POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Mos e vrit Kolanecin zoti Kryeministër!

Kolaneci është një perlë e fshehur, vendosja e tij e shkallëzuar ku shtëpitë janë vendosur në kate përgjatë Malit me të njëjtin emër në 1.100 m mbi nivelin e detit, çka e kategorizon atë në një ndër fshatrat më të bukur të qarkut të Korcës. Ai është një fshat i jetuar, që gëlon nga puna dhe gjallëria. Eshtë i bukur Kolaneci, ah sa i bukur, është fshat me arkeologji, histori, bujqësi, blegtori dhe kontribute kombëtare. Atje në mënyrë efektive jetojnë  60 familje (për mos folur beharit që vijnë dhe mërgimtarët). Ai është një fshat me shtëpi të rindërtuara, ku ruhet me fanatizëm muri i gjërë i gurit, çatitë tashmë nuk mbulohen më me plloça po me tjegulla të kuqe. Atje natyra ka mbajtur hapin, në dimër mbulohet nga dëbora dhe në kulm të gushtit ty të nevojitet një levenxë për ta hedhur krahëve. Atje ka burime, po më i bukuri është Kroi i Madh shumë shekullor.

Në Kolanec zotëron gjelbërimi i harlisur, zhurma e përroit të madh që e përshkron në të djathtë dhe cicërima e zogjve dhe kënga magjepse e bilbilave. Ndoshta do të të duket si lajthitje ose hiperbolizim i imi, por jo, në Kolanec arinjtë hanë qershi (shpesh bashkëfshatarët e mi i kanë kapur ndërkohë kryejnë këtë “krim”), në Kolanec në dimrin e egër dëgjohët dhe ujku që strofullën e ka tëk Prroi i Thellë, Kolaneci ka dhe Shqiponjat e tij, jo më larg se në Qershor unë me tim vëlla pamë një syresh që fluturonte mbi kokat tona me një gjarpër ndër kthetra.

Kur hap dritaret në të gdhirë ti përball në të djathtë ke Hijen e Korbit aty ku ende sot dallohen rrënojat ilire të Desaretëve, ndërkohë që syri në dimensionin e tij më shpirtëror të mundshëm të shikon fushën e gjerë dhe të qëndisur të Maliqit, e cila ndryshe nga shumë fusha të tjera retë i ka nga poshtë jo mbi krye, kur dielli është këmbngulës avulli që del nga toka dikur mëcalore daravitet. E mes kësaj fushe që pikturat e Van Gogut i janë simotra, ti sheh të bukurin Lumin e Devollit që e përshkron, dhe në të majtë të tij Pyllin e Fazanëve.. por jo.. frymën dhe syrin se ndal këtu… matanë, shumë matanë por pa pengesa po vec me flatra shpirti ti shikon madhërishëm Malin e Thatë e ngjitur tij Malin Ivan. E gjithë kjo mrekulli e perëndisë shikohet nga cdo dritare e Kolanecit tim. Po druaj se dhe këtë bukuri jemi ne qytetarët part- time duar butë që e zhurmojmë me shoun tonë, pasi kolanecarët e kanë pjesë të ekzistencës së tyre tërësisht atë, botën e tyre të vogël të madhe. 

Po Kolaneci në trup të tij ka një ndër pyjet më të bukura të lajthive të egra, ka pa fund parcela me qershi, të vjetra (nga koha e koperativave) dhe të reja, ka parcela me starkinga, ka kumbulla, arra, bajame.. grure e misër, fasule, piperka, domate e cdo bimë tjetër e nënshtruar nga korcarët e maleve. Ka rezervuarin me peshq e gjallesa në krye të tij, ka dyqanin, ka bilardon dhe klubin burrëror, ka qëndrën shëndetësore, kopshtin dhe shkollën 9 vjecare, ka lapidar martirësh të luftës së dytë botërore, ka vëndet e shënjta, te Kisha për shëmbull, ku dhe pse bektashinj, gratë e fshatit ndezin qirinj. Kush do që lexon këto rrjeshta do kujtoj që ky fshat ku koha dhe natyra ka mbajtur hapin është larg qytetërimit dhe urbanizimit, por jo, sidomos nga e para. Kolaneci është vetëm 3 kilometra larg nga rruga kombëtare, e përsëris, vetëm 3 kilometra, nga Maliqi më pak,  ose vetëm 3 mijë hapa të mitë dhe 2 mijë e 700 tuajat zoti kryeministër.

Saktësisht në mes të rrugës që lidh Pogradecin me Korçën. Rrugë e cila për fatin tuaj të bardhë për popullin e urtë që keni gjetur dhe për fatin e zi të këtij populli sot e 25 vjet është e pashtruar edhe pse panoramikisht e bukur aq sat ë mbahet fryma , edhe pse prej 25 vjetësh Kolaneci dhe juridikisht quhet lagje e Maliqit edhe pse prej 25 vjetësh tërësisht zona e Maliqit pi seriozisht ujin e Kolanecit, sërish ky fshat është në braktisjen totale tuajën. Asnjë gjoja gërvishtje kanalesh ose çakëll gropash nuk zëvëndëson dot turpin që duhet të mbuloj jo vetëm qeveritë por edhe deputetët që përherë kanë qënë tuajët zoti kryeministër, si fjalë bukuri Majko por edhe fjalë bukura Xhacka.

Por gjëma dhe pabesia më e madhe i ra sot Kolanecit. Sot që ju mbasi e vutë në një torturë mbijetese çerek shekullore, vendosët ti mbyllnit edhe shkollën 9 vjecare, ajo shkollë zoti kryeministër ka 25 shqiptarë të vegjël të mirë, të bukur faqe mollë, që fshatin se kanë turp, se e kanë vëndin e tyre, sic ke ti Shqipërinë. Shkolla 9 vjecare e Kolanecit e projektuar nga Arkitekt Klement Kolaneci, mbas një degradimi tragjik, falë ndërhyrjes dhuratë dhe të heshtur të shoqërisë gjermane RÖFIX shpk u restaurua tërësisht, por jo, shteti I pashpirt shqiptar kërkon ta vdesë tërësisht Kolanecin.

Kjo është tragjedia e vërtetë, ndërkohë që shteti duhet ta dijë që shkolla nuk është një kovë që mbushet por një dritës që duhet ndezur, ai e ekzekuton këtë fshat me vdekje, arsimore ndaj dhe fizike. Kolaneci, po vdes, në sytë e mi dalëngadalë dhe unë shoh se si një fshat i gjallë, me shtëpi dhe dritare të celura, që i zbret qytetërimit jo vetëm ujin po dhe qumështin, qershitë ja con deri në Berat, mollët deri në Shkodër dhe lajthitë dhe në Greqi, pavarësisht se shteti si ka ofruar dhe siguruar ASGJE po tretet dalëngadalë pa patur asnjë sëmundje.

Djemtë azgan dhe punëtorë të këtij fshati ja u kalojnë njëqind herë heronjve dhe qurramanëve të tasterës nëpër metropol. Lento, Geni, Stili i Agushit, Disi i Kujtimit, Visi i Banushit, Ceni i Muhametit e shumë të tjerë nuk janë quramanë facebooku, ata ndërkohë që të presin punojnë, ndërkohë që të presin tju cosh rrugën dhe kanalizimet mbjellin, korrin, shesin, totalisht të braktisur nga ty. Dhe sjanë inferiorë, janë të bukur, të mëncur por ti smund tju vësh në provë durimin aq vjec sa janë ata.. ti smund tju vrasësh edhe rrugën dhe kanalizimet edhe shkollën JO !

Kolaneci po vdes, po e vrisni Ju zoti kryeministër, aty sdëgjohen më dasma, nuset aktuale shqiptare do donin më mirë të martoheshin në një lagje tjetër të Maliqit që është jo e spikatur por me rrugë e shkollë por jo në Kolanec, dhe kjo është dramatike, jo vetëm për mua që e ndjej nga afër por dhe për reputacionin tuaj që tjetër thoni dhe tjetër bëni për fshatin. Sidomos ata të lulëzuarit për shkak të vetes jo falë jush.

Hajde zoti kryeministër, hajd të shojmë një ditë bashkë në Kolanec, do magjepsesh, ka dy taksi modeste Kolaneci dhe çmime simbolike, 100 lek nga Maliqi në Kolanec dhe 50 lek nga Kolanec, dihet që zbritja është përherë më lirë në këtë botë… shofer do kesh Lenton buzagaz ose Kryeplakun mënçurak dhe të heshtur Edin.

Hajde zoti Kryeministër, hajde të shkojmë seriozisht bashkë nga ato anë, ai nuk është një nga 100 fshatrat e tu, po është i joti gjithësesi.

Hajde zoti Kryeministër, hajde në Kolanec,  pasi sic thotë dhe Cyril Conolly “ vetëm në fshat mund të njohim një qënie njerzore dhe një libër” hajde sa si ke vrarë të dyja.

Hajde të pimë ujë tek çezma e mësuesit me dallandyshet e malit dhe të fushëq që jetojnë në harmoni nga ato anë.

Me shpresë. Brizida

d.ba./b.ha.
Komento

Komente

  • Kolaneci: 08/09/2018 19:48

    Te falenderojme zida per kete kronike qe ke shkruar per fshatin tone.po zoti kryetar vetem votat i ka mare ketij fshati se per te bere dicka nuk i ka bere asnje gje.dhe kur vjen fjala per votat dhe kur ishte ngushte ne rezultat thoshte gjithmon he se kam kolanecin pa hapur dhe do fitoj.kur vinte fjala per te bere ndonje investim nuk bente asgje.po do ta shohim erdhen zgjedhjet perseri.

    Përgjigju
  • Halim Mance: 08/09/2018 13:24

    Me ndjeni obaskefshatare basi shume prej jush nuk me mbani ment ose dhe nuk me njihni.Sot jam 71 vjec dhe jam lagur per studime ushtarake qe nda viti 1960.Dhe a e dini se 7vjecaren ekam bere ne Maliq,duke sakrifikuar cdo dite,sa here here me duhej te prisja hapjen e rruges nga debora prej kalimit te punetoreve te fabrikes se sheqeri,per te vajtur ne shkolle.Si eshte e mundur sot ne shekullin e ri pas 70 vjetesh te perseritet e njejta gje.TURPI LE TE BJERE MBI ATA QE E KANE PROPOZUAR DHE ATA QE MENDOJNE TA ZBATOJNE MBYLLEN E SHKOLLES 9VJECARE NE KOLANEC QOFTE DHE ME MINIMUMIN E NXENESVE.

    Përgjigju
  • Ai qe: 07/09/2018 20:11

    Ooooo Gezim thiri mendjes o kokebosh se eshte i vetmi fshat ku nuk ke bere nje fije investim... mos haro se nuk do jesh gjithe jeten kryetar dhe cdo padrejtesi qe ben, do e lash nje dite ne nje forme apo tjetren...

    Përgjigju
  • Noku: 07/09/2018 13:55

    Sa te jete sulltan Gezimi kryetar bashkie asgje te hajrit ska per te pare ky fshat. Per rrugen u bene me shume se 20 vjet qe genjejne sa here vijne zgjedhjet, kurse tani po u mbyllin dhe shkollen. Turp. Po zgjohuni o njerez dhe mos i votoni me keta genjeshtare. Shkateroheni ate linjen e ujit qe merr maliqi dhe le te pije uje lumi Gezimi.

    Përgjigju
  • drino: 07/09/2018 12:48

    Keto jane arsyet qe njerzit braktisin trojet... Thirini mendjes o PUSHT... TETAR. ka fshatra te bratisur ku banojne 3 ose 4 shtepi por nje zone kaq e madhe te lihet pas dore kjo eshte poshtersi kriminale dhe e turpshme qe behet ne nje zone qe njerzit jane punetore. Po ministrja e arsimit gjume fle, hidhini nje kove me uji ti dali gjumi.

    Përgjigju
  • Pellumb Mance: 07/09/2018 12:47

    Mos e mbyllni shkollen 9 vjecare,mos, une dhe moshataret e mij e dine se cfare hiqnim nga te ftohtit kur shkonim ne shkolle ne Maliq, e dine edhe mesuesit tane qe na afronin prane sobave(poreve) te zjarrit per te thare rrobat e lagura.Ju lutem mos e mbyllni shkollen,a e dini se kur ne Maliq nuk kishte shkolle nxenesit vinin ne Kolanec?,Pyesni dhe do ta vertetoni.Zonja qe ka shkruar dhe bere thirrje nuk ka lindur dhe jetuar ne Kolanec, por gjerat i pershkruan kaq bukur sa me ska dhe ne kolanecaret duhet ta mbeshtesim.Z.Kryetar i Bashkise se Maliqit, qe pi ujin e Kolanecit, thith ajrin e Kolanecit, ha frutat dhe perimet e Kolanecit, ver veton tende dhe mos e lejo te mbyllet ajo shkolle, sikur edhe 3(tre) nxenes te jene.Boll kane abuzuar me Kolanecin si ne ate kohe edhe ne kete kohe.Nuk po bej te mencmin por a e dini se: MALIQI ESHTE NGRITUR MBI TOKAT E KOLANECIT, Mos e denoni kete fshat dhe ata njerez qe jetojne atje, mos na turperoni ne qe jemi pe KOLANECI, o bobo sa turp fshat pa shkolle.

    Përgjigju
  • mond: 07/09/2018 09:44

    pershkrimit te Kolanecit nuk i heq , madje ka disa gjera qe sado te mundohesh nuk mund ti shprehesh me gjithe madheshtine qe ato kane. e tille eshte pamja qe mund te shohesh nga ai fshat.rruga eshte malore pasi vetem ngjitesh dhe mbase kushton, por kur shtrohet rruga e Fazaneve per te bere dy tre qoka Bashkia ne vit pse mos shtrohet dhe rruga e Kolanecit? Ky shkrim duhet te jete nje kembane per Bashine Maliq.Ka nje perle te vertete aq afer dhe nuk e sheh.eshte e sigurt se rruga do hapte mundesi te shumta vec atyre qe thuhen ne artikull edhe per turizmin.

    Përgjigju
  • Donika: 07/09/2018 07:33

    Shkrim i bukur aq sa dua te iki dhe une ta shoh kete fshat te bukur. Gjynah qe paska shume banore dhe Rini dhe si kane rrugen e shkurter.

    Përgjigju
  • Mirjam: 06/09/2018 23:59

    Shtroja rrugen se le nom ata qenkan punetore ti i vdes fare

    Përgjigju
  • marika: 06/09/2018 22:35

    Zoti Rama pse keto fshatra kaq me jete nuk ja u ploteson kushtet me minimale. Ku eshte Niko Peleshi po Prefekti po Gzim Topciu. Turp.

    Përgjigju