POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Ndryshon ligji: Kalimi i pronësisë mbi tokën tek familjarët nuk tatohet 15%

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar dje tatimpaguesit lidhur me ndryshimet më të fundit në drejtim të taksave dhe tatimeve, të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë dhe të cilat tashmë kanë hyrë në fuqi pas publikimit në Fletoren Zyrtare nr.134, datë 18.09.2018. Këto ndryshime përfshihen në ligjin nr.39/2018, datë 09.07.2018 – Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998 “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, i ndryshuar.
Dispozitat ligjore të ndryshuara, si nevojë e zhvillimit të tregut, kanë saktësuar disa çështje, të cilat në mënyrë të përmbledhur trajtohen më poshtë.

Toka bujqësore
Një nga ndryshimet më të rëndësishme është ai që ka të bëjë me pagesën apo jo të tatimit në rast të kalimit të pronësisë mbi tokën bujqësore nga një pronar tek tjetri. Në nenin 8/1, në të cilin janë përcaktuar kategoritë e të ardhurave personale të përjashtuara nga tatimi, në pikën 11 është saktësuar trajtimi i kalimit të së drejtës së pronësisë mbi tokën bujqësore, për rastet kur origjina e pronës është fitimi sipas ligjit nr.7501. Sipas këtij parashikimi, përjashtohen nga tatimi, që është normalisht 15 për qind e vlerës së tokës, ato raste, kur kalimi i të së drejtës së pronësisë bëhet brenda lidhjes gjinore, pra ndërmjet personave burrë, grua, fëmijë, nëpërmjet dhurimit dhe/ose heqjes dorë nga pasuria, kur pasuria rrjedh nga bashkëpronësia e detyrueshme e fituar në bazë të ligjit nr. 7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”, të ndryshuar.”

Po kështu, në nenin 11 “Kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme”, është saktësuar koncepti truall dhe tokë bujqësore. Gjithashtu në këtë nen është parashikuar që shkëmbimi i truallit me sipërfaqe ndërtimi, bazuar në një kontratë shkëmbimi, nuk përbën moment për llogaritje të ndonjë fitimi kapital nga transferimi i pasurisë së paluatjshme. Pra, për të nuk do të paguhet asnjë lloj tatimi.

Biznesi i vogël
Nga ana tjetër, Tatime kujtojnë edhe hyrjen në fuqi të ndryshimit të taksimit për bizneset në përputhje me xhiron vjetore të realizuar. Në nenin 28, janë bërë diferencime të shkallës së Tatimit mbi Fitimin për disa kategori. Por këto ndryshime hyjnë në fuqi nga data 1 janar 2019. Kategorizimi është si më poshtë: 5% për tatimpaguesit me të ardhura deri në 14 milionë lekë në vit; 15% për tatimpaguesit me të ardhura mbi 14 milionë lekë në vit; 5% për personat juridikë, të cilët zhvillojnë veprimtari ekonomike sipas ligjit nr. 38/2012, “Për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor”; 5% për subjektet, të cilat zhvillojnë veprimtari pritëse të certifikuar si “agroturizëm”, sipas legjislacionit në fuqi në fushën e turizmit. Kjo shkallë aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për personat juridikë që përfitojnë statusin “subjekt i çertifikuar agroturizmi”, deri më 31 dhjetor 2021. Aplikimi i shkallës së reduktuar fillon në vitin tatimor pasardhës, pas përfitimit të statusit “subjekt i certifikuar agroturizmi". 

Personi fizik 
Një ndryshim mjaft i rëndësishëm i reflektuar në nenin 33/1 “Dorëzimi i vendimit për miratimin e rezultatit vjetor dhe destinimi i fitimit”, është edhe heqja e detyrimit të subjektit “person fizik”, për të dorëzuar vendim për shpërndarje dividenti, pavarësisht përgjegjësisë tatimore, duke qenë se personi fizik, sipas konceptit të ligjit tregtar nuk ka personalitet juridik dhe është përgjegjës me të gjitha pasuritë e tij. 

Lojrat e fatit
Së fundimi, në dispozitat kalimtare si nevojë e harmonizimit të parashikimeve të ligjit nr.155/2015 “Për lojrat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar është saktësuar shkalla tatimore mbi lojrat e fatit, e cila është 15% mbi të ardhurat bruto, të cilat nga ana e tyre nënkuptojnë diferencën e mbetur organizatorit nga diferenca midis shumës totale të luajtur nga lojtarët në lojërat e fatit dhe shumës së fituar prej tyre. 

l.q./b.ha.
Komento