Ministri i Financave, Ahmetaj propozon të taksohen edhe pagat më të ulta

Ministri i Financave, Ahmetaj propozon të taksohen edhe pagat më të ulta

Ndryshe nga propozimi i bërë javën e kaluar në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit të Shqipërisë për të rritur pragun e pagave të taksueshme në 40 mijë lekë, nga 30 mijë, që janë aktualisht, dje, gjatë diskutimit të Projekbuxhetit të Shtetit 2019, ministri Arben Ahmetaj ka dalë me një propozim në drejtim krejtësisht të kundërt.

“Më thatë për ndryshimin e Tatimin e të Ardhurave Personale. Do ta diskutojmë kur të vijmë tek diskutimi nen për nen. Unë besoj se janë rreth 55% të punësuar që janë jashtë sistemit fiskal, pra nuk kontribuojnë fiskalisht nëpërmjet tatimit mbi të ardhurat personale. Besoj se mund të maturojmë një propozim që ta ulim pragun, nga 30 mijë, ta çojmë në 10 mijë lekë.

Ose të futim në sistem një taksë 1.5% të gjithë të punësuarit me pagën e ulët. Unë e kam bërë një propozim dhe besoj se do të diskutohet në të ardhmen: t’i futim të gjithë kontribuues me një normë prej 1.5% të tatimit mbi të ardhurat personale” - tha Arben Ahemtaj gjatë diskutimit në Komisionin e Ekonomisë.

Në një nga seancat e mëparshme, ka qenë deputetja e PS Blerina Gjylameti, relatore për draftin e Buxhetit të vitit të ardhshëm, ajo që kërkoi mbrojtjen e pagave të ulëta, duke rritur pragun me taksë zero.

Sipas saj, përpjekja aktuale e qeverisë në këtë drejtim është fokusuar tek mbrojtja e pagave më të larta, duke rritur pragun e tyre të taksueshëm me 23%. Kjo është mbështetur edhe nga kryetari i Komisionit, Erjon Braçe.

Në përgjithësi, ndryshimet që parashikohen të bëhen nga Paketa Fiskale vitin e ardhshëm, synojnë lehtësime të ndjeshme nga taksat për kategori të caktuar biznesesh. Këto, sipas ekspertëve, mund të sjellin 120 milionë euro më pak në vit në arkën e shtetit. Por, sipas Financave, lehtësimi sjell shtimin e fondeve në duar të biznesit, që përkthehet në më shumë xhiro dhe, rrjedhimisht, më shumë tatim mbi fitimet.

Por këmbëngulja e fundit e ministrit Ahmetaj tregon se qeveria po përpiqet të gjejë alternativa për të kompensuar gropën reale. Vetëm se, duke drejtuar vëmendjen tek shtresat me paga më të ulta, rrezikon të prekë një kategori të popullsisë, deri tani të mbrojtur nga ana fiskale, që mund të ndryshojë përkrahjen ndaj mazhorancës në garat e ardhshme politike.

Tatimi

Sipas ligjit, për qëllime të tatimit mbi të ardhurat personale, merren si të ardhura të tatueshme: pagat dhe shpërblimet e tjera, në lidhje me marrëdhëniet aktuale të punës, si dhe të ardhura që nuk vijnë nga puna.

Pagat aktualisht taksohen me 0% deri në 30.000 lekë në muaj, 13% nga 30.001 deri në 130.000 lekë në muaj (për pjesën mbi 30.000 lekë) dhe 23% për paga më të larta (për pjesën 30.000 – 130.000 lekë norma është 13%). Në Paketën Fiskale 2019 parashikohet që pragu për pagat, të cilat taksohen me 23% të rritet në 150.000 lekë.

Sa u përket të ardhurave të tjera të taksueshme, ato janë të ardhurat që rrjedhin nga fitimi i ortakut apo i aksionerit në shoqerinë tregtare; të ardhurat nga interesat bankare apo ato të përfituara nga letrat me vlerë, me përjashtim të interesave të marra nga bonot e thesarit ose letra të tjera me vlerë të Qeverisë; të ardhurat që rrjedhin nga e drejta e autorit dhe pronësia intelektuale. Po kështu, të ardhurat nga enfiteoza, huaja dhe qiratë, me përjashtim të rasteve, kur të ardhurat janë realizuar nga zhvillimi i një veprimtarie tregtare, në kuptim të legjislacionit tregtar; të ardhurat nga kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme; të ardhurat e individëve nga lojërat e fati dhe kazinotë.

Po kështu, tatohen me tatimin mbi të ardhurat personale të ardhurat e realizuara nga diferenca ndermjet çmimit të shitjes dhe çmimit te blerjes së kuotave ose aksioneve, që një ortak ose aksoiner zotëron dhe ja shet një personi tjetër; të ardhura të tjera, që nuk identifikohen në format e paraqitura në këtë nen, të realizuara nga individë rezidentë ose nga persona jorezidentë, por me burim në Republikën e Shqipërisë.

Gjithashtu, të ardhurat në formë monetare për shtimin e kapitalit me burime nga jashtë shoqërisë, që nuk janë të tatuara më parë, ndërkohë që kanë qenë objekt tatimi dhe që nuk janë të shoqëruara me dokumente zyrtare, që vërtetojnë origjinën e këtyre të ardhurave.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • ben: 13/11/2018 10:04

    o plera qe doni ti pini gjakun dhe fukarenjve

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon votimin e detyrueshëm, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Sulmi izraelit, Irani: Fluturimet kanë rifilluar në të gjithë aeroportet

Sulmi izraelit, Irani: Fluturimet kanë rifilluar në të gjithë aeroportet