe njëherë plagët e shoqërisë dhe familjes tonë. Vrasja e tetëfishtë ndodhi për disa pula të vjedhura, që në numër nuk ishin as sa jetët e marra. Autori njihej në zonë si njeri problematik, por askush nga familjarët apo fisi nuk u mor seriozisht me të, qoftë edhe për ta orientuar që të kurohej. Në vogëli ai kishte kaluar një traumë, e cila i kishte ndryshuar gjithë jetën, ishte djegur në stane teksa ruante bagëtitë. Në të gjitha dëshmitë, të afërmit e cilësojnë Ritvanin me çrregullime psikike e personaliteti, por që nuk ishte trajtuar asnjëherë. 

Masakra e Selenicës ishte sa një krim i paralajmëruar aq edhe i lejuar nga instancat shtetërore. Ritvan Zykaj njihej në fshat si një njeri që lëvizte i armatosur. Ai herë pas here qëllonte me armë në fshat, madje në disa raste ishte shoqëruar edhe nga policia, por çuditërisht ishte liruar sërish. Nuk dihet se si është liruar Ritvan Zykaj nga policia kur ndalohej për armëmbajtje pa leje, por minimalisht një hetim duhet të ketë. 

Lehtësia për të pasur një armë në vendin tonë dhe mundësia për t’i shpëtuar drejtësisë është një tjetër detaj që duhet marrë në konsideratë. Pak ditë më parë Report TV publikoi lajmin se si një i akuzuar për tentativë vrasje, thyen arrestin shtëpiak, lëviz i armatosur në Vlorë dhe lirohet sërish nga gjyqtarja pasi “i ishin shkelur të drejtat”. 

Përballë kësaj situate, çdokush me probleme apo kontigjent kriminal nuk do të mendohej dy herë për të lëvizur e për tu ndjerë më i “mbrojtur e i fortë”, siç bënte Ritvani. 

Por kjo situatë nuk është favorizuar vetëm nga një vendim. Afro 5 vite më parë në një situatë të shtuar kriminalitetit, u ashpërsua Kodi Penal për “armëmbajtjen pa leje”, ku theksohej se nëse kapeshe me armë dënoheshe nga 7 deri në 15 vite burg, dhe nëse ishe përsëritës dënimi shkonte deri në 20 vite, si në rastin e mostrës së Selenicës. Ky nen i ndryshuar u rrëzua nga Kushtetuesja, me argumentin se shkelte të drejtat e njeriut pasi nuk është në përpjesëtim me gjendjen që ka diktuar atë, duke lënë në fuqi që armëmbajtja pa leje dënohet edhe me gjobë. 

Në këtë tragjedi Ritvani nuk është i vetmi fajtor. Përgjegjësinë për këtë masakër duhet ta mbajmë të gjithë. Duhet ta mbajë shoqëria që ka humbur vlerat, familja që as riprodhimin nuk arrin dot ta ruaj si kriter dhe shteti, që jo nuk parandalon, por stimulon rrethanat që shtojnë krimin.

 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët