POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Moskoordim dhe dosje të prapambetura/ Gjonaj paralajmëron regjistruesin dhe 5 specialistë të Hipotekës në Lushnje

TIRANË- Ministrja e Drejësisë, Etilda Gjonaj me anë të një deklarate për shtyp ka njoftuar masat e marra pas një kontrolli në zyrë e ZRPP-së në Lushnje.

Në deklaratën e saj, Gjonaj bën me dije se ndaj regjistruesit të Hipotekës në Lushnje dhe pesë specialistëve të kësaj zyre është marrë masa vërejtje me paralajmërim shkarkimin nga puna. 

Pezullimi i tyre vjen pasi pas një kontrolli të zhvilluar nga Task Forca anti-korrupsion janë konstatuar një sërë shkeljesh: praktika dhe dosje të prapambetura, shkelje urdhrash, moskoordim etj. 

Vazhdojmë t’i kushtojmë një vëmendje të veçantë masave kundër korrupsionit. Janë evidentuar edhe 15 vepra penale. Për ne qytetarët, janë të parët dhe gjithë vëmendja e administratës shtetërore duhet t’u drejtohet atyre.                                      

Etilda Gjonaj, ministre

DEKLARATA E PLOTË: 

Sfida për të siguruar një administratë të pastër dhe me integritet, të aftë profesionalisht dhe efiçente vetëm në shërbim të qytetarëve kalon domosdoshmërisht nga angazhimi institucional për të luftuar korrusionin në të gjitha nivelet e administratës shtetërore.

Paralelisht me përpjekjet tona të vazhdueshme për të modernizuar sistemin, si një parakusht për eleminimin e hapësirave për korrupsion nga punonjësit e administrates, vazhdojmë t’i kushtojmë një vëmendje të shtuar masave për goditjen e akteve korruptive. 

Task Forca Antikorrupsion ka vijuar edhe gjatë dy javëve të kaluara me kontrolle dhe inspektime në një sërë institucionesh dhe agjensishë, për të cilat ka pasur denoncime nga qytetarët për korrupsion apo abuzim me detyrën.

Gjatë javës së kaluar Task Forca Antikorrupsion ka organizuar një kontroll në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Lushnje. 

Nga ky kontroll janë konstatuar një sërë shkeljesh dhe parregullsish, veçanërisht në respektimin e afateve të trajtimit dhe përfundimit të kërkesave të qytetarëve çka ka bërë që në këtë ZRPP të ketë një numër të madh praktikash të prapambetura, ende të patrajtuara. 

Po ashtu janë konstatuar shkelje të urdhërave dhe rregulloreve lidhur me organizimin e brendshëm të punës si dhe bashkërendimit me ALUIZNI-n për procedurat apo kufizimet që zbatohen për efekt të regjistrimit të pasurive të legalizuara.

Për shkeljet e konstatuara, bazuar në raportin përfundimtar të Grupit të Kontrollit, Task Forca Antikorrupsion ka rekomanduar dhënien e masave disiplinore “Vërejtje me paralajmërim” për:
• Regjistruesin e ZVRPP Lushnje dhe 
• 5 specialistë të po kësaj zyre

Ndërkohë në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion dua të evidentoj punën e mirë të kryer nga strukturat e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me organin e prokurorisë dhe institucionet e tjera ligjzbatuese të cilat vijojnë të hetojnë në mënyrë të vazhdueshme veprat penale në fushën e korrupsionit. 

Gjatë 2 javëve të fundit nga strukturat e Policisë së Shtetit janë evidentuar 15 vepra penale në fushën e korrupsionit me 20 autorë. 

Sfida për modernizimin e sistemit mbetet një nga sfidat më të rëndësishme, por njëkohësisht edhe më komplekse. Me vullnetin e fortë të qeverisë, të reflektuar tashmë në veprime dhe rezultate konkrete, ndryshimi ka nisur. Por sigurisht që nuk mjafton.

Lufta kundër korrupsionit është e gjatë dhe ne jemi të përgatitur për t’ju përgjigjur me të njëjtin përkushtim siç po bëjmë me zbatimin e reformave të thella shtetformuese. 

Për ne qytetarët janë të parët dhe e gjithë vëmendja e administratës shtetërore duhet të jetë e përqëndruar te shërbimi sa më i mirë ndaj tyre. Kushdo që me veprime korruptive apo abuzive shkel këtë detyrim ligjor do të ndëshkohet pa asnjë tolerim.

ke.mu.
Komento

Komente

  • Deti: 05/12/2018 14:22

    ZVRPP e lushnjes duhet te shkarkohet te gjithe se jane gje grup haiduteshe dhe nuk kane lene njeri pa I mare leke dhe ato qe nuk i kane dhene i kane dosjet aty pere gati 10 vjete

    Përgjigju