Moikom Zeqo: Subkultura e kitsch arti po humbet kujtesën e njerëzimit

Moikom Zeqo: Subkultura e kitsch arti po humbet kujtesën e njerëzimit

Moikom Zeqo

Autorët e mëdhenj Markes, Borges, Saramago e Umberto Eco, të cilët tronditën botën me veprat e tyre unikale, vijnë si “Anima Mundi” -shpirti i botës, siç e thotë edhe nëntitulli i librit më të ri i Moikom Zeqos  “Sagë Palimpsestesh”.

Libri vëllimor qaset me hapësirat e një enciklopedie, por në të vërtetë brenda tij është enciklopedia e vetë stilit të shkrimtarit, me cilësitë e një euriditi të pazakontë.

Vetë autori në librin e tij shkruan për palimpsestin: “Të shkruash palimpseste, është një realitet, psikologji, dinakëri diturake, këndellje e fshehtë, një heliogram shqisor”.

Prandaj, “Sagë Palimpsestesh” e Moikom Zeqos në faqet e këtij libri është edhe art, edhe histori,edhe sagë e demiurgëve të mëdhenj të letërsisë botërore, që kanë ruajtur kujtesën dhe shpirtin e njerëzimit.

I botuar nga “Zenit” 2018, nën logon e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, me redaktor historianin e njohur Pëllumb Xhufi, “Sagë Palimpsestesh” e Moikom Zeqos përjetohet njëherësh si një udhëtim filozofik në letërsinë e madhe e njerëzimit që nga Homeri, në historinë e tij dhe në sagat e palimpsesteve, kur njëri shkrim mbulon tjetrin dhe drita e re e shkencës zbulon më të parën gjurmë të shkrimit.

Ky është një libër që të detyron të ulesh e të bisedosh me shkrimtarin. E duke biseduar me Moikom Zeqon, kupton se mendimi i hedhur në libër, në formë esesh, përshkrimesh, novelash, është edhe një autobiografi kronologjike e të vërtetave të botës së madhe, të para në drita të ndezura të dijes. 

I ftuar në një intervistë për “Shqiptarja.com”, Moikom Zeqo rrëfen arsyet se pse në sagën e demiurgëve të letërsisë botërore nuk mungojnë as shkrimtarët shqiptarë. Mjafton të vërejmë esenë kushtuar marrëdhënieve letrare midis Faik Konicës dhe Gijon Apolinerit, apo se çfarë shkruan për Gjon Muzakën apo Pashko Gjeçin, përkthyesin e Dantes, apo për Gjon Buzukun dhe të kuptojmë se rreth 500 faqet e këtij libri, vijnë si një profeci pa rrugë kthimi.  Dhe në palimpsestet e Dantes, Borgesit, Xhorxh Ourellit, Franc Kafkës, Karl Krausinit, Saramagos, njerëzit do “dëgjojnë” profecinë e njëzëshme të tyre, atë që me pak fjalë e thotë Moikom Zeqo në këtë intervistë: Shkatërrimi i estetikës së lartë të artit e letërsisë, nëse ndodh, do ta lërë njerëzimin pa kujtesë, e rrjedhimisht pa shpirt.

Intervista

Zoti Moikom, përse libri juaj më i ri është titulluar “Sagë Palimpsestesh”?

Libri “Sagë Palimpsestesh” i kushtohet shkrimtarit të madh amerikan David Foster Wallace, i cili vrau veten 46 vjeç, por proza e tij është ndoshta kuota më e lartë e të shkruarit në Amerikë. Libri im bazohet në një koleksion palimpsestesh që lidhen me kulturën botërore dhe atë shqiptare.

Palimpsesti është një shkrim i mbivendosur. Po t’i referohemi termit, palimpsestet janë një shpikje që lidhen me kodikët në pergamena, të cilët para Krishterimit ishin të shkruara me traktatet dhe librat e mëdhenj të filozofëve, siç ishte Platoni, Aristoteli, Herakliti, Enkedokli, etj. Kur erdhi Krishtërimi, për faktin se lëkura ishte e shumë  e kushtueshme, sepse bëhej me lëkurën e kecit, me anë të çngjyruesve kimikë, u çngjyrosën tekstet e këtyre kodikëve dhe u shkruan mbi to librat ungjillorë. Përgjithësisht traktatet e Krishtërimit.  

Mirëpo pas disa shekujsh, ndodhi ai që quhet procesi kimik. Ngjyrat e tyre, befas u ringjallën dhe midis rreshtave të librave ungjillorë dolën në dritë edhe librat e filozofëve paganë. Ky fenomen u quajt fenomeni i palimpsestit. Pra, midis rreshtave të autorëve, të epokave të ndryshme, mund të zbulosh, pra specialistët e mirëfilltë mundën ta bënin këtë; të zbulonin  tekste që konsideroheshin përfundimisht të humbura.

Pra, me sa duket kjo ka ndikuar që në letërsi përdoret kaq shumë termi figurativ palimpsest, kur bëhet fjalë edhe për kodifikim të metaforave?

Prandaj ka ardhur ky term. Pra edhe ky libër është shkruar në stilin e palimpsesteve, natyrisht duke u bazuar  tek semantika, tek kuptueshmëria. Përgjithësisht, proza e shekullit të 20-të, njohu disa zhvillime marramendëse, siç është shkrimi  i Xhejms Xhojsit, tek “Uliksi”, i cili nga kritikët, klasifikohet si “përroi i ndërgjegjes”, domethënë është i vrullshëm, pa rregulla shumë, por gjithsesi është i dallueshëm si një shtyrje shpirtërore, si një deltë shpirtërore. 

Kurse shkrimi “Palimpsest” është një shkrim tjetër. Të shkruash një libër të tërë në këtë stil është shumë  vështirë. Natyrisht që ky libër është i ndarë në pjesë të caktuara.  Libri ka shumë pjesë. Nisi si një letër drejtuar vajzës sime Arnisës, për të shpjeguar se ç’janë palimpsestet, pastaj artikulohet shumësia e subjekteve të qytetërimeve, pa harrur asnjëherë qytetërimin shqiptar. Esetë që përbëjnë këtë libër janë nga esetë më të rëndësishme për kulturën shqiptare. Këto ese kanë të bëjnë  me Buzukun, kanë të bëjnë me Pjetër Bogdanin, Pjetër Budin. Kanë të bëjnë me figura të mëdha të kulturës botërore, që lidhen edhe me kulturën shqiptare, siç është përkthimi i “Komedisë Hyjnore” të Dantes nga Pashko Gjeçi, të cilin unë e çmoj shumë,  por janë edhe shkrimtarët e mëdhenj të shekullit të 20-të. Janë shumë ese të rëndësishme për Franc Kafkën, Umberto Ekon, Ernesto Sabaton, për Shekspirin, për Karl Krausinin, për Robert Mysylin, që ka bërë romanin më të famshëm të shekullit të 20-të “Njeriu pa cilësi”, për Kavafin, etj.

Të gjithë këto janë të futura tek njëri-tjetri, dhe natyrisht një nga pjesët kryesore i kushtohet krijimtarisë së Borgesit, të origjinalitetit dhe të sinkretizmit të tij të madh të  ideve për kulturën,që ndoshta është më i rëndësishmi në shekullin e 20-të. Jo më kot unë citoj thënien e Danillo Kishit, që “e gjithë letërsia botërore ndahet në dy pjesë, në pjesën para Borgesit e pas Borgesit.”

Pse e ndjen të nevojshme të shkruash në një format pothuajse enciklopedik për këta korifenj të kulturës botërore dhe shqiptare?

Kjo është e nevojshme të shkruhet për një arsye të dy koncepteve më bashkëkohore dhe që i përkasin më tepër së ardhmes. Së pari, nuk ka më letërsi, brenda kuadrit kombëtar, letërsia është botërore. Pavarësisht origjinaliteteve etnike, guaskave të gjuhëve që janë të ndryshme, pavarësisht gjithë këtyre, letërsitë inkuadrohen dhe integrohen.

Ky koncept në letërsinë shqipe akoma nuk ka hyrë siç duhet.  Koncepti i dytë është që qytetërimet janë enë komunikuese, jo vetëm letërsia, por të gjitha artet. Këto enë komunikuese janë të ndërfutura si asnjëherë tjetër në identitetet tona. Fjala vjen, kultura më epërme e sotme që është kultura kompjuterike, nuk është se është thjesht eshtë shpikur nga amerikanët, nga Bill Gates apo Steve Jobs, është një kulturë e pranishme, mjafton të shohësh që në Shqipëri ka mjete të tilla komunikuese, është fakt që kultura e komunikimit përmes internetit është planetare, nuk është thjesht shqiptare.

Dhe së treti, karakteri palimpsest është në thelbin e letërsisë. Po marr një shembull që duket i thjeshtë. Identifikuese me mendimin mitologjik, janë edhe ideologjitë, edhe ideologjitë janë quajtur gati-gati si fe. Edhe komunizmi është quajtur një fe civile, ose një fe ateiste.  Fetë ekzistojnë, por natyrisht që mendimi shkencor ka ecur shumë më përpara.

Mendimi shkencor e hedh poshtë strukturën ideologjike, fjala vjen në qoftë se në Bibël thuhet që bota është 5580 vjet para Krishtit e vjetër, për një gjeolog që di që vetëm një guaskë është 50 milionë vjet e vjetër, natyrisht që këto janë elementë që nuk merren ne konsideratë. Shkenca është e njëjta gjë. Në qoftë se do më thoshin mua, në vitet ‘70 të shekullit të kaluar, që do të ketë  një celular që është kaq i vogël si ky që kam në dorë dhe me të mund të bisedosh me të gjitha kontinentet e botës, do të më dukej imagjinare, tejet të të menduarit.

Tani këtë lloj celulari e përdorin edhe fëmijët dhe këtu nuk ka asgjë mistike, duke bazuar shkencën dhe tek rrezet elektromagnetike që janë të padukshme e që janë kudo, ndodh realisht ky komunikim. Natyrisht që unë jam për palimpsestin shkencor, palimpsesti si mendim mitologjik mua më intereson për metaforën, për stilin.

Cila mendon se është pjesa më e bukur e këtij libri, sipas teje?

Pjesa më bukur e këtij libri është përkushtimi ndaj shkrimtarëve të mëdhenj. Domethënë këtu janë përmendur shkrimtarët e mëdhenj. Disa nga ata unë i kam njohur edhe personalisht, siç është Ernesto Sabato, kam edhe fotografi me të, ose Tomas Tranströmer , që është Nobelist, ose  Richard Powers  që është kandidat për çmimin Nobel. Këta ndryshe nga bota e politikës, e bankave, e oligarkisë, janë arkitektë më të vërtetë e më të gabueshëm për një të ardhme humane të njerëzimit.

Pikërisht, meqë përmende shkrimtarët si arkitektët të vërtetë të së ardhmes humane të njerëzimit, a e kanë këta forcën e shndërrimit, po aq të madhe sa mund ta ketë shkenca?

Jo nuk e kanë këtë forcën e shndërrimit, letërsia nuk është se i shndërron epokat, por letërsia mban gjallë forcën humane, të menduarit, të shpirtit. Prandaj ata mund të mos jenë vizionarët që duan të ndryshojnë botën, nuk janë doktrinarët në kuptimin e bujshëm  të fjalës, por ata mbajnë gjallë shpirtin njerëzor.

Dihet që po u mbajt gjallë shpirti njerëzor, bota nuk do të humbasë, por po u shkatërrua shpirti njerëzor bota do të humbasë. Do të kujtoj diçka që lidhet me Mitin: Zeusi kur donte të shkatërronte një perëndi, i merrte kujtesën, dhe një perëndi pa kujtesë është hiç asgjë. Dhe njerëzimit po t’i prishësh kujtesën e letërsisë, do ta humbas shpirtin human. Janë disa demiurgë shumë të mëdhenj, gjigantë të mëdhenj, siç është Homeri, siç është Dante, siç është Shekspiri, siç është Servantesi që e kanë ruajtur shpirtin e njerëzimit, se pa të ky njerëzim bëhet pa identitet.

Ndaj sot po shfaqet ky problem. Është problemi i shfaqjes së banalitetit, sidomos shkatërrimi i forcës së lartë etike të artit, që ka bërë që të sundojë një pseudoart, apo një kitsch art. Ky është tmerri më i madh që i kanoset njerëzimit dhe ky libër “sulmon” atë që njihet si kitsch arti, ose subkultura, që në mënyrë marramendëse zotërojnë, ose e thënë ndryshe shkatërrojnë shpirtin njerëzor.       

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale