Në Bunk'Art 2 dhe fotot flasin
Bollino:Risia e 'Augmented reality'

Në Bunk'Art 2 dhe fotot flasin<br />Bollino:Risia e 'Augmented reality'
TIRANË - Vetëm pak kohë nga hapja në nëntor të vitit të kaluar, bunkeri antiatomik i Ministrisë së Brendshme Bunk’Art 2 në qendër të Tiranës është shndërruar në atraksion për turistët shqiptar dhe të huaj. 

I ndërthurur mes teknologjisë dhe historisë muzeu është i vetmi në vend që përdor “Augmented reality” eksperiencën e realitetit të shtuar që përdoret në shumë nga muzetë e botës.
 
Kuratori Carlo Bollino rrëfen për Report Tv se si u instalua kjo teknologji e re në bunkerin antiatomik të Ministrisë së Brendshme Bunk’Art 2, një risi kjo e mirëpritur nga viztorët.
 
“Augmented reality” ose realiteti i shtuar në shqip, është një novacion teknologjik edhe për Europën, ekziston prej disa vitesh por akoma nuk është futur shumë në treg sepse është një inovacion nga të fundit. Në disa muze europiane është përdorur për të shtuar informacion mbi materialin që është ekspozuar, kjo është hera e parë që përdoret edhe në një muze shqiptar".

Carlo Bollino


Me anë të aplikacionit të Bunk’Art në tre nga dhomat brenda bunkerit mund të zbuloni historinë e thënë nga vetë personazhet si At Zef Pllumbi në fotomomentin e arrestimit në 1967.  Me anë të animimit paraqitet dëshmia e dhimbshme e tij. Fotoja nga organet e atëhershme të sigurimit e paraqitur si kapja e Zef Pllumit në flagrancë në tentativë për t’a arratisur. 
 
"Ke 25 shtatori i vitit 1967, ata po më kërkojshin si zagarët leprin dhe njëri prej tyre i armatosur siç ishte më tha -'Ndal, duart lartë'.  Hipëm në një kamion të ngarkuar me vullnetarë dhe më dorëzuan në postën tjetër kufitare në Rapsh të Hotit".

bunk art


Në një nga dhomat e tjera të Bunk’Art 2 paraqitet historia e krijimit të xhandarmërisë së parë e “treguar” nga një xhandar. 

"Arma e xhandarmëmërisë mori paksa formë  aty nga qershori i 1913-tës me disa batalione. Batalioni i Vlorës drejtohej nga majori Hysen Prishtina, ai i Beratit drejtohej nga kapiteni Ali Tetova".

xhandari


Me anë të animimit dëshmia e një prej bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit ose siç i thërrisnin atëherë “fuksa” në një mënyrë virtuale me anë të app do të shfaqet në smartphonin tuaj duke folur. 
 
"Spiun, të gjithë më quajnë spiun madje fuks që është akoma më keq. Fitoj vetëm 80 lekë në muaj dhe këto nuk janë asgjë për këdo. Mjerë ai që më quan fuks, e denoncoj tak fak, e arrestoj tak fak sepse ky është misioni im".

bunk art 2

 
Kuratori Bolino flet për këto tre momente.
"Brenda Bunk’Art ne kemi përdorur tani për tani vetëm 3 instalacionet për të fuqizuar informacionet që normalisht në një muze është e vështirë të tregohen me audio e video, duke animuar disa foto. Por shumë shpejt do të shtohet edhe në dhomat e tjera dhe në Bunk’Art 1, i pari që kemi hapur. “Augmented reality” është instrument për të ofruar më shumë informacione që janë dinamike, kanë interaksion midis vizitorit dhe muzeumit dhe kjo është një mënyrë e re për të afruar edhe njerëz".
 
Pas një instalimi të thjeshtë të aplikacionit të Bunk’Art për IOS apo Android mund të lidheni me WIFI, shërbim i ofruar pas bashkëpunimit të Bunk’Art dhe AlbTelecom, mjafton të futeni në faqen e Bunk’Art 2, shtypni AR+ që të do të hap kamerën e telefonit tuaj, duke u fokusuar tek personazhi në foto do lançohet edhe mesazhi i animuar. 

Kuratori Bollino thotë se kjo është lehtësisht e aplikueshme për këdo që ka një smartphone, ndërsa risia thotë ai nuk është vetëm për shqiptarët por edhe turistët e huaj të cilët vizitojnë Bunk’Art2.

"Kjo është e re edhe për turistët e huaj të cilët janë habitur nga ky instrument kaq modern në Shqipëri ndërkohë që në Itali ka vetëm në një muzeum, apo në Gjermani përdoret në 2 apo 3 muze që e përdorin. Instrumenti është shumë i thjeshtë, mjafton ta shkarkoni aplikacionin dhe fokusoni kamerën tek fotoja. Muzeu modern kërkon interaksion, kjo është një nga mënyrat e interaksionit të mundshëm"


“Augmented reality” ose realiteti i shtuar me anë të teknologjisë mbivendos një imazh të lëvizshëm të rigjeneruar elektronikisht në tre foto brenda tre dhomave të Bunk’Art 2 duke ofruar një pamje në dukje reale në smartphonin tuaj. 

Shumë shpejt në Bunk’Art 2 do të ketë për publikun edhe dhoma të tjera ku mund të përjetoni eksperiencën e realitetit të shtuar.
 
Redaksia Online
(Antonio Çakshiri/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Zyrtare/ Xavi Hernandez i jep besën Barcelonës, qëndron edhe vitin që vjen

Zyrtare/ Xavi Hernandez i jep besën Barcelonës, qëndron edhe vitin që vjen