Ministri Ahmetaj: Nuk ka taksë të re, bizneset mund të kreditojnë TVSH për mallrat

Është diskutuar sot në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave përfshirja në skemën e TVSH të bizneseve me xhiro mbi 2 milionë.
Ministri i Finanacave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, u shpreh “Nuk është taksë, e re, është deklarim. Nuk ka kosto për bizneset dhe nuk ka rritje çmimesh. Bizneset mund të kreditojnë TVSH për mallrat e inventarit deri në 12 muaj para datës së deklarimit”

Fjala e plotë e Ministrit Ahmetaj

Gjithkush mund të jetë i qartë, shumëkush ka të drejtë ta interpretojë ose ta keq-interpretojë por unë dua t’ju them qytetarëve që sot, dje, pardje, për çdo shishe ujë që kanë blerë, në çmimin që kanë blerë, nuk ka rëndësi ku e kanë blerë, një supermarket të madh apo tek dyqani i lagjes që e ka xhiron 2 milionë e 500 mijë, kanë paguar, brenda çmimit, TVSH. Nuk ka furnizim apo mall pa TVSH, përveç atyre që janë të përjashtuara me ligj. Mallra pa TVSH janë vetëm ato që janë jashtë sistemit fiskal, që janë evazion. Pra një mall, pavarësisht ku shitet, ka brenda çmimit të vet në strukturë TVSH-në. Në rastin kur shitet tek dyqani i lagjes, nuk e ka të ndarë TVSH-në në faturë, kjo është diferenca. Nëse pastaj fillojmë kundërshtojmë këtë, është e kotë që diskutojmë dhe nuk njohim as TVSH-në, as çfarë ndodh përtej me strukturën e çmimit. Do të preken nga ulja e pragut të TVSH-së rreth10 mijë tatimpagues të biznesit të vogël që do të hyjnë në skemën e deklarimit. Futja në skemë do të fillojë në datën 1 Prill 2018, deklarimi i parë do të bëhet në Korrik 2018, pra besoj rreth 20 Korrikut 2018. Në vite, rreth 17 mijë tatimpagues të biznesit të vogël 5-8 milion janë bërë pjesë e skemës së TVSH-së. Ata deklarojnë dhe paguajnë TVSH në bazë mujore, përbëjnë 45% të numrit total të tatimpaguesve të regjistruar në TVSH, rreth 37 mijë në total dhe paguajnë në buxhet 2.9 % të TVSH-së që arkëton administrata tatimore ose 0.7 % të totalit të TVSH-së. Pra, 2.9% të TVSH që mbledh administratat tatimore ose 0.7% të totalit të TVSH. Jemi duke folur për bizneset me qarkullim 5-8 milionë. Nuk ka qenë qëllim dhe nuk pritet që kontributi fiskal në TVSH i bizneseve të grupit 2-5 milion të jetë i lartë. Parashikohet që kontributi i tyre të jetë minimal dhe do të jetë i ndarë për atë që ka deklaruar deri më sot biznesi i madh kur ka bërë vetë-faturim në momentin e pragut, që praktikisht kush e njeh procedurën e TVSH, e kupton shumë mirë çfarë jam duke thënë. E drejta e kreditimit të TVSH-së për mallrat gjendje në momentin e kalimit në TVSH, është një element shumë i rëndësishëm për çdo biznes të vogël. Tatimpaguesi i biznesit të vogël i cili kalon kufirin minimal të regjistrimit të TVSH si dhe personi i cili regjistrohet vullnetarisht në këtë regjim, ka të drejtë që në periudhën e parë tatimore kur bëhet person i tatueshëm i regjistruar, të njohë TVSH-në e zbritshme për mallrat e inventarit gjendje në datën e regjistrimit në këtë regjim. Mallra këto me qëllim për t’u shitur, për të cilat do të llogaritet TVSH në shitje. Çdo mall i përfshirë në inventar duhet të jetë i justifikuar me faturë tatimore të blerjes së TVSH-së, i blerë jo më parë se 12 periudha tatimore, përfshirë periudhën në fjalë.
Masat e marra për implementimin e skemës së re:

• U krijua grupi i punës në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, i cili përgatiti kërkesat e përdoruesit për zhvillimin e sistemit informatik.
• Tatimpaguesit e rinj që plotësojnë kërkesat e ligjit, pra xhiro 2 deri në 5 milion, do të regjistrohen për TVSH dhe do të kategorizohen automatikisht në bazë të xhiros së parashikuar vjetore në momentin e regjistrimit në QKB apo në Administratën Tatimore.
•Për subjektet ekzistuese, DPT përgatit listën me tatimpaguesit që duhet të regjistrohen për TVSH-në me deklarim tremujor, duke u bazuar në deklarimet e pajisjeve fiskale për vitin e fundit.
• Tatimpaguesve që kanë rezultuar në këtë listë, tashmë, ju është bërë njoftim paraprakisht për detyrimin që të kalojnë në skemën e TVSH nga data 1 Prill 2018.
Njoftimi i Tatimpaguesve në e-Filing: Tatimpaguesi do të njoftohet në llogarinë e tij në sistemin elektronik për:
• Regjistrimin për TVSH-në;
• Ndryshimin e kategorisë për afatin e deklarimit të deklaratës – mujor apo tremujor.

Brenda datës 1 prill 2018 do të jenë bërë ndryshimet në sistem. Për informacion tuaj, javën e shkuar bëmë një provë për të testuar sistemin informatik, i cili ka të paktën 3 muaj që përgatitet dhe testet kanë dalë shumë mirë, shumë të sakta dhe jam i bindur se nuk do të kemi asnjë problem me sistemin, me përfshirjen në skemë të 10 mijë tatimpaguesve të rinj me detyrim deklarimin e TVSH.

• Regjistrimin automatik në TVSH (me listë) të tatimpaguesve ekzistues
• Regjistrimin automatik të tatimpaguesve të rinj të regjistruar në QKB apo administratën tatimore
• Ndryshimi manual i përgjegjësisë dhe i kategorisë me çështje në sistem
• Gjenerimi i deklaratës të TVSH sipas datës së pritshme të duhur të deklaratës
• Procesin e deklarimit të Deklaratës së TVSH
• Procesin e deklarimit të librave të shitjes dhe të blerjes

Ndërkohë, është ndërtuar edhe një strategji komunikimi brenda Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave. E gjithë strategjia e komunikimit ka si objektiv njohjen dhe informimin e të gjithë tatimpaguesve për mënyrën e deklarimit të detyrimeve tatimore, të trajtimit të deklaratave tatimore, si dhe plotësimin në mënyrë korrekte, të saktë dhe brenda afateve të përcaktuara në ligj, duke minimizuar gabimet që rrjedhin nga mosnjohja e ndryshimeve ligjore, si dhe me hapat që duhet të ndjekin gjatë procesit të deklarimit elektronik. Ka si qëllim informimin dhe sensibilizimin e tatimpaguesve në lidhje me këtë ndryshim shumë të rëndësishëm që do të zbatohet në marrëdhëniet e tyre me Administratën Tatimore, si dhe trajnimin e tyre në zbatim të procedurave, mënyrës dhe formës së deklarimit dhe pagesës së detyrimeve tatimore.
-Target-grupet për sqarimin në lidhje me mënyrën e deklarimit elektronik dhe përdorimit të sistemit elektronik e-filing, ndërgjegjësimi lidhur me ndryshimet ligjore dhe zbatimin korrekt të këtyre ndryshimeve janë:
- Tatimpaguesit e biznesit të vogël,me qarkullim mbi 2 milionë lekë, duke konsideruar që nga data 1 Prill 2018 iu lind detyrimi për deklarimin dhe pagesën e TVSH-së
- Kontabilistët dhe përfaqësuesit e bizneseve të kësaj kategorie.
- Shoqatat e organizuara të biznesit të vogël.
- Media dhe opinioni publik.

Dua të shtoj gjithashtu këtu se në çdo drejtori rajonale tatimore janë ngritur sportele të dedikuara për biznesin e vogël, që janë lehtësisht të identifikueshëm, me punonjës të trajnuar për të ofruar asistencë dhe materiale informative të posaçme për biznesin e vogël. Pra, ky është këndi i asistencës për biznesin e vogël, që pret çdo përfaqësues, individ të biznesit të vogël çdo ditë, me punonjës të trajnuar të dedikuar dhe gjithashtu edhe fletë palosjen e shpërndarë për çdo tatimpagues, me përshkrim të detajuar, se çfarë përfaqëson deklarimi, si deklarohet, çfarë deklarohet. Janë 13 sportele të tillë në të gjithë vendin, që prej 19 Shkurt 2018. Ndërkohë ka vijuar një sistem i gjerë trajnimesh të punonjësve të administratës tatimore, të tatimpaguesve, kontabilistëve, financierëve të tyre (sipas programit të trajnimeve rreth 100 trajnime në rang kombëtar nga data 5 Mars-28 Qershor 2018). Vizita Këshilluese, unë kam qenë vetë në disa vizita në disa qytete të Shqipërisë, së fundmi në Korçë. Takim me shoqatat e biznesit të vogël, për informimin e tyre etj. Krahas kësaj, janë prodhuar një sërë materialesh informuese për sipërmarrjen ndërkohë që mjetet dhe kanalet e komunikimit janë të shumta, nga faqet web e tatimeve, llogaria e deklarimit elektronik të çdo tatimpaguesi etj.Siç e theksova, deklarimi i parë i biznesit të vogël do të jetë në korrik, pra një herë në tre muaj. Më duhet të them që ne jemi duke ndjekur të njëjtin trend që ndjekin shumë vende, nga vende më të zhvilluara, si Austria, Gjermania, që e kanë më të ulët se ne pragun e biznesit të vogël, pra detyrimin për deklarim, me 10 mijë euro, 11 mijë euro, 12 mijë euro. Rajonit do t’i referohem pak më vonë. Një përpjekje ku u futën 17 mijë biznese të vogla në skemën e deklarimit, është bërë me vendimin e 1 janarit 2010, është vendimi nr.1058, data 21.09.2009, pragu i TVSH u ul nga 8 milionë në 5 milionë, e ka bërë ministri Ridvan Bode. Në 2011, VKM nr.18, pragu i TVSH-së për profesionet e lira u ul nga 5 milionë në “0”, dhe në fund të vitit 2010 kam gjetur në protokoll, po ministri Ridvan Bode ka përgatitur vendimin për uljen nga 5 milionë në 2 milionë, por nuk është paraqitur në Këshill të Ministrave për diskutim, gjithsesi ndodhet në atë dosje. Pra, me një lëvizje janë futur në sistem deklarimi 17 mijë biznese dhe inflacioni, për hir të së vërtetës, ishte brenda kuadrit të paracaktuar dhe të parashikuar. E njëjta gjë do ndodhi dhe tani. Ndërkohë, ju kam sjellë dhe pragun e TVSH-së të rajonit, që të kuptojmë çfarë jemi duke bërë. E kemi kthyer në euro, Shqipëria e ka 15.500 euro, Mali i Zi e ka 16 mijë euro, Maqedonia 16 mijë euro, Greqia e ka 10 mijë euro, Italia s’ka prag fare, Bosnja 25 mijë euro, Bullgaria 25 mijë euro. Ju solla shembullin e Gjermanisë dhe të Austrisë. Pra, jemi duke paraqitur një prag, i cili jo vetëm që s`është jashtë normales por është praktikë e referuar në shumë vende. Ajo që dua të theksoj është se kostoja administrative do të jetë zero! Çmimet nuk do të lëvizin, dhe kush e shet si “taksë e re” e bën ose me qëllime politike për të dezionformuar, ose nga padija, si të duan le ta zgjedhin. Praktikisht jemi duke folur për deklarim dhe do ta mbyll, pastaj jam gati t`ju jap informacione sa të doni, kudo që blihet kjo shishe ujë, brenda strukturës së çmimit sot ka TVSH-në. Kush e kundërshton, është duke blerë jo tek dyqani i lagjes, as tek supermarketi, por diku tjetër që nuk është në sistemin tatimor.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Popull: 07/04/2018 13:37

    GABIM I MADH I TAKSIMIT TE BIZNESEVE TE VOGLA ME TVSH 20/100

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale