Mehmet Pashë Deralla, firmëtari i pavarësisë si u përndoq nga komunistët serbë e shqiptarë

Mehmet Pashë Deralla, firmëtari i pavarësisë si u përndoq nga komunistët serbë e shqiptarë

Mehmet Deralla

E përndjekur nga Shkupi në vitin 1946, nga komunistët serbë, dhe nën mbikëqyrjen e OZNA-s, familja e Hysen Derallës, të birit të Mehmet Pashë Derallës, u dërgua drejt Shqipërisë. 

Mehmet Pashë Deralla ishte Ministri i parë i Luftës pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe patrioti që kontribuoi në të gjitha ngjarjet e mëdha historike, që nga lidhja e Prizrenit e më gjerë.  

E bija e Hysen Derallës, Valdete Deralla Gjinali, në një intervistë për “Shqiptarja.com” rrëfen sesi familja e tyre e përbërë prej katër vetësh erdhi në Shqipëri; ajo, babai, nëna dhe gruaja e xhaxhait. “Na lanë vetëm dy orë afat të mbledhin gjërat tona, na mbyllën në një makinë  dhe na përzunë në drejtim të Shqipërisë. Shteti jugosllav atje na i sekuestroi të gjitha pronat dhe shtëpinë. Emrat tanë janë zhdukur nga gjendja civile”, thotë Valdetja.

Gjenerali 69-vjeçar, Mehmet Pashë Deralla zuri vendin parësor në qeverinë e Ismail Qemalit. Ai ishte ministri i parë i Mbrojtjes në kohëra tepër të rrezikshme për vendin tonë. Si firmëtar i pavarësisë Mehmet Pashë Deralla përfaqësonte shqiptarët e Tetovës e të Shkupit, duke iu bashkuar Isa Boletinit, që përfaqësonte shqiptarët e Kosovës.

Harta e shtetit të pavarur shqiptar po zgjerohej drejt trojeve etnike. Shpallja e Pavarësisë u nënkuptua edhe për shqiptarët jashtë kufijve. Serbët nuk i harruan përpjekjet e Mehmet Pashë Deralës dhe djemve, Halimit e Hysenit, për bashkimin e trojeve shqiptare, as kontributet e tyre për ngritjen e një shteti të fortë shqiptar. Valdete Derala kujton se ata u sakrifikuan dhe u përndoqën nga regjimi sllav, por ata s’do ta imagjinonin kurrë se menjëherë sa të mbërrinin në Shqipëri ata do të injoroheshin totalisht si bijë të firmëtarëve të pavarësisë. Mbesa e Mehmet Derallës rrëfen kalvarin e familjes së saj. Ishte vetëm 3 vjeç kur e nisën me familjen drejt Shqipërisë, dhe do ta gjente veten duke u rritur; duke rendur me nënën përdore kampeve e burgjeve të diktaturës komuniste.

Është fakt, se gjithë pasardhësit e firmëtarëve dhe heronjve të shpalljes së  pavarësisë, gjatë periudhës komuniste, jo vetëm që nuk e gëzuan kurrë privilegjin e krenarisë së ligjshme për paraardhësit e tjerë, por përfunduan edhe në burgje e kampe e përqendrimi...! Asnjëherë s’është mësuar arsyeja e vërtetë nga historianët shqiptarë, pse bijtë e bijat e heronjve të ligjshëm të pavarësisë u persekutuan  dhe pse duhet të dënoheshin dhe të liheshin në harresë.  

Një fat më të keq pësuan djemtë e  Mehmet Pashë Derallës, Ministrit të Parë të Luftës në qeverinë e parë shqiptare. Regjimi komunist serb i dëboi, u sekuestroi pronat dhe pasuritë. Regjimi serb, shtëpinë historike të ngjarjeve të mëdha të kombit, të Mehmet Pashë Derallës e velelzerve të tij e ktheu në çmendinë. “Zhduku shtetësinë e gjithçka tjetër nga regjistrat”, rrwfen Valdetja.

Por ç’ndodhi nga ana tjetër; Shqipëria që tetovarët dhe shkupjanët e mendonin si vendin amë, i priti edhe më zi. Valdet Deralla, e bija e Hysen Deralës, ka në dorë një album me fotografi, ajo vetë e vogël, vetëm dy vjeçe kur nisën hallet e saj, siç thotë ajo. Kujtimet e Valdetit do të nisin nga gjyshi i saj Mehment Pashë Derralla, protagonist në Lidhjen e Prizrenit, protagonist i nacionalizmit, e pastaj i Shpalljes së Savarësisë.

Valdete Deralla

Intervista

Zonja Valdete, a mund ta nisim këtë intervistë nga udhëtimi juaj i parë në Shqipëri, si erdhi, pse ju dëbuan nga Shkupi, çfarë ndodhi me familjen Derralla?
-Unë nuk i mbaj mend shumë gjëra, sepse isha tre vjeçe, por të ritreguara çdo herë në familje, mua më duket sikur i kam përjetuar. Por ajo që jetoi familja ime, ishte se babai im erdhi nga kampi i përqendrimit gjerman. Në kohën e pushtimit gjermanëve ata kishin një pozicion zyrtar politik, sepse u formua një shtet në atë kohë dhe në këtë shtet ishin të djathtë, i përkisnin atyre të lëvizjes së Ballit Kombëtar, që e kishin krijuar, se ata ishin pasardhës të rilindësve, ndaj kishin këtë pozicion. Por, kur vinte puna për çështjen shqiptare, ata ishin shumë të matur. Në organizatë ishin aktivë dy vëllezërit, më i madhi u konfrontua kur erdhën partizanët, sepse kishin qëllimet të paqarta, por xhaxhai im dhe babai u përpoqën që të shmangin këtë dyluftim mes vëllezërve shqiptarë, se xhaxhi im e kishte formuar urdhrin e Ballit Kombëtar. U dha urdhri që një batalion i tyre të luftonte kundër Mehmet Shehut në Pogradec. Im atë, me insistim, e ndali xhaxhanë që ishte ushtarak të bënte luftë vëllavrasëse. Nuk e lejoi xhaxhanë tim të shkonte, dhe shkoi një grup tjetër dhe u bë një masakër në Pogradec. Njerëzit kanë menduar se kanë shkuar këta tanët, Derallët. Por jo, sepse babai për këtë u internua nga gjermanët, por aty ka shkuar një komandë tjetër, që s’e mbaj mend tani. Në Pogradec në zbatim të vendimeve të marra nga gjermanët është bërë një masakër, një tradhti, sepse u fol për armëpushim. Partizanët me komandant Mehmet Shehun, ushtarët i vunë në gjumë në Liqenin e Pogradecit dhe oficerët i kanë pushkatuar në gjumë që të gjithë. Kjo ishte një masakër historike, dhe këtë babai im nuk do ta lejonte kurrë të bëhej. Dhe kështu, gjermanët që ishin antikomunistë kur zbuluan që dy vëllezërit Deralla nuk deshëm t’i luftonin vëllezërit komunistë shqiptarë i internuan.

Pra ata Derallët kishin pasur gjithnjë lidhje me Shqipërinë?
-Ata kanë qenë të pranishëm në të gjitha ngjarjet historike që lidheshin me Shqipërinë. Kanë qenë të lidhur e kanë bashkëpunuar me të gjithë patriotët brenda dhe jashtë Shqipërisë, kudo që ata ishin. Kur erdhi në Shqipëri babai im, ishte momenti kur mendohej se situata në ish Jugosllavi, pas Luftës së Dytë Botërore ishte qetësuar. Me nënën, gjyshen dhe mua, vendosën të jetojnë në Shkup, sepse Tetova ishte e kontrolluar. Në ‘46-n kur babai im ishte duke ecur me nënën, policia jugosllave OZNO e thërret dhe e arreston në mes të rrugës dhe që atëherë im atë nuk është kthyer në shtëpi. Pastaj vazhdon 6 muaj në hetuesi, pastaj vazhdoi gjatë kalvari i të gjithë familjes. Në ‘47-n babai shkoi në Kolinë, për 6-7 muaj, e mandej kthehet më Shkup dhe pas Shkupit e mbyllin me makinat e policisë duke e nisur drejt Tiranës. E mbajnë gjashtë muaj në hetuesi. Ishte momenti i spastrimit të elementëve të dyshimtë në Tiranë. Pas këtyre muajve patëm fatin që na e lëshuan babanë dhe pastaj u kthyem në Shkodër.

Si e mban mend figurën e babait apo rrëfimet e tij?
-Kaluan vite dhe unë u rrita pa baba, pa baba, por e kisha në zemër atë. Unë në çdo kamp kam shkuar me nënën time për ta takuar dhe ndihmuar. Pra mua, që dy vjeç më filluan hallet, më saktë që gjashtë muajsh, që nisën me internimet në kampet e që përqendrimit. Ishim katër gra në shtëpi: gjyshja, gruaja e xhaxhait, e cila e kishte një përkrahje nga komunistët, sepse familja e saj, Minerrollët, ishin komunistë. Meqë ka qenë traditë speci në Tetovë, im atë për ta ndihmu rrogën, pati hapur një dyqan të vogël dhe me një mulli të madh blinte specat e tharë dhe i bluante. Dhe nëna nisi të shiste spec. Nuk kishte dalë ligji për heqjen e ferexhesë ende në ato vite, dhe nëna ime dilte e mbuluar, që mos të njihej, dhe shiste specin e bluar. Ai spec u bë, jo vetëm ekzistenca jonë, por edhe e babit tim, sepse ne shkonin në të gjitha kampet për të çuar ushqime. Askush nuk e dinte se me çfarë jetonin ne. Kështu që nuk na munguan lekët dhe madje kishte njerëz që na kërkonin dhe ndonjë 50-lekësh borxh. 

Për cilat vite bëhet fjalë?
-Për vitet ’50. Në 58-n babai kishte dalë nga burgu. Unë isha rritur, isha 14 vjeç. Kujtoj një detaj nga takimet e para me babanë tim. Sami Repishti na pret bileta për të parë një film në Kinema Republika. U ndanë mënjanë dhe diçka thanë. Unë babanë tim e shihja si shok,se nëna ime ishte me halle. Babai, madje, më tregoi një sekret shumë të rrezikshëm për kohën; që Sami Repishti po arratiset. E habitshme, që ai pati aq shumë besim tek mua.

Ju më treguat gjatë bisedës sonë një nga shqetësimet tuaja për vendin e gjyshit në Muzeun e Vlorës, çfarë ka që nuk shkon në këtë muze?
-Kur shkova, një ciceron më tha se ka një kabinet të Ministrit të Luftës. Me të vërtetë njëra nga dhomat ishte kabineti i Ministrit të Luftës, foto, pushkë, dhe një tavolinë e vogël xhami, në të cilën unë gjeta dhe fotografova shkrimin se ngjiste shkrimi i babait me shkrimin e gjyshit. U gëzova se një kabinetet e muzeut të jetë e Ministrit të Luftës. Me rastin e 100-vjetorit, mendova se kabineti ishte rinovuar, sepse kishte ardhur presidenti Bamir Topi për të ndarë dekorime për firmëtarët, e në këta firmëtarë nuk ishte përfshirë gjyshi im. Madje aty kam njohur edhe mbesën e Ismail Qemalit, Arjana Vlorën, dhe e takova Presidentin, i cili sapo kishte ardhur nga një vizitë në Maqedoni, ku ishte realizuar një bust për Mehmet Derallën. Ai ishte i informuar dhe unë i thashë se ne nuk jemi thirrur si pasardhës së firmëtarëve, por i thashë edhe këtë, se “për fat të keq ju në Shqipëri njihni 40 firmëtarët, por janë mbi 60 firmëtarë”. Kur hyra, ky kabinet as për 100-vjetorin nuk kishte arritur të rinovohet. U interesova për dokumentin, dhe më thanë e kemi. Por, mua më shqetëson fakti, pse duhet të eliminohet Ministri i Luftës nga faqja e Pavarësisë. Me shqetëson që nxënësit vizitojnë muzeun e aty janë anëtarët e qeverisë, dhe asnjë mësues apo drejtor i muzeut nuk jep një mesazh se kush janë këta burra. Vetëm Ismail Qmmali njihet.

Duke parë fotografitë e albumit tuaj, bie se Derallët janë një familje shumë e pasur dhe shum e modernizuar në raport me mentalitetin e rajonit. A ju njihen pasuritë tuaja në Tetovë e Shkup?
-Kjo shtëpi e bukur që është ndërtuar dy vjet  pas vdekjes së gjyshit, kur Halim Derala ishte senator, diplomat dhe deputet në Parlamentin e Pashiqit. Në atë kohë ka qenë e madhe pasuria e gjyshit. Ata ishin aksionarë në tri breza, në minierën e kromit në Radush, e më gjerë. Skënder Pode thotë se ka gjetur një dokument ku shkruhet se Mehmet Deralla ka çuar 30 teneqe me flori në Vlorë për të ngritur në këmbë qeverinë e parë shqiptare. Pas vdekjes së gjyshit mbas 1912-s, pasuritë janë shitur. Gjithmonë janë vënë në dyshim të ardhurat, si është arritur të bëhet kjo ndërtesë për tre vjet, por unë di sesi i është zgjatur ndërtimi, sepse janë shitur toka e pasuri në fshatra. Tek dokumentet e pasurisë në arshiva qe janë nxjerrë më vonë: janë 11 tapi të vjetra në gjuhën osmane të pasurisë së gjyshit të blera nga gjyshi gjatë periudhave pas pavarësisë. Mua më vjen çudi ç’i ka dashur dhe pse i ka blerë ato toka, por më vonë e kuptova se ai i blinte tokat vetëm për mos t’i lënë në dorë të sllavit. Ka blerë 11 fshatra, dhe në këto toka ka vënë bujq, jo shqiptarë, se shqiptarët kishin vetë toka, dhe i ka futur ata të punojnë. Nëna jonë e ka arritur këtë moment. Kontrata që ka bërë Halim Derralla sa ka mbushur 17 vjeç me fshatarët që iu janë shitur toka është një fakt. Kur na përzunë nga Shkupi, policët serbë na lanë vetëm dy orë afat të mbledhin gjërat tona, na mbyllën në një makinë  dhe na përzunë në drejtim të Shqipërisë. Shteti jugosllav atje na i sekuestroi të gjitha pronat dhe shtëpinë. Emrat tanë janë zhdukur nga gjendja civile. 

Kur doli nga burgu babai juaj?
Babi doli nga burgu, pasi u bë një amnisti, që fitoi edhe duke bërë norma pune tepër. Nga mesi i ‘57-s doli nga burgu. Doli shumë i plakur, edhe  ishin arsyet, jo vetëm puna shumë e rëndë, por edhe që ka pasur një moment të dytë dënimi. Më kujtohet ky moment, kur ne shkuam në Vlashkë, e babai nuk ishte në kamp. Nuk na treguan asgjë e po ktheheshim. Mirëpo, një oficer zemërmirë na tha: -Shkoni, se e keni në burgun e Elbasanit. Ne u çuditëm, si përfunduan në burgun e Elbasanit. E kishin futur në një  birucë që më kujton Kontin e Monte Kristos. Kishte shumë baltë në atë birucë. Ai më tha se më shpëtoi një jastëk që e kishte mbajtur në krahë. Nga vrima i hidhnin një copë bukë, dhe e pyesnin herë pas here: “-I njeh këta?”. “-Jo”, -thoshte babai. “-Mendohu, mendohu!” i thoshin hetuesit. Ky burgim u bë sepse u arratisën tetovarët nga burgu. Dhe ata kishin thënë se e njihnin Hysen Derrallën. Ai ka vuajtur shumë në ato burgje. Edhe dhëmbët i hiqte me penj kur i dhembnin. Kur babai doli nga burgu vazhdoi të punonte përjetësisht me një trung të vendosur në banjë, ku bënte nallane dhe i shiste. Dhe është dhimbshme. Ai fitonte 100 lekë me një palë nallane, dhe ato 100 lekë kishin një vlerë atëherë, nëse bënte disa nallane fitonte më mirë. Dhe babai nuk u ndje fare në marrëdhëniet e kohës. Unë doja shkollë të lartë e s’na e jepnin. Më në fund më lejuan të studioja për matematikë. Por edhe atë se ndiqja dot se ishim shumë të varfër. Kur unë thashë do lë shkollën se jemi të varfër, sekretari i parë i Shkodrës, apo i dyti s’e kujtoj mirë, Enver Halili më futi nënën në punë. Nëna mbeti në punë në tapiceri në parkun e autobusëve, e kështu u rregullua ekonomia jonë, unë bëra shkollën e së shpejti u martova dhe u futa në punë. Në Tiranë unë e kisha disi të fshehur biografinë. Dhe kur u martova, prindërit e mi donin të vinin në Tiranë, mos të më linin vetëm. Por në Shkodër kemi kaluar shumë mirë dhe kur erdhëm në Tiranë, e kemi gjykuar veten, pse ikëm se atje na respektonin të gjithë.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Shqiptari dhunon gruan dhe djalin e mitur në Itali

Shqiptari dhunon gruan dhe djalin e mitur në Itali