Misteri pakthim i vetëvrasjes,
flet Prof Dr Adem Tamo

Misteri pakthim i vetëvrasjes,<br />flet Prof Dr Adem Tamo
Pse vetëvritet një njeri? Misteret e trurit dhe Serotonina, hormoni i kënaqësisë që na bën të lumtur, depresiv ose agresiv. Lindim për të vdekur apo për të jetuar? Dilemat hamletiane të njeriut. Prof Dr Adem Tamo në një intervistë ekskluzive për Shqiptarja.com tregon dallimet mes psikotikëve dhe depresivëve; Dallimin mes sëmundjes së shpirtit dhe të trurit; Njeriu mes jetës dhe vdekjes dhe jep përgjigjen fatale se pse shkenca  e ka të pamundur të shpëtoj fenomenin e vetëflijimit.
Më poshtë do të lexoni gjithçka nuk dimë ose keqkuptojmë për vetëvrasjen.
Motivet e vetëvrasjes:
Kjo është një pyetje shumë e vështirë, për të cilën dihen vetëm disa prej përgjigjeve dhe, megjithëse dimë vetëm disa përgjigje, e kemi ende shumë të vështirë t’i përdorim ato përgjigje për ta eleminuar vetëvrasjen. Eshtë një gjë shumë e vështirë të mbash në këtë botë dikë që është nisur për në një botë tjetër. Por nuk është e pamundur dhe ia vlen të luftohet. Faktet e jetës tregojnë se personi që bën një tentativë për vetëvrasje është shumë i prirur të kryejë edhe tentativa të tjera. Ndërkohë që nuk mund ta mbajmë dikë me zor, e kemi mundësinë që të kalojmë krizën e vetëvrasjes me qëllim që njeriu të ketë mundësinë të rishikojë situatën dhe mundësitë reale për vendime alternative.
Përgjigjja e parë e pse-së së vetëvrasjes është se personat që e kanë ideuar, tentuar dhe realizuar atë kanë një parahistori psikiatrike ose psikologjike. Pra janë persona të cilët kanë një çrregullim psikiatrik ose psikologjik. Kjo është një e vërtetë e jetës: përpjekësit për vetëvrasje nuk gëzojnë atë që sot quhet shëndet mendor dhe në vend të tij kanë çrregullime psikiatrike dhe psikologjike. Këtu dua të theksoj fort se, këta njerëz nuk janë më të këqij se të tjerët të cilët kanë shëndet të mirë mendor. Të kesh një çrregullim psikiatrik ose psikologjik nuk të bën as njeri më të mirë as njeri më të keq. Se kush është i mirë e kush i keq këtë e përcaktojnë moralistët, ndërsa kush ka shëndet mendor e kush jo, këtë e përcaktojnë klinikat psikologjike e psikiatrike.
Çrregullimet psikiatrike e psikologjike më të zakonshme të personave që ideojnë, tentojnë dhe kryejnë vetëvrasje janë depresioni dhe psikozat. Personat e depresuar janë persona që kanë një vuajtje kozmike. Vuajtja u pushton atyre gjithë qenien, trupin dhe shpirtin. Kjo vuajtje shfaqet emocionalisht me përjetimin e emocioneve më të pakëndshme dhe, pothuaj eleminimin e aftësisë për të përjetuar emocione të këndshme. Kjo vuajtje shfaqet mendërisht nëpërmjet besimit të personit se ai nuk e ka fuqinë e duhur për ta përballuar vuajtjen që përjeton. Kjo vuajtje shfaqet fizikisht me ngadalësimin e proceseve fizike, fiziologjike e motorike normale. Kjo vuajtje shfaqet nëpërmjet izolimit të personit prej njerëzve të tjerë, madje edhe prej të afërmve. Përmenda vetëm pak shembuj në të cilat shfaqet vuajtja e personave depresivë, por çështja nuk është kaq e thjeshtë. Kemi të bëjmë me vuajtjen më të thellë njerëzore, më therësen, më debilizuesen, më të vështirën për t’u përballuar. Kjo vuatje, megjithëse është e tillë, mund të kalojë pa u vënë re mirë, pasi shumë herë personi përpiqet ta maskojë atë, ose mund të injorohet si diçka që do të kalojë. Në këto kushte disa persona mbërrijnë në zgjidhjen t’i japin fund jetës. Vuajtja është aq e papërballueshme saqë ata e shohin vetëvrasjen si mënyrën për t’i dhënë fund jo jetës, por kësaj vuajtje që nuk përballohet. Në fakt, ata duan t’i japin fund vuajtjes. Në kërkimin për t’i dhënë fund vuajtjes ata shkojnë deri në ekzekutimin e atij që e përjeton atë vuajtje. Duke eleminuar atë që përjeton vuajtjen, ata eleminojnë edhe vuajtjen, edhe bartësin e saj. Dhe fundi i vuajtjes mund të shënojë edhe fundin e jetës. Unë po e përshkruaj në formën më të thjeshtuar të mundshme një proces të brendshëm, i cili në fakt përbën një nga proceset më të komplikuara të mendjes dhe të shpirtit njerëzor.
Logjika e njeriut me shëndet të mirë mendor e kupton menjëherë defektin e arsyetimit të personave të depresuar: për t’u shpëtuar vuajtjeve ata i marrin jetën atij që vuan. Për të gjithë ne ky është një shkëmbim i pabarabartë, sidomos i pakthyeshëm për diçka që jepet vetëm një herë, duke lënë pas dhimbje të tjera të shumëfishta, boshësi, hutim, pezmatim. E pushtuar nga vuajtja, mendja e personit të depresuar nuk arsyeton dot në lidhje me këtë shkëmbim të pabarabartë dhe të përhershëm. Por mendja e personit të depresuar punon në heshtje dhe është vijimisht në kërkim të planifikimit dhe të realizimit të vetëvrasjes. Në mjaft raste ky planifikim dhe tentativa nuk çojnë në vetëvrasje dhe në disa raste kjo bëhet realitet. Vetëvrasjet e mbetura në tentativë tregojnë se personi ka ngecur në dilemat e veta. Realizimi i vetëvrasjes tregon se personi i ka kapërcyer të gjitha dilemat në lidhje me veprimin e tij ose se nuk ka më forcë të durojë dhimbjet e dilemave. Dilema hamletiane “të jesh a të mos jesh” është dilema e çdo personi që tenton të vetëvritet. Procesi i brendshëm dilematik ka dinamikën e tij, karakteristikë e të cilit është lëkundja nga njëri ekstrem në tjetrin. Ky është ai momenti krejt delikat në të cilin mjafton një shtysë e jashtme ose e brendshme që ai të vendosë se çfarë zgjidhjeje t’i japë dilemës së vet. Pikërisht në këtë moment informacioni i gazetës se dikush e ka kryer vetëvrasjen mund të shërbejë si shtysa e fundit në drejtimin e gabuar. Dallimi midis këtyre dy situatave na tregon se kur mund të punohet me të. Por për këtë çështje etika profesionale nuk më lejon të komentoj më gjatë. Edhe diçka tjetër: meqë më keni pyetur për një çështje shumë delikate, dua të theksoj se çfarëdolloj përkimi i përgjigjeve të mia me situatën e çdo individi është e rastit. Kur jap përgjigje për pyetjet tuaja unë nuk kam parasysh asnjë person specifik dhe asnjë situatë specifike vetëvrasjeje. Përkimet janë të rastit.
Me dy fjalë, rrallë njeriu e vret veten pse do vdekjen dhe më shpesh pse don të ndalojë vuajtjen. Pra kur njeriu vret veten ai mendon se është duke i dhënë fund vuajtjes. Në fakt duke vepruar kështu ai ia kalon vuajtjen atyre që lë mbrapa. Situata e vetëvrasjes është situatë agonie-dorëheqje nga lufta. Në agoninë e pafuqisë së vet njëra nga ngjarjet e dukshme është vetëvrasja.
Çrregullimi i dytë psikiatrik më i përhapur me të cilin lidhet vetëvrasja është grupi i çrregullimeve psikotike. Përkufizimi i psikozave për publikun e gjerëështë se psikotik quajmë dikë i cili e ka të shkatërruar marrëdhënien e vet me realitetin e jashtëm. Një njeri i tillë sheh, dëgjon, prek, nuhat, ndjen gjëra që të tjerët nuk i ndjejnë dhe këto quhen halucinacione. Ky njeri ka deluzione-besime të vetat të cilat nuk përputhen me realitetin dhe as me arsyen. Përveç këtyre psikotiku mund të ketë lëkundje humori dhe shumë karakteristika të tjera sjellore. Personi me këtë tablo klinike si rregull nuk mund të ketë nën kontroll të vetëdijshëm veten e vet dhe edhe mund të vrasë veten: sepse kështu ia sugjerojnë halucinacionet ose besimet që ka ose sepse nuk mundet të durojë lëkundjet e humorit të vet. E thënë thjesht, njeriu me psikozë nuk e ka veten e vet në dorë dhe as nuk e maskon gjendjen e vet siç mund të bëjë personi i depresuar. Nëse personi i depresuar vetëvritet sepse nuk duron dot vuajtjen që shoqëron atë që i ka ndodhur dhe ndjehet i pafuqishëm të bëjë diçka siç don, personi psikotik si rregull vetëvritet sepse ashtu i thuhet, sepse ashtu beson, se ka pësuar ndryshime në humor e në personalitet, etj.
Situata më e përhapur e personit që ka ndërmend të vetëvritet i ngjan një “burgu”: personi ndërton një burg dhe kyçet vetë brenda. Ajo që ndodh në mendjen e një personi psikotik nuk është e lehtë të merret me mend dhe nuk dihet me siguri. Ajo që dimë me siguri për ta është se psikotikët mund të kryejnë vetëvrasje pa pasur shumë dilema: një zë i thotë atij në vesh të vrasë veten dhe ai vret veten dhe pikë; një mendje i thotë atij se pas vetëvrasjes do të ringjallet dhe do të bashkohet me zotin dhe ai vetëvritet dhe pikë. Ky person nuk ka nevojë për kurajë për të vrarë veten.
Këto janë vetëvrasje që kanë si motiv çrregullime psikiatrike, por çregullimet psikiatrike janë të shumta siç janë të shumta edhe vetëvrasjet që nuk lidhen me çrregullime të tilla.
Lajmi i mirë është se këto çrregullime trajtohen: ato është mirë të pikasen herët, të vihen në vëmendjen e psikiatrit dhe të psikologut, të merret trajtim i mbikëqyrur. Janë të shumtë njerëzit të cilët edhe pse kanë vuajtur nga depresioni, por edhe nga nivele të caktuara psikozash, kanë pasur përfitime nga trajtimi dhe i janë larguar zgjidhjes së shpejtë, por të pakthyeshme të vetëvrasjes.
Motive të tjera të vetëvrasjes:
Ne dëgjojmë herë pas here se filani ishte “mirë e tu mirë”: me shtëpi, me punë, me familje, me shëndet, me para dhe, pavarësisht prej të gjitha këtyre, filani i dha fund jetës. Në rastet e tilla përveç tronditjes fillestare, keqardhjes për jetën e humbur, boshësisë që mbetet, etj., çdokush nga ne ka ngritur supet në shenjë të vështirësisë për të zbuluar një kuptim.
Mendja njerëzore e ka relativisht të lehtë ta kuptojë se si dikush i ndodhur përballë një problemi mbijetese: nuk ka mundësi të plotësojë nevojat bazë për ushqim, strehim, mjekim, etj., të kryejë vetëvrasje. Vuajtja për situatën dhe pafuqia për të dalë prej saj shtyjnë shpesh në vetëvrasje. Ne mund të mos e zgjasim shumë bisedën tonë për këtë çështje, por efekti tronditës, shkatërrues dhe nxitës drejt vetëvrasjes i varfërisë, i pamundësisë për të blerë ushqimin e mbijetesës, për të blerë ilaçet e fëmijës, rrënimi financiar, djegia e shtëpisë dhe të mbeturit në qiell të hapur, etj., këto janë vetëm disa nga ngjarjet e jashtme që destabilizojnë aftësinë për t’i rezistuar tronditjes, për të marrë vendimet e duhura, për të qenë luftarakë dhe për të mos u dorëzuar.
Po ata që nuk i kanë këto probleme, ç’dreqin kanë? Në popull, qarkullon një përgjigje e thjeshtë: këtyre u ka zënë e mira sytë, janë dehur nga të mirat, ju ka ikur truri se jeta i ka përkëdhelur.
Sigurisht që është luks të japësh një përgjigje të thjeshtë për këtë pyetje të ndërlikuar. Është e thjeshtë të thuash se “e tërboi e mira”. Pas kësaj ne mund të fshihemi, por përsëri nuk do të jemi të qetë dhe të qartë, përse filani i dha lamtumirën jetës së vet. Këtë na duhet ta diskutojmë. Por ne nuk e kemi të lehtë kulturalisht që të diskutojmë për këtë çështje të mprehtë siç është vetëvrasja. Na pengon kompleksiteti i saj? Na pengon pazotësia jonë për t’u marrë me këtë eksperiencë? Më mirë të mos e ngacmojmë shejtanin? Shumë motive na pengojnë. Megjithatë, vetëvrasja është dukuri e jetës: në SHBA vetëvrasja është faktori i dhjetë i vdekjes në përgjithësi dhe i treti i vdekjes së adoleshentëve. Për vendin tonë nuk zotëroj të dhëna. Gjithsesi, na duhet të diskutojmë, pasi edhe te ne është dukuri.
Ngarkesa të jetës nuk janë vetëm ato që vijnë nga vështirësi e privacione personale. Jetët tona personale janë të lidhura, të ndërfutura dhe të rrethuara nga jetët tona sociale. Përreth çdokujt prej nesh ka shumë llum, plehra, pisllëk, ndotje. Këto ndotin edhe psikikisht. Na ndotin ndërgjegjen, na bëjnë një lloj pisllëku; na dekurajojnë pse nuk mundemi t’i pastrojmë; na kërcënojnë të na mbajnë në pisllëk brez pas brezi; na kujtojnë sesa të pafuqishëm jemi; na kujtojnë se sa të fuqishëm janë ndotësit e mëdhenj përreth nesh. Dhe shumë gjëra të tjera si këto. Disa njerëz kanë ndjeshmëri të fortë edhe në këtë drejtim. Ata mund të mos kenë probleme personale, në kuptimin e lëkurës personale që na mbulon trupin, por ata ndjejnë ndotjen në lëkurën tonë sociale, të të gjithëve. Dhe kjo të shtyn të vuash. Disa vuajnë më shumë e disa më pak; disa ndjehen më pak të pafuqishëm e disa krejt të pafuqishëm. Në këtë mënyrë psikika personale e disave që ka qëlluar të kenë strehë, ushqim, ngrohje/ftohje, veshmbathje, e ndotur me një vuajtje dhe sens pafuqie, bie në krizë. I ndodhur në grykën e pusit ai do të shohë vetëm fytyrën e vet të deformuar nga valëzimi i ujit.
Në fund të fundit, për të jetuar duhet më shumë kurajë sesa për të vrarë veten.
Unë e di se në periudha kalimtare ka me tonelata baltë që hidhet mbi njerëzit, që ka shekuj kohe sociale të humbur, që ka krekosje qesharake mbi pisllëkun, që ka idiotësi të diplomuar, që horrllëku mund të bëjë leksione morali, etj. Në kohëra të tilla ka e do të ketë dukuri të tilla me shumicë, siç ka pasur dhe do të ketë edhe në çdo kohë tjetër. Në këto kohëra jo pak njerëz depresohen me lehtësi: i zë frika për të ardhmen, zemërohen që nuk lundrojnë dot në oqeanin e pisllëkut, xhelozohen për lundërtarët e tjerë, janë idealistë dhe e duan shoqërinë pa pisllëk, janë ndotës të mëdhenj dhe ndjejnë se edhe me të nuk kanë arritur aty ku duan. Besoj se do të ketë edhe motive të tjera. Mirëpo ajo fjala e mençur thotë se dy veta janë të pastër: ai që mbrohet të mos ndotet dhe ai që e pastron veten e vet. Por kjo nuk është e lehtë. Disa e kanë të vështirë ta bëjnë këtë gjë dhe thyhen.
Po ai adoleshenti që u vetëvra thjesht sepse mësuesja e vlerësoi me notën 9-të? Po ajo adoleshentja që u vetëvra pasi e “la i dashuri”?. Kush ka eksperiencën e jetës dhe ka mësuar prej saj mund të habitet me lehtësinë e adoleshentëve për të shkuar në veprimin ekstrem. Ai që nuk është kujdesur për jetën e vet, ai që nuk e ka shpëtuar jetën e vet, etj., ai nuk e ka marrë ende mësimin se sa e çmuar është jeta njerëzore. Ai e ka të lehtë ta flakë tutje atë në një moment dobësie njerëzore, atëherë kur një notë shkollore ose një lidhje rinore bëhet e barabartë me atë jetën që na jepet vetëm një herë.
Të lindurit kanë lindur të gatitur për të jetuar, për të shkuar përpara në ciklin e jetës, për të kapërcyer vështirësitë që u dalin, për të mjekuar plagët që u shkaktohen dhe për të ecur përsëri përpara deri në ditën e fundit. Kjo formulë e shprehur në mënyrën më të varfër bart atë se vetëvrasja është veprimi që bie në kundërshtim me mënyrën si është kurdisur të ecë sahati i jetës. Psikologë të shquar janë shprehur se ideja momentale e vetëvrasjes ashtu si edhe ajo e vrasjes së dikujt, e mallkimit me vdekje, etj., janë ide që aktivizohen në mendjen njerëzore. Se çfarë ndodh që ide të tilla aktivizohen, ne nuk e dimë. Ajo që dimë me siguri është se ne e kemi shansin që, edhe kur kemi ide të tilla, të bëjmë atë që na takon për të mbrojtur veten, për të ruajtur tjetrin dhe për të mos uruar vdekje.
Kryerja e vetëvrasjes në mënyrë impulsive nën ndikimin e zemërimit ose të efekteve të drogës dhe të indoktrinimit janë gjithashtu të njohura. Zemërimi edhe kur është legjitim, nuk është këshilltar i mirë megjithëse është mjaft i dobishëm pasi mobilizon shumë energji. Në zemërim e sipër ka njerëz që “ia heqin vetes”, ashtu siç shpesh nën efektet e drogës i jepet fund jetës. Ka pasur raste kur adoleshentë, të indoktrinuar si të veçantë, si të pashkatërrueshëm, si të përzgjedhur të takojnë zotin vetë, i japin fund jetës. Këto motive janë të veçanta dhe funksionojnë me mekanizma të ndryshëm psikologjikë, por sido që të jetë, edhe këto marrin jetë njerëzish dhe lënë mbrapa plagë të thella në të mbijetuarit.

A ka vetëvrasja kiminë e vet?
Njëri nga kërkimet më modernë në lidhje me vetëvrasjen kryhet në nivel hormonal. Ekziston shpresa se duke rregulluar sekrecionet hormonale mund të arrihet të kontrollohet edhe prirja për vetëvrasje.
Studimet në lidhje me me faktorët biologjikë që ndikojnë në vetëvrasjen kanë zbuluar se personat me prirje për vetëvrasje kanë në familjet e tyre ose ndër të afërmit më shumë njerëz me prirje për vetëvrasje sesa kanë personat pa prirje për vetëvrasje. Kjo gjetje ka orientuar kërkime në lidhje me kontributin e biologjisë njerëzore në prirjen për vetëvrasje. Edhe studimet me binjakët kanë zbuluar të njëjtën prirje: nëse njëri nga binjakët njëvezësh pat kryer vetëvrasje, atëherë në 20% të rasteve edhe tjetri kishte bërë të njëjtën gjë: kjo nuk ndodhte me binjakët dyvezësh.
Mirëpo, megjithëse këto studime tregojnë për prezencën e një faktori biologjik në vetëvrasje, studime të tjera i kanë interpretuar ndryshe këto studime: kështu ato thonë se nëse dikush kryen vetëvrasje, binjaku i mbetur bie në depresion dhe e vret veten i shtyrë nga depresioni dhe jo nga biologjia e ngjashme. Të tjerë thonë se ka shumë mundësi që binjaku i mbetur ta ketë imituar ose mësuar reagimin me vetëvrasje nga binjaku i vetëvrarë.
Studime të dekadave të fundit kanë zbuluar se niveli i serotoninës është i ulët ndër personat që kanë priren të kryejnë vetëvrasje. Sot në fakt mendohet se niveli i ulët e serotoninës është një tregues me të cilin mund të parashikohet sjellja vetëvrasëse. Kjo është vërtetuar si me personat që kanë tentuar vetëvrasjen ashtu edhe me ata që e kanë kryer atë me sukses. Serotonina është një hormon që mendohet se ndikon fort në gjendjet e humorit njerëzor. Popullorçe mund të mendohet se sa më shumë serotoninë aq më i mirëështë humori dhe e anasjellta, sa e pak serotoninë, aq më turivarur është njeriu.
Përveç kësaj është zbuluar se kur njeriu ka pak serotoninë atëherë ai ka edhe më pak receptorë të cilët procesojnë serotoninën. Gjithashtu skanerat e tipit PET të kohëve të fundit zbulojnë aktivitet jonormal në ato zona të trurit të cilat njihen si zonat që “përdorin më shumë serotoninën”.
Si ndikon atëherë aktiviteti i ulët i serotoninës në vetëvrasjen? Mendohet se ajo ndikon në rritjen e sjelljes agresive dhe impulsive. Njerëzit agresivë kanë aktivitet të ulët të serotoninës në krahasim me njerëzit paqësorë.
Mesa duket vetëvrasja ka edhe ajo kiminë e vet. Studimet kanë hapur rrugën që industria farmaceutike të prodhojë një numër jo të vogël medikamentesh të cilat stimulojnë rritjen e niveleve të serotoninës.
A ka ndonjëfarë kuptimi ky zbulim? Kuptimi i këtij i vetëm është: të pihen ilaçet. Kjo nuk është ajo thënia humoristike “a i ke pirë ilaçet? të cilën e përdorim kur duam t’i themi dikujt që nuk na duket mirë.
Por kimia e vetëvrasjes nuk është e gjithë përgjigjja e mundur në lidhje me vetëvrasjen. Të ishte kështu do të kishim mundësinë t’i skanonim njerëzit dhe të dinim që në fillim se kush është i prirur për vetëvrasje e kush jo.
Si i bëhet kur ato që i ndodhin dikujt në jetë ia ulin atij nivelin e serotoninës? Nëse e dimë tani nga studimet e kryera se çfarë e ngre nivelin e serotoninës, çfarë e ul atë? A kanë ndonjë ndikim në këtë prirje ulëse stresi i jetës, tersllëqet dhe prapësitë, dështimet personale, dëmtimi që na shkaktohet, etj.? Të gjithë e dimë se këto ngjarje jetësore si rregull, na prishin humorin dhe, në raste të caktuara na shtyjnë të na dalë vetja qejfit. Ne nuk kemi ende studime përfundimtare në lidhje me këto efekte, por kemi studime të padiskutueshme që tregojnë se këto shkaktojnë episode depresive ose edhe depresion klinik. Tani dimë se si episodet depresive ashtu edhe vetë depresioni klinik shoqërohen me nivele të ulëta serotonine.
Atëherë, çfarë mund të bëhet më tej? Për këtë psikologët këshillojnë diçka: ata sugjerojnë ndjekjen e një mënyre jetese aktive me sa më gëzim, sport, ajër, angazhim. Kjo është alfa dhe omega e çdo psikologu kur merret me psikoedukim-jeta aktive dhe e gëzuar të rrisë nivelin e serotoninës, të largojë depresionin dhe ta bëjë jetën e njeriut më të lumtur.
Sigurisht që kjo është e lehtë të thuhet: bëni një jetë aktive. Po e vështira e kësaj është se si ta bëjë jetën më aktive dikush që ndodhet në pikën më të ulët të greminës së depresionit? Ku ta gjejë fuqinë që ta vërë buzën në gaz personi që ka harruar se kur ka buzëqeshur për herë të fundit? Ku ta gjejë forcën të shkojë në palestër për të ushtruar muskujt dikush të cilit i kanë shterrur të gjitha forcat dhe nuk ndjen pikë fuqie? Ku ta gjejë forcën i depresuari për të shkuar në gëzimin e dikujt kur është i farmakosur për fatin personal? Ku ta gjejë energjinë të angazhohet me veprimtari të ndryshme personi i cili ndjen kotësinë e çdo gjëje që e rrethon?
Ajo forcë, energji është brenda tij: psikologu e ka profesion ta zgjojë atë.
Si perceptohet vetëvrasja?
Ndaj vetëvrasjes mbahen qëndrime të ndryshme. Ato fillojnë me dënimin e saj, vijojnë me konsiderimin e atij që ka vrarë veten si njeri të dobët, dhe përfundojnë me konsiderimin e tij si martir e si hero.
Dëshiroj të them mendime në lidhje me qëndrimet ndaj vetëvrasjes. Po e filloj me dënimin e saj. Sigurisht që vetëvrasja është lënduese edhe për personin më të largët, le më pastaj për të afërmit e të vetëvrarit. Që vetëvrasja shkakton keqardhje për humbjen edhe kjo dihet. Përse e dënojmë vetëvrasjen?
Vetëvrasjen e dënojnë të gjitha fetë e mëdha të njerëzimit: krishterimi, islami, judaizmi. Për të krishterët jetën e jep zoti dhe vetëm ai mund ta marrë atë; për islamin vetëvrasja është e ndaluar; për judaizmin vetëvrasja është e ndaluar por mund të pranohet vetëm për të shlyer një mëkat të madh.
Qëndrime të ngjashme ndaj vetëvrasjes kanë edhe personat laikë. Kështu nëse dikush kryen vetëvrasje, ky veprim konsiderohet një njollë dhe turp për familjen dhe të afërmit që lë pas; ai që tenton vetëvrasjen konsiderohet i dobët, i pazoti për të përballuar situatat e jetës së vet; kush tenton vetëvrasjen është frikacak; vetëvrasja nuk u falet në radhë të parë personave që i kanë mjetet për të bërë një jetë normale; kush tenton vetëvrasjen e bën këtë të lëndojë të tjerët ose të tërheqë vëmendjen e tyre; personat që tentojnë vetëvrasjen nuk e kanë seriozisht që duan t’i japin fund jetës, etj.
Në anën tjetër të spektrit janë edhe qëndrimet që e justifikojnë dhe e çmojnë vetëvrasjen. Kështu kush tenton vetëvrasjen është njeri kurajoz e trim; kush tenton vetëvrasjen patjetër që ka një arsye shumë të fortë për ta bërë këtë gjë; jeta ka plot situata në të cilat rrugëzgjidhja e vetme është vetëvrasja; kush tenton vetëvrasjen është njeri i një bote tjetër, të pandotur, etj.
Mendoj se secili prej këtyre qëndrimeve ndaj vetëvrasjes është i motivuar në mënyrën e vet. Tjetër gjë është të gjykohet për pasojat e secilit prej këtyre qëndrimeve. Në fund të fundit, qëndrimet ndaj vetëvrasjes mund të thjeshtohen në dy: a janë të vetëvrarët viktima të veprimeve të veta apo të rrethanave, apo ata janë heronj që nuk pranojnë ta bëjnë kompromisin që bëjnë të gjallët për të vazhduar të jetojnë ose të vegjetojnë?
Nuk është e vështirë të shpallet se ndërkohë që vetëvrasja mund të kuptohet, ajo nuk mund të justifikohet. Ajo kurrsesi nuk mund të mbështetet. Kjo do të ishte në kundërshtim me thelbin e jetës dhe të natyrës njerëzore, një shpërdorim i forcave në drejtimin e gabuar. Në këtë kuptim të vetëvrarët janë viktima të pazotësive personale apo të presionit të rrethanave për ta kërkuar zgjidhjen duke e kthyer armën drejt vetes. Fakti që personat që tentojnë vetëvrasjen konsiderohen viktima nuk mund të ngjallë veçse keqardhje për humbjen, pafuqinë, vuajtjen. Nëse kemi të drejtë të dënojmë vetëvrasjen kemi detyrë të qëndrojmë me viktimën.
Në anën tjetër të spektrit të qëndrimeve ndaj vetëvrasjes janë qëndrimet që i konsiderojnë ata heronj që nuk pranojnë të mposhten. Nuk pranojnë të mposhten dhe mposhtin vetë veten e tyre. Përsëri mposhten. Nuk mund të përjashtohet që edhe midis personave që e gjejnë zgjidhjen te vetëvrasja të ketë edhe sjellje që mund të duken heroike ose që janë të tilla. Vetëvrasja është vetëvrasje jo për shkak të kësaj heroike të rrallë. Heronjtë e vetëvrarë në momente krizash janë të rrallë. Më së shumti kemi të bëjmë me persona të cilët shtyhen drejt vetëvrasjes për të shpëtuar nga vuajtja, nga njollosja, nga ndëshkimi. Disi ndryshe qëndron puna me ata që e kryejnë vetëvrasjen për të tërhequr vëmendjen e publikut, ose që provokojnë policët me qëllimin që të qëllohen për vdekje prej tyre. Këto janë përjashtime. Nëse e shprehim keqardhjen duke i shpallur heronj, kjo nuk ndihmon për asgjë. Nëse duam të kuptojmë sjelljen e tyre dhe t’i ndihmojmë, mirë është t’i shohim si njerëz që bëjnë luftën e tyre të jetës.
Por, a janë të çmendur siç thuhet herë pas here për ta? Personat që kanë ideacione, tentativa ose që kryejnë vetëvrasje nuk janë persona të çmendur. Kjo është e sigurt për shumicën dërmuese të tyre. Një pakicë e personave me çrregullime psikiatrike kryejnë vetëvrasje. Në tërësinë e tyre këta nuk janë të çmendur. Njeriu i depresuar nuk është një njeri i çmendur, njeriu nën ndikimin e drogës nuk është njeri i çmendur, njeriu impulsiv nuk është njeri i çmendur, njeriu që vetëvritet për t’i shpëtuar një ndëshkimi nuk është njeri i çmendur. Nëse me fjalën “i çmendur” shprehim jo vlerësimin tonë për gjendjen e tyre psikike, por qëndrimin tonë të mospajtimit me vetëvrasjen, atëherë këtu kemi të bëjmë me një çështje tjetër. Siç edhe ndoshta e kam përmendur, në momentet e kryerjes së aktit final funksionimi psikik i një personi të tillë mund të përmbajë herë gjakftohtësinë shembullore për të kryer veprimin e planifikuar dhe herë të tjera një konfuzion psikik të pashembullt. Si rregull në çastet finale të agonisë së vet, pra në momentet kur personi ka vendosur të mos luftojë më, ai humbet koordinatat me çështjen, me veten, me botën dhe mbetet në kontakt të ngushtë me vuajtjen e padurueshme dhe pafuqinë dërmuese.
Është interesante të vihet re se si për vetëvrasjen nuk flitet shumë, ndërkohë që ka një gatishmëri për të folur për tentativat specifike të vetëvrasjes. Vetëvrasja rrethohet nga një heshtje, ndonjëherë e frikshme. Ajo sigurisht që do të mbetet e errët, por kurajozët e vërtetë janë ata që përballen e diskutojnë për të
Mbulimi mediatik i vetëvrasjes:
Njerëzit e medias vazhdimisht kanë diskutuar mbi dilemën e mbulimit mediatik të vetëvrasjeve dhe vrasjeve. Mbulimi mediatikivetëvrasjeve është një proces delikat që ka të bëjë si me nevojën e të qenit të informuar, ashtu edhe me nevojën e respektimit të privasisë dhe të efektit ngjitës që informimi mund të ketë. Kësisoj marrja e vendimit për të informuar mbi vetëvrasjet bëhet një gjë e vështirë. Unë do të thoshja se media nuk ka pse e sheh si detyrë të vetën informative njoftimin e publikut për çdo lajm vetëvrasjeje ose vrasjeje. Për fat të keq herë pas here kjo ndodh. Unë nuk e miratoj këtë gjë, por nga ana tjetër shtoj se nëse vetëvrasjet bëhen një gjë e shpeshtë atëherë mendoj se media e ka për detyrë të vetën të ndalet në to dhe të trajtojë fenomenin me synimin e ndërgjegjësimit të publikut dhe të kthimit të këtyre fatkeqësive në raste mësimdhënëse.
Nga ana tjetër mendoj se mediet kanë ecur përpara në kujdesin për të ruajtur privasinë e personave që tentojnë të vetëvriten, që arrijnë t’i mbijetojnë tentativës, si edhe të të afërmve të tyre. Megjithatë ka raste që këto elemente delikate as nuk merren parasysh. Në këtë drejtim unë përshëndes të gjithë ata që kanë ndjeshmëri në këtë drejtim: shkelja e kësaj privasie përbën një traumatizim të ri të të mbijetuarve, të të afërmve të tyre dhe të të gjithë ne të tjerëve.
Diskutimet e sotme në lidhje me efektin ngjitës të pasqyrimit të vetëvrasjeve në mediet janë të rëndësishme. A ndikon ky pasqyrim në nxitjen e të lëkundurve të kryejnë vetëvrasje, në imitimin e mënyrës së kryerjes së vetëvrasjes, në ndryshimin e perceptimeve për vetëvrasjen? Me siguri. Në ç’mënyrë? Në shoqëri ka pasur dhe do të ketë njerëz që e mendojnë të vrasin veten, në shoqëri ka njerëz që duan të dinë si realizohet kjo gjë dhe prandaj fokusi mediatik nuk është mirë të jetë në këto gjëra dhe as të plotësojë qoftë edhe tërthorazi këto nevoja. Pastaj, qëndrimet e caktuara të medies mund të ndikojnë në shikimin e vetëvrasjes në një këndvështrim pozitiv. Adoleshentët kanë mundësi ta shohin vetëvrasjen si një trimëri.
Tani, nëse pyesim edhe një herë nëse ndikon mënyra e mbulimit mediatik të vetëvrasjes në nxitjen e saj, në shikimin e saj në një këndvështrim pozitiv dhe në ofrimin e një mënyre praktike për realizimin e saj, përgjigjja është po. Ne e dimë se vetëvrasja e dikujt, qoftë njeri i shquar, qoftë edhe i panjohur, mund të pasohet nga të tjera vetëvrasje, siç e keni vënë re edhe ju. Por a mund të ndikojë mbulimi mediatik i vetëvrasjes që shoqëria të mos ndikohet në këto drejtime, por ta shohë vetëvrasjen në një këndvështrim tjetër, përgjigjja është përsëri, po. Për këtë ndihmon të bëhen këto pyetje: çfarë përfitohet nga informimi i vetëvrasjes së personit x? Në cilat aspekte të vetëvrasjes duhet vënë fokus? A traumatizon njeri shkrimi im për vetëvrasjen? A nxit njeri të kryejë vetëvrasje shkrimi im? A ndikon shkrimi im që vetëvrasja të shikohet pozitivisht nga publiku? A është i përshtatshëm shkrimi im për audiencën e medies ku do të publikohet? A ka mundësi që shkrimi im t’i japë publikut mundësinë që ai të marrë prej tij një mesazh të kundërt me atë që gazetari synon? A i tregon publikut artikulli im se si mund të ndihmohet nëse është duke u torturuar nga ideja e vetëvrasjes? A ka mundësi që unë të shkruaj një artikull jo për personin që u vetëvra, por për personin i cili hoqi dorë nga kjo gjë? A ka mundësi që vetëvrasja e një njeriu të shquar të imitohet prej të tjerëve?
Studime të kryera në nivel ndërkombëtar kanë zbuluar se fill pas raportimit mediatik të vetëvrasjes, numri i vetëvrasjeve është shtuar; se personat që kanë arritur t’i mbijetojnë tentativave të kryera për vetëvrasje kanë raportuar se janë ndikuar nga historitë e vetëvrasjeve të paraqitura në media; se ndikimi i raportimit të vetëvrasjeve është më i madh kur specifikohen mënyrat e kryerjes të vetëvrasjeve; se ndikimi është më i madh ndër të rinjtë dhe të moshuarit; se ndikimi është më i madh kur raportohet vetëvrasja e personaliteteve të shquar, se raportimet e përsëritura ose të tepruara të vetëvrasjes në lajme shoqërohen me shtim të vetëvrasjeve në ditët që pasojnë; se paraqitjet e thjeshtëzuara të vetëvrasjeve krijojnë dogma dhe mitologji për vetëvrasjet dhe nuk e sqarojnë dukurinë; se raportimi i vetëvrasjes si ngjarje sensacionale nuk e shpjegon thelbin e saj; se paraqitja pozitive e personit që ka kryer vetëvrasje çon herë pas here në perceptime pozitive për vetë vetëvrasjen; se shumica e vetëvrasjeve kanë një parahistori psikiatrike, etj.
Nuk jam i sigurtë se, nëse e shmangim tërësisht raportimin mbi vetëvrasjet, ne arrijmë të ndikojmë në pakësimin e vetëvrasjeve, por jam i sigurt se kështu media nuk mund të realizojë funksionin e saj informativ. Nga ana tjetër, nëse i raportojmë vetëvrasjet siç raportojmë çdo gjë tjetër, ne e konsiderojmë vetëvrasjen si çdo ngjarje tjetër, gjë që nuk është e vërtetë. Do të ishte më e përshtatshme që në mbulimin mediatik të vetëvrasjeve të kujdesemi të mbrojmë dhe të formojmë publikun që informojmë. Nëse media e ka detyrën e informimit, ajo ka edhe përgjegjësinë e mbrojtjes së publikut dhe të ndihmës për perceptime sa më jodëmtuese për të.
Edhe pse ne e shohim misionin mediatik si një mision informues, edhe kur duam edhe kur nuk duam, ai është dhe mbetet edhe një mision formues.

(m.k/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet