POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Rikthehet me ekspozitë në Muzeun Kombëtar, piktorja Anila Kati: Komunizmi më privoi ëndrrën

Sapo kishte mbaruar liceun artistik, ishte vetëm 18 vjeç kur regjimi komunist i hoqi të drejtën studimit për në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Një dhimbje e fortë asokohe. Por, nuk kishte asnjë zgjidhje tjetër. Bëhet fjalë për piktoren Anila Kati, mbesën e ish-zëvendësministrit të Tregtisë Vasil Kati, e cila rrëfen peripecitë e regjimit pas tre dekadash në emigrim. Artistja rikthehet në Muzeun Historik me një ekspozitë retrospektiv me rreth 100 tablo. Biseda me të nis pikërisht aty ku ka nisur ndërprerja e ëndrrës së saj, në vitet 1977:

Shkaku ishte jo se unë kisha bërë ndonjë gjë personale, se një nxënëse që mbaron liecun s’mund të ketë asnjë përgjegjësi politike, por unë mbajta përgjegjësit e xhaxhait tim Vasil Kati. Unë kur kam punuar edhe me klasën punëtore mbaja gjithmonë një bllok me vete, mirëpo duke kaluar vitet unë s’po bëja atë që ishte pasioni im. 

Anila Kati, piktore  

Megjithatë ekspozita e ndarë në disa cikle, që nga grafikat e liceut, ikona e frymëzuara nga puna si restauratore, deri tek teknika në 3D. Vepra këto të realizuara vetëm pas emigrimit për në Firence

 Në vitin 1991 unë shkova në Firence. Një vit pas vëllait im. Nuk është kollaj që të lësh vendin tënd, por nuk kisha më prindërit edhe nuk kisha më lidhje të afërta, familjen, veçse kushërinjve. Përpara se unë të kthehesha edhe ishte shumë moment emocional, punova tre apo katër vite me restaurimin edhe u afrova me mjeshtrit e artit të rilindjes, duke hyrë në të gjithë shtresat pikturike, për të bërë ndërhyrjen. Pas kësaj eksperience vendosa që unë të bëj Anilën. Është një rrugëtim për t’u zbuluar çfarë ishte brenda meje. Artin tim përherë e kam lidhur me një lloj mizticizmi, të lidhur edhe me natyrën.

Anila Kati, piktore  

Udhëtimet në jetën e saj, në Itali e në Londër janë një vlerë e shtuar në punën e saj si artiste, por një pjesë e saj mbetet përherë në Shqipëri

“Mua më mban të lidhur me Shqipërinë dashuria për mamanë time, ajo nuk ekziston më fizikisht, por është shpirti i saj, që unë e gjej vetëm këtu, në asnjë vend tjetër. Unë edhe kur iki, një pjesë imja vazhdon që të jetë këtu”. –thotë Kati.

“Firence”, “Dhimbje”, “Portret fëmije”, “Lule djali”, “Ëndërr” apo Don Kishoti janë vetëm disa nga tablotë e ekspozuara deri në 30 dhjetor në Muzeun Historik Kombëtar. Anila Kati është diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Firence. Ka punuar në vende të ndryshme në restaurimin e pikturave edhe ikonave.

f.g./b.xh.
Komento