POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Mbyllja e lojërave të fatit, reagojnë krerët e besimeve fetare: Mbroni të rinjtë nga veset

Kryegjyshi Edmond Brahimaj

Pas vendimit të qeverisë për mbylljen e lojërave të fatit, që ndodhen brenda qyteteve, ka reaguar edhe kryegjyshata botërore e bektashinjve. Në një reagim në Facebook, kryegjyshata përshëndet këtë iniciativë, dhe thotë se kjo nismë do të ndihmojë për të ruajtur rininë dhe familjen nga veset. Pas bektashinjve, i njëjti mesazh për shtetin shqiptar është përcjellë nga Komuniteti Mysliman Shqiptar.

Reagimi i plotë:

U njoftuam nga mediat mbi iniciativën e fundit qeveritare lidhur me lojrat e fatit. Në këtë rast e shikojmë me optimizëm nismën, e cila i bashkohet vlerave të bektashinjve, për të ruajtur rininë dhe familjen tonë të pastër, larg veseve. Le të shpresojmë që nisma të tilla në dobi të shoqërisë të shtohen.

Kryeministri Edi Rama, njoftoi ditën e djeshme në një konferencë për mediat se nga 1 janari qeveria nuk do të japë licenca të reja për këto aktivitete. Në territorin e Republikës së Shqipërisë nga 1 janari nuk do ngrihet më asnjë qepen për baste dhe ashtu siç është përcaktuar në ligjin ekzistues nuk do ngrihet më asnjë qepen për kazino elektronike në asnjë zonë të banuar në 28 mijë kilometra katror të Republikës së Shqipërisë. 

Ora 18:16
Mbyllja e lojërave të fatit, reagon Komuniteti Mysliman: Shteti të veprojë, të mbrohen të rinjtë nga veset

Pas vendimit të qeverisë shqiptare për të mos lejuar më hapjen e pikave të reja të lojërave të fatit, ka reaguar edhe Komuniteti Mysliman i Shqipërisë. Në një deklaratë për mediat, KMSH, përshëndet vendimin dhe inkurajon institucionet shtetërore që të veprojnë për të mbrojtur të rinjtë shqiptarë nga veset.

Deklarata e plotë:

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka mirëpritur vendimin e qeverisë për mbylljen e kazinove elektronike dhe basteve sportive në zonat e banuara.

Ky është një vendim i mirëpritur dhe i gëzueshëm për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe një masë e rëndësishme në mbrojtjen e të rinjve nga rënia në kthetrat e këtyre veseve që sjellin dëme të pariparueshme në familje dhe në shoqëri.

Duke parë rëndësinë e kësaj nisme, KMSH shpreson që instancat përkatëse do të veprojnë maturisht si për parandalimin e lojërave të fatit ashtu edhe të çdo fenomeni që është në dëm të qytetarëve.

Ne inkurajojmë dhe jemi përkrah çdo nisme, e cila i shërben shoqërisë shqiptare dhe që sjell zhvillim dhe mirëqenie në vendin tonë. 

Gjithashtu, përkrahim dhe inkurajojmë qeverinë dhe instancat shtetërore në luftën pa kompromis kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar, të cilat janë të ndërlidhura dhe cënojnë sigurinë dhe paqen sociale në vend.

f.g.
Komento

Komente

  • Bab Dud Teqe Karbonar Myftaria: 10/10/2018 22:46

    Njish!

    Përgjigju