Ndoc Deda, aktori zëbukur
fjalëngrohtë e me larmi ngjyrash...

Ndoc Deda, aktori zëbukur<br />fjalëngrohtë e me larmi ngjyrash...<br>
Një fëmijëri e vështirë, më saktë e varfër, i takoi të kishte “shoqe” Ndoc Deda që në bëlbëzimet e para të jetës. Për ta sfiduar sadopak këtë mjerim që, njomështia e moshës të mos mbulohej nga korja e dhimbjes; zgjodhi dy rrugë në jetë: - në moshën 14 vjeçare filloi punën si pastrues në kinema “Massimo” (ish shkolla e Parrucës, - Shkodër) dhe – nisi të merret me teatër ku aktivizohet në shoqëritë teatrore: “Populli” (më vonë mori emrin “Shkodra”), “Vllaznia”, “Malet tona”, “Antoniane”.

Familja e tij, Ndoc Dedën e mban mend të lidhur gjithmonë me skenën (që nga mosha 13 vjeç deri në 44 vjeç) duke lënë pas një galeri rolesh…

Edhe në shtëpi ka jetuar me teatrin. I vetëm, në dhomën e gjumit, përsëriste rolin (rolet), dhe me zë të lartë interpretonte… Në atë botë të magjishme që krijonte, të cilën e njihte vetëm ai, skiconte profilin e personazhit. I jepte jetë. (Tregojnë për Ndocin… Shpesh herë mysafirët apo bujtësit teksa e dëgjonin ritualin e përhershëm të interpretimit në vetmi të Ndocit, nga ku vinte zëri i tij, befasoheshin me menjëherë kujtoheshin: “Aha, po, është Ndoci..! Menduam se nuk është në shtëpi.”

[gallery]25425[/gallery]
Miqtë, dashamirët e kolegët e Ndoc Dedës ishin artistët: Kadri Roshi, Naim Frashëri, Mihal Popi, Ndoc Mëshkalla, Lazër Filipi, Gjon Karma, Ndrekë Shkjezi. Këto të fundit, fare mirë mund t’i quaje ‘trupë’ e ardhur nga Shkodra në Teatrin Popullor.

Gjatë hulumtimeve të mija për këtë figurë, mësova se Ndoci interpretoi në pjesët: “Lidhja e mrekullueshme”, “Xhido”, etj. Për të parën, gazeta “Bashkimi” e datës 29 maj 1946, thoshte: “Në teatrin “Kosova” grupi teatral i shtetit paraqiti për herë të parë në mbrëmjen e 24 majit komedinë e V. M. Kirshion, e para e këtij lloji… “Lidhja e mrekullueshme” – Pandi Stillu. Interpretuan edhe: Liza Vorfa, Besim Levonja, Ndoc Deda, Belul Hatibi, Prokop Mima, Andrea Malo, Olga Shuraja. Ndërsa për dramën “Xhido” në revistën “Bota e re”, që dilte në Tiranë, viti 1945, shkruhet: “Ndoc Deda në rolin e Pandeliut pati sukses, provoi mjeshtrinë e tij, si shkodran ishte i kuptueshëm, zëri i tij nuk kishte nevojë as për akustikë e as për altoparlant.”

Një e veçantë për Ndocin në rrugën e tij aktoreske ishte se, në fillim emri i tij nuk përmendet si aktor, por vetëm si përkthyese si sufler (ndoshta nga të parët, krahas Ndoc Gorës), veçanërisht në kinema “Shkodra”. Filmave pa zë në komunikim me spektatorin u jepte zërin e tij. Këtë rrugë (si sufler e si përkthyes) ndoqi edhe në kinematë “Nacional” në Tiranë e në Durrës. Kjo zgjati deri në vitin 1953. Kur filmit i erdhi zëri, Ndocit i “pushoi” zëri.

Kthehet në “folezën” e tij të dikurshme, tek grupet amatore që i jepnin gjallëri e, që kishin krijuar një traditë gjallëruese e jetësuese në Shkodër. Stacioni kryesor i veprimtarisë është shoqëria “Antoniane”. Kjo zgjati deri… në vitin 1944. Me 20 maj 1945 thirret në Tiranë, në grupin  e parë themelues të Teatrit Popullor, si aktor. Punoi rreth 2 vjet dhe largohet për arsye shëndetësore.

Vendlindja, Shkodra, ku ai kishte lindur, më 04.08.1905, e pret përsëri. Filloi punën me grupet amatore. Në prill të vitit 1949 emërohet regjisor i klubeve të punëtorëve “Vasil Shanto” e “Perlat Rexhepi”. Më 16 dhjetor 1949 është aktor profesionist në teatrin “Migjeni”. Përsëri në grupin e parë themelues… por kësaj here të Shkodrës.

Gjurmë në Shoqëri teatrore…
Veprimtaria e Ndoc Dedës prej aktori “ka trokitur” në disa shoqëri teatrore, që kishin emër në qytetin e Shkodrës. Nga hulumtimet tona kemi arritur në këto shënime që po i përcjellim si më poshtë:

*Në shoqërinë “Vllaznia”.
-Më 10.08.1919 ka interpretuar në dramën “Erminja e vorfën”. Në shtypin e kohës kjo dramë pati shumë kundërshti e polemika.

-Më 27.11.1919 aktroi në dramën “Besa” të Sami Frashërit.

-Në vitin 1936 interpretoi në dramën “Konti i Shën Germanit”, me regjisor Sokrat Miho. (Në këtë shfaqje u përdorën për herë të parë skenat moderne.)

*Në shoqërinë “Antoniane”.
-Më 23.10.1938 interpreton në dramën “Dedë Gjo’ Luli”.

-Më 29.08.1942 interpreton “Oso Kuka” të Zef M. Harapit. Ndoci interpreton së bashku me Luigj Mjedën e Ndoc Bazhdarin.

-Më 1943 interpreton në dramën “Artakserksi”.

*Në shoqërinë “Malet tona”.
-Në vitin 1934 interpreton në dramën “Bardha e Ferdinandi”

*Në shoqërinë “Shkodra”.
-Më 28.12.1921 interpretoi në dramën “Gjenovefa e Brabantit”, ku pati jehonë të mirë, aq sa me kërkesën e publikut u dha më shumë se 30 herë. Kjo dramë, - sipas shënimeve të studiuesit Gjush Sheldia, - pati më shumë auto-regji e, në mënyrë të veçantë spikati loja e aktorit Ndoc Deda.

Në Shkodër, deri në krijimin e teatrit profesionist, interpretoi dhe në dramat: *”Nën gështenjat e Pragës”, *”E vërteta”, *”Çështja ruse”, *”Makar Dubrava”, *”Ata që nuk nënshtrohen”, në rolin e Taras Jaçenkos. Kurse në teatrin “Migjeni” interpretoi në dramat “Zani i Amerikës”, “Përmbysja”. Ndërsa në Teatrin Popullor, në vitin 1945 mori pjesë në dramën “Mbrëmja e madhe”.

Po kthehemi përsëri në Shkodër. Me grupin teatror të Shtëpisë së kulturës do të interpretojë në pjesën “Urdhëroni në Zvonkov” (komedi me 3 akte, autori: A. Kornejçuk, Ndoci luajti rolin e arkitektit Arkidi Ivanoviç.) Në këtë shfaqje interpretuan edhe: Margalina Bojaxhi, Xhana Gjeluci, Maria Buçi, Roza Shpendi, Fadile Mustafa, Gjenovefa Paloka, Zina Filipi, Liza Paloka, Qazim Lila, Ndoc Gashi, Tonin Lorja, etj.

Ndoc Deda, vazhdimisht, pasuronte biografinë e tij me role të reja, të cilat i luajti me shpirt dhe u dha shpirtin e tij që të jetojnë. Por erdhi një ditë… Ishte  data 08.05.1951. Ndoci po kthehej at’ mbrëmje maji nga shfaqja “Zani i Amerikës”. Gjatë gjithë rrugës ndiente gëzimin e rolit të interpretuar; atë gëzim që ndien aktori pas shfaqjes së dhënë. Ende ishte me entuziazmin e interpretimit të rolit. Ende komunikonte me personazhin. Fliste me të si me një shok të ngushtë. Ende përsëriste një batutë. Qeshte. Qeshte me vete. Ende përjetonte emocionet e shfaqjes. I gëzohej mbrëmjes së majit, hënës së qeshur dhe yjeve që xixëllonin gëzueshëm. Kur… ja… i dolën paritur disa hije… Nga ato hije që trembin mbrëmjen dhe njeriun, hënën dhe yjet... Ndocin e arrestojnë.

Tani skenës do t’i mungojë interpretimi i aktorit Ndoc Deda. Skenës do t’i mungojë humori i tij. E dënojnë 8 vjet. Dënojnë aktorin që donte e kërkonte hapësirat e lirisë… Hijet, me këtë dënim, ia privuan Lirinë që e ëndërronte përherë…, të cilën e dashuronte përjetësisht.

Gjatë këtyre viteve Ndoci njohu kampet robëtuese të Urës Vajgurore, Varibob Kafaraj, Vlashuk, Radostinë, Levan… dhe më në fund… shumë pika panumërim djerse mundimi, lodhjeje, këputjeje i la si dëshmi në ndërtimin e aeroportit të Rinasit.

Pas daljes nga burgu, Ndoci lidhjet me teatrin (ku kishte shpirtin dhe zemrën) kësaj radhe i vendosi marrëdhëniet me teatrin amator të Ndërmarrjes Komunale. Punonte tërë ditën e ditës, hap e mbyll kanale, dhe njëkohësisht mendonte për një grup teatral. Më në fund, me një mijë e një mundime, e ngriti atë…

Përsëri një e veçantë për Ndocin. Ishte viti 1964. Grupi teatror i Ndërmarrjes Komunale zë vendin e parë në Festivalin Kombëtar të Teatrove Amatore. Ndoc Deda shpallet Laureat i Festivalit. Konkuruan me dramën “Dasëm në luftë” të Minush Jeros. Ndoci është regjisor i shfaqjes, por luan edhe rolin e Halimit. Por edhe ky gëzim qe… jetëshkurtër. Për këtë “gabim” iu hoq vërejtje anëtarit të Jurisë, Artistit të Popullit Ndrekë Luca, ku përsëri hijet i kujtuan fjalët: “Ti e dije që… Përse e vlerësove? Përse?..”

Si për ironi të këtyre fjalëve të mbrapshta, po përmendim edhe ca shënime të tjera nga jeta aktoreske e Ndoc Dedës: -Në vitin 1925 interpreton në pjesën “Harapi i Shën Domingut”, e cila u shfaq në kapitenerinë e Kalasë së Shkodrës. –Në vitin 1938 interpretoi në pjesën: “Andrra e 500 vjetëve” e Andrea Skanjetit. –Në vitin 1945 luan në pjesën “Djersë dhe gjak”. Në informacionin e paraqitur rreth kësaj shfaqjeje, gazeta “Koha e re” e Shkodrës shkruan: “Ndoc Deda ka interpretue si ma i miri artist, sidomos në monologun e aktit të fundit dhe vdekjen.”

Pak portret. Trupshkurtër, me flokët e drejtë ngjyrë gështenjë, me një ecje karakteristike të shpejtë, me shikim të mprehtë, me një fytyrë gjithmonë të qeshur, që nuk i mungonte humori e që zemra ia donte “me ba bejte e me këndue”. Ishte tifoz i zjarrtë futbolli.

Ndoc Deda vdiq më 22 shkurt të vitit 1983, në moshën 77-vjeçare. Si një bredh i gjelbër rri kujtimi i partneres në disa shfaqje, i aktores së parë profesioniste të teatrit “Migjeni” Çezarina Çiftja, e cila thoshte: “Ishte njëri nga aktorët më elegantë të skenës shkodrane. Së bashku me Loro Kovaçin,  Pjetër Gjokën, Marije Logorecin, etj., kanë qenë një urë ndërlidhëse në mes të traditës së vjetër të skenës dhe teatrit të ri realist, të pas luftës. Emri i tij është i lidhur me një përqindje të madhe të repertorit kombëtar e të huaj të dy epokave. E lidh me skenën një dashuri e veçantë dhe e rrallë, e cila bashkëjetoi me të deri në fundin e jetës. Figura e tij në skenë është identifikuar si figura e një artisti, ku në mënyrë të veçantë shquheshin: zëri i bukur, të folurit e ngrohtë e me larmi të madhe ngjyrash.”

Er.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Macron i përmend Kurtit Asociacionin teksa flet për rrugën e Kosovës në Këshillin e Evropës

Macron i përmend Kurtit Asociacionin teksa flet për rrugën e Kosovës në Këshillin e Evropës