Moda e palestrave/ Shqiptarët shkojnë më shumë për t’u dukur, obeziteti në rritje

Moda e palestrave/ Shqiptarët shkojnë më shumë për t’u dukur, obeziteti në rritje

Moda e plestrave në Tiranë

Shqiptarët e duan të bukurën po aq sa duan të ‘shesin’ mend. Bizneset kryesore në Tiranë pohojnë se femrat që frekuentojnë palestrën janë në rritje por pjesa më e madhe e tyre nuk shkojnë për rezultate se sa për t’u dukur. Tendenca e frekuentimit është në rritje, teksa promocionet dhe rritja e numrit të tyre kanë ulur çmimet. Shifrat nga Dogana tregojnë për rritje të importeve të pajisjeve për palestra, që dëshmon zgjerimin e tyre në treg

Nuk e gjeni kohën apo nuk keni motivimin për të shkuar në palestër disa herë në javë? Thuaja këtë Aulona Mustës, e cila për 13 vitet e fundit e ka frekuentuar palestrën rregullisht. Sipas saj, palestra është një mënyrë jetese e shëndetshme, përpos një regjimi ushqimor po të shëndetshëm. Por jo të gjithë frekuentuesit e palestrave ndajnë të njëjtin pasion dhe mendim me Aulonën. Sipas një pjese të konsiderueshme të trajnerëve në palestra në kryeqytet, janë të paktë ndjekësit e rregullt të palestrës dhe fitnesit.

“E kërkojnë kryesisht përpara sezonit veror. Femrat duan të dobësohen shpejt dhe kjo mani qarkullon prej kohësh në të gjitha palestrat në qytet”, – thotë instruktorja e palestrës “Angels”.

Aulona kujton se e nisi palestrën kur ishte vetëm 19 vjeçe pasi nuk ndihej mirë me peshën. “Palestrën e ndjek rregullisht prej 13 vjetësh. Asokohe e nisa pasi nuk ndihesha mirë me peshën. Pata durimin që të arrija rezultatet që të kisha dhe motivimin për të mos u ndalur më. Mund ta quajmë edhe një lloj varësie, por ama është nga ato ‘veset’ e mira, që të ndihmon jo vetëm fizikisht, por edhe mendërisht”, – thotë Aulona, pa e ndalur aspak aktivitetin e saj në një ditë të zakonshme në palestër.

Jurgen Hakani, instruktor profesionist pranë “Flex Gym”, thotë se grupmosha që frekuentojnë palestrën nisin nga adoleshentët deri te moshat 50-60 vjeç, duke provuar kështu se nuk ka më limite dhe se kërkesat janë të shumta, në varësi të asaj çfarë duan të arrijnë nëpërmjet stërvitjes. Përfshirja kaq e gjerë e moshave në frekuentimin e palestrave është në fakt një trend botëror, që e ka nxitur më tepër zhvillimin e këtij tregu.

Fatmir Bejo dhe Lazi Gjika, dy instruktorë të tjerë pranë “Flex Gym” në Tiranë pohojnë se për klientët që nuk kanë mundësi të shumta ekonomike, palestra ofron çmime të mira, ku oferta të ndryshme dalin me 2500-3000 lekë/muaj me frekuentim tre herë në javë. Sipas tyre, ofertat ekonomike nxisin frekuentimin edhe të asaj shtrese që nuk mund të përballojnë tarifa të larta. Megjithatë, në Tiranë ka edhe qendra fitnesi që arrijnë shifra të larta abonimi, ku dhe klientela është e përzgjedhur.

Në Tiranë ka mbi 50 qendra moderne që ofrojnë shërbime fitnesi. Përveç ushtrimeve fizike të drejtuara nga instruktorët, në këto qendra ofrohen edhe shërbime shtesë, si sauna, masazhe, hidromasazhe. Për klientët e rregullt, një pjesë e tyre i ofrojnë falas, ndërsa të tjerë aplikojnë pagesa shtesë. Profesionistët në treg këshillojnë që duhet të bëni kujdes në zgjedhjen e asaj që bën vërtet për ju dhe t’i besoni përvojës së drejtuesve të seancave të dobësimit apo fitnesit.

Jo palestër gjatë gjithë vitit

Mjafton të bësh një shëtitje një pasdite të zakonshme, për të vënë re se është shtuar numri i njerëzve që vrapojnë te Kodrat e Liqenit. Nga ana tjetër, edhe frekuentuesit e palestrave janë rritur. Instruktorë të disa prej palestrave në kryeqytet thonë se frekuentimi është rritur ndjeshëm krahasuar me një vit më parë.

Por, gjithnjë e më tepër, numri i atyre që janë besnikë është i ulët. Sipas tyre kjo argumentohet me faktin se shqiptarët janë dembelë, duan të shohin rezultate shpejt dhe frekuentimi arrin pikun përpara sezonit veror.

“Mund t’ju duket çudi, por në shtator zbrazet salla”, – thotë instruktori i “Fitness One”, duke shtuar se nga muaji mars deri në qershor, nuk ka vende më për abonentë të rinj. Një tjetër arsye, sipas tij që frekuentuesit nuk janë besnikë, është edhe çështja ekonomike. Shqiptarët vlerësohet të kenë në dispozicion një buxhet të vogël për t’u kujdesur për veten.

Instruktori i “Fitness One” shprehet se, “mungesa e fuqisë blerëse i ka penguar që shqiptarët të jenë frekuentues besnikë”. Krahasuar me muajt e dimrit, instruktorët raportojnë se është rritur me 20% frekuentimi përpara sezonit veror. Krahasuar me një vit më parë, për të njëjtën periudhë, me rreth 10-15%, në varësi të shërbimeve specifike që disa prej këtyre qendrave ofrojnë.

Sipas instruktorit të “Fitness One”, mars-prill është një periudhë kur niveli i frekuentimit të palestrës arrin kulmin, pasi njerëzit përgatiten të kenë një trup sa më të mirë në sezonin e plazhit. Duke mos qenë një trajtim i qëndrueshëm, pjesa më e madhe e klientëve e frekuentojnë palestrën për një kohë të kufizuar një deri në tre muaj. “Ritmet e frekuentimit mund të fillojnë të analizohen kur të kemi klientë gjithëvjetorë, të cilët janë të paktë në numër”, thekson instruktori.

Sipas tij, shqiptarët vazhdojnë të bëjnë palestër për t’u dukur mirë në sy të të tjerëve. Më të paktë janë ata që zhvillojnë aktivitete sportive për të qenë të shëndetshëm fizikisht. Sipas instruktores së palestrës “Angels”, klientët që nuk kanë hequr dorë janë ata që e shikojnë si të domosdoshme palestrën dhe i alternojnë ushtrimet në palestër me vrapin në natyrë për rezultate më të efektshme, si dhe me një dietë të ekuilibruar.

Me një kërkesë të ulët në muajt e dimrit dhe me një shtim të numrit të palestrave në kryeqytet, sipas përfaqësuesve të disa palestrave, u bënë vite tashmë që abonimi mujor i palestrës (në pjesën më të madhe të tyre) luhatet me 2500-3500 lekë. Madje disa prej instruktorëve theksojnë se kanë ulur çmimet, mesatarisht 500 lekë krahasuar me një apo dy vite më parë, për të qenë më tërheqës në treg.

“Dembelët”

Janë të paktë ata që e mbajnë regjimin gjatë gjithë vitit, më tepër vijnë përpara muajve të verës që të humbin kilogramët e tepërt shpejt, shpeshherë nëpërmjet aparaturave, jo palestrës aktive

Shpejt dhe më shtrenjtë për ‘dembelët’

Një tjetër zgjedhje që bëjnë shqiptarët është ajo e një palestre jo shumë aktive. Me fjalë të tjera, kërkojnë rezultat: pa shumë sforco, me pak kohë por me më shumë para. Ledia, një nga instruktoret pranë “Body Code”, tregon se është një ndër metodat më të parapëlqyera për të humbur peshë. “Fillimisht, ishin skeptikë, por pas seancës së parë së provës, nisnin të ndryshonin mendim. Një tjetër gjë që po ndryshon është edhe tendenca për të humbur peshë shpejt dhe kjo kërkohej më parë përpara sezonit veror”, – thotë ajo.

E pyetur për çmimet, Ledia tregon se seanca e parë e provës dhe e matjeve metabolike kushton 1600 lekë, ndërsa seancat e mëtejshme të stërvitjes janë me paketa 3-4-mujore (të pandashme) që fillojnë nga 30 mijë lekë. Ata që e frekuentojnë janë të moshave të ndryshme dhe për arsye të ndryshme.

Për shembull, rasti i një vajze mbi 100 kg, e cila e kishte të pamundur të kryente stërvitje aktive. Apo edhe persona të cilët kanë probleme me shtyllën kurrizore, probleme me legenin apo këmbët, të cilëve u ndalohet stërvitja intensive apo vrapi.
Metodat që ofron kjo qendër janë ndër më të kushtueshmet në treg, por që po shohin rritje të klientelës me kalimin e kohës. Ata pohojnë se periudha mars-qershor është piku i prenotimeve, ku dhe qendra është plot në të gjithë degët e saj.

Rriten importet e pajisjeve për palestra

Shtimi i numrit të palestrave në kryeqytet vihet re edhe në rritjen e importeve të pajisjeve për palestra, të cilat vetëm vitin e shkuar kanë arritur shifrën e 1.13 milionë dollarë. Sipas raportimit të Doganave, krahasuar me në vit më parë është rritur vlera e importeve të këtyre pajisjeve, me rreth 10%. Krahasuar me 4 vite më parë, importet janë dyfishuar sipas vlerës së raportuar. Kjo argumentohet, sipas përfaqësuesve të palestrave në kryeqytet, edhe me dyfishimin e numrit të palestrave të hapura në intervalin kohor të 4 viteve.

Importi i pjisjeve për palestra

Obeziteti në rritje të vazhdueshme

Shqiptarët kanë qenë shumë më elegantë 10 vjet më parë. Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë, që prevalenca e obezitetit te të rriturit në Shqipëri arriti në 21.6% të popullsisë në vitin 2016, nga 14.9% që ishte ky tregues 10 vjet më parë, në 2006-n. Në krahasim me 2014-n, kur kishim prevalencën më të ulët në rajon për sa i përket obezitetit, Shqipëria renditet tashmë në vendin e tretë. Në vendin e parë me prevalencë më të lartë është Mali i Zi me 23.3%.Të dytët me normë më të lartë janë maqedonasit, ku sipas të dhënave për vitin 2016, prevalenca e obezitetit ishte 22.4%. Ndërsa më elegantët e rajonit janë boshnjakët me 17.9% dhe serbët me 21.5%.

Indeksi i obezitetit në Shqipëri

Indeksi i Masës Trupore (BMI) përllogaritet duke pjesëtuar peshën e një personi në kg me gjatësinë e tyre në katror dhe është një tregues nëse personi ka një peshë të shëndetshme apo jo. Nëse indeksi i masës trupore është mbi 25 tregon mbipeshë, mbi 30 tregon obezitet dhe mbi 40 tregon obezitetin patologjik. Obeziteti është cilësuar si sëmundja e shekullit dhe sipas Organizatës Botërore të Shëndetit është trefishuar krahasuar me të dhënat e vitit 1975, duke marrë përmasa epidemike.

OBSH, krahas fushatave të vazhdueshme ku bën thirrje për dimensionet që po merr kjo sëmundje, sipas tyre, e parandalueshme, tregon se në vitin 2016, më shumë së 1.9 miliardë njerëz të rritur ishin mbipeshë, nga ku 650 milionë obezë. Në statistikat botërore, 13% e të rriturve ishin obezë dhe 39% mbipeshë.

Edhe për fëmijët, statistikat tregojnë rritje të dimensioneve të kësaj sëmundjeje. Krahas atyre të kequshqyer dhe nënpeshë, edhe fëmijët mbipeshë dhe obezë po shndërrohen në fenomen shqetësues. Në vitin 2016, mbi 340 milionë fëmijë të moshës 5 – 18 vjeç ishin mbipeshë dhe obezë.
Një studim i mëparshëm tregonte se pas një rënie të shifrave të obezitetit në Shqipëri deri në vitin 2014, ai është rritur sërish ndjeshëm në 2015-2016, duke paralajmëruar shtimin e një sërë sëmundjeve të lidhura me të, ku më kryesori është diabeti.

Shifra

Sipas firmës hulumtuese të tregut IBISWorld, tregu i palestrave në tërësi do të rritet me 15% deri në 2022 dhe rrjetet dytësore franchise do të rriten rreth dy herë më shpejt, pasi ato bëhen më të forta dhe sipërmarrësit kërkojnë më shumë mundësi.

Një raport i Shoqatës Ndërkombëtare të Shëndetit në SHBA zbuloi se në vitin 2015, anëtarësitë në klubet e mesme u rritën me 2%. Ndërsa në të njëjtën periudhë, klubet premium (75 deri 99 dollarë në muaj) shënuan rritje 21%. Anëtarët e klubit më të lirë (më pak se 25 dollarë në muaj) u rritën me rreth 70%.

Pionieri i modelit me kosto të ulët – dhe deri tani lojtari më i madh – është Planet Fitness, i cili sot pret më shumë se 10 milionë anëtarë. Sipas ekspertëve, e ardhmja do të jetë palestra sa më të lira dhe njëkohësisht, edhe rritje e asaj pjese të tregut luksoz për të gjithë “VIP”.

Produktiviteti dhe sporti

Janë rritur hulumtimet që lidhin fitnesin me produktivitetin në vendin e punës dhe kompanitë janë gjithnjë e më të lumtura për t’u ofruar punonjësve një klasë javore Zumba ose edhe organizimin e një aktiviteti fizik për kompaninë. Instruktorët dhe ekspertët e fushës po e nxisin këtë zhvillim, sigurisht, pasi ata mund të fitojnë njëkohësisht nga regjistrimet e korporatave.

Është një ‘fitore e dyfishtë’ që punonjësit të bëhen më aktivë dhe që kompanitë që bashkohen me sipërmarrësit e shëndetit dhe të mirëqenies, të kenë produktivitet në fund të ditës. Zinxhiri në rritje i zyrave mund të ndihmojë në nxitjen e inovacionit. Dr. Carrie dhe Alton Barron të cilët mbështesin këtë studim botëror këshillojnë ushtrimin si një metodë kyçe për të rritur kreativitetin dhe zhvillimin e mendimit analitik, që në shumë segmente tregu, është thelbësor për kompaninë.

Europa është tregu më i madh i palestrave në botë

Me një vlerë totale prej rreth 26.6 miliardë eurosh, tregu europian i palestrave u zgjerua në 2017-n, duke u rritur pak nga 23 miliardë që ishte në vitin 2016.

Sipas statistikave të Deloitte dhe EuropeActive, ‘gjermanët’ fitojnë më shumë – rreth 4.6 miliardë euro – që tejkalojnë shpenzimet e Britanisë së Madhe për herë të parë në vitin 2017. Zvicra shpenzon më shumë në anëtarësitë e palestrës së luksit. Pagesa mesatare mujore e anëtarësimit në palestër u ul me 0.1% në 35.03 euro/muaji dhe mendohet se zgjerimi i një numri të palestrave dhe qendrave të fitnesit, mund të sjellë ulje të kostove më tej.

Operatorët me kosto të ulët në të gjithë Europën kanë gëzuar rritje të shpejtë në vitet e fundit. McFIT me seli në Gjermani ka shtuar 110,000 anëtarë në 2017, ndërsa Pure Gym, operatori më i madh i palestrës në Mbretërinë e Bashkuar, u bë kompania e tretë e fitnesit në Europë që arriti një milion anëtarë në shkurt.

Trendet më të njohura të fitnesit për vitin 2018:

1. Trajnimi me intensitet të lartë
2. Stërvitja në grup
3. Teknologjia e veshur – duke përfshirë orët zgjuar, monitorët për nivelin e zemrës ose pajisjet për ndjekjen e GPS
4. Trajnimi i peshës trupore
5. Trajnimi i forcës, duke përfshirë ushtrimin me përdorimin e peshave të ndryshme/Monitor

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet