Ndryshon ligji/ Nga riedukimi te burgu, masat e reja për burrat e dhunshëm

Parlamenti shqiptar do të ashpërsojë me ligj masat kundër personave që ushtrojnë dhunë në familje apo ndaj çdo personi tjetër, me të cilin dhunuesi është në lidhje afektive, ndërsa shton kategoritë që përfitojnë mbrojtje të menjëhershme. Nisma ligjore, e cila pritet të miratohet në fund të këtij sesioni parlamentar, ndryshon ligjin e vitit 2006 për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare.

Me anë të ndryshimeve të rëndësishme, projektligji synon që të parandalojë dhe reduktojë rastet e dhunës, përmes rritjes së bashkëpunimit të strukturave përgjegjëse, shpejtësisë dhe ashpërsimit të masave, të një roli më të fuqishëm të policisë e pushtetit vendor, ofrimit të avokatit falas, heqjes së të gjitha tarifave gjyqësore etj.

Riedukim ose burg për burrat

Për herë të parë, projektligji parashikon ngritjen e qendrave të emergjencës për trajtimin e menjëhershëm të viktimave të dhunës në familje si dhe ngritjen e strukturave trajnuese për dhunuesit, të cilët kryesisht janë burrat. Këto struktura trajnuese duhet të ngrihen nga pushteti vendor. Nisma ligjore parashikon që gjykata urdhëron dhunuesin apo dhunuesin që të marrë pjesë në programe të aftësimit prindëror, rehabilitimi dhe psiko-sociale, të organizuara nga subjekte publike ose private.

Për herë të parë, përgjegjësit e programit të rehabilitimit raportojnë përpara koordinatorit vendor për referimin e rasteve të dhunës në marrëdhëniet familjare, pjesëmarrjen e të paditurit në program dhe ecurinë e tij, progresivisht, por jo më pak se një raport në përfundim të programit, në të cilin të përfshihen rezultatet e rehabilitimit të dhunuesit. Nëse dhunuesi refuzon të marrë pjesë në këtë program të aftësimit prindëror, ndaj tij do të zbatohen dispozitat e Kodit Penal, për veprime të kryera në kundërshtim me vendimin e gjykatës për urdhrat e mbrojtjes.

Gjithashtu, projektligji parashikon marrjen e masave për të parashikuar programe për arsimimin parauniversitar e profesional të të miturve dhe të rinjve nga 18 deri në 21 vjeç, që janë dhunues, dhe të të miturve që janë viktima, me qëllim rehabilitimin, riintegrimin dhe rishoqërizimin e tyre.

Mbrojtja e menjëhershme

Projektligji parashikon shtimin e një neni të ri për mbrojtjen e menjëhershme për viktimat e dhunës në familje. Nisma parashikon që organet përgjegjëse për trajtimin e rasteve të dhunës në familje pranë Policisë së Shtetit, kur vlerësojnë se, dhuna që ushtrohet paraqet rrezik për jetën, shëndetin dhe lirinë e anëtarëve të familjes, si dhe kur dhuna ushtrohet ndaj fëmijëve, marrin masa të menjëhershme për ndalimin e dhunës dhe, kryesisht, nxjerrin urdhrin paraprak të mbrojtjes së menjëhershme.

Kjo masë merret menjëherë para se të vendosë gjykata, për shkak se në mjaft raste, kjo hapësirë kohore është përdorur nga dhunuesi për të vijuar dhunën. Ndërkaq, brenda 24 orëve, nga lëshimi i urdhrin paraprak të mbrojtjes së menjëhershme, organet përgjegjëse për trajtimin e rasteve të dhunës në familje pranë Policisë së Shtetit paraqesin përpara gjykatës kërkesë për vërtetimin e urdhrit dhe lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes.

Projektligji parashikon që vendimi i gjykatës për nxjerrjen e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes përbën titull ekzekutiv dhe nuk mund të ankimohet. Vendimi ekzekutohet menjëherë nga organet e policisë, në bashkëpunim me zyrën e përmbarimit dhe zyrën e shërbimeve sociale të njësisë vendore ku janë me banim të përhershëm ose të përkohshëm viktima dhe personat e tjerë, të përmendur në vendim.

Kërkesa për mbrojtje

Kërkesën për urdhrin paraprak të mbrojtjes së menjëhershme e kanë vetë viktimat e dhunës, përfaqësuesi ligjor ose avokati i viktimës, policia, prokuroria, prindi ose kujdestari i të miturit. të afërmit, përfaqësuesit e zyrës së shërbimeve sociale dhe qendrat dhe shërbimet për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave të dhunës në familje.

Në rast të dhunës, viktima mund t’i drejtohet me anë të një kërkese postës së policisë më të afërt (të zonës ku banon ose ndodhet), njësisë përkatëse vendore (bashki), qendrës shëndetësore të zonës ku banon apo ndodhet ose me kërkesë-padi gjykatës së rrethit të vendbanimit, vendndodhjes së saj ose të dhunuesit/es, për të marrë masat e nevojshme.

Çdo person që konstaton një rast të ushtrimit të dhunës në familje mund t’u drejtohet me anë të një kërkese autoriteteve të mësipërme për të ndërmarrë masat e nevojshme.

Kategoritë që përfitojnë nga parashikimet e projektligjit

-Bashkëshorti/ja ose bashkëjetuesi/ja apo ish–bashkëshorti/ja apo ish partneri/ja

bashkëjetues;

-Vëllezërit, motrat, përfshirë, sipas rastit, edhe bashkëshortin/en ose bashkëjetuesin/en e tyre, si dhe fëmijët e vëllezërve dhe motrave, nëse janë anëtarë të njësisë shtëpiake;

-Paraardhësit dhe pasardhësit në vijë të drejtë, pa kufizime, përfshirë edhe rastet kur kjo marrëdhënie krijohet nëpërmjet birësimit;

-Prindërit dhe fëmijët e bashkëshortit/es ose të bashkëjetuesit/es, përfshirë edhe fëmijët e birësuar prej tyre.

-Gjinia në vijë të drejtë, përfshirë edhe prindërit, edhe fëmijët e adoptuar të bashkëshortit/es  ose bashkëjetuesit/es;

-Vëllezërit dhe motrat e bashkëshortit/es nëse kanë bashkëjetuar gjatë 3 muajve të fundit;

-Fëmijët e bashkëshortëve apo partnerëve bashkëjetues;

-Personat, të cilët janë në lidhje afektive në çift, jo domosdoshmërisht të shoqëruar me bashkëjetesë, gëzojnë të njëjtën mbrojtje;

-Kujdestari dhe personi që ndodhet në kujdesin e tij gjatë kohës që vazhdon kujdestaria, sipas përcaktimeve të kujdestarisë mbi të miturit dhe personit që i është hequr ose kufizuar zotësia për të vepruar sipas dispozitave të Kodit të Familjes.


Faksimile e projekt-ligjit për dhunën në familje

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë